“NË 20 VJET NË TIRANË, 4 VJET MË KA PRANUE NË PUNË SHTETI IM”
Fjalim për veten në ditën që iku nga kjo botë Poeti Hamit Aliaj
I dashur Hamit Aliaj!
Vdekja jote sot na solli trishtim sepse na e kujtoi se ne të gjithë e kemi me vete vdekjen, por harrojmë se e kemi çdo çast kaq pranë. Në raste të tilla na duket se na sheh në sy vdekja dhe na kap frika prej saj. Bëjmë bè rrejshëm të bëhemi më të mirë, më njerzore por rrejmë.
Lexoj fjalë me dhimbje që shkruhen për ty, knohen këngë e më përzihen zorrët në bark. Dashnia e tepërt kur nuk të duhet e nuk të hyn në punë bëhët uth e ta shkul shpirtin.
Ndërsa dëgjoj shiun e fjalëve të mallit e dashnisë së madhe që bjen sot për ty, më godasin në kokë fjalët e tua për pamundësitë e shumta, për mungesë vëmendje, kujdesi e përkrahje nga shteti, nga njerzit e shtetit disa prej të cilëve janë shokët e miqtë tanë, të njohurit tanë.
“Unë i bana 65. Ju hoqa qafe shtetit se tash bëhem pensionist. Megjithëse në 20 vjet në Tiranë, 4 vjet më ka pranue në punë shteti im. Të përshëndes”.
Edhe unë që nuk kam patur kurrë asgjë në dorë bëhëm me turp. Të gjithë bëhemi me turp, por dikush e han turpin me bukë, ska dert. Ti ishe e je shkrimtar mik i dashur, poet i njohur jo për hatër të shtetit as të shokëve e miqve. Ti kishe punë gjithmonë, puna jote ishte krijimi i të bukurës që do të jetojë shumë gjatë për të cilën kanë e do të kenë nevojë njerzit dhe që është shumë e paktë në mbretërinë e shëmtimit.
Ti nuk ishe meteor, por u linde në një truall të magjishëm njerzish të mëdhej ku në mungesë të shtetit ata njerëz kishin shpikë shtetin e tyre. Linde aty ku lindën Orë e Zana e heroj malsorë që secili prej tyre po të flasësh me të është universitar, akademik, linde aty ku gjalloi Eposi fantastik, u linde në atdheun e Eposit.
Falë Anton Paplekës që fisnikërisht e quani Mësues, ti Hamit dhe Skënder Buçpapaj spikatët si poetë në qiellin letrar shqiptar sa për një çast u ndalën njerëz e zogj ta dëgjonin këngën tuaj me kumbim të veçantë. Sepse erdhët si veçanti, me një letërsi të pangjashme me letërsinë sovjetike e shkrimtarët sovjetikë, (kupto shkrimtarët e modelit, frymëzimit e shkollës sovjetike).
Sa ishte diktatura, ajo kishte nevojë për ty e sivëllezërit e tu të rikuperonte e paqtonte sa të mundte veten e saj pasi kishte dënue me zhdukje kolosë si Fishta e sivëllezër të tij. Kishte nevojë për kalorës të fjalës si ti e shokët e tu për të mundë ta sfumonte konfliktin e urrejtjen që kishte shkaktue duke dënue e shpallë armik e reaksionar veriun e vendit, duke e përjashtue nga pushteti, zyrat, selitë, podiumet e presidiumet.
Ti pothuaj nuk u more vesh me regjimin e ri Hamit. Sepse ti me atë pamjen tënde arkaike e të vjetër ishe më modern se pushtetarët e letrarët e pushtetit, të pushteteve që erdhën pas diktaturës. Ti nuk gënjeje kurrë, nuk e lëndoje krenarinë tënde kurrë, ishe modern i modernëve Hamit sepse kurrë asnjëherë nuk the, o mbret a po ma jep një copë bukë, a po më lejon ta ha një copë bukë... ani se ti nuk kishe të shumtën e kohës rrogë, nuk kishe lekë me ble bukën, me ble një libër, me ble një gazetë sepse shteti ynë nuk të jepte një rrogë, një rrogë për të mbijetue, me mbete gjallë, nuk të jepte një pension special siç ua ka dhënë lloj lloj militanti partiak... siç ua ka dhënë lloj-lloj shkrimtari sovjetik e regjimli…
Për 20 vjet që banove e jetove në Tiranë, 4 vjet të ka dhënë rrogë shteti ynë pa shpirt, 16 vjet pa rrogë të dënoi shteti ynë, pa të ardhura sepse ti shkruaje poezi, bëje art dhe nuk duhej të haje as të pije as të jetoje. Ti i bëje inferiorë dhe nuk donin të të kishin këshilltar as të brendshëm as të jashtëm zyrtarët bashkiakë, zyrtarët e ministrive a drejtorive të ndryshme të mbipopulluara me këshilltarë… Sepse ti i bëje ta vuanin inferioritetin e tyre para teje.
