Fatmir Terziu: SI SHKAS PËR LEXIMIN E DIN MEHMETIT
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 3 days ago
- 9 min read

INTUITIZMI DHE SIMBOLIZMI SI SHKAS PËR LEXIMIN E DIN MEHMETIT
Intuitizmi dhe simbolizmi janë dy teori që lidhen drejtpërsëdrejti me fuqinë poetike të gjuhës dhe komunikimit në tërë krijimtarinë letrare. Në krijimtarinë poetike shqiptare këto dy teori ndeshen ndjeshëm. Në kritikën letrare shqiptare Klara Kodra ka synuar të gjej një derivat midis „ndjenjave të natyrshme të dëshirës dhe ankthit…”. Në esenë e saj “Tipologjia e poemave të Jeronim De Radës” (Kodra; 2003: 272-273) hyn mes tipareve. Midis këtyre tipareve që në thelb karakterizojnë një aspekt të intuitizmit dhe simbolizmit. Kodra në analizat e saj është disi e larmishme. Kjo bën që me teorinë e zotëruar të arsyetojmë edhe për lidhje anësore. Kështu në këtë mes, midis intuitizmit dhe simbolizmit, po aq si lidhje anësore, është poetika e poetit Din Mehmeti, parë dhe vëzhguar në disa kulme të saj, të lidhura me jetën e vetë poetit.
Tre kulmet në jetën e poetit
Tre janë kulmet në jetën e poetit të papërsëritshëm shqiptar Din Mehmeti. Ditëlindja e tij 7 Maj 1929, viti 1949 kur ai botoi poezinë e parë në revistën letrare “Jeta e Re”, me të cilën këtë vit shënohet edhe 60-të vjetori i botimit të poezisë së tij të parë në këtë revistë letrare (Nr. 2/1949) kur ai sapo i kishte afruar të njëzetat e tij dhe thashethemnaja e Marsit të Egër 1999, kur u njoftua nga shumë burime informacioni se ai u vra nga policia serbe gjatë Luftës së Kosovës, por pas disa ditësh ky njoftim u përgënjeshtrua. Por ndërsa këto janë kulme, thjesht aritmetike, që i duhen kritikës dhe letrave shqipe për të sistemuar veprën e poetit, Din Mehmeti, ajo që krijon majë-malin e vepër-jetë-poetikës së tij është vlerësimi dhe natyrshëm janë edhe çmimet e shumta që ka marë ai në vite. Kështu duke analizuar më tej në këto tre kulme që pikëtakojnë momente emocionale në jetën e tij tetëdhjetë vjeçare, dhe në këto mal-vlerësimesh, edhe pse ka botuar disa proza, kritika letrare dhe një dramë, ai njihet kryesisht për poezinë e tij figurative, e cila është botuar që nga viti 1961 në 12 vëllime. Kjo e fundit ka mbetur përmendorja tek e cila sfidohet çdo gjë e pikëtakuar në ditëjetën e tij, tek poezia e tij mbetet pasqyra e qartë për punën dhe mundin e tij, për rrugën poetike mbarëshqiptare dhe për brezat që do të vijnë. Aty janë trokamat e një jete, ku ndjeshmëria popullore ka krijuar një figurë poetike tejet të vlerësuar. Kujtojmë çmimin Kombëtar “Azem Shkreli” për veprën jetësore në vlerë prej 5.000 eurosh që iu dha këtij poeti të mirënjohur. Ai është përzgjedhur dhe përkthyer nga akademiku i mirënjohur edhe në fushën e letrave shqipe, studiuesi tashmë brilant, Robert Elsie, por edhe nga figura të mirënjohura të letrave shqipe dhe botërore që kapërcejnë kufijtë. Si i tillë ai mbetet poeti që ka griluar ndjeshmërinë popullore në mesin e vargut të tij. Duke bërë kërkimet për veprën e këtij poeti gjeta pikërisht këtë teorizim të ngjashëm:

