top of page

Fiqri Shaninllari: SHËNIME NGA BUENOS AIRESI

ree

- Tetë ditë në kryeqytetin argjentinas-

Nga Fiqri Shaninllari

 

Po i shkruaj këto mbresa nga dëshira për t’i njohur miqtë e mi me ç’ka pashë në Buenos Aires. Unë, gruaja ime dhe djali, i ramë për tetë ditë Buenos Airesit kryq e tërthor, herë më këmbë por më shumë me taksi. E pamë edhe nga larg kur shkuam me anije turistike në oqean.

Përparim Xhixha, gazetar i spikatur vite më parë, më sygjeroi që shkrimin ta bëja me “copa jete”nga ato që do shikoja.

Në kohën time e të Përparimit na këshillonin që shkrimin ta bënim shpejt që të mos humbiste “ freskia”.

Ishte kërkesë e drejtë. Me këtë që po bëj unë pas ca ditëve pushim, nuk i prish punë aktualitetit. Djali im u mjaftua vetëm me fotografi të shumta që bëri kryq e tërthor kryeqytetit argjentinas, i cili është shpallur i tillë që prej vitit 1580.

 

SURPRIZA

 


Andi Shahinllari: Me prindërit e mi - Palacio Duhau, Buenos Aires, Argjentinë
Andi Shahinllari: Me prindërit e mi - Palacio Duhau, Buenos Aires, Argjentinë

Djali më bëri një surprizë në ditët e para të dhjetorit 2025. Na ftoi të dy prindërit e tij të vizitonim Buenos Airesin, kryeqytetin e Argjentinës. U habita. Nuk kisha si të mos pranoja. Atje ka jetuar daiu im, Teki Ramadani ish kryetar i Shoqërisë Patriotike “Skënderbeu” për shqiptarët e Argjentinës. Me këtë cilësi, i ftuar nga qeveria shqiptare erdhi në krye të një delegacioni të vogël, dy herë në Shqipëri, herën e parë më 1968 dhe të dytën herë më 1982 .Më 1968 ishte me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Unë sapo isha emëruar gazetar në gazetën Bashkimi. Kryeredaktori i gazetës, i ndjeri Fiqri Vogli, i priti në një takim të posaçëm miqtë shqiptaro-argjentinas. Ndërsa në vitin 1982 dai Tekiu qëndroi 3 ditë në shtëpinë time në Tiranë. E shëtita në kodrat e gjelbëruara të liqenit artificial të Tiranës, etj.

Djali ynë, Andi kishte blerë pantallona të shkurtëra dhe bluza me mëngë të shkurtëra.

Na tha: - Do shkojmë në emisferën e jugut ku dhjetori këtu në

Amerikë, është “korrik” në Argjentinë.

Ai kishte prenotuar edhe një apartament në katin 18 të hotelit “Sheraton”. Dhe kështu më datën 2 dhjetor u nisëm nga aeroporti i Washington DC drejt Majamit dhe që andej me avion tjetër drejt Buenos Airesit. Bëmë rreth 10 orë udhëtim e nga dreka e datës 3 dhjetor mbrritëm në Buenos Airesin fantastik.

 

“TAKIMI” I PARË

 

Pas çlodhjes shkuam në një lokal aty afër hotelit. Sa u futëm mua më bëri përshtypje fakti se në tavolinën pranë derës hyrëse, ishin ulur dy pleq që m’u dukën vërsnikë me mua. U afrova drejt tyre. Ishin manekinë që me sa kuptova shërbenin si reklamë. Gjithsesi u ula midis tyre. Njëri mbante në dorë një letër dhe stilolaps. M’u duk sikur donin të shënonin emrat tanë, nëse ishim emigrantë apo jo. Qesha brënda vetes. I thashë djalit të porosiste një gotë fërnet “ Branka”ndërkohë në heshtje po i “thosha” manekinit me letër në dorë që të shënonte se gjatë emigrimit të italianëve të jugut drejt Argjentinës në shekullin 19, ka patur edhe shumë arbëreshë,ndërsa në shekullin 20 kanë ardhur në Argjentinë 20-30 mijë shqiptarë.Kështu që në popullsinë e sotme prej 43 milion banorësh të Argjentinës, kanë kontribuar edhe shqiptarët. Përveç familjeve shqiptare në Rosario dhe Kordobë, pothuajse të gjithë emigrantët shqiptarë kanë jetuar e punuar në Buenos Aires. Shqiptarët krijuan edhe Shoqatën Patriotike “Skënderbeu” ku festohej 28 Nëntori, Dita e Flamurit, me këngë e valle shqiptare dhe me ushqime tradicionale.

