Fatmir Terziu: Pse shkrimtarët ndahen?
- 8 hours ago
- 3 min read

Pse shkrimtarët ndahen? Ata që botojnë libra në Shqipëri dhe ata që botojnë jashtë saj
Nga Fatmir Terziu
Ndarja e shkrimtarëve shqiptarë në dy kategori, ata që botojnë libra brenda Shqipërisë dhe ata që botojnë jashtë saj, nuk është thjesht një çështje gjeografike apo formale. Ajo është një ndarje e prodhuar nga mënyra se si funksionojnë institucionet kulturore, tregu i librit, politikat e vlerësimit dhe marrëdhënia midis krijuesit, botuesit dhe jurisë. Në thelb, kjo ndarje nuk buron nga cilësia e veprës letrare, por nga vendi ku ajo shtypet dhe nga struktura që e ndërmjetëson atë. Rasti kur një vepër e botuar në Shqipëri pranohet në konkurrime kombëtare, ndërsa libra të botuar në SHBA, Angli, apo Kosovë përjashtohen për shkak të një kriteri territorial, tregon qartë se kemi të bëjmë me një problem sistemik. Letërsia shqipe, e shkruar në të njëjtën gjuhë dhe që i drejtohet të njëjtit lexues kulturor, ndahet artificialisht në “të brendshme” dhe “të jashtme”. Kështu, kriteri formal zëvendëson kriterin estetik, dhe vlera e tekstit lihet në hije nga adresa e botuesit.
Në këtë kontekst, roli i botuesit merr një peshë disproporcionale. Në parim, botuesi është garant i cilësisë redaktoriale dhe i qarkullimit të librit, por në praktikë, në një treg të vogël dhe të brishtë si ai shqiptar, ai shpesh shndërrohet në portë hyrëse për legjitimitetin institucional. Autorët që botojnë jashtë vendit, ndonëse me standarde të larta profesionale dhe shpesh me shpërndarje më të gjerë ndërkombëtare, mbeten jashtë konkurseve dhe çmimeve, jo për mungesë vlere, por sepse nuk janë pjesë e këtij qarku të brendshëm. Kjo krijon një varësi strukturore të autorit nga botuesi vendas dhe ushqen idenë e gabuar se pa botim në Shqipëri nuk ka ekzistencë letrare të plotë.
Këtu lind edhe paradoksi themelor, shkrimtarë pa botues ka dhe do të ketë gjithmonë, sepse shkrimtari lind nga nevoja për të shkruar, por botues pa shkrimtarë nuk mund të ketë. Kur ky raport përmbyset dhe botuesi bëhet kriter vlerësimi, kultura fillon të funksionojë sipas logjikës së mbijetesës tregtare dhe jo sipas parimeve të meritës artistike. Për pasojë, krijohet ajo që shpesh perceptohet si “lojë botuesish”, një sistem i heshtur ku interesat ekonomike ndikojnë drejtpërdrejt në qasjen institucionale ndaj letërsisë. Panairet e librit, që në teori duhet të jenë hapësira të hapura të takimit midis autorit, librit dhe lexuesit, shpesh e thellojnë këtë ndarje. Manifestime si Panairi i Librit i Tiranës funksionojnë më shumë si pasqyrë e forcës ekonomike të botuesve sesa si platforma gjithëpërfshirëse e krijimtarisë shqipe. Autorët që nuk kanë një botues vendas që të investojë në stendë, promovim dhe prezencë mediatike, mbeten pothuajse të padukshëm. Në këtë mënyrë, panairi kthehet nga festë e librit në një mekanizëm filtrimi simbolik, ku prezenca fizike barazohet me vlerë kulturore.
Në këtë zinxhir, roli i jurive është po aq problematik. Juritë duhet të jenë instanca e fundit e objektivitetit dhe meritokracisë, por kur kriteret e konkurseve përjashtojnë paraprakisht libra të botuar jashtë Shqipërisë, juria nuk ka më mundësi të gjykojë tërësinë e krijimtarisë shqipe. Për më tepër, në një treg të vogël, ku marrëdhëniet profesionale janë të ndërlidhura, rreziku i konfliktit të interesit është real, edhe kur nuk shfaqet hapur. Kufizimi procedural, mungesa e transparencës dhe lidhjet e heshtura mes botuesve, jurive dhe institucioneve krijojnë një klimë mosbesimi që dëmton vetë autoritetin e çmimeve. Ndërkohë, realiteti i letërsisë shqipe ka ndryshuar rrënjësisht. Ajo nuk është më një letërsi e mbyllur brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Ajo shkruhet, botohet dhe lexohet në Kosovë, në Europë, në SHBA dhe gjetkë, duke u bërë një hapësirë kulturore transnacionale. Institucione si Ministria e Arsimit dhe Sportit kanë përfshirë vepra të rëndësishme në kurrikula, duke dëshmuar se vlera mund të njihet përtej kufijve formalë. Megjithatë, kur konkurset dhe panairet mbeten të mbyllura ndaj këtij realiteti, krijohet një kontradiktë e thellë midis diskursit të hapjes dhe praktikës së përjashtimit.
Pasojë e drejtpërdrejtë e këtij sistemi është fragmentimi i hapësirës letrare shqiptare. Nga njëra anë, kemi një letërsi që qarkullon brenda strukturave institucionale të Shqipërisë, dhe nga ana tjetër, një letërsi që zhvillohet jashtë, shpesh me përvoja dhe ndikime të reja, por pa njohje të barabartë kombëtare. Këto dy realitete rrallë komunikojnë me njëri-tjetrin, duke krijuar një ndarje artificiale që nuk i shërben as autorit, as lexuesit, as vetë kulturës. Zgjidhja nuk qëndron në dobësimin e botuesve vendas apo në mohim të rolit të tyre, por në riformulimin e kritereve dhe hapjen e sistemit. Pranimi në konkurse i çdo libri të shkruar në gjuhën shqipe, pavarësisht vendit të botimit, transparenca e plotë e jurive dhe hapja e panaireve ndaj autorëve të diasporës do të krijonin një hapësirë më të drejtë dhe më dinamike. Sepse në fund, ajo që i jep jetë letërsisë nuk është vendi i shtypshkronjës, as emri i botuesit, por forca e fjalës dhe aftësia e saj për të komunikuar përtej kufijve.









Comments