top of page

Fiqri Shahinllari: FIDANISHTJA E LIBRIT


ree

 

 

(Arkiva Fjala e Lirë, Londër, "Lis në shkëmb"; E premte, 19 Qershor 2009; 22:36:28 GMT)

 

 

FIDANISHTJA E LIBRIT

 

  Befas, jo pa emocion, i shkrepi një mendim. Vendosi të shkruajë kujtimet e tij. U kthye në shtëpi, u ul para kompjuterit dhe iu fut punës. Kush të jetë vallë burimi i emocioneve? Ku e kanë ato selinë? Në zemër? Në stomak? Ato janë aq të fuqishme ndonjëherë sa të tërheqin me vete e të bëjnë monoman njëlloj si ata njerëz që i sundon ideja fikse e një pasioni të vetëm. Kur shkruan për fëmijërinë dhe rininë e herëshme të bëhet sikur i përjeton edhe një herë momentet e bukura të atyre kohëve. Çerdhja familjare dhe përshtypjet e para të fëmijërisë ndikojnë fuqishëm në karakterin e njeriut. I dhuron shpirtit një favor emocional të papërsëritshëm, kur shkruan kujtime të tilla, i bën vetes nder. Se, ç’është e vërtëta, në ato mosha “të njoma” vetëm kujtime të bukura ka njeriu. Por edhe kur kalon të gjashtëdhjetat njeriu nuk duhet të rrijë e të kujtojë vargun e viteve në çdo përvjetor lindjeje. Ai duhet të kujtojë momentet e bukuar të jetës të cilat janë të shumta. Të dashurojë njerëzit, të harrojë fyerjet… Shpejt emocioni ia le vëndin mendimit. Mendja njerëzore është e zonja jo vetëm të regjistrojë e përpunojë informacionet mbi pamjet, konceptet, përshtypjet, por më e rëndësishmja është se ajo i

riprodhon këto informacione edhe pas një kohe shumë të gjatë. Kjo aftësi e mendjes quhet memorie. Ishin këto emocione e mendime që e detyruan gazetarin floqar të shkruante kujtimet me titull: “Jeta ime, disa kujtime” që ia dedikoi dy fëmijëve të tij, Andit dhe Erisës, bashkëshortes Nadina dhe vëllezërve, motrave, nipave e mbesave, kushërinjve e kushërirave. Këtë “libër” e shtypi në disa kopje dhe e shpërndau te njerëzit e tij më të afërt. Pothuajse tridhjetë për qind të librit e zenë kujtimet për jetën në Floq, për toponimet, zakonet, lojnat e argëtimet, shkollën në Floq e Kamenicë, objektet e kultit, për bisedat e floqarëve te “Bregu” e te “Çipi i Hoxhës” që i quajti “Parlamenti i fshatit” e plot gjëra të tjera.

***

Shënimet e librit “Jeta ime, disa kujtime” fillojnë kështu: “Me kalimin e viteve kam vënë re se dashuria për njerëzit fillon e mpikset në një rreth shumë të ngushtë. Ashtu si rrathët që formon guri i hedhur në një pellg me ujë të pastër, edhe rrezet e afinitetit midis njerëzve përhapen në fillim të shpejta e të forta, pastaj, duke u përhapur ngadalësojnë impulset deri sa më në fund zhduken. Kështu edhe dashuria midis njerëzve. Janë të forta e plot impulsione për fëmijët, për prindët, bashkëshorten, motrat e vëllezërit, nipat e mbesat, hallat, tezet, xhaxhallarët, dajallarët, kushërinjtë e kushërirat…Për shokët e miqtë sa vjen e filtri bëhet më i imët. Koha seleksionon. Vetëm për një gjë nuk ka filtër, nuk ka seleksionim. Ajo është dashuria që përvëlon nga brenda: malli për vendlindjen….” Këto shënimë shërbyen si fidanishte për këtë studim mbi Floqin dhe floqarët.

