top of page

Fjalë për “Kojrillat” e Fatmir Terziut


Miho Gjini "Mjeshtër i Madh"

Fjalë për “Kojrillat” e Fatmir Terziut



Romani që vjen nga Londra dhe tregon raportin e fuqive të mëdha me kombin tonë. Terziu pasqyron botën shqiptare bashkë me enigmat, ka përbrenda absurditetin e të gjitha kohrave


Miho Gjini

"Mjeshtër i Madh"


Duke u endur nën mjegullnajën e Londrës, për herë të parë dhe, kur do të shohësh me sy Kryeqytetin gjigant të Britanisë së Madhe, në të dyja krahët e Tamizit, kurdoherë i mahnitur nga vlerat shekullore të Arkitekturës Gotike, nga pallatet, sheshet e parqet e gjelbëruara, pa arritur të shqitësh nga kujtesa kollosët e mendjes njerëzore, mbetur në tempuj, shtatore e monumente arti, është e pamundur që të mos dëgjosh edhe një fjalë në Gjuhën Shqipe midis kalimtarëve të zakonshëm. A të mos hasësh edhe ndonjë gazetë a revistë me emrin Albanian, ndonjë lokal, kafene, restaurant, me tabelën e shkruar në shqip, si edhe të mos lexosh po aty, edhe ndonjë libër në gjuhën tënde, të bekuar nga Zoti.

Kërkuesi i Arkivave të Londrës

Kam tashmë në tryezën e studios time në Athinë katër romane: “Kojrillat”-2013, “Grykës”-2010, “Blirët e Pejës”-2014, “Mbi Dudë”-2017, si edhe një libër me karakter bibliografik, me titull “Fatmir Terziu”, -përgatitur nga Prof. Dr Zyhdi Dervishi, që m’i dha, po aty, në një ditë me mjegull e shi të imtë, vetë Fatmir Terziu, - ky njeri i thekur i arshivave britanike. Dhe do të ndalesha në romanin e tij të parë, që është zanafilla e krijimtarisë së Terziut, i cili reflekton personalitetin e tij, si figurë poliedrike, tek i cili harmonizohet shkrimtari, si vlerë letrare, gjuhëtari, si lëvrues i thellë i Gjuhës Shqipe dhe i gjuhës së “Luanit Britanikë”, poeti, kritiku, pedagogu e kineasti, po edhe gjurmuesi i arkivave, si kronikan i historisë, në të gjitha ato etapa e ngjarje ku përfshihen “pikat kyçe” të njerëzve që lanë gjurmë në fatet e kombit. Në ato njëzetë e ca  vite në Londër,  me më shumë se 22 libra, me më tepër se 20 ese pikante, me afro 300 shkrime kritike, studime, hulumtime  dhe filma me metrazh të shkurtër e dokumentarë,- një nga njerëzit më kompleks e më prodhimtarë të jetës tonë në emigracion, pedagogu i Universitetit të Londrës, Fatmir Terziu, shqiptari që s’ka as dy javë që është takuar edhe me Mbretëreshën Elisabetë të Anglisë, shprehet me bëma dhe vepra, ndofta ca më tepër akoma prej nesh që jetojmë e jetojmë jashtë vendit, me shpirtin e drithëruar për Shqipërinë, me atë shqiptarizmin e bekuar që na e mban frymën gjallë dhe krenarinë për vendin ku na lindi koka.



Si rrëfenjë e kësaj ekzistence e veprimtarie krijuese, është edhe romani që kam ndër duar “KOJRILLAT”. Vetë subjekti i këtij romani hedhë dritë në periudhën e artë të pavarësisë, me një figurë femërore që vjen nga dera kryesore e atyre personave që vendosën fatet e Kombit, ngritën Flamurin në Vlorë e vunë firmat në Altarin e Historisë. Në një kartë që do të zhdukej më pas në rrethana të dyshimta! Pra, në epiqendër, do të vendos një grua të bukur, Madam Zeinepe Vlorën, e cila ka një jetë të mistershme në vazhdim, duke përshkuar Romën, Parisin dhe Londrën, ku do të gjejë edhe  fundin e saj, në një vdekje enigmatike, në pragun e Krishtlindjeve, që do të mbulohet në varrezë e do të “zbulohet” disa herë prej një misteri mbi zhdukjen e këtyre letrave! Zbardhja e kësaj enigme, merë këtu investigimin skrupuloz të një hetuesi shqiptar me banim në Londër, që nënkupton autorin në fjalë, i cili e shpie këtë histori enigmatike, gati deri në “fundin” e vetë të zbardhjes. Kështu që, Kërkuesi i Arkivave, është gjithmonë edhe një historian, që hulumton me syrin e një shkrimtari. Sa më shumë zhytet ai nëpër Arkivën e një Shteti të fuqishëm, me arkivën më të gjerë e më të saktë, ku dokumentacioni, shtypi i kohës e gjithçka e shkruar dhe e depozituar aty , “koralet e gjendura”, nisin të flasin vetë.

