top of page

Fatmir Terziu: Tensioni midis fragmentimit dhe shfaqjes së rrjedhshmërisë (“rejet”) në poezinë e Andrea Zarballës 

ree

Tensioni midis fragmentimit dhe shfaqjes së rrjedhshmërisë (“rejet”) në poezinë e Andrea Zarballës

 

 

E kam konsideruar me kohë poezinë e Andrea Zarballës. Ndaj kjo konsideratë e imja mbetet me fokus të veçantë tek vëllimin i tij „Mos e shiko fundin e detit“ (Zarballa, „Milosao“ 2012). Më saktë e rikonsideroj si tipologjike poezinë “Poetët e vdekshëm” nga vëllimi i cituar, duke shqyrtuar tensionin estetik dhe semantik midis fragmentimit tekstor dhe krijimit të një rrjedhshmërie të brendshme poetike (ajo që në analizën dhe kritikën Perëndimore quhet “rejet”). Në këtë kontekst, argumentohet se fragmentimi, në poezinë e Zarballës, nuk funksionon si shenjë e shpërbërjes diskursive, por si strategji poetike që mundëson ndërtimin e një koherence të re, jo-lineare, e cila ndërthur metapoetikën, përvojën ekzistenciale dhe simbolikën e përkohshmërisë. Analiza mbështetet në lexim të afërt të tekstit dhe synon të kontribuojë në rivlerësimin e poetikës së Zarballës në kontekstin e poezisë shqipe bashkëkohore.

Andrea Zarballa (i lindur në vitin 1941, në Llazat, Sarandë) përfaqëson një rast të veçantë në letërsinë shqipe bashkëkohore, si autor që vjen nga një formim shumëgjuhësh dhe ndërdisiplinor. Aktiviteti i tij si gazetar, redaktor letrar dhe studiues i folklorit dhe etnografisë, kryesisht në gjuhën greke, ka ndikuar drejtpërdrejt në ndërtimin e një poetike që i shmanget linearitetit tradicional dhe kërkon forma alternative të organizimit të diskursit poetik. Vëllimi „Mos e shiko fundin e detit“ shënon prezantimin e tij të parë me poezi në gjuhën shqipe dhe përbën një hapësirë ku ndërthuren reflektimi filozofik, kujtesa kulturore dhe një vetëdije e theksuar metapoetike. Në këtë kontekst, poezia “Poetët e vdekshëm” shfaqet si tekst paradigmatik për të kuptuar marrëdhënien midis fragmentimit dhe rrjedhshmërisë në veprën e Zarballës.

Koncepti i fragmentimit si strategji estetike është gjerësisht i trajtuar në teorinë letrare moderne dhe postmoderne. Theodor Ë. Adorno e sheh fragmentin jo si dështim të formës, por si formë rezistence ndaj totalitetit të rremë të sistemeve të mbyllura kuptimore (Adorno, Ästhetische Theorie). Fragmenti, në këtë kuptim, përfaqëson një vetëdije kritike që refuzon narrativën e plotë dhe homogjene. Roland Barthes, nga ana tjetër, e zhvendos vëmendjen nga uniteti i veprës drejt pluralitetit të kuptimeve, duke e konceptuar tekstin si një “fushë force” ku kuptimi prodhohet nga ndërveprimi i fragmenteve (Le plaisir du texte). Kjo qasje lejon leximin e poezisë së Zarballës si tekst i hapur, ku fragmentimi nuk përjashton koherencën, por e riformulon atë. Në një plan tjetër, Gilles Deleuze dhe Félix Guattari, përmes konceptit të “rizomës”, ofrojnë një model jo-hierarkik të organizimit të diskursit, ku lidhjet janë të shumëfishta dhe jo lineare (Mille Plateaux). Termi “rejet” (rrjetëzim, rrjedhshmëri lidhëse) mund të lexohet pikërisht në këtë kuadër, si një kohezion që nuk ndërtohet mbi boshtin linear, por mbi lidhje të brendshme semantike dhe simbolike. Kjo kornizë teorike i jep mundësi analizës së poezisë së Zarballës të shmangë vlerësimet formaliste dhe ta vendosë tekstin në dialog me poetikat moderne dhe bashkëkohore.

