Fatmir Terziu: Kur trungu Baliu shton doktorantët

Nuk dua të them se ka kaluar pa vëmendje, sepse nuk dua ta besoj një harresë të tillë. Ka ngjarje që nuk bëjnë zhurmë, por kanë peshën e dheut të thellë, aty ku rrënjët lidhen me kohën dhe me kujtesën. Dikush mund të thotë: në fund të fundit është një arritje personale, një kurorëzim i një rruge individuale. Po, ashtu është. Por jo gjithmonë një doktoraturë është vetëm një majë e vetmuar; ndonjëherë ajo është një filiz i ri që del nga një trung i vjetër, i fortë, i mbushur me histori dhe përkushtim. Sepse mbiemri Baliu nuk është thjesht një shenjë identiteti. Ai është një trung që ka ditur të mbajë peshën e dijes dhe të përçojë frymën e saj në breza. Në këtë trung, dy figura qëndrojnë si shtylla të palëkundura: profesorët doktorë Myrvete dhe Begzad Baliu, që me punën e tyre të gjerë shkencore, me kontributet në studime dhe me përmasën e tyre atdhetare, kanë krijuar jo vetëm një emër, por një traditë. Dhe traditat e vërteta nuk shpallen, ato rriten në heshtje, në bibliotekat e mbushura, në auditorët ku fjala bëhet dritë.

Në këtë vazhdimësi, doktorimi i Erës nuk mbetet thjesht një njoftim i bukur në një ditë të shënuar. Ai është një frymëzim që dëshmon se rrënjët nuk janë tharë, se trungu vazhdon të jetojë, të ushqejë, të japë. Fjalët e saj të thjeshta, por të mbushura me mirënjohje – për prindërit, për mentorët, për familjen, nuk janë vetëm një falënderim, por një pasqyrë e një formimi ku dija dhe dashuria ecin bashkë. Sepse në thelb, kjo arritje nuk është vetëm e saj. Ajo është e atyre që e kanë mbështetur, e atyre që kanë dhënë nga vetja për të ndërtuar një rrugë më të lehtë për të tjerët. Është e prindërve që nuk kanë qenë vetëm prindër, por edhe mësues në kuptimin më të plotë të fjalës. Është e bashkëshortit dhe familjes që kanë qenë prani e qetë në sfond, duke e bërë çdo hap më të sigurt. Është e mentores që ka ditur të udhëheqë pa imponuar, të ndriçojë pa verbuar.

Dhe mbi të gjitha, është e një trungu që nuk resht së shtuari filizat e vet. Një trung që nuk mburret, por jep. Që nuk ndalet, por vazhdon. Sepse kur një familje e ndërton identitetin mbi dijen, çdo sukses individual bëhet një fitore kolektive, një dëshmi se rruga e nisur dikur nuk ka qenë e kotë. Kështu, doktoratura e Erës nuk është vetëm një titull i fituar. Është një vijimësi. Një dëshmi. Një degë e re në trungun Baliu, që tashmë ka mësuar të rritet jo vetëm në lartësi, por edhe në thellësi.
Doktorantja e re e gjuhës Angleze, Era Baliu, jo pa arsye, i paraprin arritjes së saj me një dedikim që tejkalon formalitetin dhe shndërrohet në një dëshmi të ndjeshme mirënjohjeje dhe vetëdijeje, ajo e vendos këtë sukses në rrënjët e familjes, tek prindërit si burim frymëzimi dhe mbështetjeje të pakushtëzuar, tek bashkëshorti si shtyllë dashurie dhe besimi, tek i biri Drin si vazhdimësi e besimit në dije, dhe më në fund tek vetja, si një akt i merituar vlerësimi për qëndrueshmërinë dhe besimin në rrugëtimin e saj.








Comments