top of page

Gjaku nuk harrohet kurrë


Dr Nuri Dragoj

Gjaku nuk harrohet kurrë

Rreth vëllimit me poezi “Unë jam unë”, të shkrimtarit Sazan Goliku

Nga Dr Nuri Dragoj

Poeti Pandeli Koçi, të cilin, në krijimtarinë letrare, jemi mësuar ta njohim me emrin Sazan Goliku, me librin “Unë jam unë”, na shpalos thuajse gjithë historinë e Shqipërisë. Autori e ndjen thellë dhimbjen që shkaktoi bisturia e Berlinit mbi trupin e Shqipërisë. Ishte viti 1878, kur shqiptarët u mobilizuan për të mbrojtur trojet e tyre, nga vendimi famëkeq i Shën Stefanit, mars 1878. Dhe i mbrojtën. Luftuan me trimëri si përherë. “Nga kreshta e lartë, gjak i madh po rrjedh”, shkruan autori. Në të vërtetë, asnjë prej fqinjëve grabitqarë nuk guxonte t’u dilte përballë shqiptarëve. Ka dhjetëra dokumente që e provojnë këtë. Por gjetën mbështetje te Fuqitë e Mëdha. Ndaj poeti lëshon vargjet: “Lidhja e Prizrenit, lidhje mbeti, / Kongresi Berlinit - qelb që s’e lan deti”.

Sazan Goliku u ka kushtuar shumë poezi heronjve dhe dëshmorëve të rënë për liri. Një prej tyre është dhe Isa Boletini. “Qeleshja e bardhë - / Kresht’ e trimërisë / Zemra jote - shqipe / Krahë i dhe lirisë...”. Sazan Goliku e di që historia e jetës dhe veprës së Isa Boletinit, është historia e një patrioti legjendar, që me sakrificat e tij hodhi një gur të madh në themelet e shtetit të pavarur. Ishte pikërisht qëndrimi patriotik i Boletinit dhe mijëra burrave të tjerë që mundësuan mbijetesën e kombit shqiptar. Besnik ndaj Ismail Qemalit, Isa Boletini hyri triumfator në qytetin e Vlorës, bashkë me 105 djem të armatosur kosovarë. Më shumë se forca e tyre, vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur, se Ismail Qemalin e ruante Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptarë gjakprishur që ishin kundër pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin plakun e Vlorës, të paktën fizikisht, pasi në bisedat e shumta me Ismail Qemalin, Isai kishte dhënë besën, se jeta e tij dhe e luftëtarëve që drejtonte, do ishin për Shqipërinë e lirë. Dhe në fakt, nuk e shkeli kurrë besën e dhënë. Ndaj dhe vlonjatët i kanë gëdhendur të dyja këto figura në këngë, duke i vendosur të dy, “si mali, pranë malit, si syri, pranë syrit”.


Autori nuk i fal trojet e lena jashtë kufijve, pas konferencës famkeqe të Londrës 1912-1913. Dhe u drejtohet pushtuesve në formë qortimi: “Mos më mallko tokën, që dikur më vodhe / Se plagë e dikurshme, kurrë s’do të zërë kore”. Vërtetë i morën trojet me dhunë, por nuk duhet të harrojnë që kombi shqiptar ka mbetur po ai: “Nëpër luftra çarë, copëtuar, / Thellë në zemër i bashkuar”. Por edhe sepse, “gjaku ynë, gjak i dlirë / rrjedh në deje, çelik i shkrirë”.

