Fatmir Terziu: Pranvera Lisi Duli, ose si duhej të ishe një drejtuese e Bibliotekës para 1990-s
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 21 hours ago
- 6 min read

Pranvera Lisi Duli, ose si duhej të ishe një drejtuese e Bibliotekës para 1990-s
Nga Fatmir Terziu
Në historinë kulturore të qytetit të Elbasanit, biblioteka publike ka qenë jo thjesht një institucion librash, por një hapësirë e ndërlikuar ku dija, ideologjia dhe përditshmëria sociale bashkëjetonin nën tension. Në këtë realitet të vështirë, figura e Pranvera Lisi Dulit përfaqëson modelin e drejtueses së bibliotekës në periudhën e monizmit: e formuar, e përkushtuar ndaj librit, por njëkohësisht e detyruar të lundronte mes kufijve ideologjikë të vendosur “nga lart”. Pranvera Lisi Duli lindi në Elbasan, një qytet me traditë të hershme arsimore dhe kulturore. Studimet e larta i kreu në Tiranë për gjuhën ruse, një degë që në atë kohë ishte e lidhur ngushtë me orientimin politik dhe kulturor të vendit. Pas përfundimit të studimeve, ajo punoi si arsimtare dhe përkthyese, duke ndërtuar gradualisht profilin e saj si intelektuale dhe pedagoge. Në vitin 1973 e gjejmë në Belsh, mësuese në shkollën “Ndriçim Shehu”, ku punoi krah figurave të nderuara të arsimit elbasanas si Nadire Dylgjeri (Sejdini), Suzana Gjorga, Shegush Greca, Suzana Verçani, si edhe me poeten e mirënjohur Beatriçe Balliçi. Ky mjedis profesional ndikoi ndjeshëm në formimin e saj pedagogjik dhe njerëzor.
Kulmi i veprimtarisë së saj institucionale lidhet me vitet 1984–1991, kur Pranvera (Lisi) Duli u emërua Drejtore e Bibliotekës së Elbasanit “Qemal Baholli”. Në këtë periudhë, biblioteka nuk ishte vetëm një sallë leximi; ajo ishte një nyje e rëndësishme ideologjike dhe kulturore. Nën varësinë e saj ishin edhe biblioteka e lagjes “Vullnetari” si dhe Biblioteka e Shtëpisë së Pionierit, çka e zgjeronte ndjeshëm fushën e përgjegjësisë dhe ndikimit.
Gjatë viteve që drejtoi bibliotekën, u zhvillua një punë intensive për propagandimin e librit dhe të leximit. U përmirësua përpunimi i fondit mbi baza shkencore, u organizuan aktivitete masive brenda dhe jashtë bibliotekës, seminare, konkurse letrare dhe profesionale, si dhe u krye punë metodike për kualifikimin e punonjësve. Një rëndësi të veçantë kishte edhe puna shkencore bibliografike, që synonte sistemimin dhe orientimin e lexuesit në fondin ekzistues. Paralelisht, biblioteka e qytetit bashkëpunonte ngushtë me bibliotekat e shkollave, shtëpive dhe vatrave të kulturës, duke i ndihmuar ato nga ana metodike, organizative dhe në pasurimin e fondeve.
Por të ishe drejtuese biblioteke në monizëm do të thoshte më shumë sesa administrim librash. Pranvera Lisi Duli, si çdo drejtues tjetër i një institucioni kulturor në atë kohë, duhej të kishte kujdes të veçantë në zbatimin e urdhrave “nga lart” për librat që mund të quheshin “të ndaluar”. Ndalimi, megjithatë, ishte jo-normativ: nuk ekzistonte një censurë formale me kontroll paraprak të çdo botimi. Sistemi bazohej në kontrollin e Partisë së Punës mbi botuesit dhe shkrimtarët, duke krijuar një vetëcensurë të brendshme, shumë më praktike se censura klasike, por edhe më e rrezikshme.
Ky sistem linte boshllëqe. Shumë libra u botuan dhe më pas u sekuestruan e u shkatërruan, duke u shndërruar në libra “të ndaluar”. Të tjerë, që nuk u botuan apo u përkthyen kurrë, mbetën në kategorinë e “të heshturve”, një formë tjetër ndalimi, po aq efektive sa e para. Drejtuesit e bibliotekave ishin hallka e fundit e këtij zinxhiri: ata duhej të dinin çfarë të ekspozonin, çfarë të fshihnin, çfarë të ruanin në fond dhe çfarë të hiqnin pa zhurmë.