Unë flisja në heshtje dhe manekini me “buzën në gaz” as që e prishte terezinë.

 

DY PORTRETE MURALE QË FLASIN….

 

Nga aeroporti internacional deri në qendër të Buenos Airesit, e bëmë me taksi për rreth një orë. Në të dy anët e rrugës pamë portrete murale të futbollistëve me famë botërore Maradonës dhe Messit.Një ndjenjë paralajmërurse ma gudulisi kureshtjen. Këtu jemi në një vënd shumë sportdashës sidomos për futbollin.Pamë stadiume gjatë udhëtimit. Në ditët e tjera, duke shëtitur rrugëve të qytetit, shihnim të rinj e të reja të veshur me bluzat karakteristike të futbollistëve argjentinas. Disa kishin të stampuar në bluzë portretin e Maradonës e dikush tjetër atë të Messit. Pashë Andin në ato momente që po buzëqeshte. Nuk ishte nevoja pse qeshte. I thashë vetë: - Hë, po të kujtohet portreti i zmadhuar i Maradonës që e ke në faqen e murit të dhomës ku punon? Buzëqeshi e tha: - Pikës i ke rënë.

Kur takuam Pablon, një stërnip të dai Tekiut, ai na tha: - Edhe dy fëmijët e mi të vegjël duan të bëhen sportistë. Ata stërviten në shkollë për këtë qëllim.

Nuk po zgjatem. Çdo njeri që mund ta lexojë këto mbresa dhe që është sportdashës, e di mirë historinë dhe protagonistët e futbollit argjentinas.

 

KEQARDHJE

 

Me gjithë dëshirën tonë përvëluese për të takuar nipat apo mbesat, stërnipat apo stërmbesat e dai Tekiut , megjithë përpjekjen tonë tonë për të gjetur ndonjë shqiptar, nuk po arrinim gjë.Me siguri e di si buka që ha, që ka shqiptarë a pinjollë të tyre këtu në Buenos Aires, po ec e gjeji! Dikush mund të ketë qënë në ngjarjen tragjike të vdekjes këtu në Buenos Aires të aktorit të mirënjohur shqiptar Minella Borova.

E dinim që dai Tekiu kish vdekur po edhe tre djemtë e tij, Huani, Horacioja, Luizi dhe çupa Lola kishin ndrruar jetë.

Donim t’i takonim pinjollët e tyre, të shijonim ndonjë drekë a darkë me ta, të bisedonim, të shkonim me ndonjë prej tyre në varreza për të vendosur lule dhe ndezur qirinj te varri i Tekiut dhe të tjerëve.Nuk po gjenim dot njeri, asnjë përgjigje nga Marie Inesi dhe nga Claudja Ramadani, mbesat e Tekiut nuk po mernim.Nuk kishim asnjë informacion nga kushërinjtë e mi të largët, stërmbesat e stërnipat e Tekiut. Si t’ja bënim?

Shkuam në godinën ku ka qënë ambasada shqiptare. Ishte bërë hotel këtu e 10 vite më parë. Mora një informacion nga Bardhyl Bylyku që jeton në Tiranë i cili më shkrojti se xhaxhai i tij, Halili kur ishte në Buenos Aires letrat i dërgonte me adresën e zyrës së shoqatës patriotike “Skënderbeu” të shqiptarëve të Argjentinës.

