top of page

Fejzulla Berisha: SERBIA PËRBALLË MURIT TË SË VËRTETËS

Aug 15
5 min read

 

 

PA NJOHJEN E KOSOVËS, EVROPA MBETET E MBYLLUR!

 

Pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës janë realitet juridik e ndërkombëtar i pakthyeshëm — Beogradi nuk mund të kërkojë integrimin në rendin juridik evropian duke refuzuar njohjen e shtetit që ekziston në kufijtë e tij të përcaktuar ndërkombëtarisht

 

Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

 

Koha e mohimit ka mbaruar

 

Serbi, duhet ta kuptosh një të vërtetë që historia, e drejta ndërkombëtare dhe realiteti politik evropian tashmë e kanë vendosur përtej çdo dileme: rruga drejt Evropës nuk mund të ndërtohet mbi iluzionin e rikthimit të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë.

Koha e politikës së mohimit ka kaluar.

Koha kur Beogradi mund të pretendonte se Kosova është vetëm një “çështje e brendshme” e Serbisë ka kaluar.

Koha kur historia mund të përdorej si instrument për të mohuar realitetin juridik dhe politik të së tashmes ka kaluar.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran.

Dhe kjo nuk është më një aspiratë politike, por një realitet i konsoliduar institucional, juridik dhe ndërkombëtar.

Prandaj, nëse Serbia synon të bëhet pjesë e Evropës së bashkuar, ajo duhet të përballet me realitetin e vet evropian: nuk mund të kërkosh të hysh në një rend juridik të ndërtuar mbi paqen, bashkëpunimin, respektimin e së drejtës dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, ndërkohë që vazhdon të mohosh ekzistencën politike dhe shtetërore të një fqinji me të cilin ke një proces të drejtpërdrejtë normalizimi.

Kapitulli 35: aty ku përplaset politika e beogradit me realitetin evropian

Rruga evropiane e Serbisë nuk është e shkëputur nga marrëdhëniet me Kosovën.

Bashkimi Evropian e ka vendosur normalizimin e marrëdhënieve Kosovë–Serbi në vetë arkitekturën e procesit të integrimit evropian të Serbisë. Kapitulli 35 i negociatave për anëtarësimin e Serbisë përfshin çështjet e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën dhe është pjesë e procesit negociues evropian.

Pra, problemi i Beogradit nuk është Kosova si “temë diplomatike” që mund të shtyhet pafundësisht.

Problemi është se Serbia dëshiron Evropën pa pranuar plotësisht logjikën politike dhe juridike mbi të cilën funksionon vetë Evropa.

Kjo kontradiktë nuk mund të zgjasë përgjithmonë.

Bashkimi Evropian nuk është thjesht një treg ekonomik. Është një bashkësi politike dhe juridike, ku shtetet anëtare duhet të jenë në gjendje të ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme me fqinjët dhe të respektojnë detyrimet që burojnë nga proceset e përbashkëta evropiane.

Prandaj, Serbia nuk mund të kërkojë privilegjet e integrimit evropian duke ruajtur njëkohësisht një projekt politik të rikthimit të Kosovës.

Kosova nuk është më ajo e vitit 1999

Këtu qëndron edhe gabimi themelor strategjik i Beogradit.

Serbia vazhdon të sillet sikur historia mund të kthehet prapa.

Por historia politike nuk është një orë që mund të kthehet pas.

Kosova ka kaluar nëpër një proces të thellë politik, institucional dhe ndërkombëtar.

Ka ndërtuar institucionet e veta.

Ka shpallur pavarësinë.

Ka krijuar rendin e vet kushtetues.

Ka ndërtuar marrëdhënie bilaterale me një numër të madh shtetesh.

Ka hyrë në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë.

Dhe, mbi të gjitha, gjeneratat e reja të Kosovës e shohin shtetin e tyre si realitet të natyrshëm politik dhe juridik.

Kjo është arsyeja pse projekti i rikthimit të Kosovës nuk është vetëm politikisht jorealist; ai është edhe një projekt që bie ndesh me realitetin e krijuar gjatë dekadave të fundit.

Evropa nuk mund të ndërtohet mbi mohimin e fqinjit

Serbia duhet ta kuptojë edhe një realitet tjetër.

Evropa e shekullit XXI nuk është Evropa e shekullit XIX.

Nuk është Evropa e territoreve të pushtuara, e ndryshimit të kufijve me forcë dhe e projekteve të dominimit territorial.

Është Evropa e bashkëpunimit.

Është Evropa e sovranitetit të shteteve.

Është Evropa e së drejtës.

Është Evropa ku konfliktet duhet të zgjidhen përmes marrëveshjeve politike dhe juridike, jo përmes nostalgjisë për territore të humbura.

Vetë Bashkimi Evropian e përcakton dialogun Kosovë–Serbi si një proces që synon një normalizim gjithëpërfshirës dhe ligjërisht të detyrueshëm, në mënyrë që të dyja palët të mund të përparojnë në rrugët e tyre evropiane.

Kjo është pika ku Beogradi duhet të zgjedhë:

Evropën apo iluzionin?

Të ardhmen apo të kaluarën?

