top of page

Fatmir Terziu: Një gjest vëmendjeje

ree

 

Të shkruash për poetin Mujo Buçpapaj është si të përpiqesh të regjistrosh heshtjen e një mëngjesi në një mjedis universiteti, atë heshtje plotë premtime, mendime dhe një buzëqeshje paksa shtesë. Është një rezistencë të flasësh për të në kohën e shkuar. Është gjithashtu një rezistencë ndaj vetë pranisë së tij, ashtu siç mbahet mend, jo si dikush që ndërpret, por si dikush që është i pranishëm me vëmendjen e tij. Ai që bën pyetjet, ku të gjithë shpresojnë se nuk do t'i dëgjosh, por që duhet t'ia bësh vetes. Ai që dëgjoi në një mënyrë të tillë që të ndihesh i kuptuar edhe para se të jesh shprehur mirë.

Mujo Buçpapaj nuk i pëlqen frazat „Poeti madh“, ose „Model i krijimtarisë së tij“,  ai ndoshta do të buzëqeshte me trishtim nëse do t'i lexonte. Por ne, që përpiqemi të përshkruajmë rolin e tij në strukturën kulturore të shkrimit, krijimtarisë, botimit dhe poezisë, gjatë tridhjetë viteve të fundit, përballemi me detyrën e vështirë të gjejmë fjalë të tjera. Fjalë që kombinojnë rezistencën e tij ndaj arrogancës me besimin e tij në kulturën si vendbanimin e dinjitetit. Sepse kjo është pikërisht ajo që është Buçpapaj, hyn vërtetë në aradhën e madhe të fisit krijues, por dhe të mbiemrit, që në jo pak raste e inspiron: jo vetëm një prani në media, në letërsi, në studime shkencore, por një vend vlere, një strehë intelektuale, një zë tek i cili kthehesh kur kërkon kuptim dhe mirëkuptim me gazetën e tij letrare „Nacional“.

E njohim si gazetar, redaktor letrar, si poet, mësues, kritik, botues, studiues. Por në fakt, ai është një nga rezistencat më të buta dhe të qëndrueshme kundër depersonalizimit të fjalës, kundër publicitetit cinik, kundër përdorimit të pakujdesshëm të dijes. Në një botë që shpesh i ngre zërat e saj si armë, Mujo Buçpapaj preferon të jetë akustik, ajo rezonancë në të cilën zërat e të tjerëve mund të fliten deri në fund. E ndërsa e riskedon kohën me kolegun nga redaksia e „RD-së drejt Qytetit „Studenti“ në Kryeqytet ende rifreskon bisedën e thjeshtë në detyrë „Nuk jam nga ata njerëz që besojnë se duhet të bërtasësh për t'u dëgjuar...!“

Dhe ka të drejtë, jo sepse bota dëgjon domosdoshmërisht heshtjen, por sepse vetëm në heshtje mund ta dëgjosh veten. Poezia e tij, thuajse është e tillë, puna e tij është e ngjashme, kritika dhe puna e tij editoriale bashkohen në këtë përkushtim pothuajse monastik ndaj vëmendjes, ndaj fjalëve, ndaj poetëve, ndaj autorëve, kolegëve, ndaj pyetjes së mirë që nuk ka frikë të mbetet pa përgjigje.

Kur të mungon dikush, sidomos kur je larg, larg Atdheut, mund ta kërkosh në librat e tij, në artikujt e tij, në poezitë e tij, në librat që të delegojnë miqtë si Halil Rama, apo dikush tjetër, apo në librat që të rekomandojnë dhe rrjetet sociale. Por kur të mungon një koleg, një person, një poet si Mujo Buçpapaj, aty ku dekadat bëjnë punën e tyre, të mungon edhe ajo hapësirë ​​për empati që ai krijoi gjatë kohës kur punove me të, me heshtje, me zë, me prani. Të fillosh këtë portret do të thotë të pranosh se asnjë fjalë nuk është e mjaftueshme, e megjithatë t’i kërkosh ato në poezi të tilla si cikli i tij „Statuja e erës“ do të thotë të kesh diskursin e një sfide poetike të ndjeshme. Kështu, ndoshta dhe shumë i vonuar ky shkrim për një koleg, një poet i tillë, ai mbetet një infrastrukturë kulturore e shkëlqyer e kësaj shoqërie.

Në infrastrukturën kulturore të një shoqërie, ka njerëz që nuk qëndrojnë në një piedestal, por pa ta piedestali shembet. Të tilla janë institucionet e padukshme, ata individë që nuk janë të fuqizuar institucionalisht, por mbi përkushtimin e të cilëve bazohet ndjenja se dija, kultura dhe dialogu ende ekzistojnë. Mujo Buçpapaj e vërteton me tërë këtë angazhim sublim, me tërë aktivitet të ndjeshëm etë madh, se është një institucion i tillë. Pa një zyrë qeveritare, pa një titull të rëndë presidencial, pa një fjalë zyrtare me shkronjë të madhe. Thjesht një person që kushdo që kishte nevojë për një fjalë, këshillë, kritikë dashamirëse, di ku ta gjej, di ku të drejtohet, di ku të botohet.

