Fatmir Terziu: PAS SYVE VJEN…
- Jun 3
- 11 min read
Updated: Jun 5

Dielli mbi bustin tënd
(Lasgush Poradecit)
Sot të kam sjellë një pendë, Lasgush,
jo një pendë zogu,
por një pendë të shkëputur
nga krahu i fjalës.
E kam lagur
në burimin e vargut,
atje ku heshtja bëhet tingull
dhe tingulli bëhet shpirt.
Nuk erdha ta vendos mbi bronz,
as mbi kujtimin tënd.
Erdha ta lëshoj mbi ujërat e liqerit,
që të gjejë vetë rrugën
drejt dorës sate të padukshme.
Sepse poetët nuk vdesin
kur mbyllin sytë.
Ata vdesin vetëm
kur thahet burimi i vargut.
E burimi yt rrjedh ende.
E dëgjon Driloni.
E pëshpërisin shelgjet.
E mbajnë në gjoks valët
që vijnë e shkojnë
midis brigjeve të botës.
Kur kjo pendë të prekë emrin tënd,
dielli do të qeshë mbi liqer.
Kur era ta ngrejë përsëri në ajër,
do të qajë koha
mbi gjithçka që ikën.
Por jo mbi poezinë.
Sepse poezia,
si uji që buron nga thellësitë e gurit,
nuk njeh varr.
Dhe dielli,
mbi bustin tënd,
do të vazhdojë të lexojë
nga ai burim i pashtershëm i vargut,
aty ku Lasgushi
nuk është më një emër,
por një dritë
që shkruan ende
mbi faqen e ujit.
DUKE E ZGJUAR LIBRIN
Nata nuk është natë.
Është një alfabet i shtrirë
mbi kraharorin e heshtjes,
një kafshë e madhe prej letre
që merr frymë ngadalë
nën abazhurin e dritëlehtë
pranë shtratit.
E zgjoj librin.
Jo duke e hapur.
Duke e prekur
aty ku fjalët ende ëndërrojnë.
Më vështron me mijëra sy
të fshehur në fibrat e faqes,
si një Babiloni e vjetër
ku çdo shikimore mban brenda
një gjuhë tjetër.
Fjalori,
ajo shoqja ime me gjuhë të argjendtë,
rrëshqet nga rafti
si një Helenë që di nga përvoja
më shumë se ç’thotë
(kur duhet mitizuar Troja).
Buzët e saj
janë buzë përkufizimesh,
por nën to
vlojnë kontinente të tëra kuptimesh
që presin të shpallen të pavarura.
Unë kërkoj vetëm një fjalë.
Vetëm një.
Por fjala
nuk është kurrë vetëm fjalë.
Ajo sjell pas vetes
karvane tingujsh,
ushtri etimologjish,
hije poetësh,
zogj migratorë
që kanë folezuar shekuj me radhë
në zgavrat e zanoreve.
Dhe libri zgjohet.
Faqet fillojnë të lëvizin
si pllaka tektonike.
Shkronjat
shkëputen nga rreshtat,
ecin nëpër dhomë,
ngjiten në mure,
varen nga tavani
si yje të sapolindur.
Logjika largohet e para.
Pastaj gramatika.
Pastaj koha.
Mbetet vetëm qarkullimi
i gjakut të gjuhës.
Në atë çast
çdo gabim bëhet portë.
Çdo shmangie
rrugë sekrete.
Çdo hutim
një kontinent i pazbuluar.
Dhe unë,
si çdo poet që endet zgjuar
në mesin e natës,
provoj pozicionet e çuditshme
të leximit,
mbi bërryl,
mbi kujtesë,
mbi plagë,
mbi mall.
Kërkoj hyrjen
në trupin denotativ të botës.
Por sa më thellë depërtoj,
aq më tepër kuptoj
se kuptimi
nuk banon në fjalë.
Ai banon
në hapësirën mes tyre.
Atje ku syri dridhet.
Atje ku ëndrra
fillon të përkthehet në frymë.
