top of page

Finlanda në NATO; Lamtumirë neutraliteti 105 vjeçar


Finlanda në NATO; Lamtumirë neutraliteti 105 vjeçar



Në vitin 1809, Suedia e humbi Finlandën në luftë me Rusinë Cariste. Deri atëherë ajo quhej Suedia lindore. Në traktatin e paqes në mes të dy mbretërive, në paragrafin e parë cekej:

“Finlanda, si principatë (nuk ishte e tillë fare) i bashkohet Rusisë Cariste me të drejtë për vetëvendosje”.

Gjuhë zyrtare ishte suedishtja, pasi finlandezët nuk kishin as alfabet. Për më se një shekull, Finlanda iu nënshtrua sundimit rus. Një pjesë e tyre u konvertua në ortodoks, sa edhe sot një kishë është e lidhur me Patrikanën e Moskës, ndërsa tjetra me Patrikanën e Stambollit.

Kur plasi Lufta e Parë Botërore, Vlladimir Iliç Lenini ishte emigrant në Zvicër. Ai, nëpër Gjermani, (ani se ishte në luftë me Rusinë), udhëtoi nëpër Danimarkë, Suedi e Finlandë dhe arriti deri në Petrograd, ku iu bashkua bolshevikëve. Atë gjatë tërë rrugës e përcollën një grup komunistësh finlandezë. Para se të ndaheshin, Lenini i pyeti përcjellësit trima:

“Çka kërkoni nga unë, për këtë shërbim vëllazëror që ma bëtë?”

“Na e prano pavarësinë e Finlandës”, i thanë ata njëzëri.

“E mbani referendumin dhe do t’ua pranojmë rezultatin e tij”, ishte përgjigjur Lenini.

Finlanda u shpall shtet dygjuhësor me 1918 (me 8 % popullsi suedeze). Siç ndodhë në kthesat e historisë, gjatë revolucionit bolshevik, plasi lufta vëllavrasëse në Finlandë në mes simpatizuesve pro rus (të kuqtë) dhe të nacionalistëve finlandezë (të bardhtë).

Një finlandez, me kombësi suedeze, mareshali në shërbim të Carit, Gustav Manerhaim, u kthye në atdhe, u vu në krye të lëvizjes së të bardhëve dhe ajo palë edhe doli fitimtare. Finlanda, shtet i ri krijoi ushtrinë, institucionet dhe alfabetin në gjuhën finlandeze.

Në vitin 1939, me paktin e mossulmimit në mes të BRSS dhe Gjermanisë naziste, i cili është i njohur si pakti Molotov – Ribentrop, këto dy shtete ndanë Poloninë përgjysmë, por Bashkimi Sovjetik duhej t’i merrte edhe shtetet baltike (Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë) dhe Finlandën. Shtetet baltike nuk kishin forcë të rezistonin, por Finlanda kundërshtoi. Qeveria iu drejtua mareshalit të vetëm finlandez, Manerhaim, t’i prijë ushtrisë dhe shtetit. Ai pranoi. Me 330.000 ushtarë, të armatosur lehtë, por të motivuar, ai i rezistoi me sukses ushtrisë sovjetike, që numëronte 960,000 ushtarë (raporti 3:1). Vërtetë, Finlanda humbi nja 10 % të territorit të saj në lindje si edhe rripin e tokës, ku kishte dalje në Detin e Veriut, por siç ceku më vonë mareshali i aftë: “finlandezët nuk qajnë për qumështin e derdhur”!

I vetmi vend i cili e ndihmoi këtë luftë ishte Suedia, zyrtarisht e botërisht neutrale. Ajo dhuroi armatime, municione dhe avionë luftarak. Iu lejoi vullnetarëve të marrin pjesë në mbrojtje të Finlandës. Sot në portin Vertahamn të Stokholmit janë të shënuara në mermer fjalët e vullnetarëve suedezë: “Çështja e Finlandës, është çështje e jonë!” Ajo i strehoi edhe 17.000 fëmijë finlandezë. (Nëse pëson disfatë Finlanda, të mos shuhet gjeni i këtij populli!)

