top of page

Frank Shkreli: NGA PARALAJMËRIMI...

  • 2 hours ago
  • 11 min read

KUR KËRCËNIMI BËHET ARSYE PËR TË KUFIZUAR LIRINË E BESIMIT


Shën Flori dhe Shën Lauri, Dardania e krishterë dhe një provë për demokracinë e Kosovës

                                              

Nga Frank Shkreli

Ngjarjet e ditëve të fundit në Zogaj të Vushtrrisë nuk mund të trajtohen më thjesht si një mosmarrëveshje rreth një ceremonie fetare. Siç duket ato kanë marrë një dimension më të gjërë dhe prekin drejtpërdrejt çështje të lirisë fetare, të drejtave të komuniteteve, të sigurisë dhe të mënyrës se si institucionet e Kosovës përballen me tensionet që mund të lindin rreth një çështjeje me ngarkesë historike e identitare.

 

Ceremonia e bekimit të gurthemelit të kishës së re katolike “Shën Flori dhe Lauri” në Zogaj ishte planifikuar për 18 gusht 2026. Sipas Dioqezës Prizren-Prishtinë, autoritetet ishin njoftuar me kohë për ceremoninë dhe, megjithatë, Policia e Kosovës vendosi që ajo të mos lejohej. Dioqeza e cilësoi vendimin jokushtetues, joligjor, të padrejtë dhe të pajustifikuar, ndërsa tha se edhe ankesa zyrtare e zyrtarit ipeshkvor Don Fran Kola nuk e ndryshoi vendimin.  Por historia nuk përfundoi aty. Për të shmangur përplasjet dhe për të mos lejuar që një akt fetar të shndërrohej në një burim tensioni, ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i shoqëruar nga meshtarë dhe besimtarë, shkoi në Zogaj më 17 gusht, (një ditë para se ishte caktuar) në vigjilje të festës së Shën Florit dhe Shën Laurit, dhe bekoi gurthemelin në mënyrë të qetë e dinjitoze. Të nesërmen, ceremonia e pagëzimeve u zhvillua në

Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë.  Kjo ishte një zgjedhje e matur nga ana e Kishës. Ajo shmangu konfrontimin, por nuk hoqi dorë nga e drejta e saj. Përkundrazi, Dioqeza ka bërë të ditur se do të vazhdojë rrugët institucionale dhe ligjore për të kërkuar respektimin e lirisë fetare, të së drejtës së pronës dhe të ushtrimit paqësor të misionit të saj.

 Por tashmë duket se kemi edhe një fakt tjetër në lidhje me këtë ngjarje. Njoftohet se pas vendosjes së gurthemelit, në zonë pati edhe protestë nga qytetarë që kundërshtuan ndërtimin e kishës katolike “Shën Flori dhe Lauri”, në vendgjarje u shfaqën njësi të Policisë së Kosovës.  Ky zhvillim mund t’a bëj deri diku, më të kuptueshëm argumentin e institucioneve për nevojën e ruajtjes së sigurisë, por njëkohësisht e bën edhe më të domosdoshme pyetjen: a duhet që protesta dhe kërcënimi i mundshëm të çojnë në kufizimin e një ceremonie fetare, apo detyra e shtetit është të garantojë që ajo të zhvillohet në mënyrë të sigurt dhe paqësore?

 Kjo është pika ku duhet të jemi të gjithë të kujdesshëm në lidhje me këtë çeshtje. Në asnjë mënyrë nuk duhet të fajësojmë një komunitet të tërë për qëndrimet e disa individëve. Nuk duhet as të pohojmë pa prova se kundërshtimi i kishës mund të burojë nga arsyet fetare apo historike. Por është po aq e gabuar që këto zhvillime të kalohen në heshtje.

 Në një demokraci, protesta është e drejtë; kërcënimi nuk është. Kundërshtimi është i ligjshëm; frikësimi nuk është. Siguria është përgjegjësi e shtetit; liria fetare është gjithashtu përgjegjësi e shtetit.  E vërteta është se kemi të bëJmë me një kishë me një simbolikë të veçantë historike. Kisha e re do t'u kushtohet Shën Florit dhe Shën Laurit, dy martirëve që tradita e krishterë dhe burime historike i lidhin me Ulpianën dhe Dardaninë e lashtë. Kjo nuk është një zgjedhje e zakonshme apo e rastësishme. Dy shenjtorët janë pjesë e kujtesës së krishtërimit të hershëm në trojet dardane. Pikërisht për këtë arsye, kisha që mban emrat e tyre ka një rëndësi që shkon përtej mureve të një objekti të ri fetar.  Ajo prek kujtesën historike.  Dhe këtu duhet të jemi të qartë: historia nuk mund të bëhet pronë ekskluzive e askujt.