Blloku pranë shtratit
qëndron hapur.
Mbi të zbresin
fjalët migratore,
si zogj që kanë humbur hartat.
I regjistroj.
Jo për t’i zotëruar.
Për t’i dëshmuar.
Sepse në lëvizjen e shpejtë
të syrit të natës,
në atë tranzit hipnagogjik
ku mendimi ndërrohet me dritë,
çdo fjali
është një akrostik i fshehtë.
Çdo metaforë
një adresë.
Çdo libër
një qenie që fle.
Dhe detyra ime
nuk është thjesht ta lexoj, se e dua.
Por ta zgjoj.
Që të më lexojë ai mua.
Gardh(a)fjalë
Përtej oborrit të heshtjes u ngritën gardhet e para.
prej druri, prej guri,
prej fjalësh të thara.
Fjalë të holla si kallamishtet,
fjalë të ashpra si telat me gjemba,
fjalë të lyera me gëlqere kujtimesh
që ndanin kopshtin nga kopshti,
zemrën nga zemra (nëpër remba).
Era kalonte mes tyre
duke marrë me vete kuptime të humbura.
Dhe ne, si bujq të një stine që u mburr,
mbollëm emra, mbollëm premtime,
mbollëm betime që s’i ujitëm kurrë.
Mbi tokën e gjuhës
u rritën ferrat e keqkuptimeve.
Një ditë ndjemë se gardhi si një tufë me lesh
nuk ishte midis nesh dhe tjetrit.
Ishte brenda nesh.
Një vijë e gjatë më e gjatë se hija
ndante atë që njihja
nga ajo që guxoja të dija.
Koha, si një lumë pa brigje,
kalonte përmes dërrasave të fjalëve.
Dhe gardhi filloi të fliste.
Në çdo plasë të tij
çelte një pyetje.
Në çdo gozhdë të ndryshkur
rrinte varur një përgjigje e vjetër.
Atëherë kuptuam fjalët janë gardhe
kur duan të mbrojnë frikën,
por bëhen porta
kur mësojnë të zbardhin ditën.
Mbrëmja zbriti mbi arat e mendimit.
Qielli u mbush me yje të vonuar,
dhe ndjemë se kishim ngecur aty,
pranë gardh(a)fjalës së rrënuar,
duke dëgjuar sesi heshtja
ndërtonte lidhjet që u shterrën
nga njëra anë e qenies
në tjetrën.
U kujtuam. Sepse në fund
nuk janë fjalët që na ndajnë e zhbëhen.
Janë gardhet që u kërkojmë fjalëve
të bëhen.
Të gjitha kënaqësitë e tokës
Në Zvërnec,
aty ku pishat mbajnë erën e detit
si një violinë mban tingullin e fundit,
dikush numëron hektarë,
dikush numëron zogj,
dikush numëron fitime,
dhe dikush tjetër valët.
Deti nuk numëron asgjë.
Ai vazhdon të sjellë në breg
kripën e mijëra viteve,
si një psalme e pashkruar
nga vetë Zoti.
Thonë… e ç'nuk thonë…
(sipas ndonjë lajmi)
merrni të gjitha kënaqësitë e tokës,
resortet prej xhami,
jahte që shkëlqejnë si unaza martese,
rrugë që çajnë pyje,
kulla që prekin retë,
ariun e tregut dhe luanin e kapitalit,
bashkojini në një kënaqësi të vetme.
Por pylli buzë lagunës buzëqesh.
Ai di diçka
që bilancet nuk e dinë.
Një flamingo që zbret mbi ujë
vlen sa një qytet i tërë ëndrrash.
Një fëmijë që mbledh guaska
zotëron më shumë parajsë
se një bankë e mbushur me kontinente.
Përmbushja nuk është pronësi.
Ajo është një reshje.
Kondensohet ngadalë
mbi gjethen e fundit,
mbi krahun e një pelikani,
mbi fytyrën e peshkatarit
që kthehet në shtëpi pa pasuri,
por me perëndimin në sy.
Pastaj bie.