 

PROPOZIMI I ARKITEKT AGRONIT

 

Kaluan muaj, po kalonte viti nga dita kur shënimet u ranë në dorë lexuesve “specialë,” (midis tyre edhe ndonjë shoku të gazetarit). Një ditë prej ditësh, si zakonisht, ishte duke pirë kafe te lokali i Drinit me emrin kuptimplotë “Eshka” në Tiranë, kur hapet dera dhe futet brënda Agron Ali Hasankolli me dy-tre te tjerë. Agroni është i biri i Fatimes, kushërirës së parë të Xhelos, babait të gazetarit. Pas bisedës për gjëra të ndryshme ai bëri një propozim që nuk pritej nga askush:

-I lexova “Kujtimet” që ke shkruar…Për to me foli edhe tezja, Zengjineja. Unë mendoj t’i botosh ato. Është me interes. Gazetari vuri buzën në gaz. E dinte që Agroni është arkitekt i zoti në Korçë dhe një sipërmarrës i suksesëshëm ne fushën e ndërtimeve. Ai është edhe pronar i një Internet-Kafeje në Tiranë. Kish ndihmuar në rindërtmin e xhamisë së Floqit, në shtrimin e rrugëve dhe i bëhej zemra mal për çdo gjë të mirë për fshatin. Dy vjet më parë ai kish shprehur dëshirën për të kontribuar ne realizimin e një filmi dokumentar për fshatin. Mirëpo mendimi i tij për t’i botuar në shumë kopje shënimet “Jeta ime, disa kujtime,” megjithë qëllimin e mirë, nuk qëndronte. Ato janë shkruar vetëm për një rreth të ngushtë familjar e fisnor.

- Nuk është shkruar për lexuesit e tjerë të fshatit-iu pergjigj ai Agronit.

-Po ripunoje librin për botim. Ti ke një jetë të tërë që merresh me shkrime. S’ke lënë vënd të Shqipërisë pa shkuar e pa shkruar. Bëj diçka për Floqin. Ti vetëm dy apo tre reportazhe ke bërë për të. Floqi e meriton një almanak, fshatarët do të të jenë mirënjohës…

 

Edhe Drini Dikollit, edhe të tjerëve që dëgjonin po u pëlqente kjo ide. Agroni duke pare edhe aprovimin e pjesëmarrësve në bisedë, po ia “merrte” krahët gazetarit. Fliste me bindje, i vendosur. Gazetari po lëkundej. Mirënjohja e të tjerëve është gjë e rrallë sot. Mosmirënjohja të kall datën. Mirënjoha të mbush me gëzim e të kënaq me delikatesën e ndjenjave, por atë më tepër se mirënjohja po e lëkundëte tundimi, detyrimi moral për të bërë diçka për vendlindjen e tij. Detyrimi moral është si mokra e mullirit që s’ka ndjenja, vetëm të mëson të mbash radhën për të blojtur.

-Nuk ta jap fjalën Gone-e ndërpreu gazetari arkitektin, këmbënguljes të të cilit nuk mund t’i rezistonje

-Do të mendohem e të them.

****

 