Subjekt hetimor apo…?

E gjitha kjo histori e trishtë, ngjanë realisht si një subjekt policor, kur vrasja a helmimi do të mbartin enigmën e vetë për një kohë shumë të gjatë dhe do të kërkohen më pastaj, jo vetëm rrethanat politike të krimit, që hedhin dritë mbi shkaqe e interesa të qarqeve të caktuara ndërshtetërore të huaja, po edhe mbi ato rrethana e trille personale të një femre mondane, modele e atëhershme, që bënte jetën e saj, me burrë e pa burrë, në qarqe të brendshme e të jashtme të asaj kohe, politikisht e historikisht të pa stabilizuar. Terziu hedhë këtu një subjekt policor me ngjajshmërinë e vetë, por që në të vërtetë nuk është aspak policor, vështruar e realizuar artistikisht me një frymëmarrje më të gjerë, me thurjen e një kompozicioni jetësor e letrar strikt, nga pozicione reale-patriotike dhe ireale, bile edhe me hamendësime e abstragime, duke u ndalur edhe në ato rrethana të kryerjes së krimit, shoqëruar me qartësimin e dyshimit të përjetshëm Hamletian ”U vetëvra, apo e vranë?!”, që mbetet e përhershme dhe aktuale, edhe sot e kësaj dite, në shoqërinë e djeshme e të sotme, të mbuluar nga vrasje e krime të panumërta, që flenë akoma nëpër dosje, të cilat, njerëz të rrallë, si ky Terziu (me anën e personazhit te tij Granit Jetoni), futet e i kërkon me durim e ethe të papara, për të mirën e Kombit dhe të vetvetes, për të bërë një gjumë të mirë e të qetë, si ai dhe ne të tjerët, që frigohemi ngaherë se mos rikthehen të gjithë ata që i kanë bërë krimet e janë larguar nga “drejtime të panjohura” e na i fusin thikën pas shpine në ndonjë ditë me diell!

Personazhit qendror, Granit Jetonit,- shqiptar me origjinë, i cili është shkolluar e punësuar në Londër, me një fëmijëri të hidhur qe i ka“brejtur kockat e kujtesën” hera-herës, i bie në dorë një gazetë londineze e 13 prillit të vitit 1933, ku flitet sesi një grua e huaj ishte gjendur e vdekur rrëze një monumenti, si edhe trupi i një burri ishte hedhur në ujërat e Tamizit, -gjithçka e rrethuar prej një sekreti hetimor. Që prej këtij çasti, edhe ai do t’i obligohet zbulimit të këtij “misteri” që reklamohej e mbyllej me karakterin “sekret”. Ca më tepër që i përkiste tashmë këtij profesioni juridik e kërkimor në kriminalistikë. Ndërkohë, një hetues anglez, Dr. Eduar Smith, nuk gjen prova të mjaftueshme për krimin në fjalë e nuk mund të bëhej kështu, sipas tij, një identifikim i saktë. Aq më tepër që bëhej fjalë për një grua të huaj, mondane e të bukur nga pamja, me një elegancë sallonesh, bile e lëvizur prej një shteti në tjetrin. Para Granit Jetonit zgjerohet komplikacioni e misteri që e rrethon çështjen. Po ai do të “zhytet” përherë e më thellë ne errësirën e një Oqeani mbytës. Ndër gazetat e shumta të asaj kohe do të mësonte se burri i saj Xhemil Vlora, një ish tregtar i pasur Vlonjat, do të falimentonte e do të mbetej në Itali, ndërkohë që bukuroshja e tij do të kërkonte të tjera shtigje jete, salltanete e oaze pasionesh nëpër sallonet e Parisit. Mirëpo gjuhët e gazetave janë aq të ndryshme për zhdukjen e saj të mistershme nga jeta, saqë humbet çdo gjurmë reale. Ajo është e varrosur mandej në një varrezë myslimane 70 km larg Londrës e Granit Jetoni do të shkoj deri aty, ku dhe atje do ta ndjekin hijet e së keqes, “fantazmat”e po atij sekreti që duhet të mbetet edhe ai i “varrosur”!. Sikundër edhe mbajtja e trupit të saj të pajetë 4 ditë në një morg. Mos ishte vallë një agjente? Po e kujt “agjente”?! Versionet hapen ca më keq akoma.

