Vullnet Mato
GABIMI TE DERA E NUSES
Tregim
Dy kushërinjtë e parë, me emrat Gracen dhe Hysen, thirreshin shkurtimisht “Cen”, nga të gjithë në fshatin P. të Çermenikës. Si djem të baballarëve vëllezër, ata kishin pamje të ngjashme, por karaktere krejt të ndryshëm. Cen- Graceni tridhjetëvjeçar, ishte bari me një tufë dhi. Përveç cilësive të tjera, njihej nga të gjithë për sjellje të ngjashme me një cjap përçor të shkathët e të harbuar, nëpër rrëpira shkëmbinjsh e përrenjsh të mbuluar me shkurre të gjelbëruara. Duke qenë kësisoj edhe pak allçak në përgjigjet që u jepte të tjerëve, ai dukej sikur i priste fjalët, me latoren që mbante në dorë për të prerë degë të gjethuara, me të cilat ushqente dhitë. Fshati e mbante në gojë për shpotitë e tij, me të cilat shkuleshin gazit. Një bari që ruante dhitë e shtëpive të lagjes së poshtme, i kërkoi cjapin e madh për të ndërzyer kopenë. Cen Graceni ia dha, duke i thënë me ironi: “Për këto punë në lagjen tuaj, unë s’kam kursyer veten time, jo të kursej cjapin!...”Krejt ndryshe Cen - Hyseni njëzetegjashtëvjeçar, ishte një pendar i urtë dhe i padjallëzuar, që me majën e hostenit nxiste lehtas vithet e qeve, për të hapur brazdat e taracave në lartësitë malore të fshatit. Kur ai mbaronte plugimin e tokave të familjes së vet, u ndihte me pagesë edhe fshatarëve të tjerë, që nuk kishin pendën e qeve të dyzuar. Madje hakun e punës nuk ua kërkonte me para në dorë, por me një sasi të arsyeshme bereqeti, kur të vilnin prodhimin. Erdhi koha kur i ati i Cen - Hysenit, dërgoi mblesin në fshatin Z. të anës perëndimore të vargmalit të gjerë. Dhe pasi Cen bujku i hodhi një sy të shpejtë nuses bukuroshe të lavdëruar nga mblesi, u lidh fejesa. Ndërsa për Cenin bari, megjithëse ishte më i madh në moshë, ende nuk po gjendej nuse. Vonesa kishte ndodhur, jo për shkak se ai ishte disi allçak, pasi në fshat ishte martuar edhe ndonjë torollak me torollaken që meritonte të njëjtin fat. Por sepse Cen bariu nuk kishte pëlqyer çdo lloj vajze. Ai thoshte se e donte nusen, përveçse tepër të bukur, edhe të mos kishte hipur asnjëherë në makinat apo autobusët që përshkonin rrugën automobilistike përfund luginës. Pas gjashtë muajsh fejesë, pa arritur të shkëmbehen takime të dhëndrit me nusen, për shkak të largësisë, u pre dita e dasmës më 14 shtator. Së fundi ishin plotësuar gatitjet familjare dhe nusen e sollën në fshatin majë malit, me një kalë të bardhë. E shoqëruar me pak krushq, ajo ishte stolisur fund e krye me një mori xhingla minglash, të cilat tringëllinin hareshëm, sa herë kali hidhte hapat nëpër rrugët e ngushta drejt majëmalit. Nusja u prit në shtëpinë e dhëndrit me tri daulle zhurmëmëdha, që jehonin deri tutje luginës. Më pas ajo u vu në konakun e grave, të nusëronte siç ishte zakoni, e mbuluar me napë të bardhë. Rretheqark shtëpisë, burrat e ftuar kërcenin valle dyshe dhe ngjanin me ato luhatjet e tyre krahëhapur, sikur çifte shqiponjash provonin fuqinë e flatrave të njëra-tjetrës, nën klithmat e pipëzave dhe kumbimin e daulleve. Prapa shtëpisë piqeshin në hell tri dhi dhe katër kecër të njomë për mezet. Terjaqinjtë e rakisë prej kumbulle, në dhomën e burrave, të shtruar këmbëkryq, përcillnin te njeri tjetri, dollitë me shume shëndete dhe këndonin me fytyra të kuqëluara. Dy baballarët vëllezër, kishin bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, që dasma e Cenit të parë, në familjet e tyre vëllazërore, të mbahej mend nga i tërë fshati. Dhe ashtu po ndodhte vërtetë, sepse ushqimi i bollshëm, rakia që derdhej lumë dhe hareja gjëmimtare, nuk pushuan deri vonë. Me afrimin e mesnatës, kur kumbimi i daulleve dhe rakia kumbullore ua kishin bërë dasmorëve kokën daulle, dy burrat e ngarkuar nga i zoti i shtëpisë, shkuan të futnin dhëndrin te konaku, ku do të flinte me nusen. Ata u ndalën te korridori i errët para derës, ku pritej Cen bujku të provonte plorin e parmendës së vet te nusja e re dhe e thirrën çakërrqejf: - Or Cen !...