Si redaktor letrar i gazetës „Nacional“ Buçpapaj nuk është vetëm një figurë prapa skenave. Ai është një skenograf vëmendjeje, që zgjedh se kujt t'i japë një skenë dhe cili tekst duhet të dëgjohet. Roli i tij në skenën letrare dhe intelektuale shqiptare nuk mund të vlerësohet nga numri i botimeve, ose çmimeve. Sepse kontributi i tij qëndron diku tjetër, në ftesën e zërave të rinj në sytë e publikut, në riorganizimin e prioriteteve, në dhënien e një zëri atyre që përndryshe do të kishin mbetur në hije. Jo sepse janë pa zë, por sepse janë të brishtë, të prekshëm, debutues, të ndryshëm.

Ai është, nëse mund të përdorim një shprehje të tijën, ndërmjetësi midis fjalës kulturore dhe pëshpëritjes njerëzore. Ai arrin ta përkthejë zhargonin akademik në ndjeshmëri njerëzore, ta zbërthejë stilin pretencioz në një pyetje njerëzore, t'i japë poezisë një territor në të cilin nuk ka nevojë të bërtasë. Si redaktor, ai është një nga të paktët që mund të korrigjojë një poezi në një mënyrë të tillë që autori të ndihet më mirë, jo më i shtypur.

Kështu me „Nacional“ Buçpapaj nuk krijoi ndoshta një shkollë, por krijoi një rrjet simpatizantësh. Njerëz që e kuptojnë se nuk duhet të jesh i fortë për të qenë domethënës. Se mund të jesh i rëndësishëm pa qenë i rëndësishëm. Se mund të jesh një forcë e qetë që nuk kërkon njohje, por lë një gjurmë. Një forcë që transmetohet me dashuri, jo me ambicie.

Mujo Buçpapaj jashtë të gjithave është qytetar i vlerës poetike dhe i vetë poezisë. Ai kurë nuk është bërë një sprovë i atyre patetikëve, me daulle dhe britma kafenesh. Por sikurse e njoh që nga koha kur promovova në Tiranë, librin tim „Kritika Ndryshe: Një vëzhgim në Brendësi të Prozës dhe Poezisë Shqiptare“ Vëllimi i Parë (2009) ai ka mbetur mes atyre që e ruajnë dritën në heshtje në afërsi të fjalëve. Ai është i tillë dhe tek efekti dhe tematika në poezi. Poezia e tij nuk ka nevojë për efekte, as për tema të mëdha dhe as për një formë imponuese. Por pikërisht në këtë modesti të vetëdijshme, në këtë kujdes të kujdesshëm për detajet, qëndron rezistenca e tij kundër vrazhdësisë së botës.

Mujo Buçpapaj nuk ka poezi deklarative. Por gjithçka në të është një pozicion. Jo ideologjike, por njerëzore. Në poezitë e tij nuk ka slogane, por ka etikë. Nuk ka zemërim, por ka trishtim. Dhe jo ai trishtim patetik që kërkon simpati, por trishtimi i butë, kontemplativ që është i vetëdijshëm se bota është e plagosur dhe e vetmja gjë që mund të bëjmë është të mos e thellojmë plagën. Për të, poezia nuk është armë, por një gjest. Një gjest simpatie. Një gjest vëmendjeje. Një gjest refuzimi për të pranuar se cinizmi është më i pjekur se shpresa. Shkrimi i tij është i prekshëm dhe për këtë arsye, i fortë.

Kjo ndjeshmëri, si ndaj shoqërores ashtu edhe ndaj personales, nuk përjashtohet kurrë në tekstet e tij. Edhe kur shkruan për atësinë, për dashurinë, për mjedisin familjar, poeti brenda tij nuk pushon së qeni qytetar. Dhe kur shkruan për politikën, për publicitetin, për pushtetin, ai nuk pushon së qeni bir, bashkëshort, baba, banor i një trupi që ndjen dhimbje. Kjo ndërthurje e bën poezinë e tij të vështirë për t'u cituar, por të lehtë për t'u njohur. Ai ka heroizëm në poezitë e tij. Ka njerëz që e duan Kombin, Atdheun, familjen dhe progresin. Ka njohuri delikate që nuk vijnë si një shkreptimë rrufeje, por si një llambë mbi tavolinë. Poezia e tij, krijimi i tij, shkrimi i tij nuk dëshiron të mbahen mend dhe pikërisht për këtë arsye mbeten.

Nëse do të duhej të përmblidhja, poezia e tij është një mësim mbi njerëzimin. Jo për shkak të temës së saj, por për shkak të qëndrimit të saj ndaj lexuesit. Nuk e bën atë të admirojë, por të shikojë. Nuk i thotë atij se çfarë të mendojë, por e nxit të qëndrojë pak më gjatë në heshtjen midis fjalëve. Me poezitë e tij, Mujo Buçpapaj nuk shkruan për Tranzicionin, por në to gjithçka që Tranzicioni u bën trupave dhe shpirtrave tanë është e dukshme. Ai nuk është një poet proteste, por poezia e tij është një protestë kundër humbjes së empatisë. Koha pas vitit 1990 është një kohë rivlerësimi dhe poezitë e tij mbajnë themelin e vlerës që shoqëria jonë po kërkon, edhe kur bën sikur nuk interesohet.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page