top of page

Fatmir Terziu: Poezi artistike që duhet dashuruar...


Një poezi artistike që duhet dashuruar në formën më të ndjeshme estetike

Nga Fatmir Terziu

 

Imagjinata dhe perceptimi janë dy paralele që mbajnë tërë frymëzimin poetik të poetes Fatbardha Xhani Myslimaj në vëllimin e saj të ri poetik. Si në mjaft struktura të ngjashme poetike, imagjinata dhe perceptimi tek këto poezi nuk janë parë vetëm në një formë abstrakte, por të prekshme dhe të ndjeshme që mbesin forca parësore që motivojnë sjelljet njerëzore dhe përcaktojnë ekzistencën e dashurisë njerëzore. Si të tilla këto poezi paraqiten si një strukturë më vete, duke përfshirë elemetët figurativë të përshtatshëm dhe rrjedhën e mesazheve. Imagjinata dhe perceptimi shfaqen në mënyrë të ndarë, por edhe si një bashkësi e përbashkët mesazhi, si një dualitet funksioni ritmik dhe poetik që ndryshon vetëm në aspektin filozofik kohë, vend dhe hapësirë. Këto poezi janë burim i mendimit dhe idesë së kësaj poeteje, që tashmë ka dhënë mjaft sprova në krijimtarinë e saj poetike të stilit të saj. Ndërsa të dyja këto elemente mblidhen rreth tërë poezisë së përzgjedhur në këtë vëllim poetik, ajo që bie në sy është mënyra e përzgjedhjes së fjalës, dhe mënyra se pyetjet retorike forcojnë qëllimin e imagjinatës dhe perceptimit. Me këtë përzgjedhje ajo i bënë poezitë të arrijnë një ndjenjë shkëputjeje dhe një ndjenjë tërësore mes imagjinatës dhe perceptimit të mesazhit të tyre, një praktikë që ajo vetë e ndjek, duke u distancuar nga prirjet intimiste dhe protagoniste të poetëve dhe poeteve që krijojnë me një risi të afërt.

Po të shohim poezinë e saj, si një shembull në këtë pikë „Nuk e dimë“ natyrisht gjëja e parë që na bie në sy dhe pas leximit natyrisht më e thelluar mbetet ajo që shtjellohet mes imagjinatës dhe perceptimit. Kështu autorja e kësaj poezie përsërit disa herë „nuk e dimë“, thuasje në hyrjen e të gjitha strofave, duke e kanalizuar pikërisht atë që rrjedh mes imagjinatës dhe perceptimit, si një udhë që lind nga ajo që ndodh dhe përfundon tek harrimi. Fatbardha Xhani Myslimaj na thotë se „Ne nuk e dimë/ç’vjen pas një puthjeje,/pas një shtrëngimi./Ndoshta vjen vdekja e ëmbël,/ndoshta harrimi…“. Ajo që do të tregoj në këtë analizë është se si diada e imagjinatës dhe perceptimit i shërben poetes si një pikë ankorimi mes luhatjeve të një jete krijuese të turbullt. Duke shqyrtuar shembuj të përzgjedhur të poezisë së saj në këtë vëllim të ri poetik dhe ato të botuara gjatë viteve, unë do të demonstroj se si evoluon lidhja midis këtyre termave, duke u bërë më pak antagoniste dhe më plotësuese. Duke pasur parasysh natyrën proteanike dhe të vështirë të punës së poetes, thellimin e saj kulturor dhe gjuhësor në lidhje me trërësinë e krijimtarisë së saj dhe guximin e saj stilistik dhe intelektual, duhet treguar që çdo përpjekje kritike për të izoluar një temë kryesore, qoftë edhe një të dyfishtë siç është imagjinata dhe perceptimi do të përfshijë domosdoshmërisht kontaktin me tema të tjera që largojnë vëmendjen e dikujt nga fokusi parësor, njësoj si këngët tunduese të sirenave: seksualiteti dhe e shenjta, metrika dhe teknika muzikore, politika, sëmundja, intertekstualiteti, receptimi kritik. Dhe ndërsa këto tema janë sigurisht të pranishme në analizë në mënyrë konkluzionale dhe tangjenciale, unë i kam rezistuar thirrjeve të problematikave për të ndjekur potencialisht këtë temë dhe karakteristikat formale që i përmbahen asaj gjatë hapësirës së krijimtarisë së përfshirë në këtë vëllim poetik. Më saktë duke konkluduar me poezinë që cituam do të ëprcjell pikërisht atë që vetë autorja e shtjellon „Ne vërtet nuk e dimë/ç’do të ndodhë/me këtë histori bukurie,/me këtë prekje perëndie -/dridhje dëshirimi./Ndoshta vdekja e ëmbël,/Ndoshta harrimi...“ Kështu modis imagjinatës dhe perceptimit poetja na shtjellon mes vargut edhe dualitetin midis jetës dhe vdekjes, ku vdekja e ëmbël prek shkallën më të lndjeshme të artit të saj poetik.