Dardania, historikisht, ka qenë hapësirë ku kanë bashkëjetuar dhe janë zhvilluar tradita të ndryshme historike, fetare e kulturore. Trashëgimia e krishterë e saj është pjesë e historisë së këtyre trojeve, ashtu siç janë pjesë e saj edhe periudhat dhe traditat e mëvonshme.  Prandaj, ndërtimi i një kishe katolike kushtuar dy martirëve të lidhur me Dardaninë nuk duhet parë si kërcënim ndaj askujt. Përkundrazi, duhet parë si një mundësi për ta pasuruar kujtesën historike dhe për t'u treguar brezave të rinj se historia e Kosovës nuk fillon dhe nuk mbaron me një periudhë të vetme.

 Edhe familja që dhuroi tokën për ndërtimin e kishës, ka folur.  Një element i rëndësishëm i zhvillimeve të fundit është fakti se toka për ndërtimin e kishës është dhuruar nga familja Musa.  Fadil Musa, pjesëtar i kësaj familjeje, ka treguar për median vendase se ndërtimi i kishës lidhet me një dëshirë të kahershme të familjes (ishte amanet i babait) sipas tij, dhe se ceremonia e bekimit ishte dashur të zhvillohej më 18 gusht. Ai gjithashtu ka shprehur një qëndrim të matur: familja nuk dëshironte përballje dhe e konsideronte vendimin e institucioneve të sigurisë si masë për mbrojtjen e qytetarëve.  Ky qëndrim duhet vlerësuar. Sepse në një situatë të tillë, përgjegjësia nuk u takon vetëm institucioneve. U takon edhe komuniteteve dhe qytetarëve që të mos lejojnë që një çështje fetare të shndërrohet në konflikt ndëretnik, ndërfetar apo politik.

 Por megjithatë, në lidhje me këtë ngjarje mbeten disa pyetje që institucionet duhet t'u përgjigjen për sqarim të publikut të gjërë: Nëse ekzistonte një kërcënim konkret, serioz dhe i dokumentuar, publiku meriton të dijë të paktën natyrën e përgjithshme të rrezikut që çoi në ndalimin e ceremonisë. Nëse kishte protesta të planifikuara, kërcënime apo rrezik real për përplasje, pse nuk mund të sigurohej ceremonia?

A ishte e pamundur të sigurohej perimetri?  A ishte e pamundur të ndaheshin protestuesit nga pjesëmarrësit në ceremoni?  A ishte e pamundur që Policia të garantonte njëkohësisht edhe të drejtën për protestë, edhe të drejtën për ushtrimin e fesë?  Këto janë pyetje legjitime.  Sepse nëse çdo kërcënim ndaj një aktiviteti fetar rezulton në anulimin e aktivitetit, atëherë krijohet një precedent shqetësues: mjafton që dikush të kërcënojë dhe shteti, në vend që të përballet me kërcënuesin, kufizon të drejtën e atij që kërcënohet.  Kjo nuk mund të jetë logjika e një demokracie.  Kosova duhet të tregojë se është më e fortë se frika.

 Kosova është një shtet që ka marrë përsipër të ndërtojë një shoqëri demokratike, shumetnike dhe ndërfetare. Pikërisht për këtë arsye, raste të tilla janë teste të rëndësishme.  Testi nuk është vetëm nëse një kishë do të ndërtohet apo jo.  Prova e  vërtetë është nëse shteti mund të garantojë që një komunitet të ndërtojë vendin e vet të lutjes pa kërcënuar askënd dhe pa u kërcënuar nga askush.  Nëse ka kundërshtime, ato duhet të shprehen në mënyrë paqësore dhe përmes ligjit. Nëse ka kërcënime, ato duhet të hetohen.  Nëse ka shkelje ligjore, ato duhet të ndëshkohen.