Normalizimin apo konfliktin e përhershëm?

“Normalizimi” nuk mund të jetë një lojë semantike pa fund

Për vite me radhë, diplomacia evropiane ka përdorur termin “normalizim”, pikërisht për të krijuar hapësirë politike për një proces të vështirë.

Por normalizimi nuk mund të jetë një lojë semantike pa fund.

Nuk mund të ketë normalizim të vërtetë ndërmjet dy palëve nëse njëra palë vazhdon të mohojë ekzistencën shtetërore të tjetrës.

Mund të ketë marrëveshje teknike.

Mund të ketë dialog.

Mund të ketë bashkëpunim ekonomik.

Mund të ketë marrëveshje për dokumentet, energjinë, komunikimin, personat e zhdukur dhe çështje të tjera.

Por normalizimi i plotë kërkon kapërcimin e pozitës së mohimit shtetëror.

 

Prandaj, herët a vonë, Serbia do të përballet me pyetjen që nuk mund ta shmangë:

 

A dëshiron të jetë pjesë e Evropës si një shtet që bashkëpunon me fqinjët, apo dëshiron të vazhdojë të ndërtojë identitetin e saj politik mbi mohimin e Kosovës?

 

Kufijtë ekzistues nuk ndryshohen me deklarata politike

 

Kosova nuk mund të trajtohet si një hartë e përkohshme që pret një vendim të ardhshëm të Beogradit.

 

Ajo ka kufijtë dhe institucionet e saj dhe funksionon si shtet i pavarur.

 

Pretendimi se Serbia mund ta rikthejë Kosovën vetëm përmes këmbënguljes politike është një keqlexim i realitetit.

 

Sovraniteti nuk fitohet dhe nuk humbet përmes deklaratave të përditshme politike.

Ai lidhet me realitetin juridik, institucional dhe ndërkombëtar.

Prandaj, retorika e përhershme e Beogradit për “rikthimin e Kosovës” nuk e ndryshon realitetin e Kosovës.As nuk e ndryshon orientimin evropian të saj.As nuk e zhduk shtetësinë e saj.As nuk e kthen historinë prapa.

Serbia përballë zgjedhjes historike: europa ose iluzioni i së kaluarës

Serbia është para një zgjedhjeje historike.

Nuk është më çështja nëse mund ta mohojë Kosovën edhe për një dekadë tjetër.

Pyetja është:Sa gjatë mund ta mbajë peng të ardhmen e vet evropiane për shkak të një politike që nuk mund ta ndryshojë realitetin?

Edhe sot, rruga evropiane e Serbisë mbetet e lidhur me çështjen e normalizimit. Dokumentet e BE-së e trajtojnë këtë proces si pjesë të drejtpërdrejtë të perspektivës evropiane të të dyja palëve.

Kjo do të thotë se çështja nuk është thjesht marrëdhënie dypalëshe.

Është edhe çështje e vetë projektit evropian të Serbisë.

Dhe këtu ndodhet paradoksi:Serbia dëshiron të hyjë në Evropë duke mbajtur jashtë derës realitetin e Kosovës.

Por kjo nuk është e mundur pafundësisht.

Kosova nuk pret lejen e serbisë për të qenë shtet

Kjo duhet thënë qartë.Kosova nuk është shtet sepse Serbia e lejon.Kosova nuk është shtet sepse Beogradi e pranon.Kosova nuk është shtet sepse dikush në Serbi vendos ta njohë.

Kosova është shtet sepse ekziston si realitet politik, institucional dhe juridik ndërkombëtar.

Njohja nga Serbia do të ishte një akt i rëndësishëm politik dhe juridik për normalizimin e marrëdhënieve.

Por ekzistenca e Kosovës si shtet nuk varet nga vullneti i Beogradit.

Kjo është pikërisht ajo që Serbia duhet ta kuptojë.

“Finere finato”: fundi i një iluzioni

Prandaj, mesazhi duhet të jetë i qartë, pa ekuivok dhe pa iluzione:Serbi, shuaji shpresat për kthimin e Kosovës.Shuaji shpresat se mund ta mbash Kosovën peng përjetësisht.Shuaji shpresat se historia mund të përdoret si instrument për ta zhbërë realitetin.

Shuaji shpresat se mund të hysh në Evropë duke refuzuar logjikën e normalizimit.

Dhe, mbi të gjitha, shuaji shpresat se Kosova do të zhduket nga harta politike e Evropës vetëm sepse Beogradi vazhdon ta mohojë.

Kosova është këtu.Kosova ka shtetin e saj.Kosova ka institucionet e saj.Kosova ka qytetarët e saj.Kosova ka të ardhmen e saj evropiane.

Serbia gjindet para  një zgjedhje:të pranojë realitetin dhe të ecë drejt Evropës, ose të mbetet peng i së kaluarës.Historia nuk pret askënd.Evropa nuk mund të ndërtohet mbi mohimin.Dhe Kosova nuk mund të kthehet në të kaluarën.

Për Serbinë, projekti i rikthimit të Kosovës duhet të marrë fund.

FINERE. FINATO.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa e ardhmja e saj nuk përcaktohet më në Beograd.  

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page