Fatmir Terziu: Poezitë „Bohem“ të Milianov Kallupit …
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 51 minutes ago
- 3 min read

Poezitë „Bohem“ të Milianov Kallupit …
Janë katër nëndarje, që duken si minimure të ngritura lehtë, për të bërë më shumë lejimin e hyrjes tek fortesa „Bohem“. Dhe ti ecën, parakalon para vendimit tënd të syve dhe ndjen së pari „Sikur bota të kish veç Hemera“, pastaj me radhë „Floriri i shpirtit:, „Trillet e erës“ dhe të katërtën „Kurora prej lari“. Dhe merr frymë thellë. Është lirike, apo jo? Ti vendosës të shkruash… Të shkruash për një libër nga një poet i afirmuar, dhe që fizikisht nuk është më mes nesh, është pak si të ecësh nëpër një fushë beteje me duart në xhepa dhe të fishkëllesh. Nuk është e bukur dhe nuk është e drejtë. Prandaj, me gjithë dëshirën time, do të arrij të them shumë pak fjalë për poetin Milianov Kallupi dhe librin e tij me poezi- lirika “Bohem” (Vllamasi, 2010).
Nëse supozojmë se poezia është vepër e poetëve, jo e grupeve dhe shoqërive, dhe se krijimi i artit është një derivat vetëm i vetëdijes individuale, atëherë mund të konkludoj se Milianov Kallupi është një fjalëpunues i vërtetë dhe i vetmuar që punon me mjetet më të mira. Ai nuk farkëton shpata dhe shigjeta të papërpunuara, por pikturon artistikisht lirika të vërteta poetike, si vezët Fabergé. Por nga ana tjetër, nëse merr një çekiç dhe i godet poezi-lirikat e tij, ato nuk do të përkulen kurrë, ato janë rregulluar me aq mjeshtëri në lëkurën e letrës, e cila ka njëqind e pesëdhjetë faqet e saj me peshën e redaktimit nga Musa Vyshka, dhe me artin grafik nga Fabiola Kolgjini, ndërsa falenderimin e merr Bedri Allushi, që ka sponsorizuar librin. E kështu midis kësaj lëkure të fletës qaset, prezantohet, shfaqet e tëra dhe e bëra, midis heshtjes dhe zërimit, ajo pra bukuria e lirikës së Kallupit. Dhe bukuria ka shumë arsye për ta perceptuar.

Më saktë, siç ka thënë poeti i paarritshëm Dante Alighieri: „Bukuria zgjon shpirtin për t'u gjallëruar“, kështu poezitë në „Bohem“ bëjnë që një emocion i tillë të kalojë pas syve të lexuesit, të cilin jam i sigurt se nuk e kishte ndjerë prej kohësh. Poezi që përmbushin me saktësi të jashtëzakonshme funksionin e tyre origjinal, domethënë, ta bëjnë lexuesin e vërtetë të buzëqeshë vërtet si atë kohë kur doli në botim, po aq edhe sot, ta kapin atë nga bishti dhe, në fund të fundit, ta bëjnë të vetin. Milianov Kallupi është dhe mbeti një poet lirik, mik dhe njeri me vlera poetike, që me kalimin e viteve kishte thithur përvojë të pasur jetësore dhe kishte nxjerrë poezi të ndryshme, deri tek Hajku, të cilin pastaj e bëri gati si shkollë të tijën në Elbasan me mjaft mbështetës të tjerë. Në këtë linjë mendimi, leximi i poezive nga „Bohem“ është si të dëgjosh me sy, dhe pastaj t'i drejtosh ato drejt qiellit, të shikosh yjet dhe në fund të fundit të arrish në përfundimin se nuk ka shumë ndryshim midis të dyjave. A nuk shprehet kështu tek „Në grackën e natës“? Ja si shprehet lirika e Kallupit: „Veç yjet s'e dinë, mendjen s'e vrasin/se ç'ndodh në tokë, në muzgun përreth./Të qetë vështrojnë, askënd nuk përflasin,/paçka se krimi natën rrëqeth“.

Dhe kështu nga rreth njëqind e njëzetë lirika lexuesi ndjen mëson e mban atë që shtrydhet si musht në gotën e tij lirike tek „Jam ai që jam“; „I pranvertë“; „“Fjala e të urtit“; „Vjen njeriu, shkon njeriu“ „Zog i Lirë“, „Ti do të kthehesh një ditë“; „Nisën shirat e vjeshtës“, „Te varrezat e Lleshanit“, „Gjinar“; „Ky qiell i Korçës“ etj.
Si përfundim, mund të them se që në ditën e parë pesëmbëdhjetë vite më parë kur poeti më dha librin e tij „Bohem“ së pari lexova shënimin e tij pasmbyllës poetik: „Porosi“: „Si deng hidhmëni/në zbrazëtirën e varrit/nëse s'jam përgjëruar/dhe për fijen e barit“. Dhe që atëherë në sytë e mi kam një lot që u fiksua në prezencën e poetit vlonjat Myrteza Mara dhe natyrisht shkruajta dhe shkruaj se më pëlqeu shumë poezia e këtij autori dhe jam sinqerisht i lumtur për shfaqjen e përmbledhjeve kaq të forta dhe me stil të poezive, që lexohen edhe në kohë tjetër. Sepse i meritojmë dhe sepse kemi nevojë për to.









Comments