Fatmir Terziu: Pse ende e vuajmë “Shkëlqimin e përkohshëm”?
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 5 hours ago
- 6 min read

Filmi artistik shqiptar “Shkëlqim i përkohshëm” (1988), me skenar të shkruar me mjeshtëri dhe profesionalizëm nga Vangjush Saro, regji të Albert Xholit dhe redaktim të shkrimtarit Agim Gjakova, mbetet një nga ato vepra që, ndonëse lindur në një kontekst tjetër historik, flet me një qartësi shqetësuese edhe për kohën e sotme. Është një film që nuk ka „plakje“, përkundrazi, realiteti ynë e ka bërë më aktual se kurrë, duke e kthyer nga një pasqyrë e një epoke në një akuzë të heshtur ndaj shoqërisë bashkëkohore. Në kohën kur u realizua filmi, mashtrimi kishte një peshë më modeste, por jo më pak poshtëruese, çanta me ushqime nga fshati, dhuratat e vogla, servilizmi i përulur përballë sekserëve dhe “të fortëve” të sistemit. Ato mjaftonin për t’i mbushur oreksin ndërmjetësit, për t’i hapur rrugën Danes drejt një “fitoreje” të rreme në konkurs, drejt një shprese që në thelb ishte iluzion. Sot, kjo logjikë nuk ka ndryshuar në thelb, vetëm është rritur në përmasa. Çantat me ushqime janë zëvendësuar nga ryshfete të majme, nga miliona që kërkohen për një vend pune, qoftë edhe për punë që dikur nuk kërkonin as ndërmjetës, as para, as përulje ekstreme. Korrupsioni nuk është më episod, është sistem.
“Atëherë”, shkëlqimi i përkohshëm ua ngrinte mendjen të rinjve me idenë se qyteti ishte shpëtimi, se largimi nga fshati ishte domosdoshmëri për t’u bërë “dikushi”. Sot, liria e lëvizjes, kjo arritje formale e demokracisë, është kthyer në një plagë edhe më të thellë. Fshatrat braktisen jo vetëm për qytetin, por përtej kufijve, jo nga ëndrra, por nga dëshpërimi. Dane nuk ëndërronte emigrimin se diktatura nuk e mundësonte këtë, pasi as që mendohej, ai ëndërronte qytetin si skenë të shkëlqimit personal. I riu i sotëm ëndërron largimin si shpëtim nga një realitet që nuk i ofron as dinjitet, as perspektivë. Figura e Danes, e interpretuar mjeshtërisht nga Xhevahir Zeneli, është më shumë se një personazh filmik, është arketipi i njeriut të mashtruar nga fasada. Rikthimi në fshatin e lindjes i duket dështim, turp, regres. Por filmi, me një realizëm të qetë dhe pa patetikë, na e bën të qartë se “shkëlqimi” që ai ndjek është i përkohshëm, i rremë dhe, në fund, bosh. Kjo dilemë mbetet thelbësisht e njëjtë edhe sot. Sa prej nesh ndjekin ende një shkëlqim të rremë, duke braktisur rrënjët, vlerat, madje edhe veten?
Loja e aktorëve në film, Rita Gjeka, Birçe Hasko, Hatiqet Bendo, Agim Shuka, Stavri Shkurti dhe të tjerët, krijon një galeri tipash që duken çuditërisht familjarë për syrin e sotëm. Sepse këta tipa i hasim çdo ditë në skenën publike, në politikë, në administratë, në media. Ndryshon kostumi, por jo roli. Edhe sot kemi sekserë (si Rako i Ilir Shkurtit), kemi trajnerë të rremë, berberë që dëgjojnë thashetheme, recepsionistë që kontrollojnë hyrjen në “botën e suksesit”. Dhe, mbi të gjitha, kemi një teatër të madh ku aktorët e politikës luajnë rolet e tyre me po atë hipokrizi që filmi e demaskonte dekada më parë. “Shkëlqim i përkohshëm”, i xhiruar në Përmet, Tepelenë dhe Tiranë, me muzikë të Ferdinand Muratit dhe prodhim të “Shqipëria e Re”, nuk është thjesht një dëshmi e kinematografisë shqiptare të viteve ’80. Është një tekst kritik që na sfidon të pyesim veten, pse ende nuk kemi mësuar? Pse vazhdojmë të vuajmë të njëjtin iluzion, vetëm në forma më të sofistikuara? Ndoshta sepse shoqëria jonë ende e adhuron shkëlqimin, edhe kur e di se është i përkohshëm. Dhe kjo është tragjedia që filmi e paratha, por që ne vazhdojmë ta jetojmë.
