Fatmir Terziu: Si mund të konsiderohet një „Fletë-Rrufe“ për Llazar Gushon?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- May 9
- 4 min read
Updated: May 10

Sa më shumë që shkon prapa në kohë viti 1989, aq më shpesh theksohet se gjatë kohës së totalitarizmit, letërsia shqiptare vlerësohej më shumë sesa sot: veprat e botuara arrinin lehtësisht te një numër i madh lexuesish dhe siguronin të ardhura të qëndrueshme për krijuesit e tyre, dhe këta krijues, nga ana tjetër, të bashkuar në një bashkim kazionar, gëzonin privilegje të shumta dhe vëmendje të veçantë nga partia që ishte bashkuar me shtetin. Jeta aktive letrare gjatë epokës së totalitarizmit vërtet nuk ka analoge në historinë shqiptare - për sa i përket numrit të autorëve, librave të botuar dhe tirazheve, epoka e socializmit vendosi një rekord, arritja e të cilit në të ardhmen e parashikueshme është e paimagjinueshme. Një pyetje më vete, sigurisht, është nëse shumica e kësaj letërsie mund të konsiderohet pa mëdyshje trillim. Apo nëse numri i autorëve, librave dhe tirazheve është një kriter që do të na shërbente për të formuar një gjykim të qartë për gjërat. Sidoqoftë, shpjegimi logjik për një jetë letrare kaq të intensifikuar është se shteti totalitar e gjeti letërsinë të dobishme. I dobishëm për qëllimet e veta, për ideologjinë dhe mekanizmat e veta të pushtetit. Letërsia dhe arti në përgjithësi shpesh janë subjekt i kujdesit të veçantë nga shteti, por këto kujdesje (të cilat janë gjithmonë një shpatë me dy tehe) janë shumë më të fuqishme kur shteti është diktatorial dhe/ose totalitar. Lloji totalitar i shtetësisë, si rregull, ka një nevojë më të madhe për afirmim publik, dhe letërsia është një formë e mundshme e një afirmimi të tillë. Për më tepër, ky lloj shtetësie lëshon mesazhe të përforcuara ideologjike dhe ka burime specifike pushteti për ta shndërruar letërsinë në legjitimuesin e saj.
Së fundmi, vetë imazhi që i krijohej një letërsie nëpërmjet librit, lexuesit,ishte vetë një direktivë i një jete të propaganduar letrare në vrull, e cila në fakt është një formë e legjitimimit të tërthortë të regjimit, këtë herë në një kuptim thjesht politik - si para popullsisë së vet ashtu edhe para vetë institucionit që flet në emër të propagabdës si në këtë rast të mëposhtëm. Ne po e japim pa koment…

Në këtë „Fletë - Rrufe“ të lëshuar në emër të Llazar Gusho, në vitin 1972, pikërisht më 25 Shkurt, nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, ndoshta brezat. Esotëm nuk e dinë se çfarë do të thotë, kush është personi që i drejtohet, apo dhe ndioshta më tej… Po e nisim nga e dyta. Llazar Gusho i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci (Pogradec, 27 dhjetor 1899 – Tiranë, 12 nëntor 1987) ka qenë poet, arsimtar dhe kritik shqiptar. U lind në Pogradec, i biri i Sotir Gushos. I ati si arsimdashës që ishte e nisi pas mësimeve fillore që i kreu në vendlindje, në liceun rumun në Manastir nga 1909 deri më 1916. Për shkak të Luftës së Parë Botërore i ndërpreu studimet për të shkuar më pas në Athinë, ku u regjistrua në Liceun Leonin të fretërve maristë - ku qëndroi deri më 1920. Pasi sëmuret, e shtrojnë në sanatorium dy vitet e fundit të qëndrimit të tij në Greqi. Pa u mbyllur viti 1920, e dëbuan nga sanatoriumi sepse e zunë me një infermiere.
Më 1921 regjistrohet në Shkollën Kombëtare të Arteve të Bukura në Bukuresht pas një viti me ankesa për të tejkaluar valën e ksenocentrike që kishte kapluar qeverinë rumune. Atje lidhet me lëvizjen atdhetare të kolonisë shqiptare, u miqësua me Asdrenin, të cilin e zëvendësoi si sekretar i përgjithshëm i kolonisë. Por edhe me të riun Mitrush Kuteli; mjedisi rumun ndikoi shumë në formimin letrar të Llazarit. Nisi të botojë vargje në të përkohshmen shqipe Shqipëri’ e re, një e përjavshme kombëtare me ilustrime që botohej në Konstancë, dhe tek Dielli i Bostonit. Vargjet e tij të kësaj periudhe po shfaqnin tashmë një afri teosofike me poetin lirik rumun Mihai Eminescu.
Verën e vitit 1924 qeveria Noli i dha bursë dhe ai regjistrohet në Universitetin e Gracit "Karol Francik" në fakultetin e filologjisë romano-gjermanike. Në maj të 1933 doktoroi me temën Der verkannte Eminescu und seine volkstümlich-heimatliche Ideologie (I paçmuari Eminescu dhe ideologjia e tij popullore-atdhetare). Vitin tjetër u kthye në Tiranë duke mësuar arte në një shkollë të mesme.
Pas pushtimit italian, qe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Vitet 1944-'47, ishte i papunë dhe jetonte në kryeqytet me të shoqen. Pas punësimit jetëshkurtër pranë Institutit të Shkencave, pararendësit të Universitetit të Tiranës, nisi punë si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese shtetërore "Naim Frashëri" deri kur doli në pension më 1974. Gjithnjë i vlerësuar për veprën e tij, njerëz të pushtetit si Isuf Kambo, dhe të kulturës gjatë diktaturës si Ismail Kadare, Llazar Siliqi dhe Vehbi Bala e ndihmuan dhe iu gjendën pranë. Ndërroi jetë në kryeqytet më 12 nëntor 1987. U varros në Pogradec.
Shkroi herët por poezitë i botoi nga fillimi i viteve '20. Lasgushi nuk duronte t'i thonin as simbolist, as modernist me arsyetimin që poezia shpreh shpirtin e njeriut dhe është humaniste. Vallja e Yjeve (1933) ka këtë strukturë ciklore: I. (Në vend parafjale) Zog i Qiejve, II. Vallja e Qiellit, III. Vallja e Dherit, IV. Vallja e Yjeve, V.Vallja e Përjetësisë, VI. Vallja e Vdekjes, VII. Kur nuk ndjehesh fare mirë. Pas luftës jetoi në vetminë e vet. Krijoi edhe tri vepra të mëdha poetike: Mbi ta, Kamadeve dhe Eskursioni teologjik i Sokratit.

Atëherë, natyrisht për ata që ndoshta janë brez i ri shumë, një pyetje të thjeshtë: Si mund të konsiderohet një „Fletë-Rrufe“ për shkrimtarin e poetin e papërsëritshmën Lllazar Gushon, Lasgush Poradeci, përmendorja e të cilit është në qytetin e tij dhe fikson me mijëra e mijëra foto të shkrepura pranë tij sot kudo në rrjetet sociale?
Ky shkrim na kujton shume dhe ne , qe e kemi jetuar ate kohe te zymte . Te rinjte kane nevoje per shkrime te kesaj natyre . Flet rrufete e huajtura nga Mao- Ce = Dun , jane nga turpet me kapitale , qe ka njohur njerezimi i kulturuar . Te flisje kundedr flet- rrufeje , burgun e kishe pak . Flet = rrufete aq qesharake sa ishin , aq edhe kriminale . Ishin shkak i perndjekjes klasore . Te tilla shkrime i duhen jetes se sotme . I. Foto