top of page

Fatmir Terziu: Një bisedë ndryshe me njeriun e Drejtësisë Njazi Ramazan Seferi

ree

Një bisedë ndryshe me njeriun e Drejtësisë Njazi Ramazan Seferi

 

Prof. Dr. Fatmir Terziu


Ka kohë që në mendjen time më ka mbetur portreti i dy kohëve të takimit me një të njohur, fisnik, intelektual, i denjë, i drejtë, dhe Njeri i Mirë. Dhe në të dy kohët në mendje më sillet Konfuci kur thotë “Njeriu i denjë e di se çfarë është e drejtë, njeriu i thjeshtë e di se çfarë është e dobishme“. Por ndërsa ky njeri i njohur është „njeriu i drejtësisë“ tek ky pikëtakim shprehja „njeriu i zakonshëm i drejtësisë“ është e pasaktë, por ndoshta i referohet idesë së Konfucit se një njeri i denjë e di se çfarë është e drejtë, ndërsa një njeri i zakonshëm e di se çfarë është e dobishme. Në thelb, një njeri i denjë udhëhiqet nga parimet e drejtësisë, ndërsa një njeri i zakonshëm udhëhiqet nga parimi i tij personal.

Kështu ky i njohuri im është Njazi Ramazan Seferi. Dhe pa e piketuar dhe trajtuar në udhëjetën e tij si fillim, pa e deleguar shkrimin tek profesioni i tij në drejtësi, nënkuptohet qartë se një njeri i denjë si Njaziu, është vërtet një njeri i udhëhequr nga drejtësia në veprimet e tij, që në këtë kontekst ndryshon nga thelbi se një njeri i zakonshëm mbetet i udhëhequr nga fitimi në veprimet e tij.

Me këtë parim të drejtësisë në vetvete, dhe të thjeshtësisë që në gen, Njaziu, ka udhëtuar në jetë të ndërtoj së pari besimin e bekuar nga prindërit e tij, Servetja, një zonjë grua e nderuar dhe e respektuar në vendlindjen e saj, si një familjare model dhe një nënë shembullore, dhe i ati Ramazani, i nderuar me dekoratën e lartë „Hero i Pnës Socialiste“, një intelektual i thjeshtë dhe mjaft i denjë për shoqërinë dhe familjen e tij. Kështu ai ka ndërtuar vetë një familje model. Ai është vetë një model për familjarët e tij dhe fëmijët e tij Erion, Holta dhe Jonida. Të gjithë janë të edukuar dhe të arsimuar në shkallët më të larta të mundshme. Holta ka punuar për një kohë të konsiderueshme si specialiste  tek Ministria e Arsimit dhe Jonida si e tillë tek Ministria e Shëndetësisë. Dhe kështu nga vetvetja, duke parë ndër vite formularët e deklarimit, dhe po ashtu dhe respektin që Njazi Ramazan Seferi gëzon si në shoqëri ashtu dhe në profesionin e tij të Prokurorit ndjejmë qartë se ai ka vënë theksin tek drejtësia dhe padrejtësia.

Si e tillë drejtësia dhe padrejtësia janë cilësi të njerëzve që jetojnë në shoqëri, jo në vetmi. Drejtësia kundrejt padrejtësisë, sipas këti modeli nënkuptohen si dy anët e së njëjtës monedhë, të cilat duket se luajnë një rol vendimtar në jetën tonë. Të dyja janë shumë të ngjashme, dhe kur dikush fillon ta anojë shumë peshoren në një drejtim, pala tjetër fiton menjëherë një avantazh. Ekuilibër, logjikë, harmoni, pra aty ku vetë jeta në vetmi është si një monedhë me dy anë të barabarta. Dhe ashtu siç shoqëria krijon dallime, dhe vetmia i fshin ato, ajo gjithashtu ndihmon për të dalluar këto dallime. Jeta në vetmi apo në zhurmën e shoqërisë. A çojnë dallimet në drejtësi apo padrejtësia në drejtësi? A çojnë doza të mëdha drejtësie në padrejtësi?

Dhe ndoshta mungesa e drejtësisë dhe padrejtësisë është një gjendje e lumtur përtej të gjitha kufijve dhe kornizave që shoqëria i vendos vetes për të mos lejuar që dallimet të dëmtojnë askënd. Pse u shfaq padrejtësia në fillim kur gjithçka ishte e drejtë? Kush kishte nevojë për këtë. A mund të jetë një person i vetmuar i drejtë dhe pse nuk do të ishte? Ndoshta sepse e kuptoi se i mungonte diçka dhe po kërkon një mënyrë për ta kompensuar atë. Dhe a kemi nevojë për njëri-tjetrin për të provokuar njëri-tjetrin dhe për t'u rritur? Dhimbja dhe vuajtja na ndryshojnë dhe lindin drejtësi të re. Çfarë të them, nuk ka drejtësi dhe padrejtësi, gjithçka ndodh sepse duhet të ndodhë, edhe nëse nuk e kuptojmë.