Morëm një taksi dhe drejt te vëndi Cabildo 2843, me shpresë se do gjenim pllakën tabelë ku ishin shënuar emrat e shqiptarëve kontribues financiarë në ndërtimin e godinës. Mbetëm me gisht në gojë. Aty gjetëm një ndërtesë shumëkatëshe. Pyetëm rojet poshtë. Ata ngritën supet përpjetë në vënd të përgjigjes për pyetjen tonë.Eh koha, koha! Është e pamëshirëshme. Fshin çdo gjë si lëvozhgë pa vlerë.

Kur u nisëm për Argjentinë kolegu im Fuat Memelli që jeton në Boston, më dërgoi një foto e disa të dhëna për gjyshin e tij nga nëna. Quhej Halim Braka dhe ishte me origjinë nga Poloska e Devollit. Qëllimi ishte ndoshta gjeja ndonjë të dhënë ose foto të tij pasi kishte qënë emigrant në Argjentinë dhe anëtar i Shoqatës “ Skënderbeu”. Si për dai Tekiun edhe për atë nuk gjeta gjë.

Megjithatë unë ngula këmbë si mushka. O bëhet e imja o rrashë e vdiqa! “Shtrydha” mëndjen për të gjetur kujtimet të cilat ndonjëherë ndezin thëngjijtë e shojtur.

Djali im kur e pa që po lodheshim kot më tha: - E lemë për sot e fillojmë nesër, ditë e re, kësmet i ri. Ma tha po kujt ja tha?! Ma tha mua 80 e ca vjeçarit që më është bërë truri gdhë! Është e pamundur, mendova, që të mos ketë ndonjë bijë a bir shqiptari në këtë qytet gjigand.

Më 2015 ish ministri i jashtëm i Shqipërisë bëri vizitë shtetërore në Buenos Aires, ku u takua edhe me disa shqiptarë.

 

MË NË FUND…

 

Pas përpjekjeve djali im ra në gjurmët e stërnipit të Tekiut. Quhet Pablo Porcel de Peralta.

Është djali i Klaudias, mbesës së dai Tekiut(vajza e djalit të tij Horacios). U lehtësuam disi. Të paktën do takonim një nga njerzit me gen shqiptar , në gjakun e tij ka gene të dai Tekiut. Mirëpo ai, për shkak të punës që kishte,do vinte të na takonte në hotel ditën që do largoheshim. Shyqyr që nisja jonë për në Amerikë ishte në mbrëmje. Dhe erdhi para dite rreth orës 10. U përshëndetëm dhe me anë të përkthimit përmes telefonit nga spanjishtja në shqip e anasjelltas filloi biseda.

Na tha që ishte i datlindjes 1982. E mbante mend Tekiun. Na kujtoi se ai kur e ndihmonte në punët e kioskës që kishte pranë shtëpisë i thoshte:- Pablo, a je burrë i fortë?

I thamë Pablos se shkuam te varrezat por u munduam kot. Nuk gjetëm varrin e Tekiut.

- Nuk ka se si ta gjenit.Personat e vdekur ruhen 25 vjet në varreza pastaj digjen.

Aty pranë ishin edhe varrezat në mermer të familjeve të pasura që quheshin “Recbleta Recoëeta Cometeri”. Aty ishte edhe varri i Eva Peronit.

Në lokalin “ Ideal” pamë edhe portretin e Madonës, artistes së shquar që ka luajtur në film rolin e Eva Peronit.

Flisja me Pablon dhe në çast më shkoi mendja te ndjesia ime kur ishim te varrezat.Befas më shkoi mëndja te xhaxhai im, Baftjari. Ishte vëllai i madh i babait tim por ai kishte emigruar në Argjentinë. Unë e kam parë atë vetëm në fotografi që e mbante dhe e ruante me kujdes gjyshja ime Yrka(Hyria). E vinte në sëndyq foton e të birit i cili vdiq i ri në Buenos Aires nga mezi i viteve 1940. Nëna ime e sapo martuar mbante mend faktin se vjehrrës së saj Yrkës, kur mori vesh lajmin e hidhur zeher për vdekjen e të birit në Argjentinë , i kishte rënë nga dora kusia e qumështit kur ishte duke mjelë lopën në oborr.