- Ou ! - u gjegj Cen bariu, i ndodhur aty pranë me gojën e lëngëzuar, pasi kishte hedhur një sy te e çara e derës, në çastin kur nusja e kushëririt po zhvishte rrobat e rënda të dasmës, duke zbuluar kofshët e rrumbullta për të veshur këmishën e natës. - Eja këtu, or damaluk, se s’kena lanë vend pa të kërkue! - Dhe me sytë të turbulluar e pa i kërkuar shpjegime më tej në atë errësirë korridori, ata e kapën për krahësh dhe e shtynë me forcë brenda dhomës me shtratin e shtruar të nuses. Pastaj njëri nga burrat çakërrqejf, që kishte drynin në dorë, mbylli derën, futi çelësin në xhep dhe i tha Cenit nga e çara mes kanatave: -Veni rezen e hekërt derës nga brenda dhe hajt me nji kokorroç mashkull në krye të vitit!. Ai u mat një here te thoshte: “Më keni fut gabim!” Por ata te lehtësuar për detyrën e kryer, kishin shkuar të vazhdojnë orgjinë e shëndeteve, që kishin lënë pa përfunduar. Daullet jehonin pa pushim dhe njerëzit nën çatitë e dy shtëpive gëzonin. Pas kalimit të mesnatës, njëri nga burrat çakërrqejf, që futën dhëndrin te nusja, shkoi te zjarri ku piqej keci i fundit për sofrat e konakut të burrave. Dhe kur dalloi aty Cen bujkun, teksa përtypte një copë mish të ofruar nga pjekësit para se te futej te nusja, gati sa nuk i plasën sytë e nuk luajti mendsh Një çast dyshoi se mos ai kishte dalë i zhgënjyer nga dëlirësia e vajzës, me të cilën ishte martuar. Por kur pa se dhëndëri po përtypej me oreks të madh e pa kurrfarë shqetësimi në fytyrë, e pyeti me ankth: -Cen, mor jahu, pse paske dalë prej konakut të nuses?...Cen bujku hapi sytë para zjarrit bubulak, sa iu dukën kokërdhokët si dy qershi të kuqe nga habia. -S’kam shku ala ke nusja, or burrë i dheut, ça je tue thanë?... Burri i shërbimit u mendua një çast, duke u bërë krejt esëll nga tronditja dhe pa lënë shkak për sherr mes dy Cenëve, vrapoi te dera e nuses. - Or, Cen!?...Heshtje. Asnjë pipëtimë brenda konakut nusëror. - Or, Cen, dil shpejt, se të kena fut kabim!... Heshtje... - Dil, or Cen, se për atë zot, je tue ba gjynah, nusja nuk ashtë jotja, po e kushërinit tat!... Asnjë përgjigje... - Çil rezen e derës, or budall, se kena lan nam, pa dashun!... Më në fund zëri i Cenit allçak, u dëgjua si përmes një qypi: - Ku di gja unë, vetë më keni fut!... - Kena hangër, me nder, m... – Hajt, ju baftë mirë, pra!- u gjegj ai me gjuhën e vet allçakçe... - Dil, shpejt, po të thona, or qafir, se po na merr në qafë kotnasikot!... - Nuk dal, për atë zot, jo!... Na të dy me nusen i kena maru të tana adetet e s’kena faj!... Vetë na keni bashkue me forcë. Kjo nuse tash ashtë fati i em dhe unë fati i saj!... Pa menduar të shqyej derën në mënyrë skandaloze, ai shkoi i pëshpëriti në vesh të zotit të shtëpisë për hatanë e madhe që kishte ndodhur: - Ka dy sahat, kena fut ke nusja Cenin tjetër, që na shpëlaftë mortja!... - Ku ashtë Ceni im? - pyeti ai i tronditur i ati...- Te zjarret, tue hang mish!... Dy baballarët vëllezër u tërhoqën mënjanë krejt të mahnitur dhe e pleqëruan ngjarjen me gjakftohtësi vëllazërore. Së fundi, mes gjëmimit të daulleve, ata i dhanë dorën njëri-tjetrit, pa alarmuar dasmorët dhe thirrën dhëndrin pa fat. E bindën atë, se kjo ishte një ngatërresë që nuk mund të ndreqej kurrsesi me sherr e mëri në vëllazëri. Por do të zgjidhej shpejt, duke i gjetur atij një nuse tjetër brenda vjeshtës. Pastaj i thanë të vazhdonte tani të hante mish të pjekur, se këtë nuse e paskësh pasur fat Ceni që pëlqente mishin e zogëzës së gjallë. Dasmorët festuan të kënaqur dhe në të gdhirë u shpërndanë pa marrë vesh se në atë dasmë ishte martuar Cen allçaku i shkathët. Ndërkaq, bariu ndjehej i lumturuar fund e krye, me bindjen e plotë të provës, se nusja nuk kishte hipur në asnjë mjet me katër rrota. Por atij i kishte ardhur keq vetëm, se nga ajo dasmë iu pakësua tufa e dhive. Nusja syzezë e vetullzezë, u tha grave të nesërmen në drekë, se nuk do të kishte dashur një Cen ndryshe, nga ai që pati fat atë natë dhe nuk i kishte mbetur merak për të parin, përderisa atij nuk i mbante mend as fytyrën...
Comments