Fatmir Terziu: ËSHTË BELA MOMENTI
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 hours ago
- 7 min read

AROMË OSHNIKE
Nga Fatmir Terziu
Kanale të mbushura me ujë në gur
(ushqejnë momentet e një sfide të jeshiltë)
trembje e shtypur nga kalimtarë të panjohur
e pikëza, kultere që kërkojnë dritë
yshten mbi rrënjë, thjesht duke u kotur
me pikën e rastësishme që pret të vijë.
Kohërat vihen në kohën e tyre
në errësirë, në të gdhirë
presin qiellin të lëshoj nën hije,
filizin që del i zbehtë, i lirë, bulimë,
duke u veshur ashtu fije-fije,
me kostumin e tij të jeshiltë, lëndinë.
E tashmja i ofron një shije,
gjersa e djeshmja ende kujton njomësinë,
e ajo që ka mbetur një koçume pjekurie,
prek gurin, gurin që lëvrinë,
duke mbajtur trarë prike,
mbi suprinë,
me aromë oshnike…
DUKE U GDHIRË
Sakaq, si një shkëndijë. Sakaq,
sa një qiell i pastër, e di
ku është shkruar lënda me të cilën flas
duke hequr lëkurë, të shtatën e tij
të ndërtoj një ëndërr, po vikas
me një gjemb në sy,
trazuar nga lëndë të tjera të mistershme
e të jem me ty
por buzët zjarre të nëndheshme,
mbetën risi
duke kërkuar mbi kujtimet e djeshme
atdheun në fotografi.
Sakaq, si një shkëndijë. Sakaq
me një album në duar prek një dëshirë
nga zjarri që vjen nga larg
shoh ndërsa koha është për të pirë
dehjen e lënë në prag
ku ëndrra ende pret të fiksohet një ditë, mirë
diku mbi një dritare, në një konak
ku sheh se si atdheu është duke u gdhirë
ndonjë fotograf.
POLI TJETËR
Tufë me libra shëtis gjithë kohën
të gjej, të përkëdhel, të marrë erë,
notoj,
ngrej dërzhekë. E ujta më prek
në narrativën e ngatërruar
arratisje e lodhur me një sy që flet
për oksigjenin e munguar
brenda nëpër fletë.
Aty ndaloj kërkoj frymë nga Fryma
në një hapësirë të ngushtë
(oksigjeni nuk prodhohet nga enigma)
ndjej zërin tënd të prushtë
e shtrëngoj në gjoks e strukem në libra,
kërkoj diku një vend të fshehtë,
e kështu kapërcej disa dimra
duke të kërkuar në Libra të Shenjtë.
E pastaj më lajmëron shfletimi se erdhi drita
duke u zbardhur mbi lëkurën e shkretisë
leximi më nxjerr krundet nga sita
e ashtu dalldis mes vetmisë
brenda një trajte të ndërtuar nga frika,
(jetim brenda vetë shtëpisë)
po kjo nuk shkruhet nëpër libra,
është poli tjetër i mërzisë.
NË TROSHAT E NJË SOFRE
Jemi ndanë troshave të sofrës së shtruar
duar të puthura që në mesnatë
i mbajmë shtrënguar,
në buzë,
(ndoshta dhe në sy)
apo thjesht jemi një rreth tërkuzë
me një uri
të ngriturash binjake nën bluzë.
E më pas dita vesh minifunde me yje
mbath këpucë të lidhura
në një udhë tjetër,
aq të bukura, aq të ngitura
ecin mbi një kallzim të vjetër
po të mos e mbash mend nga e thirrura,
yjet të ngatërrojnë patjetër.
E troshat bien në rrugë e pa rrugë,
si fletët e një libri kolosësh gjigandë,
po t'u harrosh qoftet e mbështjellura tufë,
trosha dhe shkronja bëhen bashkë,
dikush e quan një dashuri si në luftë,
dikush e lexon para se të flejë në darkë,
dikush…, eh, dikush e mban në rraft,
na pret, na thërret, na lag,
duke e mbushur me ujë sysh ditë e natë…
KUR GJERB KAFENË
Tret mall mëngjesi:
gurët bluajnë avllinë në korsi shpejtësie
gjerbje kafeje.
Ku e lamë mangallin, blujtësen e vjetër
malli krijon rrokadë vitesh
shije kafeje
mall,
kur ndodhesh larg dhe afër meje.
