top of page

Fatmir Terziu: Një eveniment që nderon jo vetëm Bibliotekën e Elbasanit dhe Klubin e Krijuesve…


Biblioteka Publike „Qemal Baholli“ e Elbasanit, që vetëm pak kohë më parë festoi 90 vjetorin e themelimit të saj, një ngjarje kjo që rrit interesin e publikut në Elbasan e më gjerë për historinë e Bibliotekës, në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit ka zhvilluar një takim letrar me në fokus Klubin e Krijuesve Elbasan. Sipas njoftimit të kësaj Biblioteke në rrjetet sociale mësohet se „Në takim u kujtuan autorë të cilët nuk janë më mes nesh, por që kanë lënë gjurmë në letrat shqipe, si dhe ju dha zë krijuesve të rinj.“ Në këtë eveniment të rëndësishëm kanë përshëndetur me fjalën e tyre miqtë e përhershëm të bibliotekës, Ingrid Zaimi, Marcela Neni, Elena Xhina, Greta Kadare, Bardhyl Toda, Ildije Xhemali etj.

Por ajo që është shumë e rëndësishme është se „Biblioteka nderoi Klubin e Krijuesve me certifikatë mirënjohjeje, si falënderim për bashkëpunim të vyer ndër vite dhe në fund, për të respektuar traditën mbarëbotërore të datës 23 prill, të pranishmit dhuruan lule dhe morën libër në këmbim“.

Duke marë shkas nga ky eveniment, sigurisht nga Certifikata shumë domethënëse dhe kuptimplote, dhe dhurimi i luleve në këmbim të një libri për 23 prillin, mund të themi se vlerat origjinale të shpirtit elbasanas - patriotizmi, puna e palodhur, filantropia dhe toleranca – krijimtaria dhe botimet, respekti për librin dhe leximin, vazhdojnë të rimarin një temë themelore për shoqërinë e gjerë të krijuesve. Shkrimtarët elbasanas ndihen të thirrur, nëpërmjet pranisë së tyre aktive qytetare dhe krijimtarisë së tyre, për të ruajtur dhe për t'ua përcjellë brezave të ardhshëm këto vlera të botëkuptimit të popullit. Ata me këtë rast bashkërisht me stafin e Bibliotekës „Qemal Baholli“ që drejtohet nga zonja Manjola Hatellari, kërkojnë dhe forcojnë shembuj për t'i ndjekur në historinë e ndjeshme elbasanase, dhe përpiqen kështu të ringjallin vlerat historike, të ringjallin shpresën se dashuria për librin dhe leximin - nuk ndodh të ishte humbur.


Duke parë këtë bashkëpunim të bukur dypalësh, mes „shtëpisë së librit“ (në këtë rast Biblioteka „Qemal Baholli“) dhe të „dashuruarve të librit“ (sigurisht anëtarët e nderuar të Klubit të Krijuesve Elbasan), natyrisht jep të qartë të nënkuptohet bukur dhe fort mirë, pse UNESCO shpalli 23 prillin si Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave të Autorit. Me këtë rast dua të kujtoj se më kujtohet një histori e tillë bashkëpunuese lindi disa vjet më parë në Kryeqytetin maroken, Rabat, ku më pas ndikoi më pas pozitivisht që Kryeqyteti maroken, Rabat, të shpallej edhe si Kryeqyteti Botëror i Librit për vitin 2026. Këtë e shpalli publikisht Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në faqen e saj të internetit. Pra Rabati që kishte një bashkëpunim të tillë, dhe që tërhoqi vëmendjen e UNESCO-së si shkas do të jetë Kryeqyteti Botëror i Librit në vitin 2026.

Tashmë ky qytet është një ndërthurje kulturore ku librat ndihmojnë në përhapjen e njohurive dhe kulturës në të gjithë diversitetin e tyre. Por gjithashtu duhet theksuar se ngritja e një industrie lokale të librit, tashmë atje ka filluar të luaj një rol vendimtar në zhvillimin edhe të arsimit. Këto veprime janë në përputhje me kërkesat e UNESCO-s", është shprehur Drejtoresha e Përgjithshme e organizatës, Audrey Azoulay. Sipas Azoulay, industria e librit në Rabat nuk është vetëm një pjesë e rëndësishme e ekonomisë së qytetit, por është gjithashtu me rëndësi të madhe për demokratizimin e dijes. Kryeqyteti maroken është i përkushtuar ndaj zhvillimit të letërsisë, edukimit të grave dhe të rinjve përmes leximit dhe luftës kundër analfabetizmit, veçanërisht në mesin e disa komuniteteve që jetojnë në vend, thuhet në deklaratë. Si Kryeqyteti Botëror i Librit në vitin 2026, Rabati do të organizojë një sërë aktivitetesh që synojnë t'i ofrojnë publikut akses në libra, të inkurajojnë leximin dhe të mbështesin industrinë lokale botuese. Iniciativat e tjera do të shtohen më 23 prill 2026, kur do të festohet Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit.

Po Elbasani sa i ka shanset e tilla? Natyrisht nuk është Kryeqytet, por nëse shkojmë në traditë dhe në respekt të leximit të librit, në respekt të arsimit e të tërësisë lidhëse, Elbasanit i takon të paktën ta ketë këtë nder si një qendër që gjithnjë ka promovuar e promovon ende respekt ndaj librit. Është larg për të pretenduar, por duhet lehtë për ta menduar, se asgjë nuk është e pamundur. Thjesht duhet bashkëpunuar, dhe natyrisht asgjë nuk humbet duke provuar.

Sidoqoftë le të shkojmë tek kryesorja: Urime Bibliotekës „Qemal Baholli“ që mban hapur derën për shkrimtarët dhe poetët, dhe natyrisht urime të shumta zemre për Klubin e Krijuesve të Elbasanit që në mënyrë meritore u nderua me certifikatë mirënjohjeje, si falënderim për bashkëpunim të vyer ndër vite, dhe jo vetëm kaq, por që e respekton dhe e mban hapur këtë Portë të Madhe të Librit.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page