top of page

Fatmir Terziu: Paradoksi i ditëve të fundit: Kash e lash

6 hours ago
4 min read

 

Ka një çudi të veçantë në atë që po ndodh këto ditë në Shqipëri. Ndërsa politika kërkon të duket gjithnjë e më moderne, skena e saj po na kthen te një lojë e vjetër popullore, te ajo që në shumë treva njihej si “Ta lashë”, ose “Kash e lash”. Loja ishte e thjeshtë. Njëri ndiqte të tjerët, sapo prekte dikë, i thoshte: “Ta lashë!” dhe barra e ndjekjes kalonte menjëherë te i prekuri. Dikur ishte argëtim fëmijësh, një provë shkathtësie e shpejtësie. Sot, në një kuptim krejt tjetër, duket sikur kjo lojë është shndërruar në një metaforë të politikës shqiptare. Dikush prek dikë, ia kalon barrën, dhe të gjithë vrapojnë që të mos mbeten “ai që e ka”.

Videoskandali i ditëve të fundit e ka sjellë edhe një herë në sipërfaqe këtë paradoks. Nuk është vetëm përmbajtja e një videoje ajo që duhet të na shqetësojë, por mënyra se si shoqëria, politika dhe mediat reagojnë ndaj saj. Rasti i Eli Farës, për shembull, është raportuar si një çështje ku ajo ka deklaruar se nuk ishte në dijeni se po filmohej dhe ka denoncuar publikimin e pamjeve. Kjo e zhvendos thelbin e çështjes nga kureshtja për imazhin te pyetja shumë më serioze: kush e kontrollon jetën private të njeriut dhe kush i jep vetes të drejtën ta kthejë atë në mall publik?

Këtu fillon paradoksi. Fillon se, një shoqëri që pretendon se po ndërton shtet ligjor, institucione moderne dhe standarde evropiane, nuk mund ta trajtojë privatësinë si një lodër oborri. Në lojën e vjetër, ai që prekej duhej të vraponte pas të tjerëve. Në realitetin e sotëm digjital, një video mund të prekë një njeri dhe pastaj të vrapojë vetë, nga telefoni në telefon, nga rrjeti në rrjet, nga një ekran në tjetrin. Askush nuk e di më se ku ndalet ajo. Dhe më e rënda: bashkë me videon vrapon edhe gjykimi moral i turmës. Por Shqipëria nuk po përballet vetëm me një krizë të etikës së rrjeteve sociale. Në sfond është një klimë politike e ngarkuar, ku prej muajsh përplasjet rreth korrupsionit, pushtetit, SPAK-ut dhe protestave kanë krijuar një atmosferë mosbesimi. Në këtë terren, çdo video, çdo deklaratë dhe çdo skandal mund të bëhet menjëherë armë politike. Dhe këtu “Ta lashë” nuk është më një lojë fëmijësh. Është mekanizmi i vjetër i politikës: unë nuk jam përgjegjës; përgjegjës është ai tjetri.

Nëse pamja prek pushtetin, fajin e ka opozita. Nëse prek opozitën, fajin e ka pushteti. Nëse prek një figurë publike, faji i kalon medias. Nëse media e publikon, fajin ia hedhin rrjeteve sociale. Nëse qytetari pyet, i thonë se po ushqen skandalin. Dhe kështu, si në lojën e lashtë, “ta lashë” kalon nga njëri te tjetri, ndërsa pyetja themelore mbetet pa përgjigje. Dhe pikërisht në këtë çast Shqipëria ka një tjetër zhvillim të rëndësishëm: pas një mungese prej gati tre vitesh, Shtetet e Bashkuara kanë tashmë ambasador të emëruar në Tiranë. Eric Wendt mbërriti më 25 shtator dhe më 26 shtator i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Në deklarimet e tij para Senatit amerikan, ndër prioritetet e përmendura ishin lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës, si edhe mbështetja për punën e SPAK-ut, me kushtin e ruajtjes së pavarësisë së tij dhe mbrojtjes nga ndikimi politik. Kjo është pjesa tjetër e paradoksit.