U kthye në shtëpi në Tiranë. U shtri në divan. Një mëndje i thoshte që propozimin që iu bë ta linte mënjanë njëherë për njëherë. Mirëpo nga brënda po e brente molja për ta parë shtruar propozimin. “Fluturoi” me mend në Floq e te floqarët. Fshati nuk duhet të jetë një vend i harruar. Banorët e tij, si ata që jetojnë aktualisht atje ashtu edhe ata që janë shpërndarë nëpër Shqipëri e larg atdheut, nuk janë njerëz me horizont të ngushtë e “kërcunj” të pagdhëndur. Edhe Floqi, si çdo qytet e fshat ka një kujtesë, ka një të shkuar, një të tashme e një të ardhme. Për këtë histori, për këtë kujtesë duhet shkruar. Mirëpo fjalët e fundit të Agronit: “… ripunoje librin për botim” thuhen e shkruhen lehtë, por sa punë e mund duhet për të shndërruar dëshirën në realitet. Një angazhim i tillë do këllqe, jo shaka. Ose duhej filluar nga e para ose duhej lënë fare kjo pune! “Nuk çalon gomari nga veshët. Ke kohë, ke mundësi. Shtroju punës!” e urdhëronte një zë brënda vetes. Në këtë dilemë kish dy qëndrime të “unit” të gazetarit të cilat “grrindeshin” me njëra tjetrën e sejcilën prej tyre e shtynte dëshira dhe ambicja për të fituar mbi tjetrën. Por të hiqje dorë nga synimi për të shkruar një libër, ishte punë që s’ bëhej. Ai nuk po gjente derman. Propozimi i Agronit e çoi te mëdyshja e ndjesia njëlloj si bezdija që të shkakton dhimbja e lehtë e dhëmbit që nuk e mer vesh nga të vjen, nga poshtë apo nga sipër, djathtas apo majtas nofullës. Sepse, ç’është e vërteta, veç dëshirës e ndihmës së bashkëfshatarëve me dëshmi e kujtime, duhet kërkuar edhe gjetkë, për të dhëna të tjera. Po ashtu edhe mendimet, kujtesa personale apo fantazia e krijuesit kanë nevojë për pikëmbështetje që në këtë rast janë faktet, dokumentat, statistikat, fotografitë, dëshmitë.

 

AGRONI TJETER ME MBIEMRIN HASANKOLLI

 

Me shqetësimin e gëzueshëm gazetarin e zuri gjumi. Të nesërmen takoi Agronin tjetër, të birin e Bajramit. Ai ka një biznes të vogël te rruga e Elbasanit në Tiranë. Ia tregoi qëllimin. Agroni u gëzua dhe i tha:

-Bëje librin. Nëse të duhet të shkosh përsëri në Floq apo Korçë, po të mundesh shko, te ndihmojmë edhe ne. Po të duash të takosh Selamiun e Refatit që banon në Durrës të çoj unë me makinën time. Ai di shumë për Floqin dhe floqarët se ka qënë mësues dhe është edhe i moshuar.

 

Floqari gazetar, gjashtëdhjet e kusur vjet, u lumturua kur pa gadishmërinë e gëzimin që iu reflektua në sy floqarit tjetër përballë, të riut Agron Hasankolli.

-Oh Goni-ndërhyri gazetari me një ndjenjë të dukëshme kënaqësie-po më shtyn t’i futem punës ashtu siç më propozoi Agroni tjetër me mbiemrin tënd. Do t’u kujtoj të dyve si dy Agronë me mbiemrin Hasankolli. Dallimin e bën emri i mezit që është i babait. Ti je i Bajramit dhe Agroni arkitekt është i Aliut.

-Jo, gabohesh! -përgjigjet Agroni-duke qeshur. Unë jam Agron Ali Hasankolli.

 

E mori si humor gazetari dhe e ftoi për kafe. Agroni që duket që atje tutje si njeri i qeshur e shpirtmirë këmbënguli në shpjegimin e vet: “Babait tim i thërresin Bajram, por në dokumenta emri i tij figuron Ali. I thonë Bajram pasi kur ka qënë i vogël ishte sëmurur

keq në prag të festës së bajramit. Për t’u shëruar, sipas besimit fetar, i vunë edhe emrin Bajram. Dhe ky emër mbeti në kujtesën e njerëzve por në pasaportë e ka Ali. Me Agronin arkitekt bëra një herë një shaka duke i thënë: Ato paret që ke në bankë t’i mora unë Agron Ali Hasankolli. Çova pasaportën dhe në llogarinë time bankare transferova edhe ato tëndet. Adashi qeshi kur i tregova ngjarjen e stisur por edhe u habit që dy floqarë kanë emrin e vet, të babait dhe mbiemrin të njëjtë edhe nëpër dokumenta.”