Bie si shi.
Bie si dritë.
Bie si rrufe mbi ndërgjegjen e botës.
Dhe papritur kuptojmë!
Toka nuk na është dhënë
që ta konsumojmë deri në kockë,
por që ta duam
aq sa të mbetet edhe për ata
që nuk kanë lindur ende.
Zvërneci është vetëm një emër.
Sot mund të jetë Shqipëria.
Nesër Amazonia.
Pasnesër një ishull në Paqësor.
Plaga ndryshon adresë,
por lakmia flet të njëjtën gjuhë.
Ndërsa deti,
i moshuari i madh i planetit,
vazhdon të pëshpërisë.
Merrni të gjitha kënaqësitë e tokës,
shkrijini në një kënaqësi të vetme,
hidheni në zemrën e një njeriu.
Nëse ai ende di të mbrojë
një pemë,
një zog,
një breg,
një dashuri,
atëherë do të kuptojë
se kënaqësia më e madhe
nuk është të zotërosh botën,
por të jesh i denjë
që bota të qëndrojë me ty.
Në Zvërnec, këtë mëngjes,
deti e lante bregun me duar të kaltra,
ndërsa pishat, si murgj të lashtë,
ruanin heshtjen e lagunës.
Mbi ujë kalonin flamingot,
si copa ëndrrash të shkëputura nga qielli,
dhe toka dukej e plotë,
si një imazh parajsor i së Mirës Sovrane,
si diçka që duhet dhënë
dhe po aq duhet marrë me mirënjohje.
Por gjithmonë gjendet dikush
që mat bukurinë me metra katrorë,
që e pyet horizontin sa fitim sjell,
që kërkon të blejë atë
që nuk është nxjerrë kurrë në shitje.
Atëherë deti flet.
PAS SYVE VJEN…
Çfarë duhet të mendoj tjetër një njeri, pas syve,
pikon heshtje.
Një zog nuk bëhet më i lirë nga krahët,
siç një pemë nuk bëhet pyll nga hija e saj.
Pas syve vjen një fushë e pashkelur,
ku bari rritet mbi farat e harruar.
Ku ka lexim tjetër arketipi i krijesës, pas syve,
pikon dritë.
Një yll i shuar nuk bëhet natë,
as nata nuk bëhet univers nga errësira.
Pas syve vjen ai vend i fshehtë,
ku çdo mëditje kthehet në rrënjë.
A ka mundësi të thotë tjetër bota, pas syve,
pikon përjetësi.
Pas syve, pas syve vjen pa kufi
vetëm Ti.
Yje në qerpikët e saj
Po binte vesë mbi Doruntinën dhe kishte yje në kapakët e librit.
Autobusi i linjës po bëhej i ftohtë në Sarandë
dhe kishte yje, yje, yje në qerpikët e saj.
(Por jo si yjet e dimrit!)
Po binte vesë, vesë, vesë mbi Doruntinën,
shumë kohë më parë, shumë kohë më parë…
Po, i dashur Folklor, ajo ma kishte… shpinën
kishte yje në qerpikët e saj? Nuk e pashë.
Po binte vesë mbi telat e sharkisë, në Tropojë,
po binte vesë mbi mustaqet e Bajram Currit në bust,
autobusi kishte fshirëse xhami dhe kishte… hajde, të gjithë në kor,
kishte yje në qerpikët e saj. Pastaj, prush.
Unë isha udhëtar, ajo ishte legjendë e pafaj,
unë isha mes librit, ajo ishte po aty,
dhe kishte yje në qerpikët e saj.
Ajri ishte i ftohtë, mëngjeset alpine,
të gjitha kishin harruar të mërdhinin,
dhe kishte yje të vegjël në qerpikët e saj,
ama të gjithë më dukej se flinin.
Po binte vesë e lehtë, me fije mjegulle të bardhë,
mbi qeleshen e urtë mbahej rëndë një shqiponjë,
e qielli lëvizte si mbi pelte, skaj më skaj.
