Fatmir Terziu: Poeti i Peisazhit dhe kompozicionit, Skënder Kamberi „Piktor i Popullit“
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 15 minutes ago
- 5 min read

Poeti i Peisazhit dhe kompozicionit, Skënder Kamberi „Piktor i Popullit“
Prof. Dr. Fatmir Terziu
Për herë të parë e ndjeva stilin, talentin, mjeshtërinë e tij nga afër, kur poeti me emër, Faslli Haliti, më rekomandoi që ilustrimet e librit tim „Rrëfenjat e Xha Avramit“ kishte shprehur dëshirë që ti realizonte Skënder Kamberi „Piktor i Popullit“ (Vlorë, 02/02/1939). E dyta më shpinte në një kënd tjetër, që në fakt ishte zanafilli me këtë emër të madh të artit shqiptar, që më ishte fiksuar me tablonë e tij të pazëvendësueshme “Skënderbeu mbi kalë.” Kjo e fundit pas një leximi të shkrimtarit Gëzim Zilja disi më kishte mbetur si një xixëllimë në memorje, dhe që nuk shkulej pa e fiksuar mirë pse autori i saj, Mjeshtri Kamberi e quante atë „…nuk është Skënderbeu. Ky është Shën Gjergji. Kam studiuar shumë për Skënderbeun para se të filloja ta pikturoja. Madje edhe në gjermanisht dhe ky është ai i vërteti që unë përfytyroj. Do ta vesh të gjithin në ar, në flori, që ndriçon kur kalon dhe i jep shpresë njerëzimit.” (Zilja, „Fjala e lirë“, 17 mars 2022).

E në një shkrim tjetër i mirënjohuri Qerim Vrioni më 12 shkurt 2019 natyrisht, me atë stilin e tij profesional sqaronte se „Piktura të tij, kryesisht kompozime, përveçse në organizime të ndryshme kombëtare, ku janë vlerësuar me çmime, janë ekspozuar edhe në disa shtete, si Egjipt, Francë, Angli, ShBA, Itali, Greqi, Gjermani, Turqi etj. Me penelat dhe telajot ai vazhdon edhe sot të takohet thuajse çdo ditë.“ (Vrioni, „Fjala e Lirë, 12 Shkurt 2019).
E kështu sikurse dihet tashmë Skënder Kamberi „Piktor i Popullit“ (1939) nuk është thjesht piktori i lindur në Vlorë, që shkëlqeu në bangat e Shkollës së Mesme Artistike "Jordan Misja" në Tiranë dhe më pas studenti i talentuar në Institutin e Arteve në Tiranë, në degën e pikturës, por një emër global, që natyrshëm hyn ndër piktorët më në zë të viteve të tij plotë vrull, pasion, studime, hulumtime dhe realizime nga më të paaritshmet.
Skënder Kamberi punon në fushën e kompozimit figurativ, portreteve dhe peizazhit. Puna e tij përfshin tërësinë e gjithëgjendshme të vlerave krijuese artistike.
Në veprat e tij “Ndihma e shokut”(1966), “Rrethimi i Krujës (Vrana Konti)” (1968), ”Buka e duarve tona”(1976) ndihen teknika të ndryshme stilistike dhe artistike që u ndërthurën në vepra të tilla e që më vonë u pasuan nga mjaft të tjera. Në disa kanavacë ai e ndërton formën në mënyrë të ngushtë dhe të përgjithësuar, ndërsa në të tjera përdor disa teknika mjaft të avancuara e tejet konkurruese. Në pikturat e përditshme të kësaj periudhe, artisti sintetizon me mjeshtëri formën, duke nxjerrë në pah qartë detajet individuale të nevojshme për një zbulim më të plotë të planit konceptual: „Nëndetëset kthehen në bazë“ (1968, GKA, Tiranë), „Betimi i Kontit Vrana“ (1968, GKA, Tiranë), „Nata me hënë në Kallarat“ (1970), „Dimri në Llogara“ (1974), „Buka e duarve tona“ (1976, GKA, Tiranë), „Vjeshta në bregdet' (1976, GKA, Tiranë) dhe të tjerë. Portretet e realizuara nga Kamberi dallohen nga vizatimi i saktë dhe konciz, modelimi i dendur i formave dhe depërtimi i thellë në karakterin e modelit: „Portret gruaje“ (1974), „Kapiten Sali Vranishti“ (1972), ”Portreti i Poetes Maro Pasho” (1973) e të tjera.
Gjatë periudhës së plotë të tij në vazhdim me punën e ndërlidhur të mëparshme, Skënder Kamberi shprehu aspekte të tjera të ndjeshmërisë së tij dhe kërkoi zgjidhje të reja plastike. Interesi i tij për jetën rurale mbeti, por artisti si një mjeshtër i vëmendshëm gjithmonë ka pasqyruar edhe transformimet dhe vizionin e tij diksursiv. Një romancë didaktike, fine dhe tejet profesionale përshkon pikturat e tij, në të cilën realja ndërthuret me të çuditshmen dhe përralloren. Skënder Kamberi krijoi qindra kompozime, portrete dhe peizazhe, të cilat dallohen për shprehjen dhe dramaticitetin e tyre të theksuar. Disa nga veprat e tij sikurse cituam tërheqin me interesin e tyre të komplotit, të tjerat janë të mbushura me imazhe të çuditshme, shpesh duke fshehur një kuptim simbolik. Portretet e tij në vazhdim karakterizohen edhe më shumë, ndonjëherë me mjetet e groteskut. Teknika e tij e pikturës ndryshon sipas tematikave, kohës dhe vetë këndvështrimit të tij profesional. Ai e ndërton formën duke aplikuar ngjyruesit në maska të vogla me ngjyra. Njohja e mënyrës së jetesës dhe shpirtit popullor vlonjat e shqiptar, fuqia e imagjinatës, pasuria dhe larmia e zgjidhjeve artistike janë tipare dalluese të artit të tij.
Veprat e tij janë në pronësi të Galerisë Kombëtare të Arteve, asaj të Vlorës dhe të shumë koleksionistëve privatë. Vetë piktura e tij, arti i veçantë dhe i vlerësuar i Kamberit, është një galeri e pavdekshme, e pazëvendësueshme dhe që përjetëisht mbetet e hapur në vendlindjen e tij, për brezat e shumtë, e kështu ai me atë dritare të madhe i ka hapur talentëve të Vlorës, e gjithë Shqipërisë një Portë të Madhe ku nis e fuqizohet dëshira për artin e tillë. Artisti organizoi ekspozita personale në Vlorë, Tiranë në vitet e hershme të punës së tij dhe i fuqizoi ato sikurse e cituam më lart në vitet në vazhdim, edhe pas ndërrimit të sistemit. Skënder Kamberi është vlerësuar, por ende instancat shtëtërore i janë borxhlinj këtij emri të madh të artit shqiptar në vite.

