top of page

Fatmir Terziu: VJESHTA E DEKODUAR

Updated: Oct 22


ree

A është gjithnjë koha piktor për ty?

Nga Fatmir Terziu

 

Pas. Shumë vite pas. Në vitin 1979-të.

Ndiqja me sy atë artefakt në xham.

Hapja veshët për të kuptuar më qartë:

Shitësja e bulmetit:

„Ti je ende qumësht,

është shumë herët për të kuptuar

se beteja për rendin është humbur prej kohësh.“

 

Unë zgjatja veshët. Zmadhoja sytë.

Pavarësisht se sa shumë e kaloja vjeshtën para vitrinës së dyqanit,

nuk gjeja një të dytë.

 

Eh, a mund ta kisha harruar?

Pas xhamave dëgjoj ende mërmëritje të hutuar:

„bukuria, e kuqe dhe e artë, do të vazhdojë të bjerë mes teje,

duke të sabotuar“.

 

Pas. Shumë vite pas. Në vitin 1979-të.

E kam ende të pikturuar në sy,

atë artefakt,

por a është gjithnjë koha piktor për ty?


ËNDËRR NË JON


Në vargjet e mia një det me mesazhe.

Vala m’i deh. Bunaca një nga një i mbledh.

 

Me to më qëndis pasazhe,

mes tyre nga zgjimi në zgjim,

poezia ime i përkëdhel si fate

dhe i ngjiz në trupin tim.

 

Kur ndodh të mblidhen tufa-tufa

më duken si një peshk i papërfunduar

me një enigmë relievi plotë luspa

trazoj Jonin e shqetësuar

me të rrëkëllej disa kupa

e përhumbem duke kënduar.

 

Mendoj se jam mes nimfash

me kujdes shmang ndonjë krap

pulëbardhat më ndezin mori dritash

unë hap dhe mbyll me vrap,

hap dhe mbyll si në një lojë pritash,

hap e mbyll në Sarandë.

 

Joni më pyet pse po e bën këtë?

kalimtarët bujasin mbi guralecë,

unë hap dhe mbyll pa zë e me zë

deri sa diku vargu më ngec,

më duket sikur s’ka ndodh asgjë

as vetë nuk e di ç’po heq.

 

Në vargjet e mia një mal me mesazhe.

Joni m’i shëndet. Joni m’i nget.

Më duken si melhem, më ngjajnë si ilaçe

këndon një iso të brendshme intime

Joni nis e dremit i qetë,

unë hap dhe mbyll gojën time.


Ëndrra jonë

 

E madhe. E stërmadhe sa tre Korabë pirg

e dehur me raki sa tre lumenj Drin…

Është e zhdërvjellët si shtegu i një dhie

dhe ne ecim, e ecim deri sa zgjohemi një ditë.

 

Dhe sytë tanë janë të mbushur me vesë,

ku kristalizohet e ardhmja, për besë.

 

Dhe e ardhmja zvarritet ende pas nesh,

skicime të heshtura, që ia mbathin me të katra,

e fytyra u ngryset, e fytyra u qesh,

ëndrra jonë gjithnjë nis nga e para,

e kush e kuptoi, e kush e mori vesh.

 

Qesh në vetvete, qesh me zë të lartë,

në zyra, në podiume, në trotuare

lyp me buxhet, lyp me pankartë,

për ditën tjetër, atë ditën e madhe,

ëndrra jonë është diku në një hartë

i mungon vetëm shenja konvencionale.

 

Dhe ngrejmë sytë në shekullin e njëzetë e një

lutemi dhe pyesim a do të jemi në gjendje,

para se dita të mbarojë a do të kthehet në zë

dhe nata të na lërë të flemë, brenda kësaj ëndrre

të falim njëri-tjetrin për të gjitha gabimet në të?


VJESHTA E DEKODUAR

(Sipas Diella-s)


 

Aroma e gështenjave të pjekur

mbushi hapësirën pranë Teatrit „Skampa“,

retë zhvishnin rrobdashamër në qytetin e heshtur.

 

Këto binin mbi takat e vajzave që parakalonin,

murre të tëra me mbishkrime pasionante

një zhurmë e përgjithshme si një tufë bletësh.

 

Madhrat, të magjepsura nga tezgat, ishin të trishtuara,

tashmë të zgjuara nga një lutje e gjatë

(pranë Xhamisë, përballë Kullës së Sahatit)

fruta të zverdhura përzier me ngjyrën e gjakut të tharë në buzë,

prisnin qesen e hesapit.

 

Pafajësi e ushqyer prej kohësh,

freski e djegur nga dielli,

dhe ishin të ëmbla, palitur mes gishtave nga ëmbëlsia.

 

Me gjysmë çmimi, bërtisnin tregtarët,

ndërsa gratë ankoheshin për çmimet e larta.

 

Taksitë xixëllonin netëve me drita

në Sheshin para Pallatit të Sportit

dhimbëmesët anonin nga Kthesa e Luleve në Llixha

(pleqtë luan tespitë sipas motit)

duke fshirë ballin me riza.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page