Në pak vargje, Sazan Goliku (Pandeli Koçi) na jep një histori të tërë. Lekli i tij, është fare pranë fshatit Hormovë, madje Kodra e masakrave të tmerrshme, kryer nga andartët, ndodhet mbi fshatin e tij të lindjes. Janë gëdhendur në kujtesën e poetit shumë ngjarje të dhimbshme. Ai nuk i ka jetuar, por i ka mësuar nga dokumentet e shkruara, i janë transmetuar nga gjyshi e gjyshja, që në vogëli. Mbase ia ka treguar mali i Golikut, që poeti e ka patur mbi krye. Mundet të jetë kjo arsyeja që poeti e cilëson këtë mal, “Babagjysh Goliku”. Ja vargu i tij: “zë më flet me heshtje mali / Babagjysh Goliku...”. Kemi një mal me emrin Baba, malin e Tomorit, por edhe një tjetër mal, me emrin “Babagjysh”. Malit të vet, poeti i kushton disa poezi. Dhe nuk është rastësore që dhe emri letrar i Pandeli Koçit është Sazan Goliku. Sepse në atë mal ndihet i plotë, pasi “kur mbi ty qëndroj në kreshtë / Jam i lartë, barabar sa malet...”. Mali i tij është dëshmitar i historisë. Ai ka parë poshtërsitë e kryera nga armiqtë: osmanë, grekë, serbë, italianë, gjermanë, por edhe trimërinë e shqiptarëve. Ai ka mbrojtur në gjirin e vet trimat që luftonin për liri, duke mbajtur krahun e tyre, sepse malet janë më pranë dritës, më pranë diellit, më pranë perëndive, ndaj dhe e duan lirinë. Për këtë arsye, po për këtë mal, poeti thotë: “Hoqe valle, valle lufte... / Iso mbajte për lirinë...”.

Në prill të vitit 1914, në Kodër pranë Hormovës së Tepelenës u vranë 218 shqiptarë. Shumë prej tyre i dogjën në kishë. Diplomati gjerman, Leo Freundlich, shkruan për metodat tinzare të përdorura nga pushtuesit. Ushtarakët grekë thirrën shehun e Hormovës, si njeri me autoritet në fshat, dhe e këshilluan të njoftonte meshkujt e moshës mbi 15 vjeç, të mblidheshin në Manastir, ku do të bëhej një mbledhje. Ata e qetësuan shehun se nuk do të bënin asgjë të keqe, por në fakt kryen masakra në më shumë se 200 burra, duke i varur, therur, torturuar me prerje veshësh e hundësh, goditje me bajoneta dhe mbytje me tel. Në raportin e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, firmosur nga gjenerali De Weer, kapiteni C. Delong, majori F. De Groot dhe toger Meleq Frashëri, renditen emrat e personave të masakruar. Ja çfarë thotë një këngë e asaj zone: Qaj, moj Shqipëri, / Ulëri e gjorë / Se ç’na erdhi greku / Me thikë në dorë / Treqind e ca burra / Theri në Hormovë.

Poetit i dhëmb ajo ditë e zezë, gjaku i të pafajshmëve, ulërimat e nënave për fëmijët e vrarë, bregën e grave të mbetura pa burr e me fëmijë jetim, lotët e fëmijëve që vështërë të shtereshin. E ndjen ende jehonën e klithmave të tyre, që përhapej faqe malit, honeve e gërxheve dhe shtrihej në luginën e Vjosës, për ta çuar gjëmën në çdo derë shqiptari. Meraku më i madh i poetit, është ruajtja e kujtesës historike, pasi historia mund të përsëritet, ndaj këshillon: “Ai që kryqin thikë / Na tundte para syve / Një ditë mund të ringjallet / Me qeshjen e hienës / Të hap sërishmi varret”.

Kemi në dorë librin e një poeti me të vërtetë patriot, që përcjellë mesazhe dashurie për të rënët, nderim për gjakun e derdhur. Një pjesë prej tyre nuk kanë as varr, pasi armiku i zhduku pa lenë gjurmë. Mbase një i tillë është dhe vet babai i autorit, pasi siç shkruan ai, “Im at s’ka varr / ka vetëm një pllakë (me emrin e tij), / ku mund të betohem për lirinë”. Në këtë mënyrë poeti vulos dhe vijueshmërinë, pasi shqiptarët në breza e kanë mbrojtur lirinë.

