Fatmir Terziu: Vepra e Ibrahim Kadriut në territorin e mendimit kritik
- Feb 16
- 7 min read

Vepra e Ibrahim Kadriut në territorin e mendimit kritik
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Vëllimi “Qasje veprave të Ibrahim Kadriut”, i përgatitur nga Prof. Assoc. Dr. Labinot Berisha dhe botuar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, përbën një akt të rëndësishëm dokumentimi kritik dhe njëkohësisht një hartë orientuese në territorin e gjerë letrar të shkrimtarit Ibrahim Kadriu. Që në parathënie, me titullin domethënës “Vepër që zgjoi interesimin e kritikës dhe të shkrimtarëve”, theksohet jo vetëm kronologjia e një krijimtarie të gjatë, por edhe dimensioni i ndikimit që kjo krijimtari ka ushtruar në jetën letrare të Kosovës dhe më gjerë.
1. Një opus në vijë vertikale dhe horizontale
Fillimi i krijimtarisë së Kadriut me përmbledhjen poetike “Netët e Karadakut” (1969), botuar nga Rilindja, shënon hyrjen e tij në një periudhë dinamike të letërsisë kosovare, kur poezia dhe proza kërkonin forma të reja shprehjeje në një realitet të ngarkuar historikisht. Parathënia e Berishës e vendos këtë datë si pikënisje të një rruge afro gjysmëshekullore, ku Kadriu nuk mbeti i kufizuar në një zhanër, por ndërtoi një mozaik veprash: poezi për të rritur e për fëmijë, prozë, radio-dramë, monografi, humor, libra shkollorë. Kjo shumëllojshmëri nuk paraqitet si shpërndarje energjish, por si dëshmi e një vetëdijeje letrare që kërkon të përfshijë jetën në kompleksitetin e saj. Siç nënvizohet në parathënie, Kadriu ka vështruar “fenomene të rëndësishme të rrjedhës jetësore të botës e të njeriut tonë në vijën vertikale dhe horizontale”. Kjo formulë përmbledh dy dimensione themelore të veprës së tij: vertikalitetin historik (kujtesën, traditën, dramën kombëtare) dhe horizontalitetin ekzistencial (jetën e përditshme, fatin individual, ndjeshmërinë intime).
2. Poezia: ndërmjet reales dhe dramatikes

Pjesa e parë e vëllimit, kushtuar poezisë, dëshmon një spektër të gjerë qasjesh kritike. Figura të rëndësishme të mendimit letrar shqiptar si Rexhep Qosja, Agim Vinca, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, por edhe studiues të huaj si Mihai Antonescu, Monica Mureşan apo Giuseppe Napolitano, e lexojnë Kadriun nga kënde të ndryshme metodologjike dhe estetike. Qosja flet për “dy obsesione të një poeti”, duke sugjeruar se në thelb të poezisë së Kadriut qëndrojnë dy boshtet e mëdha: koha dhe identiteti. Këto obsesione nuk janë thjesht tematike, por strukturojnë mënyrën e të menduarit poetik. Ndërsa Vinca e sheh poezinë e tij “ndërmjet reales dhe fantastikës”, çka nënkupton një kalim të vazhdueshëm nga përvoja konkrete historike në një dimension simbolik e metaforik.
Ramadan Musliu, në disa ndërhyrje kritike, vëren procesin e “retorifikimit” dhe të “tematizimit të aktualitetit”, duke theksuar se Kadriu nuk mbetet në nivelin e përjetimit lirik, por e ngre përvojën në një diskurs më të artikuluar estetikisht. Anton Nikë Berisha e konsideron poezinë e tij si “poezi e botës sonë, e qëndresës”, duke e vendosur atë në kontekstin e një letërsie që ka qenë e detyruar të artikulojë dramën kolektive. Duke e zgjeruar më tej këtë panoramë kritike, vëllimi i përgatitur nga Labinot Berisha e bën të dukshme se vepra e Ibrahim Kadriu nuk është lexuar në mënyrë sporadike, por ka qenë objekt i një vëmendjeje të vazhdueshme dhe shumëplanëshe nga emra të rëndësishëm të mendimit letrar shqiptar dhe të huaj. Në fushën e poezisë, përveç figurave tashmë të përmendura, analizat e Teki Dervishi dhe Mensur Raifi ndriçojnë dimensionin elegjiak dhe pritjen ekzistenciale në vargun e Kadriut. Dervishi e lexon poezinë e tij si bredhje pas një pritjeje të përhershme, një pritje që është herë historike, herë metafizike, ndërsa Raifi e vendos theksin te elegjia si mënyrë e përballjes me kohën dhe humbjen.
