top of page

"Forca qëndron te pesha e Fjalës..."





Intervistë e realizuar me poetin Dhimitër Nica thuajse tetë vite më parë, e botur tek www.fjalaelire.com dhe revistën në print "Albanian Post" në Londër (25/10/2013), por që ende ka vlerat e saj për kohën që kalojmë. Në fakt në atë perudhë iu drejtova disa krijuesve shqiptarë në Atdhe dhe në vendet ku ata jetojnë dhe punojnë me të njëtat pyetje, me qëllim që të gjeja një arsye më të fortë në mendimin e tyre për këtë qëllim.


Por kush është Dhimitër Nica?


Ai ka lindur në Berat15 korrik 1963. Ka filluar qysh në moshën 20-vjeçare të shkruaj poezi dhe vjersha të ndryshme. Gjithashtu, është marrë qysh herët me shkrime, përshkrime, reportazhe, tema ekonomiko-shoqërore, etj., të cilat i ka botuar në organe të shtypit lokal e qendror të kohës. Por kushtet e vështira, rrugët e kurbetit, bën që librin e parë ta nxjerrë në dritë vetëm më 2012-tën, nga shtëpia botuese “Toena” në Tiranë, me titullin simbolik “Pesha e fjalës”. Në vitin 2015, botoi librin e dytë me poezi, të titulluar: “Të gjitha lulet kanë emrin tënd” po në Tiranë, nga shtëpia botuese “Muzgu”e shkrimtarit dhe botuesit të mirrënjohur shqiptar Mark Simoni.

Ai është pjesëmarrës në më shumë se njëzet antologji poetike. Kështu gjendet në Antologjinë e dhimbjes, kushtuar të madhit Ali Podrimja në Prishtinë, midis 101 autorëve shqiptarë. Gjendet në disa antologji të botuara nga “Prishtina Press”, në 12 antologji të botuara nga studiuesi, krijuesi dhe shkrimtari Mark Simoni, në Tiranë. Është gjithashtu pjesëmarrës në antologji të ndryshme të botuara nga lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve të Selanikut “Dega e blertë”, anëtarë i së cilës është prej shumë vitesh. Është vlerësuar me disa çmime të ndryshme vjetore. Boton herë pas here edhe prozë të shkurtër, si tregime e novela, në organe të ndryshme letrare dhe online. Gjithashtu, është i përfshirë edhe në një Antologji poetike, me fabula, epigrame e poezi satirike - humoristike botuar nga "Dega e Blertë" në Selanik. Autori i kësaj interviste jeton, banon dhe punn për më shumë se 20 vjet, në Selanik të Greqisë.


Fatmir Terziu


1. Si e konsideroni jetën e përditshme dhe arsyen e saj në krijimtarinë tuaj?


Përgjigje: Për mua jeta është primare, vendimtare, reale. Të gjitha të tjerat vijnë pas, ose janë të lidhura e të ndërvarura nga vetë ekzistenca e jetës, e thënë më saktë nga vetë jeta. Pa jetën nuk do të kishte e nuk do të ekzistonte asgjë tjetër, sepse është jeta ajo që disponon dhe hap hapësira të tëra e të gjera për pjesët e tjera, të cilat janë të lidhura me jetën, por që nuk kanë peshën dhe rendësinë e saj. Pra, jeta është e prekshme, reale,e përditshme, e përorëshme e çdo minute e çdo sekonde.

Sa për arsyen, ose logjikën e ftohtë, mendoj se nuk ka ndikim të fortë e të prerë në krijimtari. Pra, nuk është arsyeja ajo që përbën thelbin, apo mesazhin e një vepre të kujdo karakteri qoftë, si në vargje apo edhe në prozë. Krijimtaria ime nuk varet dhe nuk mund të konceptohet asnjëherë nga arsyeja, por ajo vjen vetë, vetvetiu, papritur e pakuptuar, sa ndonjëherë edhe unë vetë çuditem e them: "unë e shkruajta këtë..." dhe pasi e lexoj dhe e rilexoj, ngaqë natyrisht më pëlqen, bindem më në fund se është krijimi im!


