top of page

Edmond Tupja: Ah, ti linde si drita më e paqtë…

ree

Vrasja e heshtur e pafajësisë në poezinë e Edmond Tupjes

 

Poezia “Ah, ti linde si drita më e paqtë…” e Edmond Tupjes është një meditim i thellë dhe tronditës mbi pafajësinë e fëmijërisë dhe mënyrën se si ajo mund të shkatërrohet pa zhurmë, pa gjurmë të dukshme dhune. Që në vargun e parë, poeti e paraqet fëmijën si simbol të dritës, paqes dhe mirësisë së pastër, duke ndërtuar një figurë ideale të qenies njerëzore në fillesë të jetës.

Fëmija i poezisë është “krejt, krejt i mbarë”, por ajo që e bën figurën e tij tragjike është mungesa e kureshtjes për botën. Kureshtja, e cila zakonisht është tipari më i natyrshëm i fëmijërisë, këtu mungon plotësisht. Kjo mungesë nuk paraqitet si zgjedhje, por si pasojë e një dëmtimi të brendshëm, të shprehur fuqishëm në vargun: “Dikush ta kishte vrarë, në heshtje.” Kjo metaforë sugjeron një vrasje shpirtërore, të kryer nga realitete të padukshme, por shkatërruese.

Në strofat pasuese, poeti rendit një sërë dukurish natyrore dhe emocionale për të cilat fëmija “asnjëherë nuk pyeti pse”. Natyra shfaqet e gjallë dhe poetike: retë dashurojnë tokën, lulet këndojnë, gjethet trokasin nga trishtimi. Përmes personifikimit, poeti krijon një botë që fton për pyetje, për çudi dhe për dialog. Megjithatë, fëmija mbetet i heshtur, i shkëputur nga ky univers i gjallë, çka e bën heshtjen e tij edhe më dramatike.

Poezia nuk ndalet vetëm te natyra, por shtrihet edhe te ndjenjat njerëzore: gëzimi, brenga, dëshpërimi. Edhe këtu mungon pyetja, mungon reagimi, sikur shpirti i fëmijës të jetë mpirë. Kjo gjendje përforcon idenë se trauma apo zhgënjimi i hershëm mund ta mbyllë njeriun ndaj jetës që në fillim të saj.

Struktura rrethore e poezisë, ku strofa e fundit përsërit të parën, e thellon ndjenjën e fatalitetit. Asgjë nuk ka ndryshuar; vrasja e heshtur ka ndodhur dhe pasojat e saj janë të pakthyeshme. Poeti nuk jep përgjigje dhe nuk emërton fajtorin, duke ia lënë lexuesit barrën morale për të reflektuar mbi përgjegjësinë e shoqërisë ndaj fëmijës.

Pak-kush dyshon dhe mendon ndryshe, se poezia e Edmond Tupjes është një thirrje e qetë, por ajo mbetet e fuqishme, për të mbrojtur pafajësinë, ndjeshmërinë dhe kureshtjen e fëmijërisë. Ajo na kujton se fëmija nuk vritet vetëm me dhunë fizike, por edhe me heshtje, indiferencë dhe mungesë dashurie dhe kjo është ndoshta forma më e rëndë e dhunës.

(F. Terziu)


Edmond Tupja: Ah, ti linde si drita më e paqtë…

 

Ah, ti linde si drita më e paqtë,

Fëmijë krejt, krejt i mbarë,

Vetëm për botën s’pate kureshtje,

Dikush ta kishte vrarë,

Në heshtje.

 

Asnjëherë nuk pyete

Pse, kur bie shi,

Retë me tokën bëjnë dashuri,

Pse, kur shfryn furtuna me furi,

Zemërim’ i saj jehon i zi,

Pse, kur bie dëborë për mrekulli,

Aq gëzim rrezatojmë ne dhe ti.

 

Asnjëherë nuk pyete

Pse, në çdo pranverë,

Lulet këndojnë me ngjyrat plot erë,

Pse, në çdo vjeshtë,

Gjethet e trishtimit trokasin në derë,

Pse, përherë,

Plaku i Vitit të Ri dhurata do të të bjerë.

 

Asnjëherë nuk pyete

Pse, kur gëzim ndien,

Njeriut shpirti ëmbël i shkëlqen,

Pse, kur brenga thellë e bren,

Në zemër limonti i nden,

Pse, kur dëshpërimi e mbërthen,

Vetë jeta befas e zhgënjen.

 

Ah, ti linde si drita më e paqtë,

Fëmijë krejt, krejt i mbarë,

Vetëm për botën s’pate kureshtje,

Dikush ta kishte vrarë,

Në heshtje.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page