top of page

GARIPI


GARIPI


Tregim nga Kozma Gjergji



E kemi bërë zakon të takohemi pas punës për kafe e ç'të na shkrepet. Ndonëse nga krahina të ndryshme, mërgimi na ka miqësuar jashtzakonisht.

Jetojmë e punojmë prej mbi dy dekada në këtë vend të standarteve të larta, i cili të ofron bujarisht gjithëçka. Përpiqemi t'ia shprehim mirënjohjen duke qenë qytetarë të denjë dhe kontribuor maksimalisht.

Bisedat e humori të çlodhin e përtërijn. Aq më tepër në mjedisin e këndshëm të tavernës që preferojmë. Midis ornamenteve këtu më tërheq vëmendjen skulptura e një mali madhështor, nëpër shkëmbinjtë e të cilit janë skalitur disa portrete personalitetesh të famshëm që e kanë frekuentuar. Interesant si i ka shkuar mendja pronarit te kjo gjë. I japin prestigj tavernës dhe ndikojnë në tërheqjen e njerëzve.

Ndërsa lexoj me kureshtje emrat më ndërmendet një kuadër i rëndësishëm i kohës së regjimit komunist, që vuante tmerrësisht nga mania për t'i shtuar vlera vetes dhe i paraqitur të afërmit pjesëmarrës ose protagonist në ngjarjet kryesore.

Me lloj-lloj marifete ia arriti që të vendosej në shtëpinë e tij një pllakë përkujtimore, e cila dëshmonte se kishte qenë një nga bazat e luftës çlirimtare.

Mirëpo reagimi i ish-luftëtarëve nxorri në pah krejt të kundërtën. Në afërsi të saj atëhere pati kaluar një batalion, dhe njëri nga partizanët kishte shurruar tek gardhi rrethues. Sipas tyre kjo ishte tërë ndihmesa për luftën e familjes së këtij kuadri mburravec.

Secili prej nesh fjalos të tijat në bashkëbisedim. Meti për të rejat nga gjuetia me grepa, Rreli për të sportit, unë të politikës, kurse Garipi për ato të punës. Më çuditi në fillim emri i tij. Mësova se në fakt zyrtarisht e kishte Galip. Ia patën ndryshuar bashkëmoshatarët për shkak të disa aventurave në rininë e hershme. Tani, burr seriozë e mjeshtër në profesion, ky emër i bën kontrast, po hajde ta heqësh.

Rrallë kam hasur si Garipi ta dojë e nderoj kaq shumë punën. Flet për të me pasionin e dashurinë e artistit. Largimin prej saj e quan faj të rëndë, që të çon tek mjerimi e veset shkatërrimtare. E ilustron me plot shëmbuj nga jeta, e sidomos me ato që ka përjetuar vetë pas rënies të diktaturës.

Teksa dëgjoj pësimet e hidhura nga i tillë njeri i virtytit dhe i plotësuar, ndjej një keqardhje si në ato raste kur kam parë brenda bukurisë trishtimin. Ja çfarë është duke na rrëfyer.

-Me çlirimin nga robëria komuniste, edhe unë si mjaft të tjerë u vërsula të emigroj pa pyetur fare për rreziqet. A i trëmbet ujku i uritur luanit e tigrit? Varfëria të heq çdo turp dhe është këshilltar i keq. Krijon hajdutë e kontrabandistë, ashtu si dashuria krijon poetë e artistë.

Me guximin dhe këmbënguljen e të çmendurit asokohe kërkonim të pasuroheshim me çdo kusht e sa më shpejt. Dhe këtë mund ta realizoje më kollaj duke përdorur femrat, si ndër gjërat më të kërkuara. Ashtu si korbi gjen kërmën, e gjeta dhe unë prenë. Bleva për tre mijë dollarë një vajzë moldave dhe ia mbatha në Belgjikë shpresëplot për të fituar qindra mijëra.

Dolëm në një nga rrugët, ku dhe të tjerë ushtronin të njëjtën gjë. U befasova me konkurrencën tejet të egër. Të kërcënonin e sulmonin tutorët të shtyheshe gjithnjë larg e më larg, njëlloj si egërsirat për territorin.

Megjithë vështirësitë s'mungonin kërkesat. Për fat moldavia qe e palodhur. Fitimin e ndanim të dy, sigurisht unë pjesën më të madhe, siç qemë dakorduar.

Pikërisht kur nisa të shijoj i knaqur frutet e biznesit më ngjau hataja. Një mbrëmje ndaloi pranë nesh një veturë e zezë nga e cila zbritën tre gango. Dy më mbërthyen fortë e tjetri më zbrazi xhepat. Morën vajzën dhe u zhdukën me shpejtësi. Tmerr! S'dija ç'të bëja! Kisha frikë t'i denoncoja. Fakti që moldavia dukej sikur e mirëpriti, më la të dyshoja. Ky lloj malli ka gojë e vesh, dhe nëse e joshin më tepër të lë shëndetin.

