top of page

Fatmir Terziu: Një sprovë e sprovuar e hulumtuesit Hamdi Hysuka



(Rreth librit të tij në botim: „Mërgimi shqiptar në vargje“ (Sprovë letrare) (2025)

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu

 

Mërgimi shqiptar në vargje“ (Sprovë letrare) (2025) e autorit Hamdi Hysuka udhëton me një siguri të plotë në terminologjinë më të zgjeruar të ditëve të sotme që vjen nga skuta e diskursit të „folklor“-it. E ndërsa kohërat që nga viti 1846, ato kohëra që u morën me folkloristikën europiane lanë pas vjershërinë popullore, bestytnitë, ritet, zakonet e legjendat, traditën, në kohët tona vetë „tradita“ mes penës së këtij hulumtuesi të denjë kërkon labirinthe të reja, të përshtatshme, diskursive me vetë atë që në fakt filloi të ndihej nga fundi i shekullit të XVIII-të, kur dhe vetë tradita, apo kultura shpirtërore e popujve u bë një objekt i rëndësishëm kërkimi dhe studimi. Parë në këndin e vetë „Mërgimi shqiptar në vargje“ (Sprovë letrare) (2025) nuk është thjesht një sprovë që hyn me shkas në psikologjinë e popullit, apo në rrëmimin e poezisë popullore, por një metodë interpretimi dhe qasje studimi të fakteve ekzistuese e të kërkuara, që ecin apriori në ato shkolla të hapura hershëm e që komunikuan me anët romantike, mitologjike, antropologjike etj.

Kështu Hamdi Hysuka kapërcen nocionin e primitivitetit, por bëhet në heshtje një Selim Hasani, i kohëve tona, që jo vetëm traditën popullore e barti me respekt të madh, po e çoi me krijimtarinë e tij në një shkallë më të lartë, sidomos në terminologjinë e fuqishme diskursive të migrimit. Autori i këtij libri na sjell me efikasitet elementët më të denjë nga thelbi i dëshmive të domosdoshme folklorike evoluese dhe diskursive të mërgimit. Duke kaluar në një rrugëtim të gjatë ai mes përkushtimeve lirike na sjell të freskëta elementët udhëheqës të këtij rrugëtimi në terminologjinë e kurbetit. Elementët poetikë të lirikave të mërgimit natyrisht kanë një rëndësi të madhe tek kjo sprovë e këtij autori që godet në shenjë dhe që natyrishëm tashmë kërkon një interes më të madh të njohjes rreth tij, krijimtarisë së tij, veprës së tij në vite.

Kështu pdyshim, një nga figurat aktive në jetën letraro-artistike matjane gjatë viteve të quajtura në tranzicion, padyshim është Hamdi Hysuka. Hamdi Hysuka u lind në Shëlli të Matit më 17 maj 1951. Ka kryer arsimin e mesëm në shkollën pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan dhe studimet e larta në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës, Fakulteti Gjuhë-Letërsi. Ka punuar mësues gjuhe e letërsie dhe drejtues në shkolla 9-vjeçare e të mesme.

Me veprën e tij letraro-artistike, Hamdi Hysuka lidh në fakt dy epoka jo vetëm përmes jetës së përshkruar, por edhe përmes atyre ideve inicuese dhe traditave krijuese që ai i mësoi nga figurat më të mira të vendit dhe të cilat i mbarti edhe pas në veprat dhe krijimtarinë e tij. Ngjarjet, njerëzit dhe marrëdhëniet gjatë viteve të angazhimit të tij, si dhe një numër momentesh nga rrugëtimi i tij në fushën e dukimit, pasqyrohen në veprën e tij, e cila ka edukuar disa breza. Hamdi Hysuka ka shkruar që në bangat e shkollës së mesme. Vëllimin e parë me poezi “Kam për të thënë” e botoi në vitin 1998, librin publicistik “Panoramë matjane” më 2003, ndërsa më 2015 vëllimin poetik “Pa moshë”.

Ekziston gjithashtu një sasi e madhe vlerash dhe vlerësimesh si për jetën ashtu edhe për veprën e tij, dhe mund të thuhet padyshim se një numër studiuesish, kolegësh, kritikësh, i kanë kushtuar një pjesë të konsiderueshme shkrimeve të tij, dhe me të drejtë mund të flasim edhe për atë që revista “Emathia” e ka vlerësuar me çmimin “PENDA BUDI 2011”. Ndër përfshirjet e tij në antologji dhe projekte të tjera, bien në sy përfshirjet në Antologjinë “Në gjurmët naimjane”, Përmet 2015 e 2018, Antologjinë për Çlirimtarët Iliaz Kodra dhe Antigoni Fazlliu, Prishtinë 2014. ky autor është pjesëmarrës në përmbledhjen me poezi “Një vjeshtë me Migjenin” Pukë 2016, në Antologjitë “Shqipëri” dhe “Shqipëri, nëna ime” e Klubit Letrar “Zahir Pajaziti” Podujevë, Antologjitë “Jehona shqiptare” Tiranë 2018, 2019; Antologjinë “Një krismë pushke për liri” e autorit Milazim F. Kadriu, Prishtinë 2019;  Antologjinë “Të tjerët për Lame Kodrën” e autorit Riza Çato, Malëshovë 2019, Antologjinë “Bllaca ‘99” kushtuar 20-vjetorit të gjenocidit serb në Kosovë. Hamdi Hysuka është gjithashtu autor përgatitës i Antologjisë së poezisë matjane “Udhëtare me pranverën”, 2015.  