Në këtë klimë, raporti i shoqërisë me librin e ndaluar ishte paradoksal. Përvoja personale e asaj kohe tregon se, sidomos mes intelektualëve të viteve 1980–1989, leximi i literaturës së ndaluar nuk ishte gjithmonë një akt i fshehtë, por shpesh një burim krenarie. Në familje dhe rrethe miqsh qarkullonin materiale të marra nga burime të pazakonta, siç ishte rasti i një miku të afërt që punonte në Aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës dhe siguronte transmetime të shtypura nga kohëra e agjenci të ndryshme, të lexueshme vetëm aty. Këto materiale ruheshin në dollapë dhe kalonin dorë më dorë, duke ushqyer një uri të madhe për informacion dhe ide të ndaluara.
Megjithatë, kontrolli shtetëror zakonisht nuk ushtrohej mbi shtëpitë e njerëzve të zakonshëm. Ai synonte kryesisht kundërshtarët e hapur të regjimit; në këto raste, literatura e ndaluar shërbente si rrethanë rënduese. Kjo gjendje krijonte një zonë gri, ku drejtues institucionesh si Pranvera Lisi Duli duhej të ruanin ekuilibrin mes detyrës zyrtare dhe ndërgjegjes profesionale ndaj librit dhe lexuesit. Kjo ishte …një ekuilibër i brishtë, i mbajtur më shumë nga njerëzit sesa nga rregullat.
Në këtë kuptim, drejtimi i Bibliotekës “Qemal Baholli” nga Pranvera Lisi Duli nuk mund të lexohet thjesht si një funksion administrativ, por si një akt i vazhdueshëm ndërmjetësimi midis librit dhe pushtetit, midis lexuesit dhe ideologjisë. Drejtuesja e bibliotekës nuk ishte vetëm përgjegjëse për fondin, stafin apo aktivitetet kulturore; ajo ishte edhe “filtri i heshtur” që garantonte se institucioni do të funksiononte pa rënë në konflikt me vijën zyrtare të Partisë. Kjo kërkonte jo vetëm disiplinë politike, por edhe zgjuarsi profesionale dhe njerëzore. Në praktikë, kjo do të thoshte të njihje shumë mirë fondin e bibliotekës: jo vetëm titujt e ekspozuar, por edhe librat e tërhequr, ata që mbaheshin në depo, ata që nuk rekomandoheshin, por as nuk zhdukeshin plotësisht. Librat “problematikë” shpesh nuk digjeshin apo asgjësoheshin menjëherë; ata zhvendoseshin, mbylleshin në raftet e pasme, humbnin nga katalogët publikë. Ky ishte një ritual i heshtur, i njohur nga profesionistët e librit, ku ruajtja fizike e veprës bëhej një formë rezistence pasive ndaj harresës së imponuar.
Në këtë kontekst, puna e Pranvera Lisi Dulit për përpunimin shkencor të librit merr një kuptim më të thellë. Bibliografia, katalogimi, klasifikimi nuk ishin vetëm akte teknike; ato ishin mënyra për t’i dhënë librit një identitet të qëndrueshëm, për ta futur atë në një sistem dijesh që i rezistonte përkohësisë së urdhrave politike. Një libër i kataloguar mirë është më i vështirë për t’u zhdukur plotësisht nga memoria institucionale. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së saj ishte puna me bibliotekat e shkollave dhe vatrave të kulturës. Në një shoqëri ku informacioni ishte i kontrolluar, këto institucione periferike luanin një rol të madh në formimin e brezave të rinj. Ndihma metodike, këshillimi profesional dhe orientimi i fondeve ishin mënyra për të ndërtuar një kulturë leximi që, edhe pse ideologjikisht e filtruar, mbante gjallë lidhjen e fëmijëve dhe të rinjve me librin si objekt dijeje dhe imagjinate.
