top of page

Fatmir Terziu: Rebelimi në art dhe kufiri i autonomisë nga lart


Rebelimi në art dhe kufiri i autonomisë nga lart


Nga Fatmir Terziu

 

Të gjithë e kemi lexuar, ndoshta që në fëmijërinë tonë, historinë e „rosës së shëmtuar“ të tregimit të Andersenit. Mendoj se ne, sidomos nga kapërcimi midis dy kohërave, nuk kemi vetëm një të metë, por atë ndoshta e kemi në këtë thelb: kemi disa rosa, që nuk e dimë se janë mjellma. Shikoni përreth “liqenit” të arsyetimit në këtë shkrim, lexues i nderuar. Unë flas për shumë lexues, dhe u them hapur se tashmë është koha të mendojmë, dhe përsëri nëse dëshirojmë të jemi një „rosë e shëmtuar“, ose të heqim këtë imazh të rremë për veten, mos e rrënjosim atë tek fëmijët tanë dhe të bëhemi më në fund „një mjellmë e lumtur“, vetëm me thelbin e frikës nga mendimi i të tjerëve! Nuk është e nevojshme të ndryshohet thelbi, vetëm këndvështrimi ndaj tij, për të gjetur lumturinë në ekuilibrin mes „çfarë do të thonë të tjerët“ dhe „ajo që unë zgjedh“. Ndryshe ku janë kufijtë e autonomisë sonë?!

***

Brezi im, natyrisht ndoshta vetëm ky brez, por ne më së shumti u rritëm me disa togfjalësha që na shoqëruan dhe na shoqërojnë akoma: „Pusho, mos e ngre zërin, se na dëgjojnë të Tjerët“; „Bo, bo, po tani çfarë do të thonë të Tjerët?!“ dhe kështu me disa të tjera, e të tjera…

Pra ne u rritëm me frikëra. Dhe një nga frikërat tona më të forta që pengoi lumturinë, suksesin dhe dashurinë ishte dhe mbeti tek ne frika nga ajo që çfarë mendojnë të tjerët për ne. Prandaj në atë kohë kur rriteshim ne, dhe më pas në rininë tonë, e ndoshta dhe më tej, shumica e njerëzve ishin, mbetën dhe janë shumë të ndikuar nga vlerësimi i të tjerëve, gjë që i pengon ata të jetojnë jetën e tyre ashtu siç duan.

Pra ideja jonë për botën dhe jetën, sikurse dihet tashmë, është krijuar që nga fëmijëria e hershme. Ajo u krijua nga rethanat e kohës që jetuam, por dhe nën ndikimin e prindërve tanë, po aq sa dhe nga çfarë ndodh me ne dhe çfarë vëzhgojmë. Kjo është ana teorike. Ana që njihet, pasi e dimë se gradualisht, ne krijojmë besime të caktuara, vendosim në mënyrë të pandërgjegjshme rregulla dhe ndalime, përcaktojmë kufijtë. Më pas, ne e konsiderojmë çdo gjë që nuk përshtatet në idetë dhe kufijtë tanë si anormale, imorale, të papranueshme.

Ne prej kësaj situate, jo pak herë priremi të inatosemi dhe të gjykojmë të tjerët nëse ata nuk përputhen me rregullat që shumica e njerëzve kanë pranuar. Ne pranojmë që “shumica” ka gjithmonë të drejtë. Kjo është arsyeja pse shumica e njerëzve shqetësohen aq shumë për opinionin publik, për shumë njerëz ai është një faktor vendimtar në marrjen e një vendimi. Por vetëdija kolektive është inerte dhe konservatore. Ajo rritet falë “kokave të çmendura”, “rebelëve” që i lejojnë vetes ta kundërshtojnë atë. Njerëzit që preferojnë të jenë të lumtur dhe jo normal, i kalojnë kufijtë e normalitetit…

Kështu ndodh dhe me krijimtarinë, kështu ndodh me poezinë në formate të avancuara, në modele të reja, apo dhe me tregimin e shkurtër, po ashtu me artin në përgjithësi. Dhe pas çdo moduli të ri, pas çdo „rebelimi“ nga e shkuara lind ajo që përsëri do të varet nga të Tjerët. “Të tjerët” në jetën e përditshme, ndërsa dihet se janë më shpesh prindërit, të afërmit, miqtë apo disa autoritete, në krijimtari, në art “Të tjerët” janë të dukshmit e të padukshmit, dhe më së shumti ata që në formën më të mirë do të duhet të lëshojnë një zë, ose ta luajnë rolin e memecit për asgjë. Dhe kështu sa më i ulët të kemi vetëvlerësimin, aq më shumë mendimet e të tjerëve do të përcaktojnë jetën tonë. Pra, rrugët tona të reja, apo më saktë zgjedhjet tona do të bëhen nga të tjerët.