Me këtë ritëm dhe funksion është dhe poezia „Nëse ndodh të të harroj“. Dhe radha e mrekullueshme e zbrazët e një qielli tepër të zbehtë dhe të ftohtë në këtë vegim, në këtë harresë është një kërkesë, „Nëse ndodh të të harroj,/çfarëdo stine, çfarëdo çasti qoftë/më dërgo një rreze, re a shi të rrëmbyer/të kuptoj/se diçka po ndodh së prapthi.“ Në këtë kontekst poetja e përshkon dhe e prezanton atë në formën më të ndjeshme të perceptimit dhe imagjinatës me „hëna po shkëlqen ditën,/dielli po djeg errësirën,/po rrëzohen yje me bisht mbi flokë/si karfica me gurë diamanti, ku bie në sy imagjinata, që në këtë kontekst është sinonim i fjalës „harrimi“. Një harrimi, ose një vdekje e lavdishme shpirti, e ndërtuar hap pas hapi, me duar krejt të pasigurta dhe një grindje e vazhdueshme me bartësit e sigurive dhe emblemave. Një boshllëk madhështor! Një qiell kristalor shumë i trishtuar i fshehur pas një perceptimi, ose „nëse ndodh të të harroj një ditë,/mos më kërko kot në ato anë./Nuk mund të jem/aty ku ndodh/harrimi...“ Dhe harrimi është vetë vdekja. Vdekja është gjithmonë në ajër, në fund të fundit, poetja e shtrydh imagjinatën dhe perceptimin dhe na thotë se „Jam akoma në kohë./Për të marrë më tepër seç jap,/për të dhënë pa pendesë,/për t’iu përgjigjur flakë për flakë/hajdutëve të çasteve të mia,/për të puthur faqen e butë të nënës,/për t’iu thënë njerëzve të dashur:/- Jeni të bukur!/për t’i thënë dashurisë:/- Nuk je gabim…“. Në pjesën e fundit të kësaj poezie duket një kthesë estetike dhe shpirtërore që rezulton me vlerë të qëndrueshme pasi duket qartë tashmë se poetja e sheh imagjinatën dhe perceptimin si të përkushtuar drejt jetës së një modeli të vërtetë jetik „Si ëndërr që të nanuris/në një mëngjes fatlum,/aq i mrekullueshëm ai zgjim!/Kur thua pa zë:/“Pavarësisht se futen si rruaza në varg,/një sekondë jeton njeriu,/vetëm një”… (Tek ai çast i vetëm).

Ndërkohë që poetja kujton kujdesin e saj në marrëdhënie (Lotë që s'rrjedhin) – „Nga të gjitha mundësitë/zgjodha të vuaj me ty,/të gjej në muzgun e errët/të trishtimit tënd/një xixëllonjë të vogël,/në vend të yjeve të largët/që kurrë s’i zë dora…“  – sigurisht që ka dashuri që rrjedh mes imagjinatës dhe perceptimit, që shkon tek vendimi personal dhe përzgjedhja se përmban aludime për ritualet e gjërave të kombinuara me imazhet e jetës dhe vdekjes, siç është e dukshme në objekte të tilla jetike sikurse janë sytë që prpdhojnë lotët „Lotëve/ti di t’u vësh emër/emrin e tëndit lëng,/di të dridhesh lehtë,/fshehur të mbyllësh synë/siç mbyll perëndimi/ditën…“ Imazhi i „lotit“ është njëherësh bashkëshortor, duke iu referuar lirive të qëndisura të diskursit, dhe elegjiak, duke evokuar ritualin e mbështjelljes së gjërave me art, siç shihet në poezinë e këtij vëllimi „Para se ta fsheh“: „Para se të mund ta fsheh,/ti merrma drithërimën e mallit/tek lëkundet nën ethe si petale vjollce…“. Në këtë pikë duket dhe vetë kthesa estetike e poetes.