-Vërtet, me qënë se të dy kini llogari bankare, si i kryeni veprimet bankare?-ishte pyetja e gazetarit.

-Ne dallojmë nga datat e lindjes. Agron arkitekti ka lindur më 11 maj 1957, kurse unë kam lindur dhjetë vjet më vonë, më 27 nëntor 1967-përfundon Agroni.

 

“ZHIVA” NË INSTRUMENTIN SHPIRTËROR

NGJITET LART

 

Dy Agronët ishin nxitësit e parë të punës që gazetari do të fillonte. Por këta nuk janë të vetmit. Te klubi “Eshka” ai takonte floqarë të tjerë të cilët e furnizonin me ndonjë të dhënë, fakt apo kujtim. Biseda me ta ishte si vlaga e tokës për bimët e porsambjella.

Në mënyrë të veçantë gazetari ka dëshirë dhe e ndjen si obligim moral të përmendë me zë të lartë disa zotërinj intelektualë floqarë që i dhanë ndihmë të çmuar në përshkrimin e disa kapitujve të librit sidomos për fiset dhe toponimet po edhe për aspekte të tjera. Ai ka bindjen se pa kujtimet e tyre këto shënime nuk do të ishin as të plota as të sakta.

 

Gatishmëria e floqarëve, kujtimet e të cilëvë i bashkojnë të gjithë sidomos kur ato janë të frymëzuara nga dashuria, i bëri përshtypje gazetarit. Ai u kishte treguar atyre projektin që kish në kokë dhe kish vënë re kënaqësinë që ndjenin. Në sytë e tyre ai shihte se si ndritëte shkëndija e gëzimit dhe e entuziazmit të vërtetë. Dhe entuziazmi është ngjitës. “Zhiva” në shpirtin e gazetarit filloi të ngjitej lart. Iu shtua dëshira dhe aftësia për të shkruar, ashtu siç i shtohet fuqia tërheqëse hekurit të magnetizuar që thith një trup tjetër 12 herë më të rëndë se pesha e vet. Morali iu shtua. Dhe, dihet forca morale qëndron ndaj forcës fizike si treshi ndaj njëshit.

****

Tregimet e fashatarëve vërtet janë diçka e nevojëshme por ato nuk janë gjithçka. Laboratori krijues për një libër studimi si ky nuk pranon fantazinë e ndezur. Nevojiten edhe statistika, dokumenta zyrtare, dosje, botime të ndryshme, sepse historia shkruhet duke u bazuar në të dhënat arkivore jo vetëm me kujtime. Për këtë arësye gazetarit iu desh të kërkonte e hulumtonte në Arkivin Qëndror të Shtetit e të seleksiononte aty dhjetra dokumenta, të shpenzonte kohë nëpër raftet e Bibliotekës Kombëtare, në Muzeumin Kombëtar, në Institutin e Historisë, në Institutin e Statistikës. Iu desh, gjithashtu, të mbante në memorie fakte e dëshmi gojore, të bisedonte me historianë të mirëfilltë, të moshuar e të rinj.

***

Duke kaluar peripecitë e karakterit burokratik të këtyre institucioneve, më në fund, pasi “mbushi hejbet” me ç’ka i duhej gazetari plot gëzim u ul të shkruante në shtëpinë e tij në Tiranë. Gëzimi ishte i dyfishtë pasi kish 20 ditë që ai ishte bërë gjysh. Vajza e tij Erisa e kish gëzuar me mbeskën Eliza. Kur filloi të shkruante ishte ditë e mërkurë, 17 tetor 2007, dita e 290-të e vitit dhe e 732968-ta nga Era Jonë. Në Tiranë u shkruajt materiali bruto i këtij kapitulli të parë për ta vazhduar më tej punën në SH B A me kapitujt e tjerë të këtij libri që kini tani në dorë të dashur lexues.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page