Skenari si ndërgjegje e heshtur shoqërore: Vangjush Saro dhe “Shkëlqimi i përkohshëm”
Forca e filmit “Shkëlqim i përkohshëm” nuk qëndron vetëm te regjia e matur apo loja e aktorëve, por mbi të gjitha te skenari i ndërtuar me inteligjencë, kursim shprehës dhe ndjeshmëri sociale nga shkrimtari Vangjush Saro. Ky skenar është shembull i rrallë i asaj që mund të quhet realizëm kritik i brendshëm, një realizëm që nuk ulëret, por depërton ngadalë në vetëdijen e shikuesit. Vangjush Saro nuk shkruan për ngjarjen, por për mekanizmin, nuk e ndjek thjesht fatin e një të riu, por anatomizon psikologjinë e mashtrimit kolektiv. Dane nuk është viktimë e një individi, por e një sistemi që prodhon iluzione, sekserë, shpresa të rreme dhe ambicie pa bazë. Kjo është arsyeja pse skenari mbetet aktual, sepse sistemi i iluzionit nuk ka ndryshuar, vetëm ka ndërruar maskë. Në mënyrën se si Saro ndërton konfliktin, vërehet një mjeshtëri dramaturgjike e qetë, larg skemave propagandistike të kohës. Nuk kemi heronj pozitivë të deklaruar, as armiq të demonizuar. Përkundrazi, çdo personazh është i përfshirë në një rrjet kompromisesh të vogla, që së bashku prodhojnë një dështim të madh moral. Ky është realizëm i vërtetë: i pakompromentuar nga sloganet, por i mbështetur te vëzhgimi i hollë i jetës. Një nga arritjet më të rëndësishme të skenarit është demistifikimi i qytetit. Qyteti nuk paraqitet si hapësirë e zhvillimit kulturor apo emancipimit shoqëror, por si teatër i rolit, ku gjithçka blihet, ndërmjetësohet, inskenohet. Dane nuk dështon sepse është i paaftë, por sepse beson se suksesi është çështje lidhjesh dhe jo vlere. Ky mesazh, i koduar me kujdes në vitin 1988, sot lexohet hapur, pa nevojë për metafora.
Vangjush Saro, si shkrimtar, ka pasur gjithmonë një aftësi të rrallë për të dëgjuar njeriun e zakonshëm. Ai nuk shkruan nga lart, por nga brenda realitetit social. Dialogët e skenarit janë të përmbajtur, natyralë, shpesh të ngarkuar me heshtje domethënëse. Në ato heshtje fshihet drama e vërtetë, pranimi i pavetëdijshëm i padrejtësisë si “normale”. Talentit të Saros i shtohet edhe një cilësi tjetër e vyer, etika e shkrimit. Ai nuk i gjykon personazhet, i vendos përballë pasojave të zgjedhjeve të tyre. Nuk predikon, por zbulon. Dhe pikërisht kjo e bën skenarin të qëndrueshëm në kohë. Sepse moralizimi plaket shpejt, por kuptimi i thellë njerëzor jo. Sot, kur e rilexojmë “Shkëlqim i përkohshëm” në dritën e realitetit bashkëkohor, ku korrupsioni është bërë industrial dhe iluzioni eksport, kuptojmë se Vangjush Saro ka qenë më shumë se skenarist: ai ka qenë kronikan i hershëm i një sëmundjeje shoqërore që ende nuk është shëruar. Filmi nuk na flet vetëm për vitin 1988, na flet për dështimin tonë për të ndryshuar thelbin. Prandaj, “shkëlqimi i përkohshëm” nuk është thjesht titull filmi. Është koncept. Është diagnozë. Dhe Vangjush Saro, me këtë skenar, ka lënë një nga tekstet më të ndershme dhe më largpamëse të kinematografisë shqiptare.
Braktisja si vazhdimësi e një iluzioni: a është ende “shkëlqimi i përkohshëm” sëmundja jonë?