Mbeta i vrerosur si ai që humbet keqas në kumar. Vërdallisesha për ndonjë punë. E pamundur. Provova dhe lypjen. Si të mos mjaftonin këto më ndaluan dy policë të shërbimit. Më kërkuan dokumentin e identitetit dhe lejen e qëndrimit. Kisha vetëm pasaportën.

-Qënke klandestinë, -më thanë dhe shtuan, -Me çfarë merresh? Si jeton? Ku i gjen lekët?…

Ç'dreqin t'u thosha! I gënjeva.

-Ja ashtu… duke shëtitur bythën rrugë më rrugë. Kam shitur trupin…

-Aaa!… Punoke në të zezë ëëë!… Je në shkelje të ligjit…

Nuk më gjykuan apo kërkonin shpjegime më tej. Mbushën shkresën e ma dorëzuan, në të cilën thuhej në formën e urdhërit të largohesha nga vendi brenda pesëmbëdhjetë ditëve dhe se më ndalohej të hyja për pesë vjet.

Eh! Dhe kjo më duhej! Psherëtiva! Pse o mërgim, thashë, zgjedh për viktimë një hallexhi? Tregou pakëz dashamirës dhe me mua, ashtu si me plot të tjerë. Bekim do kesh…

Lëviza andej-këtej për ndonjë zgjidhje. Bashkëkombasit që u lidha, megjithë gatishmërinë për të më ndihmuar, ishin për vete pa dokumente e në vështirësi. Kur s'e prisja më telefonoi një miku im nga Zvicra. Duket e kish marrë vesh. Eja, eja sa më shpejt këtu, më ftoi. Ka punë e lek me bollëk…

Më gëzoi pa masë. Njeriu pa mik është si dora e djathtë pa të majtën. U nisa menjëherë. Kisha dëgjuar për shpërndarësit e drogës. Dhe mendoja se ftesa e tij mbase për të atillë shërbimi duhej të ishte. Gjithë rrugës më rrinte në mendje një nga thëniet e Biblës: Gremina thërret greminën.

Që ditën e mbërritjes miku më punësoi si korier narkotikësh. Pagesa qe e lartë. T'i ngopte xhepat. Kur të grumbulloja mjaftueshëm lekë, dëshiroja të kthehesha në atdhe, t'i shtoja nëpërmjet bizneseve, pasi dhe krahu i punës ishte mjaft i lirë.

Ditëve në vijim më ndodhi si atyre peshkatarëve me rrjetat plotë, të cilët befas i zë stuhia e ua çon dëm gjuetinë dhe ndërpret. Më arrestoi policia për disa doza narkotikësh që më gjeti gjatë një kontrolli rutinë. Qe i kotë shfajsimi se gjoja i kisha për vete.

Habitërisht miku im nuk pati asnjë shqetësim. Ai u shpërndante VIP-ve. Përse vetëm unë?! Nuk doja kursesi të dyshoja për të. Të ishte bashkëpunëtor apo më hoqi qafe se ndoshta aq i duhesha?! Miqtë e sinqertë tani janë bërë tepër të rrallë. Vetëm armiqtë janë të sinqertë. Sot besnikëria është veç emri i një qeni…

Të mos e zgjas përfundova në burg. I jepja kurajo vetes duke u justifikuar se kushdo mund të rrëzohej njëherë gjatë rrugëtimit të vetë. Bie dhe kali që ka katër këmbë…

Kurrë nuk e kisha menduar se mund të burgosesha. Të keqes i kam qëndruar sa më larg. Burgu kurdoherë më ndillte frikë. E konsideroja Ferrin e vërtetë të populluar me djaj, vampirë, shtriga, judë, pilatë e gjithëfarë mëkatarë. Nuk e përfytyroja dot veten midis tyre.

Por që kur hyra në terrin e këtij burgu, pabesueshmërisht gjeta një paqe qetësuese. Komoditeti dhe kushtet e jetesës ishin të përsosura. Mos kishin ngatërruar Ferrin me Parajsën?! Këtu të keqen e mbanin me pekule. Përdornin si Krishti dashurinë për t'ia hequr ligësinë.

Sa e sa herë më shpërfaqej tronditshëm në mendje skëterra që kaluam dhe zemra më therte tepër dhimbshëm për atë fat.

Po afrohej fundi i dënimit prej katër muajsh. Nuk më bëhej të dilja. Dëshiroja të qëndroja sa të kalonte dimri. Dhe ashtu vendosa. I drejtova kërkesë drejtorit të më zgjaste dënimin. Nuk ma mori parasysh.


Kozma Gjergji


35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page