top of page

FOLA ME BARIN E GJELBËR


Vullnet Mato


FOLA ME BARIN E GJELBËR


Teksa isha shtrirë mbi qilimin e tij, kadife të butë,

më foli bari i gjelbër, që fëshfërinte nën ahishte:

Dëgjo, o njeri i shkujdesur, që më shkel me këpucë,

pëshpëriti, me kërcellin e hollë të gjuhës barishte:


Unë jam blerimi i parë, që çava koren e lashtë të tokës,

dhe shtrova zahire, të ushqeja kafshët e para të kopeve.

Unë u priva pemëve, që zgjatën degët nën diellin e botës

dhe lidhën kokrra për njerëzit e për shpendët e foleve.


Jam krijesa më e imët, që i jap blerimin malit e fushës,

jam i pari, që me fije të holla, shpoj borën e dal përsipër,

të ushqej lepujt e lopët, duke u nanurisur rreth gushës,

shumoj dhe qelizat e trupin tënd, me barishtet e stinës.


Çdo viç, dash, dele, kec, apo qengj, i pjekur në hell,

ka brenda mishit të shijshëm, livadhet e lëndinat e mia,

gërxhet, ku ata kanë kullotur tufat e barit, në pranverë

dhe dengjet e kositur, të mos ngordhin dimrit nga uria.


Në gjethet e mia të holla, kërmijtë pinë vesën e agimit,

bletët dridhmojnë krahët, derisa për to, të çelin lulet.

Tek unë kolovitet flladi, që rend nëpër hapësirat e prillit,

ku fluturat, reklamojnë ngjyrat e ylberit, para se të ulet.


Prandaj mos më shkel, të bësh udhë mbi fijet e mia,

siç më shkel pa mëshirë, dimri i egër me borë e ngricë!

Se kur thahem unë, shkretohet tërë dheu nga boshësia,

gjallesat vajtojnë bashkë me shirat, derisa të dal sërish...


Dëgjova deri në fund, ato fjalët barishte, me fëshfërima,

dhe iu përgjigja në çast, me pëshpëritjen time të imët:

O bar i njomë, që më fole sot, po të kisha dyzet shpirtra,

tridhjetenëntë, do t’i falja ty, të na blerosh në gjithë stinët!...

7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page