Në këtë kontekst diskurs bie në sy fragmentimi si strategji poetike e poetit Zarballa.  Por, pavarësisht fragmentimit të dukshëm, poezia ruan një rrjedhshmëri të brendshme që siguron kohezionin e saj semantik. Kjo rrjedhshmëri nuk buron nga një strukturë lineare, por nga përsëritja dhe rezonanca e temave qendrore: përkohshmëria, vdekshmëria e poetit dhe vetëdija kritike mbi funksionin e artit.

Figura e Usta Harrimit përbën nyjën lidhëse të tekstit. Ai shfaqet fillimisht si riparues i arkivolit, por gradualisht transformohet në një figurë që i afrohet artistit, duke kërkuar “ngjyra, vija dhe kurba” për të përkthyer përvojën e botës në shenja. Kështu, poezia krijon një rrjedhshmëri simbolike ku arti dhe vdekja nuk janë pole të kundërta, por procese të ndërthurura në të njëjtën përvojë njerëzore.

Rrjedhshmëria manifestohet gjithashtu në planin ritmik, përmes një lëvizjeje graduale nga ironia kolektive drejt një meditimi individual dhe, në fund, drejt një peizazhi të zbrazët, të mbuluar nga bora. Kjo lëvizje krijon një ndjenjë vazhdimësie që e tejkalon copëzimin formal.

Fragmentimi në “Poetët e vdekshëm” mund të kuptohet si shprehje e asaj që Adorno e quan “forma e thyer”, e cila reflekton një realitet historik dhe ekzistencial po aq të thyer. Kalimi i papritur nga ritualet letrare drejt imazheve të arkivolit dhe punës mekanike të sharrës krijon një çarje diskursive që nuk synon shok estetik, por ndërgjegjësim kritik.

Si pasojë në këtë poezi të poetit sarandiot, del në pah rrjedhshmëria (“rejet”) dhe ndërtimi i kuptimit, për t'u kuptuar më qartë. Në kundërshtim me idenë se fragmentimi çon domosdoshmërisht në shpërbërje, poezia e Zarballës demonstron një formë rrjedhshmërie të brendshme, që mund të lexohet përmes konceptit deleuzian të lidhjes rizomatike. Figurave u mungon hierarkia tradicionale, por ato komunikojnë përmes rezonancës tematike dhe simbolike. Më tej, figura e Usta Harrimit shndërrohet në një nyje ku takohen arti, puna manuale dhe vdekja, duke krijuar një vazhdimësi kuptimore që i jep poezisë kohezion. Kjo rrjedhshmëri nuk e anulon fragmentin, por e aktivizon atë si njësi kuptimore dinamike.

Në frymën e reflektimeve të Barthes mbi “vdekjen e autorit”, poezia “Poetët e vdekshëm” shfaq një vetëdije të theksuar mbi kufijtë e figurës së poetit. Fragmentimi i diskursit metapoetik shërben për të dekonstruktuar mitin e pavdekësisë letrare, ndërsa rrjedhshmëria e brendshme sugjeron se kuptimi i poezisë nuk qëndron në përjetësinë e autorit, por në procesin e vazhdueshëm të leximit dhe interpretimit.

Figura e “bishës” mund të interpretohet si metaforë e asaj që Jean-François Lyotard e quan “kriza e narrativave të mëdha” (La condition postmoderne): ajo shkatërron jo vetëm trupin, por edhe pretendimet e artit për transcendencë absolute.

