Fatmir Terziu: Pak rrjeshta që kuptojnë një Irma tjetër
- 2 hours ago
- 3 min read

Në rrëfimin e saj të thjeshtë, por të ngarkuar me ndjeshmëri, Irma Kurti na vendos përballë një të vërtete që shpesh e anashkalojmë në ritmin e sotëm të jetës: përmasën e brendshme të lumturisë. Kujtimi i udhëtimit të saj të së shtunave, me kthesat e pafundme të Qafës së Kërrabës dhe me mjegullën industriale që mbulonte horizontin, nuk është thjesht një përshkrim realist i një kohe të caktuar, por një kontrast i qëllimshëm mes asaj që shihet dhe asaj që ndjehet. Ndërsa realiteti fizik paraqitet i ashpër, pothuaj i zymtë, realiteti shpirtëror i autores është i ndritshëm, i mbushur me mall dhe dashuri. Kjo zhvendosje e vëmendjes nga jashtë brenda është thelbi i një poetike që e sheh jetën jo si një seri rrethanash, por si një përjetim të brendshëm.
Në këtë këndvështrim, kujtimi i qytetit të fëmijërisë dhe i përvojave të para artistike, si ngjitja në skenën e Teatri Skampa, merr një dimension simbolik. Nuk është thjesht një hapësirë fizike, por një vend ku formësohet identiteti, ku dashuria prindërore bëhet shtysë dhe siguri. Figura e prindërve, e përqendruar në rreshtat e parë të sallës, përfaqëson një univers të tërë mbështetjeje, që për autoren është më i rëndësishëm se çdo audiencë tjetër. Kjo zgjedhje e fokusit tregon qartë se për Kurtin, vlera e përvojës nuk matet me madhësinë e saj publike, por me intensitetin emocional që ajo mbart.
Një tjetër element domethënës është jeta në konvikt, e përshkruar pa idealizim, por me një ndjenjë të thellë solidariteti. Mangësitë materiale nuk fshihen, por tejkalohen përmes ndarjes, humorit dhe miqësisë. Këtu qëndron edhe forca kritike e këtij rrëfimi: ai sfidon në mënyrë të heshtur konceptin modern të lumturisë si akumulim i pasurisë dhe luksit. Përballë këtij koncepti, autorja vendos një përkufizim tjetër, më njerëzor dhe më të qëndrueshëm: lumturia si përjetim i marrëdhënieve, si ndarje e vogëlsive, si pritje e ëmbël e një fundjave me familjen.
Në një kohë kur diskursi publik shpesh e barazon suksesin me dukjen dhe mirëqenien me pasurinë, ky reflektim i Irma Kurtit vjen si një kujtesë e butë, por e fuqishme. Ai nuk predikon, nuk moralizon, por përmes përvojës personale na fton të rimendojmë hierarkinë tonë të vlerave. Dhe pikërisht këtu qëndron bukuria e këtij mendimi: në aftësinë për të qenë njëkohësisht intim dhe universal, i thjeshtë në formë, por i thellë në përmbajtje.
Ja si shkruan Irma Kurti:
Kur isha nxënëse në shkollën e gjuhëve të huaja në Tiranë dhe kthehesha në shtëpi të shtunave me autobusin e linjës, rruga më dukej pafund e gjatë, me kthesat e shumta të Qafës së Kërrabës, me Metalurgjikun që mbulohej me një re të dendur tymi që shpërndahej deri në qytet. Ajo re pluhuri varej si një perde e trashë në hapësirë. Por unë nuk shikoja tymin, kthesat, nuk e ndjeja erën e fortë të Krastës që më shtynte si për të më kthyer mbrapsht andej nga kisha ardhur, sepse shpirtin e kisha plot me mall.
Qyteti ku kalova fëmijërinë më dha shumë: lojërat në park, pallatin e madh në formë L-je, praninë dhe përkujdesjen e babait, zërin e nënës që më thërriste nga kati i tretë. Ai zë mbetet muzika më e bukur që kam dëgjuar ndonjëherë! Atje u ngjita për herë të parë në skenën e teatrit “Skampa” për të kënduar… Nuk shikoja qindra njerëz që mbushnin sallën, por rreshtat e parë ku ishin prindërit e mi. Ata ishin forca ime!
Në konvikt, ata të shtëpisë më sillnin ndonjë pako për të kompensuar sadopak ushqimin që hahej në mensë. Atë pako e ndaja me shoqet, ashtu bënin edhe ato kur u mbërrinte nga familjet e tyre. Në konvikt, megjithë kushtet e vështira dhe mangësitë, dhomat mbusheshin me shaka dhe humor. Ishim të lumtura.
Lumturia nuk do të thotë vila, para që rrjedhin si lumë, makina të shtrenjta dhe luks. Lumturia ishin buzëqeshja, çiltërsia e miqësisë sonë, ato të shtuna kur shpirtin e kisha të ngarkuar me mall dhe të takoja prindërit në fundjavë ishte ëndrra më e bukur që bëhej realitet.








Comments