Eh, kur me mall gjerb kafenë
bëhet më i bukur,
prezenca e ujtë pikturohet në sy.
Sytë bëhen liqene të thellë,
enigma të pazgjidhura në mes të ditës
pemët yshten të prekin kaltërsinë
gjethet shpërthejnë me shkëlqimin e dritës.
Pjesë e një galaktike të porsalindur
qielli i tij
shkëlqen
malet, kodrat,
shfaqen këmba-këmbës mbi hapësirën e zbutur
ngrihen disa centimetra
retë fryhen bukur
(si sapo të mbarsura)
dhe lënë
gjurmë të lagura.
Kur gjerb kafenë për dashurinë
(dhe kur ndodh me mall, në të vërtetë)
gjithçka
kthehet në normalitet.
Pëshpërit poreve të dheut
(por që kurrë s'e kupton atë që flet)
kur kafenë ia gjerb Atdheut,
më mirë hesht.
NUK E NJEH DALLGËN, TË PARALAJMËROJ
1.
Një Grumbull Ujësie,
(rituali përtej ritit)
i tillë mund të quhet sipas Fjalorit të Dashurisë
të ilustruar mbi nimfa të mitit
(apo janë thjesht pika që bien nga sytë e tu
mbi gropëzat që hapin takat e gjata, në qelizat e shpirtit
ku këmbët e shënjuara mbi gju,
prekin sytë e mi të thata, të paralajmëroj)
kur, për hir të Shekullit,
të rilexojmë përsëri vargjet e shkruara në këtë libër
ata do të kenë shkelur Kolonat e Tempullit
si elefantë të lumtur në një ujësi të qetë
e trupat tanë të mermertë, të veshur frak,
kremozë,
do të terren për tu tharë mbi engjëjt zambakë
duke u vendosur në unazën prej bronzi të portës rozë
ku është një varkë
me ngashërima të etshme mbi dallgë.
2.
Era po loz,
Kollonat e Tempullit prekin shekujt në sedër
e qielli ka filluar të lëshoj leshtë të bëhet qeros
ndoshta ngaqë kemi bashkuar buzët, por në ndonjë histori tjetër
përshkruajmë paktin nervoz
të strehuar në barkun e Tempullit të Vjetër
e pakti është i paqtë
(i ndarë sipas strukturës në çdo metër)
të lëmuar në themelet me baltë,
ndërsa syri zgjon elefantë që ngatërrojnë hyrjen në letër
dhe sytë që imitojnë disa zambakë
me pjesën e pasme të pendës
flasim me njëri-tjetrin me mirësjellje
udhëtimi ynë mund të jetë i padukshëm që në krye të herës
për hir të kësaj rrjedhe
ndaj me sy, zemër, shpirt e dashurisht të bekoj
nuk e njeh dallgën e madhe,
të paralajmëroj…
TRASHËGIM
E përrallët ishte hapja e kapakëve të syve. U ngrita
dhe zëri mbushte muret me figura të heshtura
babai i babait ia fshinte djersët mjekut të gjyshit të tij
mbi reumatizma të hershme të fshehura
në një kuti,
gjyshja kërkonte pajën e gjyshes së ngjyer me këna,
unë të shihja në sy,
por vetëm me kapakë të mbetur në hava,
ndoshta Ti,
ecje me mua dorë për dore diku në ndonjë tjetër dynja,
ndërsa muret dhe unë kishim ngrirë aty,
ku bota lëvizte, ecte gjytrim sikur të ishte shaka,
gjithçka mbetej enigmë,
e përrallët m'afrohej fytyra tek fytyra,
nëpër ajër ndiqja shkëmbimin e lodhur mbi shpinë,
e pashfaqur ndonjëherë në këtë film me ngjyra,
mrekullinë,
ndërsa peng-ecnim nëpër dimra,
me përqafim,
mbi mure të tilla të fryra,
e përrallët deri në zgjim,
mbi supën e freskët nga erëzat më të mira,
rifillim,
për albume fotografish të tilla,
si trashëgim.
NDËRLAKJE
I ndjek nëpër udhë e paudhë. Shkriftoj
mendjen sikurse ato gjendjen
dhe lodhja e tyre më ndërlak
(bereqet dhe vëmendje)
ndërsa ndodh të jem i veshur me frak
brenda një kornize dymijë vjeçare
e ajrin që thith, mendoj për këtë gjendje
ajo simbiozë që më zgjon dhe në orët e vona
trajtesë e prekshme,
kur Fjalori i Madh i quan vetëm milingona,
për pjesën tjetër të nëndheshme,
trajtë imagjinare,
shikimet e një vitrine me të brendshme,
pezullim nga të gjitha ngjarjet,
më i lodhur se kurrë
kur pena prek faktet,
mendja bëhet një furrë,
digjet nga ndërlakjet.