Vëlla, dikush më thirri pa u bërë vonë:
- Hiqja Doruntinës yjet mbi vetullat e saj.
Unë isha i futur diku në Folklor,
jetoja me legjenda, mite, kreshnikë e balozë,
por nga larg ti ma bëre me dorë,
nuk doje të isha nervoz.
- Këtu poezia jote duhet të mbarojë,
mos hiq asnjë yll, se po e bën blozë.
Doruntina gjithnjë të kthehet ka nevojë,
ky është thjesht Folklor.
E dua erën e Krastës
E dua erën e Krastës, e dua me pasion,
erën që zbret nga pishat dhe erën që ngjitet nga kujtesa,
erën e mëngjeseve të kthjellëta dhe erën e mbrëmjeve të humbura,
erën e fëmijërisë dhe erën e rrugëve që s’i harrojmë kurrë.
E dua erën e Krastës, e dua me pasion.
Më pëlqen ta ndiej në fytyrë kur vjen pa trokitur,
si një mikeshë e vjetër që di sekretin tim,
më pëlqen të ec me të nëpër shtigje të padukshme,
të mbledh nga ajri fjalët që ajo ka lënë pezull,
si gjethe të arta mbi stinët e zemrës.
E dua erën e Krastës kur vjen e lehtë,
dhe kur vjen e fortë si një kujtim i papërmbajtur,
kur tund degët e pishave si të luante një simfoni të lashtë,
dhe kur ledhaton qytetin me gishtat e saj të padukshëm.
E dua erën e Krastës, e dua me pasion.
E di që është e çuditshme të thuash,
“Kam një erë që më njeh më mirë se njerëzit”,
ndoshta është e çuditshme,
ndoshta askush nuk do ta besojë,
por më lejoni kur fryn nga Krasta,
vetëm kur fryn nga Krasta,
të them formulën time të fshehtë,
“Jam përsëri ai që kam qenë.”
Jam përsëri ai që kam qenë sepse fryn era e Krastës,
dhe në flokët e saj dëgjoj zërat e largët të rinisë,
jam përsëri ai që kam qenë sepse fryn era e Krastës,
dhe rrugët e botës bëhen më të shkurtra,
dhe kontinentet afrohen si brigje të së njëjtës ëndërr.
Ka një aromë të gjallë lirie në ajër,
dhe njerëzit e të gjitha qyteteve do ta kuptonin po ta ndienin,
sepse disa erëra nuk u përkasin vendeve,
por zemrave që i mbartin.
Në një erë të tillë mund të dashurohesh menjëherë,
mund të falësh,
mund të kujtosh,
mund të kthehesh pa lëvizur nga vendi.
Dhe unë e dëgjoj ende,
mes zhurmës së botës dhe heshtjes së netëve të gjata,
si një këngë që nuk plaket kurrë.
Vetëm ti e di,
e dua erën e Krastës,
e dua erën e Krastës me pasion,
erën e pishave dhe erën e kujtimeve,
erën e dritës dhe erën e mallit,
erën që vjen nga një kodër e vogël matanë
dhe bëhet e madhe sa bota
në Elbasan.
Shpirti në bibliotekën „Vullnetari“
Biblioteka ka pozuar mbylljen e saj
Në mëngjesin e heshtur. Një dritare e hapur
mbi dekada të palosura në letër,
mbi jetë të mbetura pezull
mes një presjeje dhe një pike.
Aroma e librave të vjetër,
pluhur i artë mbi rafte. Burra dhe gra
në kujtesë lënë gjurmën e tyre të thellë,
ngarkesa e shpirtit
(Miku i Vogël i Librit).
Korridori është një lumë i drejtë
dhe drita rrëshqet
nga xhamat e qetë të pasdites.
një lexues i vetëm, larg, duke kërkuar një emër
dhe një përgjigje, kalon ngadalë ndër raftet,
fjalët qëndrojnë pranë, roje të heshtura të kohës.
Është një punë pa zhurmë
dhe një pritje pa zhurmë.