 ***

Traumat e përrallave dhe rrëfenjave të netëve të vona të fëmijërisë dhe mënyra e të menduarit që na kanë transmetuar të parët tanë kanë një meritë të madhe për të na programuar në një mënyrë, ose në një tjetër. Ndërsa në disa raste na kanë lënë pas disa probleme në zgjidhjet jetike. E midis tyre mbeti ajo që na diktohej me të madhe Frika nga Autoriteti. Frika nga autoriteti na është futur që në moshë të re, sidomos neve brezit tonë, që na thuhej „kujdes se edhe muret kanë veshë!“. E kështu ajo mbeti si një neurozë tek disa, pikërisht nga kjo frikë. Tek disa mbeti edhe edhe si një prognozë e friskhme, pavendosmërie, gjatë gjithë jetës së tyre dhe gjithmonë duket se kanë dikë që i frikësohen mendimit.

Unë kam një koleg, ka punuar mësues në disa fshtra të Elbasanit, që herë pas herë e thoshte disi me shumë frikë, pra që kishte frikë të martohej me gruan që donte, sepse ajo nuk kishte arsimin e nevojshëm për t'u miratuar nga familja e tij. E unë atëherë kisha menduar të shkruaj një artikull në gazetën lokale, më pas e tërhoqa shkrimin në një formë tregimi të shkurtër dhe e botova po me një titull „Drejtori u transferua“, e thelbi ishte afër kontekstit, por shumë larg asaj që duhej kuptuar dhe e gjitha e devijoi tregimit për arsye të pretekstit, për arsye të frikës së Tjetrit.

Të gjithë e dinim në udhën tonë si mësues drejt fshtatit ku jepnim mësim, atë që kishte rrëfyer një shoqe që, që kur kishte mbushur të 40-at nuk guxonte të blinte asnjë rrobë rinore dhe shumëngjyrëshe, që të mos e mendonin si infantile. Sepse ajo dëshironte të përshtatej në etiketën që shoqëria kishte krijuar për gruan 40-vjeçare. Me fjalët “Nuk i përshtatet moshës sime”, ajo hoqi dorë vullnetarisht nga ajo që i pëlqente dhe natyrisht askush më nuk i propozoi, askush nuk iu afrua mësueses së nderuar të fshatit...

E kështu ne të gjithë heshtnim, mbaheshin nën dhëmbë nga reagimet emocionale dhe nuk nxirrnim zë, „që fqinjët të mos dëgjonin“. Sepse ne ishimmësuar që në moshë të re se zemërimi dhe skandalet janë diçka komprometuese. Ne gëlltisnim, mbusheshim me energji negative derisa të shpërthenim një ditë. Dhe ndodhte kështu edhe kur ishim në xhirrot e pasditeve të Elbasanit kur na thuhej hapur se shumica e njerëzve bëjnë kompromise të përditshme me dëshirat e tyre të vërteta në mënyrë që të ruajnë imazhin e tyre artificial para të tjerëve. E disa i dinim me emra dhe mbiemra, e disa „rebelë“ i ndëshkonte sistemi dhe me „Fletë-Rrufe“ (Bodecë).

Natyrisht, ne njerëzit jemi krijesa shoqërore dhe është normale të përshtatemi dhe përshtatemi deri diku me të tjerët. Por ku është kufiri i autonomisë sonë? Sigurisht dhe ne shkrimtarët kërkojmë të mbajmë një risk në këtë drejtim. Po në tregim, në poezi deri ku është kufiri ynë? A duhet menduar se „Vrima“ poetike e vlerësuar me çmim duhet të largohet nga „kriza“ jonë e koherezionit mendor?! Apo më tej, kur dikush shkruan dhe i thotë hapur ato që deri dje nuk guxoje, qoftë për organin mashkullor, apo atë femëror, qoftë për seksin e më tej… A duhet të konformohemi?

