top of page

Fatmir Terziu: PAGËZIMI I GURIT

  • Apr 6
  • 1 min read

PAGËZIMI I GURIT

 

Në buzë të dritës së parë dyshe

u çel një membranë e thektë,

ajri pushtoi hapësirën ndryshe,

dikush kishte zbritur një sekret.

 

Rrethnaja u qafua me një tis të ri,

ngjyrat u trazuan mbi horizont

kudo syri shihte vetëm bardhësi,

tjetër risi, tjetër mit, tjetër sfond.

 

Në thellësi të tokës së heshtur

diçka lëvizi ashtu e prushshme,

një dhuratë e lashtë e përfjetur

nga një prekje e padukshme.

 

Zërat e vegjël të vetë jetës

ngritën majuckat mbi bar,

e thënë përtej të vërtetës

dukej si një lutje pa fjalë.

 

Dhe ai, i pathyeshmi, i forti,

që nbante sekretin mbi shpinë,

u drodh një çast, nga i ftohti

nga pesha, nga dalja në dritë.

 

U bë më shumë se një trup,

pak më shumë se një gjë,

dëshmi e një fillimi me ngut

nuk kishte nevojë për zë.

 

Sepse çdo send i palëvizshëm

fsheh një zemër të përfjetur,

pret një çast të brishtë të ngishëm

për t’u bërë dritë duke u gdhendur.

 

Dhe kështu, pa ceremoni, pa emra,

fillimi ndodhi, ustai iu betua genit

gjithçka u skalit sikur ta do zemra,

e guri hodhi dritë në krye të rendit.

 

Çekiçi u pik në sytë e burrit,

ndodhi kështu pagëzimi i gurit.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page