Ata që kanë dhënë jetën, janë ende me ne, ecim bashkë, flasim bashkë, përshëndetemi, sepse i kemi në emra rrugësh e shkollash. I nderojmë sepse duhet t’i nderojmë. Kemi nevojë për ta. Kemi nevojë t’ua paraqisim të rinjëve si model të heroizmit, të dashurisë për atdheun. Shqipëria ka patur, ka dhe do të ketë përherë nevojë për trima, për luftëtarë, për heronjë e dëshmorë. Poeti Sazan Goliku shkrruan kështu, sepse e di që kombet e rrisin dhe konsolidojnë shtatin, mbi themelin e gjakut të të rënëve. E si të mos nderosh tërë këtë gjak të derdhur, të mos nderosh nënë Havanë, që bijtë ia fali lirisë: “Katër emra në zemrën tënde / Katër thika në gjoksin tend / katër varre në sytë e tu…”.

Burrat dhe djemtë që ngjeshën krahëve pushkën e fjetën netëve duke vënë kokën mbi gur, shihnin në ëndërr për natë lirinë, shkollat me fëmijë të gëzuar. Nuk patën interes vetiak. Për ta, mbi të gjitha, ishte liria e Shqipërisë. Dihet që lufta nuk largohet duar bosh. Merr me vete jetë njerëzish. Të rënët për liri tashmë kanë një varr, kanë një emër të shenjtë, që ta jep vetëm lufta, emrin e nderuar “dëshmor i atdheut”. Ndaj poeti, në një poezi kushtuar Mustafa Matohitit, thotë: “...Në pellgun e gjakut pasqyrë / nuk pa fytyrën e vet”, sepse në atë gjak shihej fytyra e kombit, jo e individit. Është kjo arsyeja që kur jemi para lapidarëve mbajmë qetësi, vendosim lule dhe duke u përulur para mermerit të bardhë, duket sikur dëgjojmë zëra. Janë zërat e tyre, zërat e shokëve të vrarë. Çdo detaj i jetës së dëshmorëve na vjen me një kurorë drite, prerë nga heroizmi që ata treguan. Vitet plotë ngjarje vijnë dhe na flasin shumë për ta. Dëgjojmë historitë e tyre dhe heshtim. Heshtin edhe të rënët. Ata janë bashkë, komandantë e partizanë, të gjithë njëlloj. Dhe poeti sërish, bazuar në vargjet e një kënge popullore, shkruan: “Do të marr martinën / Të jetoj si burrë / dashuri e trimit / të mos vdesë kurrë...”. Prandaj, numrit të popullsisë së vendit, duhet t’i shtojmë dhe numrin e heronjëve, të dëshmorëve, sepse ata janë gjallë. Ata janë vrarë në muaj të ndryshëm, në vite të ndryshme, por i bashkon një ditë: Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Kështu të rinjtë mund të ndihen krenarë të jenë si ata që luftuan për lirinë. Ja dhe një tjetër mesazh force dhe shprese, në poezinë kushtuar Said Najden Dibranit, i cili nuk donte lavde, por linte vetëm një amanet, që kur të vinte liria e shumëpritur, “ditë e bardhë kur të vijë”, në gurin e varrit t’i shkruhej: “Që nga lindja, gjer në varr / për Atdhe shërbëtor ishte”.


Në lapidarët e shumtë është përjetësuar historia, aty gjendet lavdia e të rënëve, në fusha e male, gjenden në çdo kohë ata që u flijuan, për të ruajtur kujtimin e një kohe historike. Lirinë nuk ka asnjë forcë që ta ndal. Ndaj dhe Ukshim Hoti, u tha hienave dykëmbëshe: “Edhe pa mua liria do të vijë”. Është kjo arsyeja që poeti ynë i thotë Jusuf Gërvallës, se ishte dhe është “dëshmor - me ballin lart në re, / me rrënjët e gjakut thellë tokës shqiptare... Dëshira jote rezaton / rrugës që shpie në livadhin e ëndërruar”.

Duke lexuar këto vargje njerëzit kujtojnë ato ditë lavdie, atë kohë heroike, kohën e luftrave çlirimtare. Kur dëgjojmë këngët për ta, shpirti trazohet e ngrohet njëkohësisht. Zemra të thërret të ngrihesh, të fluturosh, të mbrosh e garantosh lirinë, edhe kur jemi duke soditur vallet. Sepse dashuria për atdheun e përbuz vdekjen. Edhe vdekja gjunjëzohet para forcës së saj. Ndaj autori, kur flet për Qeriba Deraj, thotë: “Lirinë ia mbytin në fyt / kur vdekjen e pështyn / e vdekja skuqet / në fytyrë...”.