Paradoksi i madh i asaj kohe ishte se, ndërsa shteti përpiqej të kontrollonte mendimin përmes librit, libri vazhdonte të mbetej një mjet emancipimi. Pikërisht këtë e dëshmon edhe përvoja personale e leximit të literaturës së ndaluar në vitet ’80. Qarkullimi i materialeve “të ndaluara” apo “të heshtura” nuk ishte thjesht një akt rebelimi politik; ishte një formë etjeje për botën, për krahasim, për një realitet tjetër përtej kufijve ideologjikë. Dhe kjo etje ushqehej shpesh nga njerëz që, paradoksalisht, punonin brenda vetë sistemit.
Në këtë dritë, drejtues si Pranvera Lisi Duli gjenden në një zonë morale komplekse. Ata nuk ishin disidentë të hapur, por as zbatues mekanikë të ndalimeve. Ata ishin profesionistë që përpiqeshin të mbanin gjallë institucionin, librin dhe lexuesin, duke shmangur konfliktin e drejtpërdrejtë me pushtetin. Kjo kërkonte një ndjeshmëri të veçantë: të dije kur të ndaloje, kur të heshtje dhe kur, në mënyrë diskrete, të lejoje.
Pas vitit 1990, me rënien e monizmit, u kuptua më qartë se sa e rëndësishme kishte qenë kjo punë “në hije”. Librat e ndaluar dolën nga depot, autorët e heshtur u ribotuan, dhe bibliotekat u përballën me detyrën e vështirë të riorganizimit të memories kulturore. Por kjo do të kishte qenë e pamundur po të mos ekzistonte më parë një brez drejtuesish dhe bibliotekarësh që, edhe në kushtet e kontrollit ideologjik, kishin ruajtur profesionalizmin dhe respektin për librin.
Puna profesionale e Pranvera Lisi Dulit është histori e një epoke dhe e një roli të veçantë shoqëror. Ajo na tregon se si, edhe në një sistem të mbyllur, kultura nuk zhduket, por përshtatet; se biblioteka nuk është vetëm një vend librash, por një hapësirë rezistence të heshtur; dhe se drejtimi i saj kërkon jo vetëm bindje formale, por edhe mençuri, durim dhe dashuri për dijen. Në këtë kuptim, Pranvera Lisi Duli mbetet një figurë domethënëse për të kuptuar se si duhej – dhe si mundej – të ishe një drejtuese biblioteke në monizëm.
Në përfundim, Pranvera Lisi Duli përfaqëson tipologjinë e drejtueses së bibliotekës në monizëm: një grua e arsimuar, e përkushtuar ndaj dijes dhe organizimit kulturor, që punoi me seriozitet për përhapjen e librit, por që njëkohësisht veproi brenda kufijve të një sistemi të mbyllur ideologjik. Historia e saj nuk është vetëm histori personale, por një pasqyrë e rolit të bibliotekës dhe të librit në Shqipërinë e atyre viteve, një histori ku dija, ndalimi dhe pasioni për leximin bashkëjetonin në një ekuilibër të brishtë.









Motra ime Vera ishte drit dhe qetsi ,mes librave te biblotekes .Ku esht nje kujtim i bukur qe do te ngelet gjithmon !!Flm zotit Fatmir Terziut qe ka shkuar kaq bukur ,sepse Vera e meriton plotsish !!
Ta lexosh mamin tim në këtë dritë është një ndjesi që të mbush zemrën me krenari dhe mirënjohje. Një grua e dijes, e librave dhe e urtësisë së heshtur, që la gjurmë në një kohë të vështirë pa zhurmë, por me përkushtim. Faleminderit për këtë pasqyrim të ndershëm dhe të thellë.
Fatmir mirmbrema !Te pershendes duke uruar te jeni mire familjarisht...Ju falenderoj nga zemra per kete shkrim qe ja dedikoni drejtimit tim gjate viteve te punes ne biblioteke ...shkrim interesant plot vlera ne pasqyrimin e punes ne drejtim te propogandimit te librit..Respekte e mirnjohje per ju Fatmir qe me lumturuat me kete shkrim !Edhe pse kane kaluar 41 vjet tani kujtoj me nostalgji punen plot pasion te personelit te bibloliotekes..E ndjej vehten me krenare sot ,sepse ky shkrim real plot zemer e dashamiresi i yti me ben te tille !
Fatmir edhe njehere falenderime pafund per ju !Ju uroj suksese ne krijimtarine tuaj !
Gezuar festat e fundvitit !Te fala e perqafime familjes tende !