Dikush thotë hapur, nëse nuk konformohemi fare me shoqërinë, ajo do të përpiqet të na refuzojë. Nëse konformohemi shumë, do të na shtypë dhe shpërfytyrojë. Si e dimë kur mendimi i të tjerëve është i dobishëm për ne dhe kur fillon të na dëmtojë? Si duhet ta bëjmë atë letrësi që të lexohet edhe përtej kufirit tonë?

Përgjigja qëndron në pyetjen „Në cilin drejtim funksionon mendimi i të tjerëve?“ A na inkurajon të zhvillojmë apo na kufizon, a na frymëzon dhe mbështet, apo na fut frikën dhe na demotivon. Kur i qasemi këndvështrimit të tjetrit me mendje të hapur dhe mund ta kuptojmë atë, kjo mund të na pasurojë vërtet. Por është veçanërisht e rëndësishme të pranojmë këshilla vetëm nga njerëz që e kanë provuar efektivitetin e tyre me jetën e tyre. Mosha nuk mund të jetë një garanci e mençurisë. Megjithatë, lumturia dhe suksesi munden. Në letërsi është ndryshe. Nëse duam të bëjmë letërsi duhet të dimë se cila është letërsia. Letërsia është kriter, është strukturë, është statut, është kulturë e më gjerë. Kështu duhet shumë punë, jo thjesht talent që të hedhim ujin përpjetë.

Ndonjëherë duhet pasur kujdes egoja. Por ama duhet ta dimë, se çdo gjë që na mërzit disi na bën të zgjerojmë këndvështrimin tonë. Këmbëngulja, ndryshe nga inati, është vetëbesim i frymëzuar nga ëndrrat tona. Kokëfortësia nuk është intolerancë, por pavarësi. Është një shenjë e vetëvlerësimit të lartë, vetëdijes dhe respektit për veten. Një shkrimtar kokëfortë, ashtu si dhe një person kokëfortë dëgjon me qetësi të gjitha pikëpamjet, priret të pranojë sugjerime konstruktive, por në fund bën vetëm atë për të cilën është i bindur. Shkurt, kur e duam dhe respektojmë veten, si në jetë dhe në atë që marrim përsipër ta bëjmë art, nuk jemi të varur nga opinionet e të tjerëve dhe kjo e bën jetën tonë të ndryshme cilësisht. Edhe pse në ndonjë rast, dhe kjo është fakt, njerëzit më të afërt mund të na lëndojnë më shumë, ashtu sikurse dhe ata që ngjiten më lart në art, dhe zakonisht thuhet se ata „e bëjnë këtë me qëllime të mira“. Por varet nga ne nëse do ta lejojmë këtë apo jo, nëse do të vazhdojmë të shkruajmë sikurse ata duan, apo sikurse ne duam?

Historia e Romeos dhe Zhuljetës vazhdon të përsëritet edhe sot. Ka ende prindër që i lejojnë vetes të ngatërrojnë fatet e fëmijëve të tyre. Të shtyrë nga frika dhe paragjykimet e tyre, shumë nëna dhe baballarë luftojnë kundër dashurisë së fëmijëve të tyre, kundër ëndrrave dhe miqve të tyre, u heqin gëzimin e jetës, ua marrin të drejtën për të zgjedhur, të drejtën për gabimet dhe mësimet e tyre. Prindërit mund të jenë një provë e madhe për fëmijët e tyre, si dhe miqtë më të mirë dhe më mbështetës. Kjo varet nga sa të pjekur dhe të vetëdijshëm janë shpirtërisht. Po në letërsi, në art a do të shkojmë me të njëjtin produkt, më të njëjtin takt. Rebelimi letrar, krijues duhet, por gjithnjë me takt, do të thuhet përsëri nga andej lart. Po këndej, ndoshta poshtë, a ka dikush ndonjë mendim të drejtë ndryshe ta thotë?

22 views0 comments

Kommentarer


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page