Poeti nuk e ndan kombin në parcela, pasi për të janë një, Kosovë e Shqipëri. Ajo Kosovë që ka vuajtur aq shumë për lirinë. Historia e saj gëdhendet në dy vargje të poezisë për Shote Galicën: “Mes klithmave të Kosovës-foshnjë, / Në duart e xhelatit me kryq në qafë”. Ndaj dhe “kryet ngre e lirë Kosova”. Në historinë e kombit shqiptar, nuk gjendet asnjë rast që të ketë dëmtuar popuj të tjerë, ngaqë: “Plis i bardhë kërkon veç paqe / Mbi kët’ dhe të larë me gjak”. Dhe gjaku nuk do të kursehet kurrë për “këtë atdhe, sa një kokërr grurë, / këtë atdhe, sa bota mbarë”. Më bukur nuk ka si thuhet. E në tërë këto prapësi e pabesi ndaj shqiptarëve, bën pjesë dhe vrasja pas shpine e Sali Nivicës, ne vitin 1920, por gjithsesi, mbetën të pavdekshme, “Pena e tij m’e mprehtë se shpata, / Fjala e tij m’e nxehtë se plumbi”.

Duke lexuar poezitë e Golikut, na dalin para syve lapidarët që ngrihen drejt qiellit, për të ruajtur një kujtim të të rënëve. Kalimtarët kthejnë kokën drejt tyre dhe shohin pllakat e mermerit, të cilat lidhin tri kohë: të shkuarën, të sotmen dhe të ardhmen. Kur ngjitim shkallët për tek këto përkujtimore, e kuptojmë që nuk janë thjesht shkallë të një rruge a pallati, është ngjitje në shkallët e historisë, të heroizmit të tyre. Aty është jeta e njerëzve që kanë folur shqip, duke i thënë armikut se shqipja nuk vdes kurrë. Jo më kot poeti na sjell në vargje jetën e Idriz Seferit, sepse: “Shqip do t’i flas kohës, / Bacë Idriz Seferi, / Shqip do t’i përgjigjet / Shqipja me fjalë nderi”.

Sazan Goliku, i dashuruar pas vendit të vet dhe gjuhës shqipe, u bën homazh figurave të shquara të kombit, Gjon Buzukut, Marin Barletit, Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit, Ndre Mjedës, Naim Frashërit, Gjergj Fishtës, Andon Zako Çajupit, Millosh Gjergj Nikollës (Migjenit), Dhimitër Paskos (Mitrush Kuteli) e të tjerë, që sakrifikuan për shkrimin e gjuhës shqipe dhe pasurimin e leksikut të saj. U bën homash atyre që dhanë jetën për këtë çështje madhore, si Papa Kristo Negovani, At Stath Melani... Duke nderuar klerikun Spiro Kume, i cili përfaqëson gjithë klerikët patriotë, që i kthyen kishat dhe xhamitë në shkolla për t’u mësuar fëmijëve gjuhën amtare, poeti ynë nderon gjeneratën e shquar të rilindësve. Ja si e përshkruan autori priftin Spiro Kume: “Ishte shok me papa Kriston, / At Stath Melanin kishte mik, / Vargjet mjaltë të Naimit, / Buzës tij, kullonin dritë”. Në këtë mënyrë përcjell dhe mesazhin për brezin e sotëm, pasi ende kemi nevojë për t’u ballafaquar me vargjet e Naimit: Gjuha jonë, sa e mirë / Sa e ëmbël, sa e gjerë / Sa e lehtë, sa e lirë / Sa e bukur, sa e vlerë! Kjo edhe për faktin se në ditët tona janë harruar këshillat që jepte Naim Frashëri: Shqip të flisni përherë / thjesht‘ e të papërzjerë / Rroftë e qoftë Shqipëria / Dhe kombi e gjuha jonë / Lulëzoftë dituria! / Edhe ndihmës paçim Zonë! Për gjeniun e gjuhës amtare, ne s’jemi asgjë pa shqipen? Pa shihni ç’gjuhë e mirë!/ Sa shije ka e hije, / Ç'e bukur' edh'e lirë, / Si gjuhë perëndie... Ja edhe Gjergj Fishta çfarë thotë: Qoftë mallku, ai bir Shqiptari, / Qi këtë gjuhë t’Perëndisë, / Trashëgim q’ia la i Pari, / Trashëgim s’ia lenë fëmisë. Nuk është e tëpërt të kujtoj vargjet e Ndre Mjedës: Përmbi za që lëshon bylbyli, / Gjuha shqipe m’shungullon, / Përmbi erë, qi nep zymbyli, / Pa ‘da zemrën ma ngushllon. / Gegë e toskë, malësi, jallia, / Janë nji komb, m’u ‘da s’duron, / Fundë e majë, nji asht Shqipnia, / E nji gjuhë t’ gjith na bashkon.