Kemi harruar sa rrugë
janë fshehur brenda një libri,
të harruara janë duart
që shkruan netëve të gjata,
fletët që udhëtuan përtej deteve
dhe kthyen në strehë vetminë e njerëzve.
Nga tavolinat ngrihet
një frymë e butë mendimesh.
Ora ecën pa u dëgjuar,
por faqet vazhdojnë të lëvizin
si krahë zogjsh mbi ujë.
Jashtë bie mbrëmja,
brenda mbetet një agim i vogël
që nuk lodhet kurrë.
Shpirti në bibliotekë
nuk ka fytyrë të vetën.
Ai banon në secilin titull,
në secilin nënvizim të zbehtë,
në secilën fjalë që ka mbijetuar stuhitë.
Duart e mia mbajnë erë letre
dhe unë vazhdoj të pres,
mes ardhjes dhe largimit të lexuesve,
për atë çast të qetë
kur një libër hapet
dhe një shpirt gjen më në fund
Ankorimin e tij
memorjeve.
Erosi dhe Qerosi
Oh, dy fuqi të lashta që enden në korridoret e padukshme të kohës,
si dy yje të largët që ndriçojnë me dritë të kundërt mbi fatin e njerëzve,
njëri vjen me trëndafila në duar dhe me zjarr në gjakun e pranverës,
tjetri me orë rëre në pëllëmbë dhe me heshtjen e dimrave që afrohen.
Erosi, djaloshi i pavdekshëm me harkun e bërë nga ëndrra,
mbillte në zemrat tona pyje me zogj këngëtarë e lumenj të artë,
nga prekja e tij gurët mësonin të ndienin,
dhe balta e zakonshme kërkonte të bëhej statujë e yjeve.
Ai e kthente fytyrën e një gruaje në një horizont të pafund,
një buzëqeshje në një mbretëri më vete,
një çast në një përjetësi të papërshkrueshme,
siç kthen poeti një pikë loti në një oqean kuptimesh.
Por pas tij ecte Qerosi, me hapat e tij të qetë e të pashmangshëm,
tullacëria që nuk premtonte as lumturi e as pikëllim,
veçse rrjedhjen e pandërprerë të ujit mbi gur,
veçse ligjin e madh që i përkul të gjitha gjërat drejt ndryshimit.
Ai nuk mbante shpatë, as rrufe, as kurora mbretërore,
vetëm një pasqyrë ku çdo fytyrë shihte të nesërmen e saj,
dhe në atë pasqyrë lulja kuptonte vjeshtën,
ndërsa ylli kuptonte errësirën që e priste.
Shpesh i kam parë të dy duke biseduar mbi fatin e botës,
nën kupolat e netëve ku galaktikat kalojnë si karvane drite.
Erosi fliste për puthjet që mposhtin vetminë,
Qerosi për heshtjet që i mbijetojnë edhe puthjes së fundit.
- Ç’vlerë ka koha pa zjarr? - pyeste Erosi.
- Ç’vlerë ka zjarri pa kohë? - përgjigjej Qerosi.
Dhe universi rrinte pezull mes tyre,
si një fije floku që lëkundet ndërmjet dëshirës dhe urtësisë.
Sepse dashuria kërkon të ndalë lumin,
ta mbajë të ngrirë një çast të bukur në kristalin e përjetësisë,
por koha e mëson lumin të ecë,
dhe bukurinë ta shpërndajë në mijëra brigje të reja.
Atëherë kuptova se ata nuk ishin armiq,
siç i kishim menduar ne, bijtë e tokës dhe të frikës,
ata ishin dy krahët e së njëjtës krijesë të padukshme,
dy nota të së njëjtës simfoni që nuk mbaron kurrë.
Erosi na jep arsye të jetojmë një çast me gjithë shpirt,
Qerosi na mëson se asnjë çast nuk zotërohet përgjithmonë,
njëri ndez qirinjtë e zemrës,
tjetri i kthen në yje përrallat e netëve deri vonë.
