Fatmir Terziu: Poeti talent që nga fëmijëria e tij
- Feb 15
- 4 min read

Poeti talent që nga fëmijëria e tij
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Danail Sulku vjen në krijimtarinë poetike me një zë të formuar herët. Troket si një dhunti që nuk pret kohën. Poezia e tij e sfidon kohën. Që në fëmijëri, fjala poetike për të nuk ishte vetëm shprehje ndjenje, por mënyrë e natyrshme e të qenit, një frymëmarrje e brendshme që kërkonte dritë. Ky talent i lindur dhe i kultivuar me përkushtim ka gjetur shprehje të plotë në librat e tij me poezi, “Furtunë shpirti”, “Shtrati i lëngatës”, “Trokitje në shpirt”, “Apologjia e mbrëmjes” dhe “Petale të dhembshura trëndafili”, tituj që janë më shumë se emërtime, janë gjurmë të një rruge të brendshme, stacione të një ndjeshmërie që rritet e thellohet.
I mbrujtur dhe frymëzuar nga Kojaveci i Dibrës, një hapësirë ku fjala e thënë me masë dhe ndjenja e përmbajtur marrin peshë, Danail Sulku mbart në vargjet e tij një qetësi të përzier me furtunë, një elegancë dhimbjeje që nuk kërkon zhurmë. Poezia e tij është e ndërtuar mbi sinqeritetin e përjetimit, mbi një dialog të vazhdueshëm me shpirtin, ku lexuesi gjen veten pa u ndier i ftuar me forcë. Në vëmendjen time, ai vjen si një emër i spikatur që nga koha kur studionte tek Shkolla e Mesme e Bashkuar „Elez Koçi“, Ostren i madh. Që atëherë, vargu i tij tregonte pjekuri të parakohshme, një ndjesi ritmi dhe imazhi që e dallonte nga bashkëmoshatarët. Nuk ishte thjesht talent i premtuar, por një zë që kërkonte të dëgjohej dhe që, me kalimin e viteve, e ka dëshmuar veten me punë dhe përkushtim.

Sot, krijimtaria e Danail Sulkut lexohet si një rrëfim i qetë, por i thellë, ku poezia nuk shërben për t’u dukur, por për të mbetur. Ai është poet që nuk i shmanget dhimbjes, por as nuk e shfrytëzon atë; e shndërron në ndjeshmëri, në petale fjale që bien ngadalë mbi ndërgjegjen e lexuesit. Dhe pikërisht këtu qëndron vlera e tij, te besnikëria ndaj vetes dhe te vazhdimësia e një talenti që ka ditur të rritet pa humbur origjinën. Danail Sulku shkëlqente në mësime dhe dallohej menjëherë si një nga nxënësit më me shumë talente, një mendje e mprehtë dhe e etur për dije, ku fjala artistike zinte vend të veçantë. Ai binte në sy jo vetëm për korrektësinë dhe përkushtimin ndaj dijes, por edhe për aftësinë për ta kthyer mendimin në ndjesi, ndjesinë në varg. Poezia e tij e hershme dëshmonte një lidhje të natyrshme me traditën popullore, me frymën e këngës dhe të urtësisë së trashëguar, por njëkohësisht hapej me guxim drejt asaj që sot levrohet gjerësisht në poezinë moderne. Pikërisht kjo ndërthurje mes rrënjës dhe risisë e bënte krijimtarinë e tij të dallueshme, një poezi që ruan aromën e së vjetrës, por flet me gjuhën e kohës, duke e shndërruar talentin në një urë të gjallë mes brezave.