Poeti e do popullin e vet, e do krenarinë e tij, dinjitetin, pasi është komb energjik dhe nuk mbetet pas të tjerëve nga mënçura. Ruajtja e dinjitetit ka shumë rëndësi për Golikun, pasi përpjekjet për të prbaltur personalitetine tij janë të mëdha. Ndaj ai bën thirrje të tregohet kujdes, sepse: “Çdo errësim i emrit tend / Mbi atdhe njëmijë rrufe”.

Autori i librit shpreh dhimbjen që shkakton emigrimi. Për fat të keq, shqiptarët kanë emigruar para Shpalljes së Pavarësisë dhe pas saj. Shkak ka qenë mungesa e shpresës. Madje edhe pas krijimit të shtetit shqiptar, në vitin 1920, e më pas, për shkak të paqëndrueshmërisë politike, rënies së qeverive njëra pas tjetrës, kryengritjeve dhe tendencës së rrëzimit të pushtetit me dhunë, vit pas viti, ekonomia jo vetëm nuk përparoi, por në momente të veçanta bëri hapa prapa. Kjo ishte një arsye më tepër për të marrë rrugët e kurbetit, duke i lënë pjesëtarët e shtëpisë në ankth. Në shumë fshatra mungonte toka bujqësore ose ishte e paktë dhe nuk mund të siguroheshin të ardhurat e duhura për të mbajtur familjen. E njëjta gjë ndodhi dhe pas vitit 1990. Siç shihet, askush prej tyre nuk shkonte me dëshirë, por të detyruar nga kushtet ekonomike. Ja çfarë thotë një këngë përmetare: “Nuk ikim nga qejfi, / Por ikim nga halli, / O kurbet i shkretë, / O të martë djalli”.

Braktisja e vatrës familjare për vite me radhë krijonte boshllëqe të mëdha shpirtërore. Ndihma ekonomike që përfitohej ishte minimale. Presioni i ushtruar tek emigrantët nga ana e pronarëve, tendenca për t’i shfrytëzuar maksimalisht në punë me orë të zgjatura; mungesa e identitetit dhe krenarisë kombëtare; ushqimi jo cilësor; meraku për njerëzit e lënë në vendlindje dhe të tjerë faktorë, bënin që kurbetlinjtë të pësonin ndryshime të dukshme fizike, pa përmendur rastet e humbjes së jetës. Një pjesë nuk arrinin në destinacion, të tjerë nuk kishin fat ta shihnin sërish familjen. Ndaj poeti thotë: “Era e Jonit, ende derdh lot të zinj, / Mbi fushat që presin të zotë…”. Por edhe pse të larguar me vite, përsëri mendjen emigranti e ka në vendlindjen e vet. Tashmë e dimë ndihmesën e dhënë nga Federata “Vatra” në SHBA, për bërjen e Shqipërisë, rolin e Fan S. Nolit, Faik Konicës, Kristo Dakos, Kostë Çekrezit e shumë tjerëve. Është një dashuri e përzier me dhimbje bashkë, që vështirë të përshkruhet me fjalë. Ndaj edhe poeti e lë pa shpjegim të plotë, kur bënë të shprehin habi dhe vetë emigrantët: “Sa më shumë na ftohet gjaku, / aq më shumë na shtohet malli / çështë kjo forcë magnetike, / që të ngre, të djeg si zjarri”?!

34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page