top of page

Fatmir Terziu: Për esnafin e librit mbetet klienti

  • 14 minutes ago
  • 3 min read

 

Në gjithë zinxhirin e ndërlikuar të botimit dhe qarkullimit të librit, nga autori te përkthyesi, nga botuesi te librashitësi, ekziston një hallkë që shpesh përmendet, por rrallë respektohet në thelb: klienti. Ai nuk është thjesht blerës, por arbitri i fundit i vlerës. Dhe, për fat të mirë të kulturës shqiptare, ai vazhdon të ekzistojë, edhe kur shpesh duket se i kërkohet më shumë sesa i jepet. Lexuesi shqiptar ka treguar një durim të admirueshëm. Ai i beson shijes së botuesve, autorëve e përkthyesve, endet në panaire librash në të ftohtë e në vapë, paguan shpesh më shumë seç duhet për libra që nuk i përgjigjen gjithmonë pritshmërive. Ndikohet nga reklama të dobëta dhe renditje jo gjithnjë të besueshme, e megjithatë vazhdon të kërkojë librin. Paradoksi qëndron në faktin se, kur nuk zgjedh atë që i ofrohet, ai shpesh akuzohet për “shije të dobët”, sidomos në debatin e përhershëm mes letërsisë së përkthyer dhe asaj vendase.

Por e vërteta është më e thjeshtë dhe më e drejtë: klienti ka të drejtë të zgjedhë. Jo vetëm të blejë. Dhe shpesh, kur i jepet mundësia reale, ai dëshmon një ndjeshmëri të hollë për të vlefshmen, për të renë, për atë që sfidon rutinën. Problemi nuk është mungesa e lexuesit, por shpesh mungesa e ofertës cilësore dhe të besueshme. Pas viteve ’90, libri shqiptar përjetoi një shpërthim të natyrshëm lirie. U botua gjithçka që më parë ishte ndaluar, u përkthyen autorë të panjohur, u krijua një etje e re për lexim. Në atë kohë, lexuesi nuk kërkonte perfeksion teknik apo korrektësi shkencore, mjaftonte që libri të ishte i lirë. Ishte një periudhë romantike, por edhe e pakontrolluar.

Sot, realiteti është tjetër. Lexuesi është më i varfër ekonomikisht dhe më kërkues intelektualisht. Shitjet kanë rënë, por jo vetëm për shkak të varfërisë. Një pjesë e problemit qëndron në vetë industrinë: modele të vjetra botimi e shpërndarjeje, një orientim i tepruar drejt fitimit të shpejtë dhe një nënvlerësim i vazhdueshëm i lexuesit. Librat njëditorë, temat e konsumueshme, autorët e mbingarkuar dhe mungesa e diversitetit real e kanë ngushtuar horizontin e tregut. Megjithatë, ekziston një segment i qëndrueshëm lexuesish që kërkon cilësi. Ata nuk janë të shumtë, por janë të besueshëm. Ata nuk kursejnë për një libër të mirë, kërkojnë përmbajtje të thellë dhe realizim dinjitoz. Janë pikërisht këta lexues që mbajnë gjallë shpresën për një treg libri më serioz. Botuesit që guxojnë të investojnë në libra të tillë, edhe pse me tirazhe të vogla, arrijnë të krijojnë një marrëdhënie më të ndershme me publikun.

Nga ana tjetër, shpërndarja mbetet një hallkë e dobët. Libraritë dhe distributorët shpesh ndjekin modele të tejkaluara: ekspozim i përkohshëm, rotacion i shpejtë titujsh, mungesë strategjie afatgjatë. Librat nuk kanë kohë të gjejnë lexuesin e tyre. Tregu mbytet nga prurjet, ndërsa fondet bllokohen nga stoqet e pashitura. Libraritë përballen me kosto të larta dhe fitime minimale, duke e bërë mbijetesën një sfidë të përditshme. Në këtë realitet, tensioni mes botuesve dhe librashitësve është i pashmangshëm, por edhe i pakuptimtë. Ata janë të varur nga njëri-tjetri dhe duhet të ndajnë jo vetëm fitimet, por edhe përgjegjësitë. Pa një marrëveshje më të drejtë ekonomike dhe pa një kuptim më realist të tregut, çdo përpjekje mbetet e fragmentuar.

Përfundimi është i qartë: libri shqiptar nuk shpëtohet me ankesa, por me përshtatje. Tirazhe më të vogla, cilësi më e lartë, bashkëpunim më i sinqertë dhe pritshmëri më realiste. Shteti nuk mund të jetë zgjidhja për çdo problem të tregut të librit; ai mund të krijojë kushte, por jo të imponojë shije apo të garantojë sukses. Në fund, mbetet klienti. Ai që zgjedh, që refuzon, që rikthehet ose largohet. Ai që, në heshtje, vendos fatin e librit. Dhe ndoshta është koha që esnafi i librit të ndalojë së ankuari për të, dhe të fillojë ta dëgjojë më me kujdes.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page