top of page

Fejzulla BERISHA: Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut – detyrim kushtetues, juridik dhe shtetformues

  • 6 days ago
  • 1 min read




Shkruan:Prof.Dr.Fejzulla BERISHA


Moszbatimi i saj përbën cenim të Marrëveshjes së Ohrit, shkelje të Kushtetutës dhe goditje ndaj barazisë ndëretnike




Gjuha shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk është as favor politik i ditës, as koncesion i përkohshëm i qeverive, as instrument propagandistik. Ajo është e drejtë e fituar dhe e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, që rrjedh drejtpërdrejt nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001 – akti historik që i dha fund konfliktit të armatosur dhe vendosi themelet e shtetit multietnik, demokratik dhe të barabartë.

Marrëveshja e Ohrit nuk është thjesht një dokument politik, por një pakt juridik dhe shtetformues, i cili sanksionoi përdorimin e gjuhëve zyrtare sipas kriterit të përfaqësimit të mbi 20 për qind të popullsisë. Në këtë kuadër, gjuha shqipe fitoi statusin e gjuhës bashkëzyrtare dhe duhet të përdoret në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, duke përfshirë administratën qendrore dhe lokale, sistemin gjyqësor, arsimin, dokumentacionin zyrtar dhe çdo shërbim publik.

Moszbatimi i saj nuk është thjesht shkelje procedure; ai është shkelje e drejtpërdrejtë e Kushtetutës, e ligjit dhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit. Çdo pengesë, kufizim apo relativizim i përdorimit të shqipes është goditje e drejtpërdrejtë ndaj barazisë ndëretnike, identitetit të komunitetit shqiptar dhe stabilitetit shtetëror.

Në një shtet që aspiron integrimin evropian dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve, gjuha shqipe nuk mund të trajtohet si opsion, por duhet të zbatohet si detyrim i palëkundur kushtetues dhe ligjor. Ajo nuk është privilegj – ajo është Kushtetutë, ligj dhe shtyllë e bashkëjetesës demokratike.

“Çdo pengim i shqipes është mohimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe shkelje e shtetit multietnik”.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page