“Poezia e Din Mehmetit shquhet për ndjeshmëri popullore. Ashtu si dhe Ali Podrimja, i cili është po nga Gjakova, ai mbështetet në shumë figura, metafora, dhe simbole të poezisë popullore të Shqipërisë së Veriut për të mbrujtur dhe ndërtuar lirikat e tij të trazuara me vizionin stoik të malësorëve. Megjithëse është një fllad i lehtë romantik që përshkon poezinë e tij, sikundër e pati cilësuar dikur kritiku Rexhep Qosja, ky përdorim krijues i folklorit është i shkrirë fuqishëm me një rrjedhë realiste, herë-herë ironike, që buron pjesërisht nga etika e revoltës në traditën e Migjenit (1911-1938) dhe Esad Mekulit (lindur në 1916). Shqetësimi poetik i Din Mehmetit, megjithatë, nuk i drejtohet protestës mesianike ose kritikës sociale, por krijimtarisë artistike dhe përvojës individuale” (Wikipedia online). Pararendësi me poezi i Mehmetit është një përmbledhje poetike me njëzetetetë vjersha lirike, mban titullin “As në tokë as në qiell“. “As në tokë as në qiell” është e ndarë në pesë cikle: “Trimat e këngës sime“, “Bishat e bardha“, “Kujtesa e letrave“, “Barka ime mbahu“, dhe “Këngë për vete“. Titulli i ciklit të katërt, “Barka ime mbahu“, është ndofta simbolik për praninë e sotme të letrave shqipe. (Po aty) Ai vjen nga poezia “Dialog me liqenin“, shkruar në Strugë buzë Liqenit të Ohrit, gjatë Festës Ndërkombëtare të Poezisë në Strugë në gusht 1987. Ndoshta është një koincidencë, por poetë të mëdhenj si Edward Thomas apo Bertolt Brecht, kanë krijuar poezi të tilla të ngjashme në krijimtarinë e tyre. Thomas kur shkruajti në poezinë e tij “Lotët” vargjet: “si e zymtë dita, as për të udhëtuar nuk bën/A është koha? Unë nuk mund të kafshoj ditën deri në majë të kockave…” dhe Brecht kur vuri në funksion fuqinë e vargut të tij me fjalë të tilla tek poezia “Djali im i ri më pyet”: “njerëzit e pasur, prindërit e mi dhe unë/një kollare më dhanë dhe unë ushtrova forcën e saj/në zakonet e përhumbjes/e mësimin në artin e komandës…”, ishin në të njëjtin pozicion me poetin shqiptar, Din Mehmeti.
Thomas ndodhej buzë lumit londinez, Tamiz, në një festë të bukur poetike kur e shkroi poezinë e tij në zemër të Uaterlosë, pranë Lambeth, duke rikujtuar origjinën e tij nga Uellsi, ndërsa Brecht e shkroi rrugëve të Portland, ku ajo sot është përjetësuar madje fuqishëm me gërma të madhe rrugëve të këtij qyteti si një kujtim për të dhe poezinë e krijuar atje. Dhe ashtu si dy poetët me emër të madh në letërsinë botërore, që krijuan shumë dhe u vlerësuan mjaft edhe poeti Din Mehmeti me vepra të tilla si “Në krahët e shkrepave” (Prishtinë: Rilindja, 1961); “Rini diellore” (Prishtinë: Jeta e Re, 1966); “Dridhjet e dritës: vjersha” (Prishtinë : Rilindja, 1969); “Heshtja e kallur” (Prishtinë: Rilindja, 1972); “Ora” (Prishtinë: Rilindja, 1974); “Fanar ne furtuna” (Prishtine: Rilindja, 1981); “Prapë fillimi” (Prishtinë: Jeta e Re, 1996); “Klithmë është emri im” (Tiranë : Toena, 2002); “Mos vdis kur vdiset” (Prishtinë : Rilindja, 2001) mbetet një ndër përfaqësuesit klasikë më të mirënjohur të poezisë së sotme në Kosovë.