Por nuk mund të pranohet një logjikë ku liria fetare bëhet e kushtëzuar nga reagimi i atyre që nuk e pranojnë atë.  Kjo do të ishte një fitore e frikës mbi lirinë. Dhe pikërisht këtu qëndron rëndësia e zhvilliemeve të fundit në Zogaj të Vushtrisë.

 Ndoshta kjo nuk është vetëm çështja e një kishe në një fshat të Vushtrrisë. Ndoshta është një moment ku Kosova duhet t'i bëjë vetes një pyetje shumë më të madhe:  A jemi vërtet një demokraci që mbron lirinë e besimit edhe atëherë kur ajo liri na vendos përballë ndjeshmërive, kundërshtimeve dhe historive të ndryshme? Përgjigjja nuk duhet të jepet me fjalë. Duhet të jepet nepërmjet institucioneve.

Sepse Shën Flori dhe Shën Lauri nuk duhet të bëhen emra që ndajnë qytetarët e Kosovës. Në vend të kësaj, ata mund të bëhen një kujtesë për të gjithë se historia e këtij vendi është më e vjetër, më e ndërlikuar dhe më e pasur se konfliktet e ditës.  Dhe se në një Kosovë demokratike, kërcënimi duhet të neutralizohet, ndërsa liria e besimit duhet të mbrohet.



NGA PARALAJMËRIMI: “DEMOKRACIA NUK PRET” TE ZGJIMI QYTETAR DHE ALARMI: DEMOKRACIA NË RREZIK!    


Nga Frank Shkreli


Protestat e sotme në Shqipëri, janë një shenjë se shqiptarët po rizgjohen për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë.  Para 10–15 vitesh, kur shkruaja artikuj për “Demokracia nuk pret”, nuk e kisha fjalën vetëm për një shqetësim të çastit politik. Ishte një paralajmërim se demokracia shqiptare nuk mund të lihej në mëshirën e politikanëve, të partive politike apo të interesave të pushtetit. Kam theksuar vazhdimisht se, Demokracia kërkon vigjilencë, kërkon qytetarë pjesëmarrës.  Kërkon një shoqëri që nuk hesht kur institucionet dobësohen, kur pushteti përqendrohet, kur korrupsioni bëhet pjesë e sistemit dhe e jetës së përditshme dhe kur qytetari fillon të ndiejë se zëri i tij nuk dëgjohet më.

 Sot, pas më shumë se një dekade, kemi ardhur në një pikë ku titulli “Demokracia nuk pret” merr një kuptim edhe më të fortë: Demokracia është në rrezik dhe shqiptarët kanë filluar ta kuptojnë këtë. Protestat që kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera gjatë vitit 2026 duhen parë edhe në këtë kontekst. Ato nuk janë vetëm një përplasje ndërmjet opozitës dhe qeverisë. Sigurisht, partitë politike kanë interesat dhe agjendat e tyre dhe do përpiqen të shfrytëzojnë çdo pakënaqsi të qytetarëve me qeverinë në pushtet. Por përtej partive politike, në Shqipëri, më në fund, po shfaqet diçka tjetër: pakënaqësia qytetare dhe dëshira e një pjese të shoqërisë për të mos qëndruar më spektatore përballë mënyrës se si qeveriset vendi.  

 Në protestat e fundit është parë edhe një element i rëndësishëm: pjesëmarrja e të rinjve. Frank Shkreli: Kur zgjohet rinia, dridhen elitat. A po vjen më në fund ndryshimi në trojet shqiptare?! | Gazeta Telegraf --Lëvizja e njohur si “Revolucioni i Flamingove”, për shembull, ka mobilizuar mijëra shqiptarë, veçanërisht të rinj, të cilët kanë ngritur shqetësime jo vetëm për projektet konkrete të zhvillimit, por edhe për korrupsionin, institucionet publike dhe mënyrën e shpërndarjes së pasurisë e mundësive në vend. Ky mobilizim është ndoshta pjesa më shpresëdhënëse e zhvillimeve të sotme.  Sepse një shoqëri demokratike fillon të zgjohet atëherë kur qytetari nuk thotë më: “Çfarë mund të bëj unë?” Por pyet: “Çfarë po bëjmë ne?” Ky është ndryshimi ndërmjet indiferencës dhe qytetarisë.

