Fatmir Terziu: Poetit
- Jan 21
- 2 min read

Fatmir Terziu: Poetit
(Një memorje për një poet gjeneratash.)
“Ai e pëlqente cigaren, tymin e saj dhe kalonte nëpër buzë aromën dehëse të një gotë rakie.”
Nga Fatmir Terziu
“E bëri nga balta.” Ai tha.
“E shijoj si një misërnike nga Devolli,
dhe e shoqëroj mendimin tim duke numëruar rruzat në gotën qelibar.”
Fjala tek fjala më përcolli,
dhe kështu hyra me të në varg...
Tymi plot nikotinë. Ndaloi.
La shenja idhnake mes gishtave, shenja që u tretën,
pastaj vetvetiu vazhdoi dhe shkroi,
“Eh, më pëlqen pirja e cigareve, ndërsa rrokullisi penën.”
Ai shkroi,
pastaj u shtriq të mendohet më mirë,
duke shkelur rrëndë, sikur hamendësisht shkelet një kërmë,
bishtin e lagur të cigares me të pështirë,
ashtu këmbë mbi këmbë,
një gjymtyrë e shtruar mbi tjetrën e shtrirë.
Tamam një poemë.
“Por unë nuk më duket se e pashë me një çakmak në dorë.
U hutova se si u bënte shërbim vjershave
A mundet njeriu të shohë,
kur ndizet një cigarë në thellësi të vjershave?”
“Ju shikoni! Këtu nuk ka xhepa për orendi të tilla,
fundja më mjaftojnë këmbët, duart, buzët e ngrira,
të tjerat m’i kanë “konfiskuar”
bashkë me ajrin e pastër, me baltën,
me Devollin,
me mushkën xanxare
a nuk e dini ku e shpien vargjet frymorin?”
Konsideratë. E gjitha mes vargut të lagur,
vargu mori dhe dha frymë
duke dihatur flashtër,
dhe tentoi fuqishëm të dalë jashtë,
ngricat e ngadalta ishin bërë zullum të tymit që shpërndahej në ajër.
“Unë e dija se shkëlqimi dhe rrënia kishte gjithnjë plot Zylo,” tha ai.
“Dua të them, se ishte i sigurtë se Zylo ishte ende mes nesh
shkëlqente, ngrihej dhe rrëzohej
dhe prapë rishkruhej, duke ia ledhatuar lapsin kokës,
rilexohej,
ndoshta pa e vënë re në tymin e madh të kohës.
E vura re, vetëm kur ai më vinte re.
Ndoshta ishte mënyra se si flokët iu mbështollën ashtu,
rruga ishte shtrirë si një kraharor i gjerë,
jepte e merrte frymë thellë kuturu.
Retë sakatonin gotat me shampanjë dhe gajaseshin të lagur në botën intime ...
Kjo e bëri të rimendohet atje thellë,
të ringrihet
të shuajë tymin mbi cigarë
të ecë mes tymnajës për një kohë të gjatë.
Gjatë...
Por unë kurrë nuk e pyeta për të ndezur cigaren
për baltën, tymin, mushkën e lodhur
ose këmbët e shtrira si trupa lisi
të degdisura nëpër gjeografira të shara e të ofenduara
nga nëna, motra, baba e rrënja e fisi.
Kurrë.
Vargu ishte ndryshe nga gjeografia,
jeta nuk varej nga mjedisi,
vetëm nga liria.
Një tjetër unazë tymi u nxi,
një psherëtimë,
një kryqëzim dhe kalim i gishtave përsëri mbi poezi.
Nuk kisha asnjë ide,
çfarë tjetër ishte për t’u bërë pa Atdhe?
Por për t’u lutur ende në Atdheun tim të bukur,
kisha pak nge,
të kuptoja se pirja e duhanit ishte një brengë,
duke u përpjekur të kuptoj se ... edhe kur vargu është i zymtë
ishte lufta e pashpallur e tymit mes tymit të harbuar
në një gjeografi të tymtë,
të izoluar.









Comments