Ai vjen në mesin e poetëve nga zona e Gollobordës, një trevë e njohur për njerëzit e saj punëtorë, të heshtur dhe këmbëngulës, ku puna dhe dinjiteti kanë qenë gjithmonë virtyte themelore. Fshati i tij është rritur mbi këtë frymë përkushtimi, mbi një etikë jete ku fjala e dhënë dhe djersa e hedhur kanë peshë të barabartë. Në një mjedis të tillë, formimi njerëzor dhe shpirtëror vjen natyrshëm, duke krijuar personalitete që nuk kërkojnë zhurmë për të dëshmuar vlerën e tyre. Ky fshat mbahet mend edhe për një fakt domethënës historik. Ai ka pasur hidrocentral që në kohën e Zogut, një shenjë e hershme e vizionit dhe e lidhjes së banorëve me zhvillimin dhe përparimin. Prania e energjisë elektrike në atë kohë nuk ishte thjesht një arritje teknike, por një simbol i hapjes ndaj së resë, i dëshirës për të qenë pjesë e kohës, pa humbur identitetin.

Nga kjo tokë e fortë dhe e ndershme vjen edhe poeti, me një bagazh shpirtëror të ndërtuar mbi punën, traditën dhe kujtesën kolektive. Poezia e tij mban brenda këtë trashëgimi, qetësinë e maleve, përulësinë e njerëzve dhe dritën e një vendi që ka ditur të ndërthurë herët rrënjët me përparimin. Kjo origjinë nuk është thjesht biografi, por themel i një zëri poetik që flet me thjeshtësi, thellësi dhe ndershmëri. Si një shembull tipik mund të konsiderohet poezia e tij, që mban titullin e një vëllimi poetik, tek e cila ai shprehet kështu: „Flamuj që valëvitën mbi harta ndryshimi,/Liri, paqe, shpresë shpalos koha e re./Atë që për shekuj trashëguam kohëra rrënimi,/E ndërtojmë sot mbi ura bashkimi.“

Qysh në vargjet e para, “Flamuj që valëvitën mbi harta ndryshimi”, poeti vendos përballë dy realitete: lëvizjen (ndryshimin e hartave, pra të kufijve e fateve politike) dhe aspiratën për “liri, paqe, shpresë”. Këto koncepte nuk paraqiten si të dhëna të përhershme, por si arritje që ndërtohen “mbi ura bashkimi”. Ura bëhet metaforë e pajtimit dhe e kapërcimit të traumave historike. Strofa e dytë zhvendos theksin nga e tashmja tek thellësia e origjinës: “ Ku është gjeneza, ku prehet fortesa./Kush është i parë në këto troje të vjetra./Kush mbart amanetin e Nënlokës ndër breza,/Ku prehet si një amshim besa.”. Pyetjet retorike krijojnë tension identitar: kush është i pari, kush mban amanetin, ku prehet “besa”. Këtu poezia hyn në dimensionin e trashëgimisë morale. “Amaneti” dhe “besa” janë shtylla etike që e lidhin individin me kombin dhe me kohën. Kërkimi i gjenezës nuk është thjesht historik, por moral. Në strofën e tretë, toni bëhet më dramatik. “Hije të errëta pabesie”, “gjëmime egërsie”, “topuzë që godasin pa mëshirë tokën ilire” – këto figura krijojnë një klimë kërcënimi të vazhdueshëm. “Topuzi” është simbol force brutale, ndërsa “toka ilire” shenjon

lashtësinë dhe vazhdimësinë historike. Këtu poezia përballet me dhunën që ka shoqëruar shekujt. Strofa përmbyllëse ka karakter thirrës dhe didaktik: “O bij, kurrë mos pështyni mbi lotin e etërve!” Kjo është kulmi emocional i poezisë. Autori kalon nga përshkrimi në apel moral. “Lotët e etërve” përfaqësojnë sakrificën, gjakun dhe dhimbjen historike; pështyrja mbi ta do të ishte mohimi i identitetit dhe i kujtesës. Në tërësi, poezia ndërthur tri shtresa: historinë (rrënimin dhe dhunën), identitetin (genezën, besën, amanetin) dhe të ardhmen (bashkimin, ndërtimin). Gjuha është e ngarkuar me simbole kombëtare dhe me tone epike, ndërsa struktura progresive e çon lexuesin nga shpresa tek kujtesa dhe përfundimisht tek përgjegjësia. Kjo e bën poezinë një tekst që jo vetëm përkujton, por edhe paralajmëron dhe edukon.









header.all-comments