top of page

Frank Shkreli:  35 –VJET TRANZICION

  • 2 hours ago
  • 7 min read

 35 –VJET TRANZICION: SHQIPËRIA ENDE NUK ËSHTË PËRBALLUR  ME TË KALUARËN KOMUNISTE

 Nga Frank Shkreli

 Nga krimet e komunizmit te krimet serbe në Kosovë, fjalët e bukura nuk mjaftojnë më. Një shtet demokratik duhet të ketë guximin ta njohë të vërtetën, ta dokumentojë atë dhe ta kthejë në politikë shtetërore. Këtë subjekt e kam trajtuar në dhjetëra artikuj gjatë viteve, duke u përpjekur të sjell në vëmendje një prej plagëve më të thella dhe ende të pambyllura të shoqërisë shqiptare: përballjen me të kaluarën komuniste, krimet e diktaturës dhe detyrimin e shtetit për të vendosur të vërtetën historike në themel të kujtesës kombëtare. Frank Shkreli: Nuk mund të hesht për krimet e komunizmit! | Gazeta Telegraf. E kam trajtuar këtë çështje jo si një polemikë të radhës politike, por si një detyrim ndaj viktimave, familjeve të tyre dhe brezave që duhet ta njohin të kaluarën për të kuptuar më mirë të tashmen. Pikërisht për këtë arsye, zhvillimet e këtyre ditëve dhe turi i AIDSSH-së në ish-vendet e internimit, më shtyjnë t'i rikthehem edhe një herë kësaj teme, me një pyetje që pas 35 vitesh tranzicion nuk mund të shmanget më: sa larg ka shkuar Shqipëria nga fjalët te veprat në përballjen me trashëgiminë dhe krimet e diktaturës komuniste?

 Ka tema që nuk mund të mbyllen me një deklaratë politike, me një ceremoni përkujtimore apo me një kurorë me lule. Ka plagë të historisë që kërkojnë më shumë se fjalë: kërkojnë të Vërtetën, Kujtesën, Drejtësinë dhe, mbi të gjitha, një qëndrim të qartë të shtetit. Pikërisht për këtë arsye, turi përkujtimor që Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH) po zhvillon këto ditë në ish-fshatrat e internimit të Lushnjës, është shumë më tepër se një veprimtari përkujtimore. Ai është një udhëtim në një të kaluar që Shqipëria postkomuniste ende nuk e ka përballuar plotësisht. AIDSSH e ka artikuluar vetë në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë problem, duke folur për mënyrën se si tranzicioni është sjellë me “hipokrizi” ndaj të përndjekurve dhe duke kërkuar që ndjesa e shtetit të dëshmohet me vepra. Në Savër, Gjazë, Kosovë të Madhe, e në vendbanime të tjera ku mijëra shqiptarë u internuan nga regjimi komunist, nuk po vizitohen thjesht vende të harruara. Po vizitohen vende ku shteti diktatorial komunist shkatërroi jetën e njerëzve jo sepse kishin kryer ndonjë krim, por sepse regjimi i kishte shpallur “armiq”, “të deklasuar” apo të padëshirueshëm. Frank Shkreli: Shkurti 1967, krimi që ende nuk quhet krim | Gazeta Telegraf

 Presidenti Bajram Begaj, i cili iu bashkua këtij turi, ka bërë thirrje për ruajtjen e kujtesës dhe për ta kthyer atë në mësim për brezat e ardhshëm. Por këtu lind pyetja e pashmangshme: çfarë është bërë gjatë këtyre 35 viteve, përtej fjalëve? Tridhjetë e pesë vite tranzicion dhe një bilanc i papërfunduar. Shqipëria ka kaluar 35 vjet nga rrëzimi i regjimit komunist. Kanë ardhur qeveri të “majta” dhe të “djathta”. Kanë ndryshuar presidentë, kryeministra, parlamente dhe programe politike. Shqipëria është anëtarësuar në NATO, ka hapur negociatat me Bashkimin Evropian dhe ka ndërtuar institucione të reja demokratike. Por një çështje themelore mbetet e papërfunduar: përballja me të kaluarën komuniste. Është e vërtetë se Kuvendi i Shqipërisë ka debatuar rezoluta për dënimin e krimeve të regjimit komunist. Por aq. Është gjithashtu e vërtetë se politikanë nga e gjithë skena politike kanë dënuar, në raste të ndryshme, krimet e diktaturës. Ka pasur deklarata presidenciale, parlamentare dhe qeveritare. Ka pasur muze, libra, konferenca dhe aktivitete përkujtimore. Por problemi nuk është mungesa absolute e fjalëve. Problemi është hendeku midis fjalëve dhe veprave. Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf

 Nëse një shtet e dënon një regjim kriminal, atëherë duhet të jetë i gatshëm të bëjë edhe punën që e shoqëron këtë dënim: të hapë arkivat, të zbardhë përgjegjësitë, të identifikojë viktimat, të gjejë të zhdukurit, të ruajë vendet e vuajtjes, të edukojë brezat e rinj dhe të sigurojë që krimet të mos relativizohen. Kjo është arsyeja pse puna e AIDSSH-së dhe ndonjë organizatë tjetër -- ka një rëndësi të veçantë, por nuk mjafton. Institucioni ka përgjegjësi për grumbullimin, administrimin, përpunimin dhe vënien në dispozicion të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit për periudhën 1944–1991. Por një institucion nuk mund ta bëjë i vetëm atë që duhet të jetë një politikë kombëtare e kujtesës. A mjafton të kujtojmë? Jo. Kujtesa pa përgjegjësi rrezikon të mbetet vetëm ceremoni. Një shoqëri demokratike nuk e kujton të kaluarën vetëm për të qarë viktimat. E kujton për të kuptuar mekanizmin që prodhoi viktimat. Prandaj, një fëmijë shqiptar duhet të mësojë se çfarë ishte internimi, çfarë ishte kampi i Tepelenës, çfarë ndodhi në Spaç, Burrel, Qafë-Bari dhe në dhjetëra vende të tjera të vuajtjes. Duhet të mësojë se si funksiononte Sigurimi i Shtetit, si përdorej frika, si shkatërroheshin familjet dhe si një diktaturë e kthente ligjin në instrument shtypës. Megjithë kufizimet ligjore, dokumentet e AIDSSH-së e bëjnë këtë të mundur, por jo plotësisht. Më heret, dokumentet e publikuara lidhur me masakrën e Qafës së Valmirit dëshmuan se 14 burra u ekzekutuan në vitin 1949 pas një procesi gjyqësor të kryer në kohë rekord. Dokumentet e procesit tregojnë edhe se ata nuk kishin qenë përgjegjës për vrasjen e Bardhok Bibës. Këto nuk janë thjesht histori të së kaluarës. Janë prova. Dhe një demokraci që ka prova për krimet e diktaturës ka edhe një detyrim t'i bëjë ato pjesë të ndërgjegjes kombëtare. Ku janë veprat? Kjo është pyetja që duhet t'i bëhet klasës politike shqiptare, pa dallim krahu. Nuk është e drejtë që përgjegjësinë për kujtesën t'ua lëmë vetëm historianëve, familjeve të ish-të përndjekurve, gazetarëve apo institucioneve si AIDSSH.  Shteti duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e vet.  Sepse viktimat e komunizmit nuk janë viktima të një partie politike. Janë viktima të një sistemi që sundoi Shqipërinë për gati gjysmë shekulli. Prandaj edhe përballja me atë sistem nuk duhet të jetë çështje e një partie.  Duhet të jetë çështje e shtetit shqiptar.  Këtu qëndron edhe një nga dështimet më të mëdha të tranzicionit: de-komunistizimi nuk u shndërrua kurrë në një projekt të plotë kombëtar. U fol shumë. U premtua shumë. U debatuan rezoluta. U bënë deklarata. Por shumë familje vazhduan të prisnin dëmshpërblimin, njohjen, zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe, mbi të gjitha, një pranim të plotë moral të vuajtjeve të tyre. Frank Shkreli: Nuk mund të hesht për krimet e komunizmit! | Gazeta Telegraf

 E njëjta pyetje edhe për Kosovën. Kjo na çon te një çështje tjetër që nuk mund të ndahet krejtësisht nga kjo temë: qëndrimi i Shqipërisë ndaj krimeve serbe në Kosovë. Edhe këtu duhet të jemi të drejtë: Shqipëria i ka dënuar krimet serbe në Kosovë dhe politikanë shqiptarë nga e gjithë skena politike kanë folur publikisht kundër tyre. Por ajo që mungon është një politikë shtetërore e vazhdueshme, e fuqishme, e institucionalizuar dhe zyrtarizuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Një politikë që të mos varet nga deklarata e radhës e një ministri, deputeti apo kryeministri. Nëse Shqipëria e konsideron veten shtet amë të një kombi që ka përjetuar një nga tragjeditë më të mëdha të Evropës së fundmi, atëherë dokumentimi i krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, ruajtja e dëshmive dhe kërkesa për drejtësi duhet të jenë pjesë e kujtesës dhe diplomacisë së saj shtetërore.  Nuk është fjala për të ushqyer urrejtje ndaj një populli. Është fjala për të mos lejuar që krimi të harrohet. Pajtimi nuk ndërtohet mbi harresën. Pajtimi i vërtetë ndërtohet mbi të Vërtetën. Shqipëria duhet të mësojë të mos ketë frikë nga historia.