Ç’ishin ato letra të zhubrosura në trupin e një të mbyturi tjetër, të po asaj dite dhe të gjetur në brigjet e Tamizit që bënin fjalë po për punët e saj të mistershme !? Gjithsesi Hetuesi Shqiptar do të përballet edhe me hetuesin anglez e atë italian, çuditërisht po kaq të interesuar për dukje-zhdukjen e misterit njëherësh! Ka një kryqëzim interesash për këtë anë, edhe nga Stambolli. Sepse Xhemil Beu dilka se është nipi i Esat Pashë Toptanit, i cili njihej edhe në Londër. Në Legatën Shqiptare gjithashtu nuk e dëshironin një hetim të mëtejshëm, bile edhe atëherë kur aty vjen Maliq Libohova, djali i  Mufid Bej Libohovës, një nga eksponentët e parë të Qeverisë së Vlorës pas Shpalljes së Pavarësisë. Një tjetër hetues anglez sjell aty verdiktin e vetëvrasjes. Autori, përmes gjurmimeve të Gorenit, sjellë aty edhe dëshmitë e të afërmve të saj nga Vlora, sidomos të Lutfiut që thotë se ajo mbante edhe disa letra që “po ja kapën,-thotë ai, -i zhdukin siç zhdukin të gjallët”. Pra, ekziston çështja e sekreteve të dokumenteve që kishte me vete Bukuroshja e Vlorës dhe se, për këtë çështje,- nënvizohet, interesohej edhe Avni Bej Delvina, i cili kërkonte prej deputetëve anglez çmpleksjen e misterit. Deputeti Cock flet edhe për influencën e kësaj gruaje të bukur, si edhe për “forcën e rrjetit të saj”. Autori vë në dukje kështu një “diplomaci hienash”…E gjitha kjo histori e nëndheshme, e soditur nga qielli, paraqitet prej autorit metaforikisht si shtegtim i kojrrillave, të cilat, nënvizon ai, “ato, kojrillat kanë ndaluar aty, a nuk kanë patur rrugën e tyre të vështirë, të lodhshme?”. Prandaj edhe Dr Eduin Smith pohon se faktet e mbledhura i ngjajnë përsëri një “misteri të merimangëzuar”.

Përfshirja e Bukuroshes Shqiptare,- pohon një hetues italian, edhe në politikën e shtetit Austro-Hungarez, si edhe me pas, me aleatët, përbën edhe anët e errëta të këtij misteri që do të përfundojë në vrasje, helmim apo mbytje në lumë, sikundër ngjanë edhe me subjektet policore të kohës. Pasazhi përfundimtar që ndërton autori, i dashurisë së Zeinepes me të panjohurin Rich,  është edhe ca më i thellë e real akoma dhe ”nuk është lojë kojrillash”, shprehet autori! Pra, subjekti i nisur për një vepër policore, me dedektivë profesionistësh, te cilët zhbirojnë për të davaritur “mjegullnajën” në një vend me mjegull të dendur, merr gradualisht tendencën e një romani historik që zhvillohet në procesin e një psikoanalize në terrene gjysmë reale e gjysmë absurde, ku edhe personazhet, pak a shumë të tille janë edhe ata, për të kuptuar së fundi se kemi të bëjmë me një roman posmodernist të ekzistencializmit. Ndërsa linjat paralele të personazheve i japin romanit të Terziut vlerën artistiko-letrare që të ndiqet me interesin e duhur. Linjat e subjektit, te sintetizuara me figura hetuesish që përfaqësojnë edhe interesa politike jo të njëllojta, nga Anglia, Franca e Italia, po në një ndërthurje edhe me linjën vendore, pjesërisht në Shqipëri e pjesërisht në Londër, ku tashmë është krijuar mundësia që intelektualët shqiptarë të interesohen e të marrin pjesë direkte në fatet e kombit. E ky personazh parësor do të jetë Jetoni,-vetë Fatmir Terziu.