Nëse sot shoqëria shqiptare, dhe veçanërisht rinia, po e braktis vendin me një ritëm dramatik, kjo nuk është vetëm pasojë e varfërisë ekonomike apo e mungesës së vendeve të punës. Këto janë shkaqe reale, por jo të mjaftueshme për të shpjeguar thellësinë e fenomenit. Në thelb, kemi të bëjmë me një krizë besimi dhe kuptimi, e cila lidhet drejtpërdrejt me atë që Vangjush Saro e quajti, me intuitë gati profetike, “shkëlqim i përkohshëm”. Në filmin e vitit 1988, Dane beson se qyteti është shpëtim, se largimi nga fshati është hapi i domosdoshëm drejt realizimit personal. Ai nuk e pyet veten çfarë do të ndërtojë, por vetëm ku do të shkojë. Ky është thelbi i sëmundjes: lëvizja pa projekt, ikja pa vizion, ndjekja e një drite që duket e fortë nga larg, por që shuhet sapo afrohesh. Sot, ky iluzion nuk quhet më “qytet”, por “jashtë shtetit”, “Europa”, “Perëndimi”. Emri ka ndryshuar; mekanizmi psikologjik është i njëjtë.
Rinia shqiptare sot nuk ikën vetëm për të fituar më shumë; ajo ikën sepse nuk sheh drejtësi, meritë dhe dinjitet në vendin e vet. Ashtu si te skenari i Saros, ku suksesi nuk fitohej me aftësi, por me sekserë, edhe sot rrugët e realizimit personal duken të bllokuara nga korrupsioni, klientelizmi dhe arbitrariteti. Kur shoqëria i mëson të rinjtë se puna e ndershme nuk mjafton, atëherë ikja bëhet jo tradhti, por mbijetesë morale. Por këtu ndërhyn përsëri “shkëlqimi i përkohshëm”. Sepse ikja shitet si zgjidhje absolute, si sukses i menjëhershëm, si triumf individual. Rrjetet sociale, diskursi publik, madje edhe narrativat familjare e ushqejnë këtë ide: “ik dhe do t’ia dalësh”. Ashtu si Dane, shumë të rinj sot nisen me një imazh të ndërtuar nga të tjerët, jo nga realiteti i plotë. Dhe, njësoj si në film, zhgënjimi vjen më vonë, shpesh në heshtje, shpesh larg syve të publikut.
Sëmundja e shkëlqimit të përkohshëm sot është edhe më e rrezikshme, sepse është globalizuar. Ajo nuk lidhet më vetëm me një vend apo sistem politik; lidhet me kulturën e dukjes, të suksesit të shpejtë, të jetës “së bukur” të ekspozuar në ekran. Kështu, largimi nga vendi nuk është gjithmonë akt racional; shpesh është reagim emocional ndaj ndjesisë së mospërkatësisë dhe inferioritetit të imponuar.
Në këtë kuptim, “Shkëlqim i përkohshëm” nuk është vetëm një film për një epokë të kaluar, por një tekst paralajmërues për të sotmen. Ai na tregon se kur shoqëria nuk ndërton rrugë reale për zhvillim dhe nuk e vlerëson njeriun për atë që është, atëherë ajo prodhon ikje, iluzione dhe humbje të vazhdueshme njerëzore. Dane ikën nga fshati sepse nuk e sheh veten aty; i riu i sotëm ikën nga Shqipëria sepse nuk e sheh veten në të ardhmen e saj. Prandaj pyetja nuk është thjesht pse ikin të rinjtë, por pse vendi nuk arrin t’i mbajë. Dhe përgjigjja e dhimbshme është se, po, shoqëria shqiptare ende vuan nga e njëjta sëmundje, besimi se diku tjetër shkëlqimi është i përhershëm, ndërsa këtu gjithçka është e përkohshme. Derisa kjo mendësi të sfidohet seriozisht, shkëlqimi i përkohshëm do të mbetet jo vetëm titull filmi, por metaforë e një eksodi që vazhdon me sofrën e shtruar hershëm në monizmin e gjatë shqiptar.









Fatmir, faleminderit dhe mirenjohje per "Fjala e lirë"; si gjithnje, ne zbulim te vlerave dhe arritjeve ne Letersi dhe Art. E kam shkruar tashme, pervecse per regjisorin e njohur dhe aq te vecante Albert Xholi, por edhe per mua, analiza eshte nje qasje me drejtesi dhe nje nder per filmin shqiptar, per kulturen shqiptare dhe aktualitetin... E vleresoj shumë. Te uroj shendet e frymezim! Vangjush Saro