 Me të drejtë, protestat prej pothuaj dy muajsh shikohen nga vërejtës të jashtëm dhe të brendshëm si një shenjë zgjimi qytetar i shqiptarëve. Nuk është aq e rëndësishme vetëm se sa njerëz dalin në një protestë. Më e rëndësishme është fakti se pse dalin.  Kur qytetarët dalin në rrugë për të kërkuar transparencë, drejtësi, llogaridhënie, mbrojtjen e pasurisë publike dhe respektimin e institucioneve, atëherë protesta merr një dimension më të madh se një konflikt i zakonshëm politik. Ajo bëhet një shprehje e sovranitetit qytetar. E kjo, pikërisht, është arsyeja pse protestat duhet të lexohen më me kujdes. Edhe analizat e fundit mbi zhvillimet politike në Shqipëri i kanë lidhur protestat me probleme më të thella sistemike të demokracisë shqiptare, jo vetëm me një konflikt të momentit. Sigurisht, kjo nuk do të thotë se çdo protestë është demokratike në çdo formë të saj. Dhuna, sulmet ndaj policisë apo shkatërrimi i pronës nuk mund të justifikohen në emër të demokracisë. Protesta demokratike duhet të jetë e vendosur, por paqësore, e guximshme, por e përgjegjshme. Sepse qëllimi nuk është të zëvendësohet një autoritarizëm me një tjetër. Qëllimi është të forcohet demokracia. Kjo njuk do të thotë se Shqipëria është kthyer në një diktaturë. Por në të njëjtën kohë, një demokraci nuk humbet vetëm atëherë kur mbyllet parlamenti, kur ndalohen partitë politike apo kur burgosen kundërshtarë politikë.

 Nga paralajmërimi disa vite më parë se, “Demokracaia nuk pret”, te alarmi sot se demokracia është në rrezik në Shqipëri, ishte një lidhje gjatë viteve e shkrimeve të mia të dikurshme e deri në ditët e sotëme: Se “Demokracia nuk pret” ishte pra një paralajmërim, ndërsa sot më duhet të jap alarmin se “Demokracia është në rrezik.” Se i ashtuquajturi “tranzicion” është grabitur nga klasa politike në Shqipëri por edhe Kosovë, një fenomen që po dëbon shqiptarët nga trojet e tyre shekullore. Klasa politike në të dy anët e kufirit duhet të kuptojë se legjitimiteti nuk fitohet vetëm në zgjedhje, qofshin ato edhe të lira, por ai ruhet dhe kultivohet përmes integritetit moral e kombëtar, transparencës dhe përgjegjësisë së politikës ndaj qytetarëve.  Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhëton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen | Gazeta Telegraf

 Një gjë pozitive nga këto zhvillime të fundit është fakti se protestat janë një nga shenjat se në të vërtetë, një pjesë e shoqërisë shqiptare po e kupton tani këtë rrezik që po i kanoset Kombit shqiptar. Mbetet për tu pa nëse ky është fillimi i një zgjimi që ka munguar për dekada tani. Për vite me radhë shqiptarët janë ankuar në kafene, në familje, në rrjetet sociale dhe në biseda private. Për fat të keq të vendit, shumë prej tyre kanë zgjedhur emigrimin si përgjigje ndaj mungesës së shpresës. Të tjerë janë tërhequr nga politika, disa të tjerë i janë dorëzuar fatit duke menduar se politikanët shqiptarë, “të gjithë janë njësoj”.  Por demokracia nuk mund të mbijetojë kështu nëse qytetari largohet prej saj, duke u dorzëuar para së keqes. Prandaj, një qytetar që del në shesh për të kërkuar llogari nga pushteti nuk duhet parë, domosdoshmërisht, si kundërshtar i shtetit. Në një demokraci normale, qytetari kritik është një nga mbrojtësit më të rëndësishëm të shtetit demokratik.

 Sa herë jam shprehur se Shqipëria ka nevojë për një zgjim demokratik.  Shqiptarët nuk kanë nevojë për një tjetër revolucion politik që të zëvendësojë një grup politikanësh me një grup tjetër. Por ata kanë nevojë për një revolucion demokratik të ndërgjegjes. Duhet një brez që beson se ligji është mbi pushtetin. Një brez që nuk pranon korrupsionin si normalitet. Një brez që kërkon zgjedhje të lira e të besueshme. Një brez që kërkon drejtësi të pavarur. Një brez që nuk e sheh shtetin si pronë të partisë që qeveris. Dhe mbi të gjitha, Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për një brez që nuk pranon të largohet nga Shqipëria vetëm sepse nuk sheh një të ardhme në vendin e vet.