LOMÇKË
Pishëza godiste kahun e fryrë të erës.
Lojë. Thjesht një lojë si gjithë lojërat
hidhej një duh dhe i shtriqej ferrës
ku filizat vrigëllonin me rrjedhat
deri kur përtej të vërtetës
u shfaqën të tjerat.
Fara u shkund dhe u qas risia e sitës
ardhskuqur binte kapaku i resë
dritëshkurtëri i strukej hijes së dritës
peisazhi thithte vesë,
ndërsa peneli që zgjatej bënte qokë,
me një pilivesë,
të mbledhur nën pishën lomçkë.
JASHTËTHARK
Fletë-fletë hapet dita në sytë e mi
nga një libër i hapur në një park,
habitem pse aty më ke mbetur ti,
duke më erëmirur deri larg?!
E unë të ndjej në çdo hap,
si një urim mbi një kartolinë,
(dikur t'i sillja urimet me vrap)
dhe pse s'ta dija shtëpinë.
Ti nuk hyre dot në këtë libër
me siguri kam qenë pa fat,
ajo ditë që u pamë tinëz,
të mbetej thjesht jashtëthark.
VAZHDIMËSI
Përhumba nën çarçafë të bardhë. Litarë
që mbanin brekë të moshuara
shtresa të panjohura
shpërthime. Fluturakë të bashkëngjitur
zogj kalimtarë që shqyenin pendët
(fundja kurkush nuk i kishte thirrur)
A vijnë me ftesë zogjtë?
Kujtoja në atë rast ftesat e një dasme
(vallja në rreth e të dehurve)
sikurse e gjithë jeta varej mbi të pasme,
në litarin e lënë jashtë nga fabula e të vdekurve,
e me dhëmbë vetmia të kafshonte
jeta fillonte nga e para,
një pritje e lashtë që na bashkonte
aty ku një shkoptundje ishte sinjali tek gara
e një kohe të lidhur litar pas një kohe.
ËSHTË BELA MOMENTI
Efekt misteri është momenti,
asnjë kopsë nuk të shpëton nga sikleti,
fola me heshtjen,
heshtja më la.
Malet dridhen nga bubullimat, ligjësi mollnjash,
shkëpusin rregullat nga i zoti,
shfaqen bashkë
po deshe mos beso tek i forti.
Zgjohesh dhe ble biletë llotarie
dhe lutesh atje ku s'të kupton lutja
katrahurë, formë çorodie
dhe ti nuk beson, fundja,
koha mat me orën e varur në një gozhdë,
dikush nga sëmundja,
e cila hyn papritur në jetën tonë.
Është bela momenti
kur ti mallkon me forcë,
kopsën, që s'të shpëtoi nga sikleti.
TABAKA
Koncept tabakaje mësyn në strukturë,
hapat një ngasje e largët, një mijë faqe
në miniaturë,
prek syrin e keq të mbetur në pragje,
e unë të ndjeva dje, ti ndoshta heshte,
ndërsa u bashkuam atje,
në vargje,
mbi gurë të lagur, myshqe, likene,
alga të qëndisura në pamje,
sa përqafime larg është qyteti,
sa puthje larg është vetvetja,
në këtë statujë ku luhet kukafshehti,
me zogj, ikës, ardhës, kalimtarë,
prekrrudhshëms të lodhur me të parë,
a do të bie shi mbi këto damarë,
a do të ketë zbardhje flokësh,
u do të perëndoj dielli, a e di,
koncept tabakaje, kjo strukturë,
hyn si një filxhan në poezi,
e ngrihet diku një gotë që të prek,
(nga asnjë krah)
ndoshta, dehje me raki
mësyn në këtë strukturë tabaka.









Fjala jashtëthark më tingëllon më bukur dhe qartë e formësuar nga jashtë dhe thark. Tharkë ne në anën tonë i themi një rethimi brenda tl cilit mbajmë kecat a qingjat.
Kuptimi i qartë jashtë këtij rethimi, pra s'je me të brendshmen e tij...