top of page

Kozma Gjergji: GJEST HUMAN

Updated: Jul 8, 2023


GJEST HUMAN I NJË ÇIFTI SHQIPTARË

Nga Kozma Gjergji



Në këtë shkrim dëshiroj të bëj të njohur gjestin mjaft fisnikë të një çifti shqiptarë. Unë dhe bashkëshortja riktheheshim nga Shqipëria për në Itali ku jetojmë prej shumë vitesh. Autobuzi me të cilin udhëtonim na solli tepër vonë në Padova, nga ku do të merrnim tjetrin për në qytetin në të cilin banojmë.

Vonesa ndodhi për shkak të trafikut nga një aksident dhe të ngatërrimit të rrugës nga shoferi. Kësisoj e humbëm autobusin e fundit të linjës dhe tani na duhej të gjenim tjetër alternativ udhëtimi. Përveçse ora shkonte njëzetë e dy, vështirësia shtohej se kishim bagazhe të rënda, dhe stacioni këtu qe çvendosur më larg, në periferi të qytetit.

Zgjidhja më ideale do të ishte t'i bënim zë djalit tonë të vinte menjëherë me mjetin të na merrte, por për koiçidencë ai gjendej jashtë shtetit. Disa autovetura që erdhën për të tyret kalonin në drejtime të tjera.

Teksa të shqetësuar shkëmbenim mendime për ndonjë zgjidhje, ia behu një autoveturë sikur ta kishte dërguar vetë Zoti. Ndaloi jo larg nesh. Zotërohej nga një çift i ri shqiptarë. Ndërsa kryen punën për të cilën kishin ardhur, time shoqe iu drejtua e ekspozoi hallin dhe kërkojë nëse mundeshin të na çonin në destinacion duke iu ofruar një pagesë joshëse.

Gatishmëria e të dyve na la pa fjalë. Si të qenë marrë vesh që më parë, u shprehën në çast plotësisht dakord, por ama, veç pa asnjë pagesë. Dhe nuk humbën kohë. Djaloshi, ashtu me atë energjinë e moshës, ngriti menjëherë valiçet e çantat dhe i vendosi në bagazh. Zumë vendet dhe u nisëm. Ndiheshim të çliruar e fortë të kënaqur. Nuk kishte të paguar kjo ndihmë, solidaritet e ndjeshmëri e tyre.

Gjatë rrugëtimit përsëritën se këtë shërbim e bënin me shumë dëshirë vetëm si një ndihmesë e shqiptarit për shqiptarin dhe kurrsesi për lekë. Kujtdo mund t'i ndodhë kjo, u shprehën, dhe për më tepër bakëatdhetari duhet t'i gjendet pranë bashkëatdhetarit…

Na befasojë e mrekullojë kjo sjelle e dy të rinjve, kur gjatë këtyre viteve të tranzicionit kishim dëgjuar me bollëk aq e aq bëma e gjëma.

Gjatë bashkëbisedimit mësova se djaloshin e quanin PATRIOT AGA, kurse partneren e tij BRUNILDA NAZO. Kishin emigruar prej vitesh në Itali, e këtu patën krijuar dhe familjen. Si njerëz të punës e virtytit qenë integruar shpejtë. Ndiheshin të shpërblyer e kënaqur në sajë të përkushtimit, ndershmërise e sjelljes model, për të cilat gëzonin simpatinë e respektin e mjedisit ku punonin e jetonin.

Vetvetiu shkoi fjala tek vendlindja. Djaloshi tha se rrënjën e kishte nga Dhëmblani-Tepelena, ndërsa Zonja nga Skrapari-Berati, dhe tanimë të dy kanë të përbashkët Vlorën, ku aktualisht banojnë prindërit e të afërmit e tyre. Si për cilindo, edhe për këta të dy vendlindja e ato vende mbeten përhere të dashura. Largësia dhe malli i praron e zbukuron akoma më shumë.

Rruga kaloi shpejtë e ja tek mbrritëm pranë shtëpisë. Ndonëse distanca qe e konsiderueshme s'pranuan e s'pranuan të merrnin as edhe një çentezë për shërbimin. U ndamë miqësisht njësoj si me djalin e vajzën tonë. Vlera e lekëve ishte hiçgjë para sjelljes së tyre, prandaj gjykova mos ta mbajmë vetëm për vete, pasi shoqëria ka nevojë gjithmonë për shëmbujt pozitiv.

Teksa mendoja për këte pjesë të ndritur të shpirtit të tyre isha plotësisht i bindur që merita kryesore iu takonte prindërve. Dhe kjo duket që nga emri kuptimplot që i kanë vënë djaloshit: "PATRIOT", si një porosi e kujtesë e përhershme për të qenë vazhdimisht atdhetar i denjë dhe t'i dojë me zemër bashkëkombasit e tij.

Duke përfunduar e quaj fat këtë që më ndodhi. Gjesti i bukur i këtyre dy bashkëatdhetarëve i ka bërë mirë shëndetit moral dhe frymëzimit tim. Edhe për këtë i falënderoj me mirënjohje.

106 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page