top of page

Fatmir Terziu: Pse ende ngricë mes Greqisë dhe Shqipërisë

  • Apr 26
  • 2 min read

Pse ende ngricë mes Greqisë dhe Shqipërisë

 

Ka diçka të çuditshme në marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ajo duket si një det që nuk ngrin kurrë në sipërfaqe, por mban akull në thellësi. Takime ka, buzëqeshje ka, deklarata optimiste nuk mungojnë, si ajo e fundit mes Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, por historia vazhdon të marrë frymë nën tavolinë, e pashprehur plotësisht, e pazgjidhur si një fjali që nuk gjen pikën.

Kjo, sepse “çështjet e mbartura” nuk janë thjesht dosje diplomatike. Ato janë kujtime kolektive, janë padrejtësi të perceptuara, janë narracione të ushqyera për dekada. Ligji i luftës, kufijtë detarë, të drejtat e minoriteteve, çështjet e pronësisë, të gjitha këto nuk janë vetëm probleme juridike, janë plagë që nuk janë mbyllur si duhet. Dhe kur një plagë nuk mbyllet, ajo nuk ka nevojë të jetë e hapur për të dhimbur. Optimismi i deklaruar nga liderët është i nevojshëm, por nuk mjafton. Historia e Ballkanit ka treguar se vullneti politik shpesh vjen dhe ikën si stinët, ndërsa mosbesimi mbetet si klimë. Për këtë arsye, çdo përpjekje për “një zgjidhje përfundimtare” tingëllon bukur në fjalë, por kërkon më shumë se një dokument të ri partneriteti. Kërkon guxim për të thënë të vërteta që nuk janë gjithmonë të përshtatshme për publikun vendas.

Natyrisht, sepse ngrica mes dy vendeve nuk është krijuar nga mungesa e dialogut, përkundrazi, dialogu ka ekzistuar vazhdimisht. Problemi është se dialogu shpesh ka qenë i kujdesshëm, diplomatik deri në kufijtë e sterilitetit. Ai ka shmangur thelbin për të ruajtur formën. Dhe kështu, në vend që të shkrinte akullin, e ka bërë atë më të fortë. Një marrëdhënie “shumë speciale”, siç u përmend, nuk ndërtohet vetëm mbi interesa strategjike apo mbështetje për integrimin në Bashkimi Europian. Ajo ndërtohet mbi një sinqeritet të ndërsjellë që shpesh mungon në rajon. Duhet një pranim i ndërsjellë i historisë, jo për ta rihapur atë, por për ta mbyllur me dinjitet.

Ndërkohë, realiteti në terren tregon një tjetër të vërtetë, shqiptarët në Greqi dhe grekët në Shqipëri kanë ndërtuar ura që politika ende përpiqet t’i projektojë në letër. Ata bashkëjetojnë, punojnë, ndërtojnë jetë, shpesh më përpara se marrëveshjet zyrtare. Kjo është ironia më e madhe: popujt janë më të gatshëm për pajtim sesa shtetet e tyre.

 

Pra, pse ende ngricë?

 

Sepse ngricat më të forta nuk janë ato që vijnë nga temperatura, por ato që lindin nga mungesa e besimit. Dhe besimi nuk ndërtohet me deklarata, por me akte konkrete, të matshme dhe, mbi të gjitha, të qëndrueshme në kohë. Nëse ky vit do të sjellë vërtet një dokument të ri strategjik, ai duhet të jetë më shumë se një tekst diplomatik. Duhet të jetë një marrëveshje me historinë, jo vetëm me të ardhmen. Përndryshe, edhe kjo pranverë do të kalojë, dhe nën sipërfaqen e një marrëdhënieje të qetë, akulli do të mbetet po aty, i padukshëm, por i pathyer.

1 Comment


Eshref Ymeri
Apr 28

I dashur Profesor Fatmiri, 

       Urimet më të mira për analizën tuaj bukur të argumentuar lidhur me marrëdhëniet greko-shqiptare me ngrica dhe akull. Ato marrëdhënie janë sterile, sepse Greqia ia ka ngrënë hijen me kohë politikës shqiptare të periudhës së diktaturës komuniste dhe  të kësaj shëmtisë neokomuniste dhjetoriste. Prandaj edhe shteti shovinist grekokaragjoz s’e pati për gjë të nginte bustin e Micotaqisit në tokën shqiptare, në Dropull. Prandaj Micotaqisi pati ardhur dikur në Himarë me helikopter, i veshur me uniformë ushtarake. Prandaj në katrahurën e vitit 1997, shovinizmi grekokaragjoz afroi trupat ushtarake pranë kufijve tanë, për të ndërhyrë me pretendimin “për të mbrojtur” minoritetin grek. Dhe ai shovinizëm i urryer do ta kishte pushtuar   jugun e vendit tonë pa çak…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page