Të tjerët për Din Mehmetin
Libri më i fundit me emrin e shumëpërmendur të poetit Din Mehmeti, është paksa ndryshe. Është një përmbledhje me poezi për këtë poet, nga mjaft autorë të tjerë që kanë krijuar poezi kushtuar këtij poeti dhe poezisë së tij. Ai nuk është thjesht një vëllim poetik voluminoz, por është edhe një arsye tjetër që lidhet me rëndësinë dhe vlerësimin që ka poezia e Mehmetit në sofrën e begatë poetike shqiptare. Autori i këtij libri, Halil Haxhosaj, që ridimensionon vlerat e poezisë së tij ndër vite me penën e të tjerëve [60 të tillë] për të, shprehet: “Në këtë libër të cilin e kam pagëzuar “Përkushtime”, janë përfshirë poezitë e më se pesëdhjetë poetëve dhe tri shkrime të tjera në prozë që i kushtohet poetit Din Mehmeti dhe vlerave të poezisë së tij. Por, jam plotësisht i vetëdijshëm se nuk janë përfshirë të gjitha përkushtimet për këtë poet. Din Mehmeti radhitet në mesin e poetëve më të suksesshëm dhe më të dëshmuar në poezinë bashkëkohore shqiptare, i cili më 7 maj të këtij viti mbushi 80 vjet.” (Haxhosaj, 2009). Më tej Haxhosaj shton se:
“Pikërisht për këto jubile, sidomos në 80 vjetorin e jetës së tij si poet dhe si njeri, vendosa t’i mbledh këto përkushtime dhe t’i botoj në këtë libër për të treguar popullaritetin që ka gëzuar dhe gëzon Din Mehmeti si poet në Kosovë, si dhe për të paraqitur dashurinë, respektin, afërsinë dhe dinjitetin e lexuesve për artin poetik dhe figuracionin e vargjeve të tij.” (Po aty).
Duke iu referuar më tej kritikut Haxhosaj mësohet se “Ajo që dëshmon për origjinalitetin dhe vlerën artistike të kësaj poezie tregohet me faktet se është përfshirë në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe që u botuan në Kosovës si dhe në antologjitë e poezisë shqipe që u botuan në gjuhët e huaja. Poetit Din Mehmeti iu botua edhe një libër i veçantë me poezi të zgjedhura në Francë, i cili u prit mirë nga lexuesi francez dhe nga kritika letrare frënge. Po ashtu, për poezinë e këtij poeti janë shkruar tema diplomash në shkollat e mesme, të larta e sidomos në fakultete dhe janë mbrojtur edhe tema magjistraturash. Poezia e Din Mehmetit është bërë fushë interesimi për shumë studime dhe hartime veprash të tjera. Prandaj në njëfarë mënyrë ky poet me tërë opusin e tij letrar është shndërruar në kult.” (Haxhosaj, 2009).
E pathëna jashtë vlerësimeve
Në kritikën dhe vlerësimin që i bëhet poetit Din Mehmeti, shpeshherë kritikë të shumtë dhe analistë reken të kapen e përsërisin si veçanti, apo diçka të arritur metaforën e tij dhe figuracionin që përdor në poezinë plot kolor, larmi dhe rrjedhë të qetë e të ëmbël në lexim. Dhe këtë në fakt jo se poezia e Din Mehmetit e realizon vetëm nga fuqia e metaforave dhe figuracionit. Poezia e tij është një ndjesi poetike e shkruar plot vitalitet që formon një kontribut të ndjeshëm në krijimtarinë shqiptare. Në poezinë e tij janë kualitete të pakapshme të gjuhës, që me plot gojën mund të themi se janë arritje të mëdha jo vetëm për poezinë, por edhe për tërë kulturën letrare të nisur nga koha e lëvrimit të tij në fushën e letrave. Me kulturë letrare unë dua të përcaktoj rrugët nëpërmjet të cilave gjuha është përdorur nga ky poet, jo vetëm si një medium arti, por edhe si një medium për të gjitha format e komunikimit.
Kultura letrare është tejet e kënaqshme në mjaft krijimtari poetike të tij, por edhe në mjaft proza, edhe pse të pakta në numër, pasi ai njhet më së miri si poet, si edhe në kualitetin e poezisë që ai ka krijuar. Por, edhe në mënyrë të ndërgjegjshme duhet pranuar se kultura letrare dhe kualiteti i poezisë, në shumë raste nuk janë elementë parësorë në përcaktimin e këndit vlerësues për poetin, pasi kjo lloj mënyre është më e dobishme dhe reflektuese në prozë, më së shumti në prozën e gjatë. Gjithësesi duke parë klturën letrare të poezisë së këtij poeti dhe kualitetin e poezisë së tij si një deteminim për gjuhën e përdorur, natyrshëm barriera që ndrydh vlerësimin është më e vogël se ajo që vjen murëzat e vegjël të metaforave.