Kthesa estetike është e dukshme edhe në lidhje me poezitë që i kushtohen stinëve, natyrës dhe vetë lidhjeve mes imagjinatës dhe perceptimi, sikurse është poezia „Vjeshta është“, ndoshta një nga poezitë më të bukura të autores: „Vjeshta është grua që zhvishet ngadalë/nën flladin e mëngjeseve e të muzgjeve nazike./Natën nën dritën e hënës është e qetë, e brymtë,/u bindet dëshirave pa frikën e pamjes së vet,/lëkundet nën lëkurën e saj të ndritshme.“ Dhe në vazhdim „Vjeshta është grua që frutet e veta sheh,/kryelartë për ëmbëlsinë që i jep shijes së botës,/bisqet e njomë i kujton me mall pranverash,/u flet butë, dhimbshëm atyre që jetën u dhuroi,/nën peshën e fruteve të veta shtrydhet, hesht.../Vjeshta është grua që zemërimin duron/pse pjalmi s’kish faj kur stinës së gjelbër e joshi,/të verdhat grimca ranë mbi të - pluhur i artë,/e lë shiun, erën të luajnë lirisht me harqet e saj/pa mohuar atë shenjën e ëmbël që mbeti prej tyre.../Vjeshta është grua që di të dhurohet pa fund,/të gëzojë për shijen që lë në gojën e etjes, urisë,/s’ka kushte veç ndriçimit të jetës në sytë që do,/s’ka kushte veç vazhdimësisë e përndritjes,/vetes i thotë: “Bëra gjithë ç’munda, më ndjeni!”. Këtu Fatbardha Xhani Myslimaj përzien në mënyrë efektive tre kontekste letrare në një monolog të brendshëm, duke kërkuar për gjuhën e duhur dhe metrikën adekuate për të akomoduar dëshirën e saj për të çliruar poezinë nga çdo kufizim. Kur ajo shkruan për imagjinatën dhe perceptimn apo dhe për dashurinë dhe vdekjen në këtë tekst, ato janë forca primare, të papërmbajtshme.

Vdekja është hedhur si një pjesë shtypëse e të pandërgjegjshmes, si agoni, ndërsa dashuria fisnikërohet si e përbërë nga dashuria për Krijuesin dhe për të afërmin. Të dy parimet janë përballur sikur poetja po shtron një udhërrëfyes për poezinë e saj të ardhshme ku ajo do merret në mënyrë të përsëritur me çështjet përfundimtare të origjinës së jetës - në dashuri - dhe të metat e jetës - në vdekje. Në fillim është fundi, kjo ide paradoksale pasqyrohet në imazhin grafik të thuajse të mjaft poezive që përfshihen në këtë vëllim të ri poetik, sidomos tek poezia „Qirrinjtë“ ku imagjinata dhe perceptimi, ashtu sikurse fundi i gjërave duket qartë „Sa ëmbël u ndezën të gjithë qirinjtë!/Trupi yt më deshi dhe foli mes mpakjes,/në univers u ndie përmbushja jote/si e një deti shtrirë në brigje të padukshëm…“ Estetika poetike në vazhdim „Sa ëmbël u ndezen të gjithë qirinjtë!/Ti deshe të rrije dhe pak përhumbur/në gjithësinë që t’u fal pa asnjë kusht/dhe dallgëve të përkundi zefiri i hollë…“, duket e zakonshme për alkiminë dhe hermetizmin. Poetja përdor këtë imazh për të përshkruar poezinë e saj të ristruktuar bukur në tërësinë diksursive të imagjinatës dhe perceptimit, ashtu si dhe në rrjedhë të vetë jetës dhe vdekjes, në pikanten që ajo e shtjellon shumë bukur, pikërisht dashurinë.