 Prandaj, kjo është arsyeja pse protestat e sotme mund të jenë më shumë se një episod politik.  Shpresoj që ato të jenë shenja e një zgjimi të vërtetë qytetar, pa kthesë mbrapa.  Dhe nëse është kështu, ky zgjim duhet përshëndetur, por edhe drejtuar ndaj një qëllimi të qartë e të përbashkët: forcimit të demokracisë shqiptare. Sepse -- Frank Shkreli: Shqiptarët në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, 2024 | Gazeta Telegraf -- siç kemi thënë shpesh, demokracia nuk mbrohet vetëm në ditën e zgjedhjeve. Mbrohet çdo ditë. Sa herë kam cituar ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan se, “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg shuarjes. Se për demokracinë duhet luftuar dhe duhet mbrojtur çdo ditë dhe nga çdo brez.”  Se demokracia mbrohet kur qytetari flet. Mbrohet kur gazetari investigon. Mbrohet kur gjyqtari vendos sipas ligjit. Mbrohet kur parlamenti kontrollon qeverinë. Mbrohet kur opozita ushtron detyrën e saj. Mbrohet kur pushteti pranon kritikën. Dhe mbrohet, mbi të gjitha, kur qytetarët refuzojnë të heshtin. Sepse historia na mëson se demokracitë nuk zhduken gjithmonë me një goditje të vetme. Ato mund të konsumohen pak nga pak, në heshtje, përmes tolerimit të shkeljeve të vogla, normalizimit të arrogancës së pushtetit dhe indiferencës së qytetarëve.  Kam shkruar për vite me rradhë se mungesa e demokracisë së vërtetë, dobësimi i institucioneve, mungesa e një opozite efektive dhe mos-distancimi zyrtar nga trashëgimia dhe krimet e diktaturës komuniste mund të krijonin terrenin e volitshëm për prirje autoritare.

 Para një dekade e gjysmë na ishte paralajmërimi im: “Demokracia nuk pret.” Sot do ta përsërisja këtë mesazh me një forcë edhe më të madhe dhe me një zë edhe më të fortë se, po “Demokracia nuk pret”, por demokracia as nuk mbrohet vetë.  Prandaj, ma merr mendja se nëse protestat e sotme janë vërtet shenja e një zgjimi qytetar, atëherë Shqipëria ka ende një mundësi. Një mundësi për ta kthyer zemërimin në ndërgjegje, pakënaqësinë në pjesëmarrje, protestën në qytetari dhe zgjimin qytetar në një kërkesë të qartë -- se jo vetëm që Shqipëria ka nevojë për një qeveri tjetër të re -- kjo është e qartë.  Frank Shkreli: Protestat dhe fundi i një epoke politike në Shqipëri, një domosdoshmëri e kohës | Gazeta Telegraf --  Por mbi të gjitha, dy shtetet shqiptare –Shqipëria dhe Kosova -- kanë nevojë për një demokraci më të fortë, me pjesëmarrjen e qytetarëve.  Sepse në fund të fundit, kjo është beteja që nuk përfundoi me rrëzimin e komunizmit dhe siç duket, as me çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.  Ndërsa beteja për demokracinë e vërtetë vazhdon.

Këtu qëndron pra edhe ndryshimi ndërmjet “Demokracia nuk pret” e viteve më parë dhe thirrjes sot se “Demokracia është në rrezik.” E para ishte një paralajmërim. E dyta është një alarm për veprim.  Se, për fat të keq, sot kemi arritur aty ku paralajmërimet e djeshme janë shndërruar në realitetin e sotëm politik anë e mbanë trojeve shqiptare. Ky alarm nuk i drejtohet vetem qeverisë apo opozitës. Ai i drejtohet gjithë shoqërisë shqiptare sepse demokracia nuk është pronë e asnjë partie politike. Nuk është pronë e kryeministrit, e opozitës, e parlamentit, e ambasadave apo e instiucioneve ndërkombëtare. Demokracia është pronë e qytetarëve.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page