Vendet Nordike (Finlanda shtet me 1918)

Askush nuk e priste atë sukses të Finlandës. U befasua edhe vetë Hitleri, i cili theksoi:

“Këte mund ta bëjë vetëm Finlanda sublime”. Ai e ftoi mareshalin Manerhaim mysafir në Berlin, ku ia dhuroi një “Mercedes” të blinduar. Edhe sot, disa historianë e akuzojnë Manerhaimin se: “Ai është fajtor që nxiti Hitlerin ta sulmonte Bashkimin Sovjetik, sepse nazistët as që e kishte ndërmend të sulmonin në lindje, se ishin në luftë me Britaninë”.

Pasi Gjermania naziste e sulmoi BRSS, edhe Finlanda sulmoi drejt lindjes, me synim që t’i kthejë territoret e humbura. Manerhaim i kundërshtoi, por politikanët nuk e dëgjuan. Pasi nazistët pësuan disfatë, Stalini, si aleat i anglo-amerikanëve kërkoi dëmshpërblim nga Finlanda, si bashkëpunëtore e Gjermanisë naziste! Ky shtet i ri u shkatërrua edhe nga nazistët, pagoi reparacione të larta deri në vitin 1990, por e ruajti pavarësinë kombëtare.

Mareshali Manerhaim është hero i luftës, por politikani dhe kryetari Urho Kekonen ka epitetin burrështeti hero, i cili me urti ruajti balansin neutral në mes lindjes e perëndimit dhe drejtoi mirë atdheun. Kur u shpërbë perandoria sovjetike, Finlanda bleu shumicën e busteve të Leninit dhe i vuri në një park të Helsinkit, në shenjë falënderimi ndaj tij. Sot, të shumtën rusët vijnë ta vizitojnë parkun-muze, që është pasqyrë e së kaluarës sovjetike.

Deri në vitin 1990 në librat shkollore shënohej e mësohej se: të gjitha vendet Nordike janë të industrializuara, pos Finlandës. Prej atëherë, ajo pjesë e mësimit u hoq nga librat. Finlanda arriti zhvillimin e afërm me shtetet fqinje, por në disa lëmi ajo edhe ua kaloi. Në arsim, ajo ka rezultate më të mira se vendet tjera Nordike. (Ndërkombëtarët që model për Kosovë e morën Finlandën, nuk di si nuk e bënë obligim edhe sistemin e tyre arsimor?) Në matjet e vendeve të OECD-së, shquhet populli më i lumtur në Evropë (po edhe në botë).

Mareshali Gustav Manerheim (1887–1917)

Me plasjen e luftës në Ukrainë, Finlanda e Suedia, siç cekej, dorë më dorë e bashkërisht kërkuan anëtarësim në NATO. Të dyja këto vende, të cilat me xhelozi, herë ndaras e herë bashkë dhe për shkaqe të veta ishin neutrale, bindën opinionin dhe me përkrahje të gjerë politik bënë kërkesat zyrtare. Të gjitha vendet anëtare të NATO-s e ratifikuan një nga një anëtarësimin e Finlandës dhe të Suedisë në aleancën ushtarake veri-atlantike. Hungaria e Turqia ishin shtetet e fundit që e ratifikuan anëtarësimin e Finlandës, por e kundërshtuan Suedinë për shkaqe të ndryshme. Ndoshta edhe kjo do të realizohet, por do të vonojë ca.

Norvegjia, Danimarka e Islanda, si vende të mëhershme të NATO-s, konsiderojnë se tani edhe Evropa veriore është më e sigurtë nën ombrellën e aleancës ushtarake veri-atlantike. Ka zëra individësh e grupesh, që theksojnë se në arenën ndërkombëtare këto dy shtete e humbën kredibilitetin si faktorë të paqes e ndërmjetësimit në shumë konflikte dhe kriza.


Hamit Gurguri

+46762518888.

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page