Duke i dhënë poezisë së saj formë mitiko-topologjike, poetja e çliron atë nga kufizimet e mbylljes logjike apo parafrazimit, sikurse ndodh tek poezia „Troja“. Vargu i saj se „ku çdo çast vlen sa një jetë,/në Trojë…“ që nënkupton  „luftë“ mund të shihet se i referohet përdorimit të asaj që është përdorur nga Dante për të përshkruar Vita nova, por synimet e saj janë më afër ideve të lirisë dhe asaj që e privon lirinë, pra një poezi revolte dhe satire, një lloj ditirambi „Trazimet e botës,/luftëtarët e dashuruar me sytë e mi/atje ende do të jenë,/edhe thirrjet e ethshme/mes rrëmetit të luftës:/- Na prit, na prit, Helenë!…“

Troja“ është gjithashtu një poezi për identifikimin e një tradite poetike (mashkullore) dhe një shmangie prej saj. Në këtë poezi dashuria dhe vdekja mishërohen nga një personazh mitik tek femra, bukuria dhe simbolika Helena. 1 Personazhi i Helenas përfshin epokat e njeriut dhe mishëron një libido të uritur të vizituar nga aestetika dhe dhuna në një lloj të çuditshëm të botës së krimit ktonik. Poetja e zgjeron këtë figurë në një seri imazhesh të shoqëruara me përsëritje dhe imazhin Medusan të petrifcimit: „I kam në kujtesë/gjithë çastet e asaj jete./I ngjante stuhisë që doja/në vendin/ku çdo çast vlen sa një jetë,/në Trojë…/Linda atje,/u rrita e lirë, e lirë/mes fushave plot bar, /misër, tërshërë, grurë…/Vashërisë sime të qumësht,/mbuluar kujdesje të ngrohtë mëme/ia qëllonin xhamat e kristaltë me gurë…/Ziente nën lëkurën e ftohtë/vullkani i nxehtë i dëshirave të ethshme,/në mijëra vezullime/të tretshme, të prekshme…“.

Simbolika e poezive që përfshihen dhe ristrukturon në formën më të mirë diskursive tek dhe nga dashuria e detyron atë të qëndrojë në arsyetimin e bukur, të përshëndesë gjithëndodhjen duke buzëqeshur, duke këshilluar butë dhe urtë, duke dhënë mesazhin e domosdoshëm sikurse ndodh tek Poezia „Besomëni mua“. Këtu, si në të gjithë poezitë e këtij vëllimi, ideja e lirisë dashurore është sa fine dhe e artë, aq dhe imagjinare dhe perceptuese, për të mos thënë problematike, për aq sa duke kënaqur dëshirat e veta emocionale njeriu bie në një gjendje robërie shpirtërore.

Në librin e saj të parë të botuar me poezi, ajo arriti stilin e e saj adekuat, dhe e përcon tashmë në tërë funksionin meritor. Këtu ajo artikulon nocionin e një estetike në formën e një pikture, në të cilën rreshtat ndajnë një gjatësi të barabartë, fonetikisht dhe grafikisht. Poetja shpjegon se kërkimi i saj për forma universale përkon me përvojën logjike asociative që është sigurisht ajo e të gjithëve  dhe e aftë të të refektohet në të gjitha gjuhët „Dashuritë/nuk vdesin asnjëherë,/thjesht ndërrojnë strehën.../Besomë mua kur të them/ata që dashurojnë me të vërtetë/kurrë nuk lejojnë t’i duan të tjerë persona,/kurrë nuk ndërrojnë shije, aroma,/kurrë nuk kërkojnë diçka më të mirë,/kurrë nuk e njollosin shallin e ndjesive,/kurrë nuk i shkelin premtimet ndaj vetes,/kurrë nuk të lënë në baltë,/kurrë nuk bezdisen nga e përditshmja.../Besomë,/ata që bëjnë siç bëj unë!

Poetja nuk refuzon sistemin cilësor, të bazuar në forcën që vjen në çdo rrokje, duke na treguar se vetë forvca e dashurisë është sikurse vetë njësia bazë e metrikës, por forca e dashurisë së saj nuk është rrokja, ose këmba, por fjala. Secilës fjalë i korrespondon një ide dhe një teksturë fonetike-akustike. Në shqiptimin e fjalëve të një poezie, poetja bazohet në kohën e nevojshme për të lexuar, duke marrë parasysh kohën e rreshtit të parë të cilin më pas kërkon ta riprodhojë në çdo varg të njëpasnjëshëm, sikurse modeli „më besoni mua“ i poezisë së lartcituar na jep bindjen se vetë tërsia poetike e këtij vëllimi, nuk duhet thjesht imagjinuar dhe perceptuar, por në tërë mirësinë e saj duhet dashuruar.

 

Londër, nëntor 2023-Prill 2024

200 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page