E mua më shkruhen para syve të mendjes fjalët e sivëllaut tënd poet Et’hem Haxhiademi që e mbytën në burg politik në Burrel me 1965, që në parathënien e librit të tij të vetëm me poezi “Lyra” pati shkruar këto fjalë: “Dikur nëpër perioda t’errta të vendevet t’jera gjindesh ndonji Mecen a Richelieu, të cilët i murën puntorët e pendës ndën mprojtje. Dhe vetëm për këtë mprojtje këta bamirës e lidhën vehten e tyne me historin e literaturës Rromake e frange. Këtu tek ne ngjanë e kundërta. Mprojtja ma e madhe qi mund t’i bahet nji shkrimtari asht t’a çojnë mësuës ase sekretar në ndonji zyrë të vogël. Nga nji herë ngjan qi e qisin jasht fare dhe nga kjo punë e thjeshtë dhe e lanë pa bukë në të katër rrugët.”
Ti i provove në kurriz këto dhe po të mos ishin fëmijët e tu, familja jote, për shtetin e shoqërinë ti nuk duhej të haje, nuk duhej të jetoje. Shteti ynë sikur është i lumtur ta zhburrërojë prindin në sytë e fëmijëve, ta zhbëjë, ta bëjë të pazotin, të pavlerë babain para fëmijëve… Shtet që lë shkrimtarë pa rrogë, që heq shkrimtarë nga puna dhe i lë pa rrogë dhe Padishahu inë bën art e piktura i ndriçuar nga “flakët e Romës”
Veç armiqesisë së dukshme të shtetit që nuk u kujdes për ty i dashur Hamit, pisket edhe mungesa e vemendjes së shokëve, miqve, të njohurve zyrtarë e pasunarë, që një rrogë modeste për ty do t'i fisnikëronte dhe do t'ua bënte më të fisëm, të ndershëm e të dinjitetshëm biznesin, zyrën, karierën.
Biznesmenë, pasanikë, politiqarë, zyrtarë e shtetarë ka shumë gjithmonë, por shkrimtarë që mbeten ka pak. Ti Hamit ke mbetë në letërsi.
Nuk blihet me lekë pavdeksia as nderi që jetojnë shumë më gjatë se çfardo lloj pasurie e kësaj bote.
U derdh ca ditë lumë fjalësh e deklaratash pa asnjë vlerë për ty, fjalë që nuk u afrohen fjalëve tua të epërme që gdhenden në shpirtin e lexusit, por askush nga shteti, nga zyrtarët, nuk pati kurajon e guximin të të kërkojë falje, të thonë, na fal o Hamit Alia, të kërkojë ndjesë publike pse nuk të është gjetë shteti ty, pse të ka braktisë shteti ty shkrimtar, pse shteti të ka lënë 16 vjet pa rrogë ty shkrimtar.
Asnjë zyrtar shteti nuk foli për ty nuk të kërkoi ndjesë ty sepse ti nuk je shkrimtar i qeverisë, as i vatrës së kulturës të qeverisë që përzgjedh, gradon e shpërblen shkrimtarë qeverie me shëtitje, me fonde e shpërblime, nuk je shkrimtar i politikes, televizionit e mediave, nuk je as shkrimtar i OJQ-ve e OJF-ve të qeverisë, nuk të ka patur askund në llogari qeveria ty sepse nuk ishe as i mitrës së partisë komuniste, nuk ishe pjesë e asnjë çete sovjetësh të cilat i ka në vemendje të dukshme e të padukshme qeveria me bonuse, me pensione të posaçme etj.
E di se do të më turren të më thonë se është ekonomi tregu… Po, patjetër.
Por unë kam merak se pak kafe kam pi me ty, edhe se ty të thirrte shpesh bjeshka, froni yt i perëndishëm e më thoje, jam në Tropojë, jam në Kasaj, jam në Gjakovë…
Lamtumirë o mik!
Kommentarer