 Ndoshta ky është mësimi më i madh që na sjell turi i AIDSSH-së këto ditë. Se Shqipëria nuk duhet të ketë frikë nga historia e saj. As nga krimet e komunizmit. As nga viktimat. As nga dokumentet. As nga emrat. As nga përgjegjësit. Një shtet demokratik nuk dobësohet kur pranon se paraardhësi i tij politik ka kryer krime. Përkundrazi, përforcohet. Sepse demokracia fillon pikërisht aty ku shteti pranon se nuk është mbi të Vërtetën. Në këtë kuptim, fjalët e Presidentit Begaj për kujtesën marrin një rëndësi të veçantë. Por edhe ato duhet të shoqërohen me një pyetje të thjeshtë: çfarë do të bëhet, konkretisht?  Do të vazhdohet me ceremonitë? Apo do të ndërtohet një politikë kombëtare e kujtesës? Do të vazhdohet të flitet për viktimat? Apo do t'u japim familjeve të tyre përgjigje? Do të thuhet se e dënojmë diktaturën?  Apo do t'u mësohet brezave të rinj se çfarë ishte ajo?  Kuvendi duhet të bëjë hapin e radhës. Ky është momenti që Kuvendi i Shqipërisë të mos mbetet vetëm te rezolutat e së kaluarës.  Duhet një debat i ri parlamentar, serioz dhe gjithëpërfshirës mbi 35 vitet e përballjes me trashëgiminë komuniste.  Një debat që të përfshijë arkivat, viktimat, familjet e të përndjekurve, të zhdukurit, vendet e internimit, arsimin, muzealizimin, dëmshpërblimet dhe përgjegjësinë e institucioneve. Dhe mbi të gjitha, duhet një qëndrim i qartë: Krimet e diktaturës nuk janë çështje e së “majtës” apo së “djathtës”. Janë çështje e demokracisë shqiptare dhe e historisë kombëtare.  Po kështu, kur bëhet fjalë për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, Shqipëria duhet të ketë një qëndrim të qartë institucional, të mbështetur në dokumente, dëshmi dhe standarde ndërkombëtare të drejtësisë. Pas 35 vitesh tranzicion, Shqipëria nuk ka më nevojë për deklarata të tjera solemne. Ka nevojë për vepra.

 Ndërkaq, megjithë punën e mirë që bën, të vlerësosh punën e AIDSSH-së në hapjen, administrimin dhe publikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, nuk do të thotë se institucioni duhet të jetë jashtë kritikës. Përkundrazi, një debat serioz mbi përballjen e Shqipërisë me të kaluarën komuniste duhet të përfshijë edhe vetë institucionet që janë ngarkuar me këtë mision. Gjatë viteve nuk kanë munguar kritikat ndaj AIDSSH-së, për mënyrën e trajtimit të dosjeve, ritmin e zbardhjes së tyre, transparencën, qasjen e familjarëve dhe studiuesve në dokumente, si edhe për mënyrën se si është administruar dhe komunikuar informacioni. Disa prej këtyre kritikave meritojnë përgjigje institucionale dhe transparencë më të madhe. Por kritika ndaj AIDSSH-së nuk duhet të përdoret si alibi për të fshehur një problem shumë më të madh: përgjegjësia për përballjen me të kaluarën komuniste nuk i takon vetëm këtij Autoriteti, ose ndonjë tjetri. Ajo është përgjegjësi e shtetit shqiptar dhe, mbi të gjitha, e institucioneve politike që kanë drejtuar vendin gjatë këtyre 35 viteve.

Prandaj, ajo që duhet të vijë më pas është përgjegjësia e institucioneve politike.  Sepse nuk mund të pritet që vetëm një institucion të mbajë mbi supe peshën e një historie të tërë. Tashmë është radha e shtetit. Është radha e Kuvendit. Është radha e politikës shqiptare. Dhe është radha e shoqërisë, gjithashtu. Sepse një vend që nuk e njeh të kaluarën e vet, rrezikon ta përsërisë atë. Dhe një Shqipëri që i kujton viktimat vetëm në ditë përkujtimore, ndonëse rrallë, por nuk e kthen kujtesën në politikë shtetërore, ende nuk e ka përfunduar tranzicionin e saj moral e kombëtar. Pas 35 vitesh, Shqipëria duhet të bëjë më në fund atë që nuk e ka bërë sa duhet e të përballet me të kaluarën, jo për t'u kthyer pas, por për të ecur përpara. Kjo nuk është hakmarrje. Nuk është revansh. Nuk është luftë politike. Është drejtësi historike. Dhe mbi të gjitha, është dinjitet shtetëror e kombëtar që të mos përjetësohet e keqja e komunizmit në Shqipëri. Frank Shkreli: A po përjetësohet e keqja e komunizmit në Shqipëri? | Gazeta Telegraf

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page