U ktheva te biseda me Pablon. I kërkova ndjesë sepse fare natyrshëm kujtimet më ndezën thëngjijtë e shuar.

- Pablo, ti dhe Andi djali im jini të rinj. U bëfshi nga 100 e ca vjeç!

Por, si një njeri 80 e ca vjeçar që jam, po u jap një këshillë: - Të mos trishtohemi shumë për largimin nga kjo botë të njerëzve tanë të dashur. Të gjithë njerëzit të vdekshëm janë, por të gëzohemi që i kemi patur. T’i kujtojmë ata sepse njeriu nuk vdes kur mbulohet me dhe’ ai vdes kur harrohet.

Vura re se i pëlqeu Pablos kjo këshillë. Dhe unë e ndjeva veten si këshilltar të zotin, ashtu si Kinea që ishte këshilltar i Pirros së Epirit.

Kur u kthye në shtëpi Pabloja ja kishte treguar të ëmës, Klaudias bisedën tonë dhe ajo nuk vonoi por na mori në video e na tha: - Të dashur kushërinj, unë dëshiroj të shihemi dhe të takohemi së shpejti.

 

SI JEHONË E NJË BUBULLIME TË LARGËT…

 

Gjatë ditëve të qëndrimit në Buenos Aires, nëpër restorante konsumonim mish. Në këto rraste më shkonte mendja te një bisedë që kisha bërë vite e vite më parë kur ishte gjallë Mehmet Vila me origjinë nga një fshat i Korçës, ish emigrant prej vitesh në Buenos Aires. Sebep i njohjes me të ishte Tekiu. Mehmeti la Argjentinën dhe vendosi të jetonte në Tiranë. Në Buenos Aires kishte punuar në një vënd si “maxhordom” siç e quante ai. Që të mos mërzitej shteti shqiptar atëhere i gjeti një punë si shitës në një kioskë diku afër së shtëpisë së Haxhi Lleshit. Kishte edhe një apartament një dhomë e një guzhinë diku afër shkollës “Vasil Shanto”.

Gjatë bisedës një ditë më tha:

-Në pyjet e Argjentinës rriten ergjele pa pronarë lopë, viça e dema. Atje shkojnë kasapë të ndryshëm vrasin apo therin viçin dhe mishin e marin me vete. Kushti ishte që pasi ta ripnin gjënë, lëkurën ta linin varur në një degë peme.

M’u kujtua ky fakt që më erdhi si jehonë e një bubullime të largët teksa konsumoja mish në restorant.

……….

Tetë ditë qëndrimi në Buenos Aires, ikën shpejt sikur “ vraponin”. U lodhëm por edhe u kënaqëm. Diku kam lexuar: “ Kush bën një udhëtim, ka për të treguar.” Dhe unë u mundova të tregoj diçka nga ky udhëtim i pari dhe i fundit për mua në Buenos Aires. Djali im dhe pasardhësit e dai Tekiut, ndoshta nuk do ta lenë të këputet këtë “zinxhir” miqësie.

 

Fund, dhjetor 2025

1 Comment


Fatmir Terziu
3 hours ago

“Shënime nga Buenos Airesi – Tetë ditë në kryeqytetin argjentinas” i gazetarit të mirënjohur Fiqri Shaninllari është një mesazh sa gjeografik e kulturor, aq dhe vlerëdhënës në publicistikë. Ky shkrim përfaqëson një reportazh kujtimesh ku publicistika ndërthuret natyrshëm me memoarin personal. Autori nuk synon të japë një guidë turistike apo një analizë sociologjike të Buenos Airesit; ai zgjedh rrugën më njerëzore dhe më të sinqertë: “copat e jetës”, siç i ka sugjeruar edhe Përparim Xhixha. Pikërisht kjo e bën tekstin të besueshëm dhe emocionalisht funksional. Zëri i autorit është i qartë, i dallueshëm dhe autentik. Ai flet si gazetar i vjetër, por edhe si njeri që ka mbledhur shumë kujtime e humbje. Ironia e lehtë, vetëqeshja (“80 e ca vjeçarit…

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page