top of page

Frrok Çupi: DUKE LEXUA LIBRIN “SHTJELLË FATESH” I AUTORIT LLESH NDOJ


Nga Frrok Çupi

 

Ndjehem i nderuar që ndodhem në promovimin e librit ‘Shtjellë Fatesh’, i autorit Llesh Ndoj.

Libri prej pak më shumë se 300 faqe, sjell jetën e një familjeje dhe të një fshati, DomgjonT, në Mirditë. Në fakt, përmes dy kolonave të tij, libri përhapet në kohë, në gjeografi, në kulturë, në personazhe, aq sa duket se rrok një kontinent.

Libri i Llesh Ndojt sjell disa kontribute; kontribute sa letrare, artistike, historike, stilistike, rrëfimtare. Ai konfirmon se “Domgjoni i ka të gjitha, por këtu paska munguar një libër”.

Cilat janë kontributet që sjell autori përmes këtij libri?

 

1.     Kontributi entografik:

 

Autori i librit e ka “shkundur” jetën e tij, por edhe të dy a tre brezave më parë, për të zbuluar atë që e dimë dhe atë që nuk e dimë në rrafshin etnografik. Aty pasqyrohet si paskan jetuar të parët e Domgjonit (dmth., të parët tanë), si paskan marrë kënaqësi, si kanë mbjellë e korr, si kanë dashuruar e si kanë lindur fëmijë, si janë zemëruar, si janë ushqyer e si janë veshur.  Aty janë dasmat, janë doket, janë vdekjet, hakmarrja dhe falja, shtatzënia dhe arratisja nga familja. Autori ka takuar një komb të madh në rrëzë të Munellës. Por edhe jetën e thjeshtë të njeriut që jo gjithnjë është skllav i kufizimeve që ka krijuar vetë. Një familje apo një komb që kapërcen veten për hir të të mirës së vetes dhe tjetrit, ai gjeneron të ardhme dhe prosperitet. Këtë na tregon autori.

 

2.     Kontributi gjuhësor.

 

Libri është një hapësirë e pa fund vlerash gjuhësore. Fjalor, sintaksë, morfologji e prapë kthehem te sintaksa esktremisht e guximshme dhe e pasur. Unë jam vetë një mirditor, madje jo shumë larg nga fshati Domgjon; jam edhe gjuhëtar dhe që kam punuar një jetë me “çekiçin” e vetëm, gjuhën, për të ndërtuar muret e kështjellës sime. Por në librin e Llesh Ndojit gjej fjalë që ende nuk i njoh, shumë fjalë të tjera që zgjohen pas një gjumi të gjatë dhe shumë e shumë fjalë të tjera që askush tjetër veç nativët e Mirditës mund t’i njohin. Unë mendoj, duke lexuar librin ose edhe duke folur me mirditorë, se nëndialekti ynë që është nëndegë e gegnishtes, mund të quhet gjuhë më vete. Për disa- edhe gjuhë e huaj.

Autori paraqitet si një mbledhës i zellshëm i fjalëve të gjuhës shqipe në nëndialektin geg të Mirditës. A ka rrezikuar autori me përdorimin e  kësaj pasurie të panjohur?

Sigurisht, mendoj se ka rrezikuar numrin e lexuesve; por e ka marrë mbi vete këtë barrë për shkak se vlerë të parë ka konsideruar pasurinë gjuhësore.

 

3.     Raporti i librit me një kohë të vdekur.

 

Autori ka hyrë në katakombet e jetës sonë të shkuar dhe tenton të na e sjellë si një botë që rron. Edhe stili i të shkruarit duket si në atë kohë. Llesh Ndoj duket si Thimi Mitko, si Kristoforidhi apo edhe si Zef Skiroi.

Cili nga shkrimtarët, cili prej nesh njerëz të letrave, do ta sakrifikonte jetën e tij për të ngjallur “perënditë e vdekura”? Kam frikë se vetëm Lleshi.

 

A është i përfunduar libri?

Kam frikë se jo. Ky mund të quhet “libri i jetës” për autorin. Kam përshtypje se sot Libri dhe Lleshi, si dy partnerë, ndodhen përballë njëri tjetrit. As libri nuk e njeh mirë autorin dhe as autori librin. Kur të ndihen rehat me njëri tjetrin, atëherë do të quhet libri i përfunduar.

 

Sigurisht do të dalin përpara edhe disa pyetje të tjera:

 

A duhen të gjithë epokat përmbledhur në një libër, apo duhen ndarë?

A duhen parë edhe një herë, ose të ridemonsionohen disa ngjarje historike, si psh., krahina autonome e Mirditës, Lufta e Dytë Botërore, siocializmi ose edhe Stalini?

Besoj se po.

Edhe një pyetje:

Nëse lihen të gjitha epokat së bashku, a u shkon e njëjta gjuhë të gjitha epokave?.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page