Pra, duke e përmbledhur themi se analiza tregon se tensioni midis fragmentimit dhe rrjedhshmërisë (“rejet”) përbën një nga tiparet thelbësore të poetikës së Andrea Zarballës. Fragmentimi nuk është shenjë e shpërbërjes diskursive, por një strategji estetike që i përgjigjet një realiteti të fragmentuar ekzistencial dhe kulturor. Rrjedhshmëria e brendshme, nga ana tjetër, garanton kohezionin dhe thellësinë filozofike të tekstit. Në këtë mënyrë, poezia e Zarballës zë një vend të veçantë në poezinë shqipe bashkëkohore, duke ofruar një model krijimi që ndërthur vetëdijen kritike, fragmentimin formal dhe një rrjedhshmëri kuptimore që sfidon linearitetin tradicional.

Poezia e Andrea Zarballës ndërton një poetikë ku fragmentimi dhe rrjedhshmëria nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por bashkëjetojnë në tension krijues. Kjo e vendos autorin në një dialog të drejtpërdrejtë me traditat moderne dhe postmoderne të poezisë evropiane, duke i dhënë poezisë shqipe bashkëkohore një dimension reflektiv dhe kritik të veçantë.

 

Bibliografi:

 

Adorno, T. Ë. (1997). Ästhetische Theorie. Frankfurt am Main: Suhrkamp.

Barthes, R. (1973). Le plaisir du texte. Paris: Seuil.

Barthes, R. (1968). “La mort de l’auteur”. Manteia.

Deleuze, G., & Guattari, F. (1980). Mille Plateaux. Paris: Minuit.

Lyotard, J.-F. (1979). La condition postmoderne. Paris: Minuit.

Zarballa, A. (2012). Mos e shiko fundin e detit. Sarandë: MILOSAO.

 

 


ree

POETËT E VDEKSHËM

Nga Andrea Zarballa

 

Poetët e vdekshëm

presin me ankth majin, o shtatorin,

të shterngojne duart qofte edhe një mbremje,

t'u bien shpatullave njeri-tjetrit me nenkuptime,

të dhurojnë libra njëri-tjetrit me kushtime superlative

të recitojnë vjershat e tyre

e të mbledhin nje për një duartrokitjet,

ashtu si zogjte grurin e derdhur ne nje oborr fshati,

të hedhin ndonjë valle

me iluzionin se kështu, me ritme e kadenca vargjesh,

po shkojnë drejt pavdekësisë.

 

E dinë, se ditën tjetër,

që në mëngjes, do te dëgjojnë në lagjen e pertejme

ngulçimin e sharrës,

goditjen e thatë, inatçore të çekiçit,

sepse, nga puna e shumtë

lirohen lehtë dërrasat dhe bullonat e arkivolit

qe mbart poetët e vdekshëm.

 

Kështu që Usta Harrimi,

mbushur tallazh edhe me lapsin kaluar veshit,

e riparon shpesh,

atje, në lagjen e pertejme,

Mori te perpjeten i perhumbur, midis ngiyrave,

vijave e kurbave

për të vizatuar tymin e oxhakut,

qü perdridhet si akrobat ne cirkun e pafund te qiellit;

harabelin e oborrit,

gü vazhdon koncertin e durimit siper gardhit,

vetëm me një sol dhe me një fa.

Pelhura ishte e gatshme,

tri dite edhe tri netë e zbardhte me merak dhjetori.

Erdhi pese herë rotull në deborë,

thua se u vu tế ngrejë njề mur tề larte,

te mos hynte bisha.

 

Por bisha kishte hyre prej kohesh

dhe kish coptuar akrobatin e fundit te qiellit,

solistin e fundit të oborrit.

 

Pastaj, mori të tatepjetën,

duke kürkuar ngjyra, vija edhe kurba te panjohura,

të hedhë në pëlhurë

tingullin kërcitës te këpucëve të trasha ne deborë;

në pëlhurën e bardhë

qü e kish ndehur bukur në dy bredha

dhjetori i fundit.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page