Poeti matjan, Hysuka, është fitues i çmimit të tretë në Festivalin e Dytë të Poezisë Shqipe me krijimtari për Plisin e Bardhë, organizuar nga Shoqata Mbarrëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren 2016; fitues i çmimit “Instituti Albanologjik i Prishtinës, Komplet veprash letrare-shkencore”, në Festivalin Ndërkombëtar “Drini poetik” në Prishtinë, Prizren e Kukës të LSHA të Kosovës, 10 qershor 2018; fitues i çmimit të parë i konkursit letrar “Ramiz Kelmendi” në manifestimin letraro-poetik tradicional “Flaka e Janarit, 2019”. Që nga viti 2002 është kryeredaktor i gazetës periodike “Mati”. Aktualisht drejton Klubin letrar “Pjetër Budi” Mat.

Një pjesë e madhe e poezive të poetit dhe hulumtuesit Hamdi Hysuka u shkruan për një rast të caktuar. Tekstet e tij përpiqen të shpjegojnë me sa më shumë detaje të jetë e mundur shtysën për krijimin e tyre. Ata nuk e fshehin, dhe në shumë raste e reklamojnë hapur, lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me realitetin dhe dëshirën e poetit për të përshkruar imazhin konkret të këtij realiteti. Kjo është arsyeja pse gjendja e heroit lirik të këtij poeti është e përshtatur sipas një preteksti, ose ngjarjeje të vërtetë, dhe shumë nga poezitë e tij mund të lexohen si një kronikë emocionale e kohës që ka kaluar. Por kjo kronikë është e veçantë. Pavarësisht se sa i drejtpërdrejtë mund të jetë një projeksion i një tabloje aktuale socio-politike, ose historike, ai nuk duhet të perceptohet si tërësisht objektiv, jo vetëm sepse në këtë mënyrë e reduktojmë rolin e poetit në atë të një regjistruesi të thjeshtë të asaj që ka ndodhur. Dhe poezia e poetit Hamdi Hysuka, megjithëse e lidhur me realitetin e dhimbshëm të migrimit, është pasqyra e tij. Krijimtaria e tij është simbol i atdhetarizmit, ndërsa veprat e tij janë mësime të vërteta dashurie njerëzore, patriotizmi të mirëfilltë. Nuk ka asnjë autor tjetër në vendlindjen e tij, vepra e të cilit është pëlqyer dhe komentuar kaq gjerësisht, dhe është vendosur në vlera dhe kënde vlerësime edhe në shumë rasye, jashtë vendit.

Nga të gjithë poetët matjanarë, Hamdi Hysuka është një nga përfaqësuesit më të gjallë të dashurisë dhe mallit të të gjithë popullit shqiptar për këtë tokë tonë të shumëvuajtur.

Mati për poetin Hysuka është një kult, një kult për kohën përkushtuese, për matjanët më të dashur të tij dhe për ata që jetojnë në mërgim, të cilët asnjë vuajtje dhe fatkeqësi nuk mund t'i thyejë gjatë vargut të gjatë të vuajtjeve.

Hamdi Hysuka është një nga artistët e aftë e të vendosur që mban ndezur shkëndijën e dashurisë tek brezat në rritje për këtë tokë të shenjtë tonën, një dashuri që ai e ka ruajtur vazhdimisht gjatë gjithë viteve të aktivitetit të tij letrar dhe edukativ. Jo vetëm dashuri, por edhe vullnet për tu integruar, për të sakrifikuar për hir të jetës së lirë e të shumëëndërruar. Sepse Mati është martiri shqiptar që ka vuajtur më shumë sakrifica për lirinë dhe drejtësinë shqiptare.

Dashuria e autorit Hamdi Hysuka për folklorin e vendlindjes së tij daton që kur ai ishte fëmijë, kur dëgjonte këngë popullore matjane. Ato zgjuan tek ai interesin për Folklorin, traditën, doket dhe zakonet dhe ia ushqyen dashurinë për të, e cila nuk u shua kurrë.

Në librin më të ri „Mërgimi shqiptar në vargje“ (Sprovë letrare) (2025) Hamdi Hysuka hyn në një sprovë të thellë, të detajuar e të mirëideuar, ku i mëshon fakteve të tilla, si „Folklori u lind, u zhvillua, u rrit dhe u trashëgua bashkë me shqiptarin. Përmes folklorit populli ynë manifeston talent, potencial shprehës shpirtëror, aftësi promovuese.“ (Hysuka, 2025: 2), apo dhe në vend të hyrjes, ku ai parashtron për lexuesin “Intervistë” me folklorin“ (ibid), dhe më pas „Këngë të vjetra e të reja mërgimi“ e deri tek poezia e tij e fundit në rreth katërqind faqet e kësaj sprove letrare më këtë tematikë të thukët. Ai trajton këtë temë të mërgimit që nga Skënderbeu, arbëreshët e Italisë, Sami Frashërin, Pashko Vason, Jeronim De Radën, Filip Shirokën, Naim Frashërin, Gjergj Fishtën, Ndre Mjedën, Aleksandër Stavre Drenovën (Asdreni), Andon Zako Çajupin, Fan S. Nolin, Faik Konicën, Ernest Koliqin, Martin Camajn, Lefter Çipën.

