top of page

Fustani i nusërimit




Fustani i nusërimit

Fatmir Terziu



„Mos u shqetësoni për, se si e filloni,

rëndësi ka mënyra se si e përfundoni.“

(Autori)

Fjalë të harruara. Nuk i kam shkruar. I zgjoj duke folur me zë të ulët gjatë rrugës. Duke gjetur prizme bukuroshe, prizme drite. I mbaj dhe i kujtoj ngadalë, derisa të jetë e drejtë ti rikujtoj, ti shkruaj nga e para. Unë zgjedh forcën, zgjedh dashurinë, shikoj përpara. Jo më lart! Në tërë ato ditë ka qenë e vështirë ta detyroja veten të bëja diçka, veçse të shikoja zbrazëtinë.

Trupi im është prej betoni dhe mendja ime prej pambuku. Zemra ime është hapur edhe një herë për ditët e fillimit, vetëm me vullnetin e dallimeve të mia. Më fut në gjumin tim të hidhur, ku ritakoj demonët përmes qepallave të mia. Kam sharë rrjetën e telit që na ndante, duke fajësuar shkurtimet dhe kohën për konfuzionin tim.

Askush nuk dëshiron ta pranojë. Të gjithë do të preferonim të shtriheshim në rërë. Nuk jam një top plazhi që u shfry dhe u la në anë të rrugës… Nuk jam dhe ndaj kujtoj dhe shkruaj…

***

„E thamë e dashur, fustanin e nusërisë do ta blejmë në Turqi, apo jo?“

„Unë nuk e kam vënë në dyshim, i dashur, por a mjafton kjo sakrificë e madhe në lidhje me fustanin, … jo në asnjë mënyrë.“

„Nuk e di a duhet ta pranojë si mosmiratim, apo të qëndroj tek fjala që kemi rënë dakord, nuk e di…E dashur ma poho!“

„Fjala, fjala, nuk është këtu për fjalë, bëhet fjalë për fustanin e nusërimit tim. Unë nuk e kam menduar si të zgjidhur këtë punë ende.“

„Thua sikur të kemi dhe një vit përpara, është vetëm një muaj. Dhe pas të gjitha gjërave vetëm puna e fustanit na ka mbetur, apo jo?“

„Unë e di këtë, por puna e fustanit në Turqi…, jo nuk më duket se duhet të jetë një zgjidhje. Jo në asnjë mënyrë.“

„Atëherë më duhet të ta them se nuk mund të jem në një pikë të shpërqëndruar, nuk e di se a duhet më shumë kohë për të të kuptuar?'

„Mirëkuptim, por ama…, pas nusërimit fillon jeta jonë dhe unë…“

„Dhe ti më duket se do ta marrësh vetë jetën në krahët e tu?“

„Këto krahët e mi janë shumë të vogla për dy jetë kaq të mëdha sa të mbahen në një peshë 48 kilogramëshe mbi taka të holla. Nuk më duket se do jem në gjendje…“

„Po sikur të të them se „Stambolli“ është vetëm dhjetë minuta larg nga banesa jote, a do të vije të merrnim atë fustan që kemi ëndërruar?“

„Natyrisht që do e pëlqeja atë fustan që ende s'e kam parë, por që më duket se e pëlqej vërtet, po sikur ta kishe këtë mundësi që ta sillje Stambollin mbi dy gogla në Elbasan.“

„Unë ta kam premtuar këtë, a nuk të kam thënë se kur të hipësh këtu do të shohësh Stambollin?“

„Në këtë rast më duhet të pranoj sfidën, se fundja për Stambollin do të sakrifikoja edhe më shumë se sa duhet vetëm të ta plotësoja dëshirën ty, dhe vetëm ty…“

„Atëherë dil në dritare dhe pranoje se je e sfiduar. Lexoje me kujdes emrin e këtij Uragani që të dërgova në bllok…“

„Në cilën dritare? Ke filluar të përdorësh talentin tënd të të shkruarit edhe në komunikim me mua? Nuk jam personazh i tregimeve të tua, a po më duket se po më përdor në këtë rast…“

„Po ti dil një herë, në cilën dritare të duash dhe do ta shikosh se …, nuk jam asgjëkundi përveç se aty ku duhet të jem.“

„Po më bën ndonjë truk nga ato të tutë? Në mendje kam vetëm një gjë, atë që lidhet me premtimin tim…“

„E kush na qenka ky që s'e kujtokam tani?“

„Ja pra, atë që do të shohësh Stambollin kur të…, apo të ta rithem në vesh?“

„Aman pika këtij premtimi, dhe në vesh të ma rithuash, unë do të të dua si të më duash. Je ti ai që më ke bërë çorap nga mendtë dhe këtë dije…“

„Atëherë pse nuk vjen të zgjedhim fustanin tek „Stambolli“? Mos harro se pas disa minutash fiken dritat dhe ulen qepenat…“

„Akoma po më lodh?“

„Jam tek shkallët poshtë dhe po të pres. Hajde dhe do ta shikosh me sytë e tu…Nëse je e zënë më prit se po vij atje lart dhe të shpjegoj më mirë.“

„Mirë, mirë. Ja erdha. Por mbaje mend këtë lojë që më bën…“

„Lojë më thua, lojë është kjo që të dua, lojë që mendoj vetëm për ty dhe jo për mua?“

„Po atëherë ku është Stambolli?“

„Ja nuk e shikon?“

„Do të më duheshin syze të lexoja ato gërma aq të vogla, por në këtë rast nuk e di pse nuk të kërkova më shumë shpjegim. E kuptova…Sa shpejt e paske ndërtuar këtë „Stamboll“ me artin tënd?“

„Ende nuk më ke kuptuar ndoshta, unë për ty, për dashurinë tonë, e bëj edhe Nju Jorkun në minutë. Aq sa të hapësh e mbyllësh sytë. Do ta provosh?“

„Në këtë makinë sytë u hapkan dhe u mbyllkan shumë shpejt. Nuk e kuptova se çfarë ndodhi…me këtë „Stambollin“ tënd“?

„Herën tjetër fustanin …do ta blejmë në Londër, thonë se atje kanë një zakon të vjetër, apo ke ndonjë mendim tjetër? Natyrisht që nuk do të më duhet ndonjë lojë, ndonjë lodër, më mirë po mjaftohem me pak, nuk dua më tepër.“

„Besoj do të jetë pak si më vonë, apo jo?“

„Jo dhe aq shumë vonë, jo më vonë se … t'ia kemi uruar Gëzuar Ditëlindjen e t'i kemi kënduar princeshës tonë deri vonë.“

„Aha e kuptova do të jetë fustani për vajzën tonë.“

***

E dashur jam duke udhëtuar, por po e lexoja tek shënimet e mia të shkruara në atë kohë, thuajse tridhjetë e dy vjet më parë. A të kujtohet?

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page