Rëndësia e kualitetit të gjuhës, që është edhe një interes historik, jo vetëm letrar, gjuhësor e poetik, është shkaku kryesor që e bën poezinë e Din Mehmetit një qendër kaq të madhe të vëmendjes kritike dhe studiuese. Dihet mirë nga ky këndvështrim teorik se kur gjuha ka vlera të tilla, edhe simbolika është e shëndoshë dhe kuptimplote. Ajo që Richard Ellmann thekson në përshkrimin e librit të Arthur Symons, “Lëvizja simboliste në literaturë” është e rëndësishme për tu cituar: “që nga viti 1899 simbolistët francezë kanë qenë në mënyrë të ndjeshme të ndikuar, jashtë metaforave, por nga gjuha e fortë, madje edhe shkrimtarët e poetët që nuk e njihnin simbolizmin…” (Symons, 1954:4). Të njëjtën gjë na rekomandon në këtë pikë edhe T. S. Elliot, tek studimi i tij për simbolizmin. Dhe më tej këtë e gjejmë si një lidhje të fuqishme mes gjuhës, diktimit metaforik dhe simbolizmit edhe në esenë e studiuesit Peter Quennell “T. S. Elliot, Analizë e Bandelaire dhe Simbolizmit” (Janar 1930: 357).
Duke përfunduar
Kur ndërmora leximin e poezisë së Din Mehmetit, ndalesa ime ishte pikërisht tek ajo që lidhej me të veçantën e krijimtarisë së tij. Kështu gjuha dhe simbolizmi në vëzhgimin tim mbeten ajo hapësirë e pakapur disi, e panxjerrë në pah në tërë poezinë etij të mrekullueshme. Kur theksoj fjalën simbolizëm në poezinë dhe krijimtarinë e tij unë synoj ta shqyrtoj atë si një sinekdodë. Kjo vjen jo thesht për të dëpërtuar teorikisht në këtë krijimtari, por duke parë lidhjen historike me krijimtarinë më në zë të poetikës shqiptare dhe pse jo edhe botërore duke e realizuar këtë nën dritën e artit të komunikimit, kjo një teori që është përfaqësuar nga mjaft emra të mëdhenj në fusha të ndryshme krijuese si një ndikim edhe nga forca e krijimtarisë së George Orwell, si Joyce, D. H. Lawrence, Eliot, Eats, Proust dhe mjaft të tjerë. Të gjithë këta me pak fjalë mund të përshkruhen si simbolistë, por edhe veprat e tyre janë vlerësuar të ndryshme dhe të pëlqyeshme mbi bazën e simbolizmit. Por në rrugën e simbolizmit duke lexuar poezinë dhe krijimtarinë e Din Mehmetit ne duhet të shkojmë në të vërtetën që ka ndryshuar mes simbolizmit dhe teorive të Frojdit, Jung dhe intuitivizmit të G. E. Moore.
Lidhja dhe ndryshimi mes vargjeve të poetit Mehmeti dhe këtyre teorive është një arsye më e rëndësishme e ndërmarjes së këtij studimi analitik. Është pikërisht simbolizmi dhe intuitizmi që e bëjnë këtë poezi të ketë një karakter të fortë komunikues dhe gjuhësor. Duke iu nënshtruar vetë kuptimit që mbart fjala intuitizëm në krijimtarinë letrare, që njihet si akt i krijimit fakultativ nëpërmjet përdorimit të proceseve racionale të njohjes së menjëhershme, apo vënies në varg të njohurisë së fituar nga përdorimi i këtij faultiviteti, si një vështrim i mprehtë i gjërave, poezia e Din Mehmeti shihet si një ndjenjë e dukshme, që lë një përshtypje për tu mbajtur gjatë. Këtu janë natyrshëm më së shumti edhe vlerat e papërsëritshme të këtij poeti. Pra, intuitizmi dhe simbolizmi si shkas për leximin e Din Mehmetit
Comments