2. Ku qëndron forca me të cilën ju keni arsyen e fjalës në krijimtarinë tuaj?


Përgjigje: Në krijimtarinë time modeste, mendoj se forca qendron te pesha e fjalës. Ajo, pra fjala, nuk vjen asnjëherë kuturu... Përpara se të hidhet e të marrë dritë për të gjithë, fjala ime është gatuar e stërgatuar në "furrën" dhe muzën time të përvuajtur. Nuk më pëlqen të hedh dy, apo më shumë krijime të shkurtëra (poezi) brenda një dite, por edhe për ditë po të hidhja, përsëri nuk do t'më dukej zgjedhja e duhur...

Kur hedh një krijim p.sh. unë pres mendime dhe kritika nga lexues, profesionistë, apo dhe kolegë, por për fat të keq vetëm like dhe fjalë të mira kam marrë... Natyrisht, këto nuk më pëlqejnë e më acarojnë shumë, por në fund të fundit, jam i deturuar ta pranojë këtë realitet që më duket absurd.


3. E arsyeshmja a është diçka më kontradiktore në krijimtari?


Përgjigje: E thashë edhe diku më lart. Arsyeja, apo logjika e ftohtë për mua nuk ekziston në krijimtari. Se pastaj do të kishim vetëm rregull, natyrshmëri, filozofi, urtësi, butësi, kokëulshmëri e të tjera si këto që janë e nuk i përgjigjen asnjëherë realitetit e normalitetit, si dhe satifaksioneve të tij, përmes vetive e ndjenjave magjike që ne jetojmë e përjetojmë në pafundësi...


4. Pse ndodh që krijimtaria dhe jeta janë paralele dhe infinite?


Përgjigje: Unë mendoj se është jeta ajo që përcakton krijimtarinë dhe nuk mund të ndodh asnjëherë e kundërta. Natyrisht, që në krijimtari hidhen jetë gjithëandej, por të gjitha këto janë fantazira dhe mbrekullira, që vijnë nga imagjinata dhe jo nga realiteti i cili zë një përqindje shumë të vogël në krijimtari. Pastaj është artisti ai, krijuesi, poeti e shkrimtari që me talentin e tij, me përvojën dhe kapacitetin e vet arrin e përçon te ne mbrekullinë apo veprën e vet, që ndonjëherë edhe ne që shkruajmë na duket se është mëse e vërtet. Pra, këtu qendron suksesi i një vepre të vërtet e me vlerë. Sa më e vuajtur dhe e rraskapitur të jetë një jetë, aq më e dhimbshme dhe e goditur del vepra që ka përcaktuar e nxjerr shkrimtari në dritë, pavarsisht nga ngjarjet nëse janë të vërteta apo jo...

Kjo është tjetër gje dhe ka të bëj me mjeshtërinë e autorit. Ndërsa përsa i përket infinitetit nuk ka dhe nuk ka pasur kurrë besoj jetë që të ketë shkuar deri në infinit. Është vepra ajo që shkon dhe ka shkuar në infinit dhe që e bën të pavdekshme deri në pavdekësi jetën e një shkrimtari apo krijuesi.


5. A ka një mesazh konkret për arsyen?


Përgjigje: Nuk ka dhe nuk mund të ketë një mesazh konkret për arsyen. Arsyja është dhe mbetet në shumicën e rasteve jashtë procesit të krijimtarisë. Pra, nuk mund të bësh një vepër duke u nisur nga arsyja, sepse çdo gje më pas do të ishte e pakëndshme, do të mbetej brenda kornizave të përditshmërisë të çdonjërit nga ne dhe kështu nuk do të ishte tërheqëse, apo interesante.

Kështu gjërat e bukura të jetës, si p.sh.lulet, aromat, bukuritë, dashuritë, apo edhe vet fenomenet e ndryshme nuk kanë e nuk mund të ndikohen nga mesazhe të ndryshme, apo edhe nga vet arsyja, të cilat mund të themi qartë se nuk ekziston tek to një proçes i tillë.

36 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page