Trajektore e tri epokave

Ndofta ishte “misioni” me i vështirë për shkrimtarin Terziu, që të krijonte pikërisht këtë trajektore, nëpërmjet një subjekti të vetëm dhe të gjerë, që bashkon e lidhë në një vazhdimësi harmonike të tria epokat tona të historisë: epokën e hedhjes së themeleve të pavarësisë kombëtare, me atë që do të vazhdonte më pas, të shtetit komunist, si edhe me epokën e një shteti kapitalist, midis familjes europiane, “brenda” e jashtë Europës. E quaj një vlerë të veçantë këtë “fill të kuq” që bashkon e ndan periudha, epoka, ngjarje e fate, të cilat mpleksin, si shoqërinë shqiptare në këto kohë krejt të veçanta e të ndryshme me njëra-tjetrën, po edhe japin një pasqyrë reale ndërkohore, ende të pastabilizuar. Kështu, shkrimtari do të bëjë fjalë edhe për ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe e mpleks bukuroshen e Vlorës edhe me të, sikundër e vendos në një marrëdhënie dashurie me një person inkognjito të Austro-Hungarisë. Do të bëhen hamendësime edhe për periudhën e mbretërimit të Ahmet Zogut e më mbrapa, me peripecitë e tij në Londër e gjetkë, duke shtuar këtu edhe hamendësimet e hetuesve për ndonjë lidhje edhe me eskortën e tij. Po më tepër do të ndalet në periudhën e diktaturës komuniste, që autori e ka njohur nga afër, me pasazhe të jetuara me vuajte e drithërima të fëmijërisë e të adoleshencës, me dhunime të jetës, me ndëshkime të egra e arratisje të njëpasnjëshme, ku episodi i poetit Ivzi Nelaj, do të tingëllojë këtu me nota rrënqethëse.

Shtrirja e dimensioneve të romanit në kohë e hapësirë e bëjnë atë edhe më interesante e të mëvetshme në llojin e vetë, duke ruajtur, jo vetëm inkandeshencën, po edhe anën burimore të rrjedhës historike, qysh nga viti i mbapsht 1913, kur pikërisht nga Londra erdhi moti i keq i copëtimit të Shqipërisë. E jo rastësisht, vështrimi i autorit, kalon nga disa kapituj fragmentar të retrospektivës, me stacionime të përkohshme në Itali, Serbi, Rusi, Francë, Angli, Austro-Hungari, ku do të ndërthuren interesat e përjetshme të tyre, që Shqipëria të mbetej “një shprehje gjeografike”, sikundër shprehej Bismarku. E këtu qëndron edhe aktualiteti i këtij romani, -përcjellës eminent i dramës së kombit tonë, i shtrirë në pafundësi enigmash e tjerrjesh deri në ditët e sotme, ku Europa na la përsëri “pas dere!” Ndaj edhe finalja e romanit duket po aq e cunguar, me enigmën e mistershme ende të pazgjidhur, në atë fshehtësi që e lanë shekujt dhe po në atë “varrezë”, ku prehet heroina kryesore e romanit, e cila thuajse s’duket fare, po që mban peshën kryesore të subjektit e vëmendjen kryesore të lexuesit.