Skënder Zogaj e sheh krijimtarinë e tij si një prezantim solid të letërsisë sonë, duke e vlerësuar për koherencën dhe për ndërtimin e një universi të qëndrueshëm poetik. Isak Ahmeti, nga ana tjetër, thekson prirjen moderne të frymëzimit poetik, duke e parë Kadriun si autor që arrin të ruajë lidhjen me traditën, por pa rënë në skema të konsumuara stilistike. Në këtë korpus kritik përfshihen edhe zëra si Ndue Ukaj, i cili e koncepton poezinë e Kadriut si “univers të dhembjes”, dhe Zyhdi Dervishi, që e vendos atë në një “polifoni leximesh”, duke nënvizuar se vepra e tij i reziston një interpretimi të vetëm dhe kërkon qasje ndërdisiplinore. Një dimension tjetër e shtojnë studiues si Fatmir Terziu, i cili e vëren prirjen filozofike dhe ndërtekstuale të autorit, si dhe Xhelal Gjura, që e thekson lirizmin e thellë dhe intensitetin emocional të vargut. Këto lexime dëshmojnë se poezia e Kadriut nuk është vetëm dëshmi kohe, por edhe një strukturë e menduar estetike, ku simbolika, metafora dhe ritmi ndërtojnë një identitet të dallueshëm autorësor.
Interesant është fakti se në këtë vëllim bashkëjetojnë lexime që e theksojnë lirizmin nostalgjik, simbolikën e ndjeshmërisë, universin e dhembjes, me lexime që nënvizojnë modernitetin e frymëzimit dhe dimensionin filozofik të vargut. Kjo shumësi interpretimesh dëshmon elasticitetin e tekstit kadrian: ai nuk mbyllet në një formulë të vetme, por i reziston një leximi univok.
3. Proza: histori, dokument dhe mit
Pjesa e dytë e vëllimit, kushtuar prozës, e zgjeron panoramën dhe e vendos Kadriun në raport të drejtpërdrejtë me historinë e Kosovës. Këtu spikat prania e emrave si Ibrahim Rugova, Ali Aliu, Prend Buzhala, Nuhi Ismaili etj., të cilët e lexojnë prozën e Kadriut si ndërthurje të dokumentaritetit me imagjinatën. Rugova flet për “realizimin e vazhdimësisë”, duke sugjeruar se Kadriu arrin të ndërtojë një urë midis traditës narrative shqiptare dhe kërkesave të një romani modern. Ali Aliu e sheh si “prozë me narracion dinamik”, ndërsa Buzhala thekson strukturën dinamike dhe referencën shqiptare të temave të tij. Nuhi Ismaili vëren lëvizjen “ndërmjet historisë dhe fantazisë”, çka përbën një nga tiparet më të dallueshme të romaneve të Kadriut. Një element i rëndësishëm është “letrarizimi i dokumentit” dhe “demistifikimi i dhunës”, siç e thekson Musliu. Kjo do të thotë se Kadriu nuk mjaftohet me kronikën historike; ai e shndërron faktin në materie artistike, duke e zhvendosur nga niveli i raportimit në atë të përjetimit estetik. Në këtë mënyrë, romani bëhet një hapësirë ku historia e Kosovës, me figurat e saj, dramat, sakrificat, merr trajtë narrative dhe simbolike.
Në fushën e prozës, krahas mendimit të Ibrahim Rugova dhe Ali Aliu, rëndësi të veçantë kanë edhe analizat e Xhemail Mustafa, i cili e sheh prozën e Kadriut si akt flijimi për ekzistencën, dhe të Lush Gjergji, që e vlerëson romanin e tij për Nënë Terezën si një ndër përpjekjet e para serioze për ta trajtuar këtë figurë në plan letrar. Po ashtu, Ardian Haxhaj dhe Prend Buzhala e theksojnë funksionalizimin artistik të dokumentaritetit dhe strukturën narrative dinamike, ndërsa Nexhmije Çerkezi e lexon prozën e tij si dëshmi të një kohe që flet mbi historinë e Kosovës. Përfshirja e autorëve si Baki Ymeri, Marius Chelaru apo Monica Mureşan e zgjeron më tej rrethin e receptimit, duke dëshmuar se temat e trajtuara nga Kadriu, liria, dhuna, kujtesa, identiteti, kanë rezonancë përtej hapësirës shqiptare. Kësisoj, ky vëllim përbën jo vetëm një përmbledhje studimesh, por një panoramë të dialogut kritik që është zhvilluar rreth një opusi të pasur dhe kompleks. Shumësia e emrave, nga poetë, kritikë, sociologë, studiues të letërsisë e deri te autorë të huaj, dëshmon se Ibrahim Kadriu ka hyrë në një qark të qëndrueshëm interpretimesh, ku vepra e tij vazhdon të lexohet, të rishqyrtohet dhe të sfidojë mendimin kritik bashkëkohor.