Lirik nga natyra, në vazhdim të rrugës së tij krijuese, Skënder kamberi – mbeti në stilin e tij, sikurse e nisi penelin ta përshtasë me një zhanër më të përshtatshëm për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e tij, ai mprehu dhe perfeksionoi edhe kompozimim figurativ, edhe portretizimin. Ai punoi edhe në fushën e natyrës së qetë, por preferencat e tij ishin drejt skenave natyrore nga Vlora dhe brigjet e detit, kodrat, fushat dhe vreshtat nga kënde të ndryshme të vendlindjes. Ylli Farka thotë se „Piktori Skënder Kamberi mbetet një mjeshtër i tablove kompozicionale në artin shqiptar të shekullit XX. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve Tiranë ruhen tridhjetë e katër punime të piktorit. Në Galerinë e Arteve, Vlorë ndodhen 53 punime të artistit. Vepra të tjera të piktorit Skënder Kamberi ndodhen në Galerinë e Arteve, Gjirokastër, në Muzeun e Tepelenës, në Muzeun Historik Kombëtar Tiranë etj.“ (Farka, 2021).
Po ti vëzhgosh me kujdes veprat e tij, shohim se Mjeshtri Kamberi, i zgjedh subjektet e tij direkt nga vende të qeta dhe ndonjëherë të paarritshme - ndonjë kodër e harruar midis shkurreve, e cila përmban gjithë freskinë e natyrës sonë, frymën e barërave, të luleve të egra, të tokës së ngrohur nga rrezet e forta të diellit. Në këto peizazhe të bukura e poetike, gjithmonë ka bollëk qielli, drite dhe hapësirash të gjera. Në to, impresionizmi dhe abstraksioni takohen (brezi i tij u ushqye nga këto dy rryma!), të cilat tërheqin me kuptueshmërinë e tyre dhe na çojnë përtej të dukshmes. Dhe kjo është tashmë një cilësi e pikturës së vërtetë. Në pikturat e tij, të mbushura me vaj dhe tempera, Skënder Kamberi nuk dëshiron të na paraqesë njërin apo tjetrin motiv natyror. Për të, motivi është në fakt vetëm një rast. Qëllimi i tij kryesor (të cilin, për fat të mirë, ai e arrin!) është të zbulojë dhe të kapë atë moment poetik të pashpjegueshëm, të papritur që zbuloi gjatë këtij bashkimi me gjendjen e natyrës. Për panteizmin e vërtetë! Do të thoja se veprat e Skënder Kamberit „Piktor i Popullit“ janë një shprehje e gjendjeve të qëndrueshme mendore, të përjetuara thellësisht, sinqerisht nga një poet i peizazhit!
ความคิดเห็น