Arti i Romanit

Duke u larguar nga konturet e romanit klasik, shkrimtari Fatmir Terziu ndërton strukturën e një vepre letrare kontemporane të rrymës posmoderniste. Arti i të shkruarit, stili, kompozicioni, mjetet shprehëse, i përgjigjen kësaj strukture . Thelbi i lëndës, parashtrimi, figurat lëvizëse, hamendësimet dhe njëfarë harmonie e të kundërtave, midis reales dhe ireales, e japin më së miri tablonë e një realiteti artistik që ngjanë e nuk ngjanë me realitetin e jetës së zakonshme. Vetë heroina qendrore nuk duket, po përsëri është e pranishme në krejt arteriet e romanit, me një preçedencë të traumatizuar, tragjike, duke vënë në lëvizje  të gjitha forcat e tjera lëvizëse, personazhet që janë  me të e kundra saj, që e varrosin dhe e zhvarrosin, që kërkojnë të vërtetën përreth saj, si edhe që bëjnë të kundërtën në varrosjen e së vërtetës.  Ajo është  simbol i Kojrillës që ka çarë qiejt e horizontet, me një bukuri e krenari të rrallë, me dëshirën e madhe për të jetuar, me poezinë që ka bota femërore, si edhe me ca të vërteta që duhen mbajtur e shpëtuar, sa më larg fëlliqësive që ka e mbartë toka mëmë. Ky paralelizëm i Kojrillave me Zejnepe Vlorën, kthehet nga Terziu në një metaforë që flet bukur, që përgjithëson, ashtu sikundër është edhe E Ujta, po për elegancën e transparencën poetike të saj, në personifikimin njerëzor të abstraguar.

Mjeshtëria e shkrimtarit, gjithsesi krijon atë ndërthurje të lëndës dhe lëvizje të personazheve real e atyre ireale, të cilët krijojnë besueshmërinë në kërkimin e së vërtetës rrënqethëse. Dhe e vërteta është e mbuluar nga mjegullnaja e Londrës mbi tokë e nëntokë, mbi ujë e nënujë, në ferr e në  parajsë, atje ku është e ku nuk është kjo grua e bukur që ka me vete edhe ca letra të shenjtëruara për vendin e vetë, të cilat kenë në brendësi të tyre disa firma patriotësh të shquar të kombit, që pëlqehen e nuk pëlqehen jashtë e brenda vendit të saj. Dhe e vërteta mbartet e fshihet në këtë shtegtim shtet më shtet, si një amanet i shenjtë, si një tragjedi, apo si një krim që është bërë e që nuk tretet kollaj. Terziu na ka dhënë kështu një subjekt ekzistencial, që i ka të gjitha elementët e artit të të shkruarit, si edhe harmoninë e vlerave. Romani i Terziut pasqyron botën Shqiptare të kudondodhur, brenda e jashtë vendit. Bashkë me enigmat, intrigat, korrupsionin, krimet, që, në më të shumtën e rasteve të tyre nuk kërkohen, nuk dënohen, po mbeten pezull, flenë nëpër dosje, po edhe mbulohen! Prandaj, edhe romani i Terziut e ka përbrenda edhe absurditetin e të gjitha kohrave, si një anë kanceroze e pandarë!

Romani është shkruar në një gjuhë shqipe të pastër e të pasur, që krijon emocionin rrjedhës, burimor , po edhe qartësi, transparencë, pse jo, edhe poezi. Aty do të gjesh edhe një leksik me fjalë të reja, që përdoren nga herë e më bukur, me vendin e duhur, sikundër janë: zezërrima, çjerrësisht, trupnjeri, E ujta, Ujnaja, trupujtë, shkrafanjitë, si edhe disa togfjalëshe që hyjnë nëpër  biseda komunikuese. E lexon këtë roman dhe ndjenë kulturën e gjuhës, pastërtinë, bukurinë dhe tingëllimën e fjalës, si në një mozaik shumëngjyrësh. E një veprim të brendshëm inkandeshent, sikundër e quajta më lartë. Nuk është aspak rrëfyes ky roman, narrativ, sikundër e kane quajtur disa lexues, studiues dhe kritikë. Atë e karakterizon,-për mendimin tim, fjalëveprimi aktiv, dialogu konçiz e intensiv, radhitja e fakteve dhe e ngjarjeve, si në dramat moderniste a ato absurde. Të ngjanë si ajo drama absurde e Beketit “Në pritje të Godos”, ku të gjithë presin një person që e quajnë Godo e ai s’vjen kurrë. Edhe tek Terziu presim të zbardhet me ankth një vrasje e ajo ngatërohet edhe më keq akoma! Sepse kështu janë edhe interesat gjeo-politike në Europën e trazuar që “na do aq shumë” dhe na mban përherë “jashtë konakut të saj”! Dhe Terziu s’bënë gjë tjetër, veçse ngre “fenerin përpjetë” si Dhiogjeni i Lashtësisë që të shohë më mirë e më qartë! Prandaj edhe i ka “thirrur në ndihmë” edhe Kojrrillat, si një simbol i pastër, që do të na vijë, mase, nëpërmjet qiellit!



118 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page