Kjo temë e mbështetur në gjetjet e atyre këngëve mbetet një dokument i gjallë, jo vetëm i arsyeve të lidhura me to, po i një pasurie të përgjithshme popullore. Me gjithë tonin e ndryshueshëm në vite që e kanë  këto gjetje dhe prurje efikase të autorit, ato janë dhe mbesin shprehje të një realitetit të dhimbshëm, ndonjëherë elegjiak, që gjithnjë ka qenë një brengë shpirti dhe një kaskadë që mbeti në arsyet e saj edhe në këto vite.

Autori në fillim të këtij libri jo më kot shkruan: „Largimi i njerëzve nga vendi i tyre në një vend tjetër për të punuar dhe për të jetuar është emigrim, mërgim, kurbet...“, për vetë faktin për të na rikujtuar evolucionit e termit dhe terminologjisë së këtij faktori që ka krijuar rrënjë fjale, dhe disproporcion ndryshe në përditësi e në krijimtari. Dhe në këtë diskurs autori thotë se „Origjinaliteti i këngëve të përzgjedhura të kurbetit është i plotë. Ato janë antologjike, krenari kombëtare, sidomos “Liria ka emër” (Këndon: Leonora Jakupi). Po kështu tek këngët që këndojnë Lirie Rasha „Mjeshtër i Madh“, Jak Gegaj, Petrit Lulo, grupi ,"Djemtë e detit", Lezhë, apo dhe tek tekstet e poetëve Ismail Kadare, Esad Mekuli, Viktor Gjikolaj, Vahit Nasufi, Arben Duka, Daniel Cana, Ramazan Çeka „Mjeshtër i Madh“, Demir Krasniqi, mbledhës i folklorit, e mjaft të tjerë.

Vetë rrënja e terminologjisë diskursive „kurbet“ në këtë libër shfaqet mbi treqind e nëntëmbëdhjetë herë, duke u plotësuar me formën tjetër diskursive të kontekstit „mërgim“ në një përdorim të përafërt me njëqind e tëtëdhjetë raste, e kështu me përfshirjen tjetër „Diasporë“ në rreth njëzetë e dy raste. Dhe pse ndodh evoluimi? Vetë autori shpjegon: „Dikur braktisëm vendin nga trysnia e pushtuesve, më vonë ikëm nga komunizmi, sot braktisim vendin nga qeveritarët e paaftë që i kemi. Kur shteti nuk është i aftë t'i mbajë njerëzit brenda, është e njëllojtë si kur prindi nuk mund t'i ushqejë dhe mbajë fëmijët në shtëpi. Prindi mund të arsyetohet, pushtetarët jo.“ Dhe kështu shkojmë tek thelbi, pesimizmi, tek ajo që shkon vite të tëra mbrapsht, në kohën e nizamëve, me të cilën Folklori ynë ka bërë udhëtim të gjerë e të gjatë: „Në letërsinë tonë popullore, më tepër se çdo lloj tjetër, pesimizmin e shprehin këngët e nizamëve, në të cilat ndjehet brenga e thellë e familjarëve, që mbesin pa ndihmën e mashkullit në shtëpi. Ato këngë rapsodët e Preshevës i këndojnë me dhimbje.“  

Në këtë diskurs të përfshirjes autori ka përfshirë me përkujdesje çdo pikë të truallit shqiptar, çdo detaj të krijimtarisë gojore të trashëguar, çdo element që i shkon përshtat vetë tematikës së marë në konsideratë, dhe kështu nga një sprovë ka mundur të hyj thellë në bedenat e një Antologjie të domosdoshme e të ndjeshme, përgjatë një mirëfilli që duhet vazhduar më tej në hulumtime të thellë, profesionale dhe të denja. Themi kështu se mërgimi, largimi nga trualli prodhon më së shumti mall në infinit. Dhe malli që përshkruhet në rreth dyqind raste ka për bazë pikërisht atë lidhje me mallin për vendlindjen dhe familjen, të cilën folklori dhe realiteti e kanë bashkëparalelizuar me dhimbje në vite.

Duke përfunduar mund të themi se „Mërgimi shqiptar në vargje“ (Sprovë letrare) (2025) e autorit Hamdi Hysuka mbetet si një fakt i shtjelluar kulturor në këtë destinacion të vlerës poetike, që qas me bindje, të gjithë elementët e domosdoshëm në një udhë të tillë, që ka kaluar „ikjen“; „largimin“, „detyrimin“, apo thjesht „e-migrimin“ në vrimë të gjilpërës ndër shekuj e ndër vite, por dhe me dhimbje.

コメント


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page