4. Dimensioni ndërkombëtar dhe dialogu kritik
Një nga vlerat e veçanta të këtij botimi është përfshirja e studiuesve të huaj. Prania e kritikëve rumunë, italianë, serbë etj., e dëshmon se vepra e Kadriut ka kaluar kufijtë kombëtarë. Përkthimet dhe ekranizimet e disa veprave të tij përforcojnë këtë dimension. Kjo e vendos Kadriun në një dialog ndërkulturor, ku letërsia e Kosovës komunikon me hapësira të tjera letrare. Berisha, në parathënie, thekson se punimet janë botuar sipas variantit të parë, me ndërhyrje minimale redaktoriale. Ky qëndrim është i rëndësishëm, sepse ruan autenticitetin e leximeve kritike dhe lejon që evoluimi i mendimit kritik të shihet në kohë. Në këtë aspekt, vëllimi nuk është vetëm një pasqyrë e veprës së Kadriut, por edhe një dokument i zhvillimit të kritikës letrare shqiptare në disa dekada.
Duke i shtuar kësaj panorame edhe disa zëra të tjerë që janë ndalur posaçërisht te veprat në prozë të Ibrahim Kadriu, del më qartë se romani dhe tregimi i tij kanë qenë po aq provokuese për kritikën sa edhe poezia. Një kontribut me peshë jep Anton Nikë Berisha, i cili, në analizat e tij për prozën, flet për raportin ndërmjet “jetës së vrarë” dhe “jetës së projektuar”. Kjo qasje e vendos Kadriun në kontekstin e një proze që nuk pasqyron vetëm realitetin e dhunuar historik, por edhe përpjekjen për ta rimenduar atë përmes imagjinatës letrare. Sipas Berishës, romani i Kadriut ndërton një hapësirë narrative ku historia nuk është thjesht sfond, por strukturë themelore e kuptimit. Ali D. Jasiqi e sheh prozën e Kadriut si mishërim artistik të reales dhe imagjinatës. Ai vëren se autori arrin të krijojë një ekuilibër mes faktit historik dhe fabulës letrare, duke shmangur si rrezikun e dokumentarizmit të thatë, ashtu edhe atë të fantazisë së shkëputur nga realiteti shoqëror. Një tjetër perspektivë sjell Sazan Goliku, i cili thekson dimensionin human të prozës së Kadriut. Në leximin e tij, romani kadrian shfaqet si hapësirë shërimi, ku rrëfimi nuk është vetëm akt estetik, por edhe akt etik, i orientuar drejt ndjeshmërisë njerëzore dhe solidaritetit në kohë krize. Jehona Shala ndalet te shtresëzimet kohore dhe narrative, duke argumentuar se proza e Kadriut ndërton një dialog mes së shkuarës së largët dhe aktualitetit, ku figura historike dhe përjetimet individuale ndërthuren në mënyrë organike. Ky dimension e bën romanin e tij një formë kujtese të artikuluar artistikisht.
Nga ana tjetër, Izber Hoti problematizon raportin mes historisë dhe realitetit letrar, duke e lexuar prozën e Kadriut si vajhall midis fakteve historike dhe interpretimit artistik. Për Hotin, forca e këtyre romaneve qëndron pikërisht në tensionin mes asaj që ka ndodhur dhe asaj që letërsia synon ta kuptojë e ta riformulojë. Në këtë linjë, Esat Kamberi e vlerëson prozën e Kadriut si një simbiozë historike në shërbim të idesë së lirisë së Kosovës, ndërsa Muhamet Reçica e sheh atë si një hapësirë ku temat e marrëzisë së pushtetit dhe absurditetit historik marrin trajtë narrative të fuqishme. Po ashtu, Baki Ymeri e lexon romanin e Kadriut si një vepër që ofron “një epokë të tërë”, duke nënvizuar aftësinë e autorit për të ndërtuar tablo të gjera shoqërore, ku fati individual lidhet pazgjidhshmërisht me fatin kolektiv. Këto shtesa tregojnë se proza e Ibrahim Kadriut është trajtuar nga këndvështrime të ndryshme: historike, etike, estetike dhe filozofike. Shumësia e leximeve kritike dëshmon se romani i tij nuk është një produkt i mbyllur, por një tekst i hapur, që vazhdon të gjenerojë interpretime të reja dhe të ruajë aktualitetin e vet në diskursin letrar të Kosovës dhe më gjerë.
5. Përfundim: një vepër që kërkon lexim të vazhdueshëm
“Qasje veprave të Ibrahim Kadriut” nuk është thjesht një përmbledhje recensionesh, është një arkiv i gjallë i dialogut mes autorit dhe kritikës. Ai dëshmon se vepra e Kadriut ka arritur të zgjojë interesim të vazhdueshëm, sepse prek nyje thelbësore të përvojës sonë historike dhe njerëzore. Në territorin letrar të Kosovës, Ibrahim Kadriu shfaqet si autor i një opusi të gjerë, që ka ditur të ndërtojë ura midis poezisë dhe prozës, midis dokumentit dhe mitit, midis dhimbjes kolektive dhe ndjeshmërisë intime. Vëllimi i përgatitur nga Labinot Berisha e konsolidon këtë prani, duke ofruar një bazë të qëndrueshme për studime të mëtejshme dhe për një rivlerësim të vazhdueshëm të kontributit të tij në letërsinë shqipe.








Comments