Dhe kur një ditë do të largohemi nga kopshti i kësaj bote,
me duart bosh e me sytë plot horizonte të venitura,
ndoshta do t’i shohim sërish të dy pranë portës së misterit,
Erosin me trëndafilin e parë të universit
dhe Qerosin me flokët e tij prej ferrit.
Atëherë do të kuptojmë se jeta nuk ishte as dashuri e vetme,
as kohë e vetme,
por vallëzimi i tyre i përjetshëm mbi urën intime,
ku zemra mëson të digjet,
dhe koka mëson të falë filozofi pa qime.
PORTOKALLI
Në fillim ishte portokalli.
Jo fruti.
Por ajo dridhje e vogël në nervin e dritës,
kur ti qeshje me dikë tjetër
dhe unë bëhesha papritur
më pak i dukshëm se një karrige bosh.
Në ekranet e shekullit tonë
portokalli ndizet si një njoftim.
Dikush ka pëlqyer fotografinë tënde,
dikush ka hyrë në bisedë,
dikush ka marrë nga ti
atë sekondë të artë
që dikur më përkiste mua.
Nuk është xhelozi e madhe.
Jo.
Luftërat fillojnë me të kuqe,
urrejtjet me të zezë,
por portokallia është ngjyra e plagëve të sjellshme,
e buzëqeshjeve diplomatike,
e duarve që duartrokasin
ndërsa zemra mban procesverbalin e humbjes.
Ti ndan një fetë portokalli
me botën.
Një fetë me mikun.
Një fetë me librin.
Një fetë me hapin që të pret te dera.
Një fetë me muzikën.
Një fetë me një kujtim.
Një fetë me një të panjohur.
Dhe unë,
si një kontabilist i çmendur i afeksionit,
numëroj mungesat.
Më mungon ajo fetë.
Më mungon kjo fetë.
Më mungon edhe ajo që ende nuk është prerë.
Pastaj kuptoj.
Planeti nuk është pronë private.
As deti.
As era.
As ti.
As dashuria.
Bota është një tavolinë gjigante
ku të gjithë ulen pa ftesë,
ku çdo zemër duhet të mësojë
matematikën e pamundur të ndarjes.
Pranë nesh
ulen fqinjë të padisiplinuar,
kontinente,
gjuhë,
algoritme,
fëmijë që qeshin,
zogj që nuk njohin kufij,
yje që shpërndajnë dritën e tyre
pa kërkuar ekskluzivitet.
Dhe unë e kuptoj më në fund
se portokallia nuk është ngjyra e humbjes.
Është ngjyra e tranzicionit.
Ngjyra që lidh diellin me natën,
veten me tjetrin,
dëshirën me lirinë.
Të duash dikë
nuk do të thotë ta mbash në grusht,
por të pranosh
se ai do të ketë gjithmonë
një copë qielli të vetin.
Prandaj sot
e qëroj ngadalë portokallin.
Çdo fetë është një dorëzim.
Çdo aromë është një mësim.
Dhe bota,
kjo rivale e madhe e dashurisë sime,
papritur bëhet aleatja ime,
sepse vetëm duke të ndarë nga të gjithë,
mund të të dua
pa të humbur.








Oh, çfarë poezie!
E thëna e gjithë në zërin më të bukur:
Në zërin e tokës, që nuk na është dhënë ta “ konsumojmë deri në kockë”.
Në zërin e rivierës, që është kuptim bukurie dhuratë nga zoti.
Në zërin e biodiversitetit, si katalizator i rregullimit të jetës së gjallesave në ndërveprim me mjedisin.
Është zëri i ankimit të detit , ku valët nuk njohin “ urdhër” dhe “ kripa nuk di të ndalet në shekuj drejt bregut”.
Është zëri i pishës ,që nuk pranon” prerje”, si vlerë oksigjenike dhe kundërerozioni.
Është zëri i një flamingo e rrallë që e di ,se vlen “ sa një qytet ëndrrash”, por fatëkeqësisht nuk njeh e nuk di se çfarë është një
“luan…