Në njërën anë, Shqipëria pret një përfaqësues të ri amerikan me një profil të fortë në siguri, mbrojtje dhe luftën kundër korrupsionit. Në anën tjetër, debati ynë publik vazhdon të rrëshqasë shpesh nga institucionet te videot, nga përgjegjësia te spektakli, nga prova te thashethemi, nga ligji te turma. A nuk është kjo një kontradiktë e madhe?

Ne kërkojmë që bota të na shohë si shtet serioz, ndërsa shpesh sillemi sikur shteti është ende një odë ku fjala më e fortë fiton mbi argumentin. Kërkojmë integrimin evropian, por në debatet tona politike shpesh përdorim metodat e oborrit: “ta lashë ty”. Kërkojmë institucione të pavarura, por sa herë një institucion prek interesin e dikujt, fillon loja e vjetër e etiketimit. Kërkojmë respekt për ligjin, por në rrjetet sociale shpesh japim dënime para se të flasë drejtësia. Ndoshta këtu qëndron edhe mësimi më i thellë i “Kash e lash”. Në lojën popullore, ndjekësi dhe i ndjekuri ndryshojnë role në një çast. Askush nuk është përgjithmonë ndjekës dhe askush nuk është përgjithmonë i ndjekur. Por politika shqiptare ka harruar pikërisht këtë: rolet ndryshojnë, ndërsa institucioni duhet të mbetet. Sot mund të jesh ti ai që ndjek; nesër mund të jesh ti ai që ikën. Sot mund të përdorësh një skandal kundër kundërshtarit; nesër i njëjti mekanizëm mund të kthehet kundër teje.

Prandaj, ardhja e ambasadorit të ri amerikan nuk duhet lexuar si ardhja e një “gjyqtari” të jashtëm që do të ndajë lojtarët shqiptarë në të mirë e të këqij. Përkundrazi, është një moment për t’i kujtuar politikës shqiptare se partneriteti me Shtetet e Bashkuara nuk mund të jetë vetëm fotografi, flamuj dhe deklarata miqësie. Vetë pala shqiptare e ka theksuar se SHBA mbetet partner i pazëvendësueshëm dhe se marrëdhënia strategjike lidhet me vlerat demokratike, sigurinë dhe integrimin evropian. Këtu duhet të ndalet loja, sepse një vend nuk mund të ndërtojë demokraci duke ndjekur vazhdimisht njëri-tjetrin me gishtin tregues. Demokracia nuk është “ta lashë”. Drejtësia nuk është “kash e lash”. Privatësia nuk është material për turmën. Një video nuk mund të jetë më e fortë se një institucion. Dhe një skandal nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se e vërteta që fshihet pas tij. Ndoshta paradoksi i këtyre ditëve është pikërisht ky: Shqipëria po hyn në një fazë të re diplomatike, ndërsa debati i saj i brendshëm rrezikon të mbetet në lojërat e vjetra. Një ambasador i ri vjen me fjalët korrupsion, siguri, institucione dhe pavarësi; ndërkohë, politika jonë ende vrapon pas njëra-tjetrës duke thirrur: “Ta lashë!”

Por një ditë duhet të pyesim: Kush do ta lërë lojën dhe do të fillojë shtetin? Shqipëria nuk ka më nevojë për një tjetër lojtar që të prekë tjetrin. Ka nevojë për një sistem ku askush të mos ketë mundësi t'ia kalojë përgjegjësinë tjetrit.

1 Comment


Pëparim Hysi
2 hours ago

Jo "Kash e lash",por ca më keq:një snobizëm dhe vetpëlqesë e një"qeveritari" që nuk shikon një"keqqeverisje" alarmante. Nuk e kupton dot se"statu quo" në gjithë treguesit merr notë negative. Rrofsh,or mik,që tund kambanat,por kyreqeveritari i ka të zënë veshët me dyllë dhe syzet i ka"larushe" që realitetin e japin si zhgënjim!

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page