Me këtë bisedë në dykohësi me Njazi Ramazan Seferin, njëra e largët dhe tjetra në vitin që po lëmë pas, më qartësoi më shumë për këtë portret Njeriu të lidhur me të Drejtën dhe Drejtësinë. Dhe të dyja këto na sqarojnë vetë shoqërinë, atë që na lidh me vetë thelbin e saj. Por çfarë është në të vërtetë shoqëria në një realizim portreti të tillë, në një bisedë që pas fuqisë së makinës që na udhëheq Agim Xhevahir Kasa, vetëm se ndërron gjeografi, jo atë që përbën thelbi i një thjeshtësie shoqërore në respektin e saj si bashkësi njerëzish. Dhe shumë shpejt nënkuptojmë se një bashkësi njerëzish, secili prej të cilëve ka funksionet e veta, vendin e vet nën diell, interesat dhe vlerat e veta mbetet në thelbin e sqarimit. Shoqëria i ngjan një aeroporti ku punojnë mijëra njerëz. Secili ka detyrat e veta për të cilat merr shpërblimin e vet. Nga pastruesit te pilotët, secili prej tyre punon për një kauzë. Secili kombinon aftësitë, njohuritë dhe shkathtësitë e veta në emër të kësaj kauze. Dhe në fund, ndodh një mrekulli. Çdo ditë, mijëra njerëz fluturojnë mijëra kilometra për të arritur në vendlindjet e tyre, ose për të përfunduar një marrëveshje të rëndësishme në anën tjetër të botës, ose thjesht për t'u çlodhur. Falë këtij bashkësie njerëzish, këtij organizmi, të ndërtuar nga njerëz që punojnë së bashku, që shkëmbejnë ide, përvoja, që ndihmojnë njëri-tjetrin. Sepse kur jemi së bashku jemi më të fortë! Nëse do të jetonim në vetmi, nuk do të kishim arritur atë që kemi tani. Në fakt, as nuk do të mbijetonim. Kur një person është vetëm, ai nuk zhvillohet, thjesht nuk ka nevojë për të. Nuk ka askënd me të cilin të krahasojë intelektin dhe forcën e tij. Ai nuk mund të fluturonte në hapësirë ​​ose të shpikte makina. Çdo person është unik në mënyrën e vet, dhe fakti që jemi bashkë na bën të mëdhenj! Simbioza e shoqërisë është ajo që e ndryshoi botën dhe ia nënshtroi atë njerëzimit!

“Drejtësia nuk është pjesë e virtytit, por i gjithë virtyti!”  na mëson Aristoteli, dhe meqenëse e kundërta e saj është pikërisht padrejtësia, e cila rrjedh nga të qenit në zotërim të veseve, atëherë padrejtësia nuk është vetëm pjesë e vesit, por e gjithë vesi! Është pikërisht “mbretëresha e virtyteve” dhe “mbreti i veseve” që janë këto dy kategori kundërshtare që shfaqen në zgjedhjen njerëzore në çdo moment. Dhe pikërisht këtu qëndron problemi: A nuk i zotëron personi i vetmuar këto dy kategori, si ai që jeton në shoqëri? A është vetëm qytetari ai që tenton të ketë atë që i vetmuari nuk e ka? Por a do të thotë kjo se ai i vetmuar nuk ka vend në shoqëri? A do të thotë kjo se ai nuk zotëron themelet e lirisë së sapolindur në vetvete? A do të thotë kjo se ai është një sasi e pandryshueshme gjatë ditëve të ekzistencës së tij? Jo, nuk do ta pohoja këtë! Nëse jemi të lumtur apo të palumtur është ndjenja jonë kryesore. Pastaj, kur njëra nga këto dy gjendje mbizotëron, koha është e përshtatshme, përkatësisht, për të keqen ose për vepra të mira. Dhe e mesmja e tyre, indiferenca është një shenjë e keqdashjes, e cila gjenerohet përsëri nga e keqja.

E natyrshëm, portreti i dy kohëve të takimit, njëra kohë në rininën time, dhe tjetra tashmë në një moshë të tjetër, e me dimensione demokratike ndryshe, të ushqyera  më së shumti nga Liria e Fjalës, natyrshëm është më i saktë dhe më i plotë me një bisedë të lirë. Ai portret nuk është i ndarë dhe nuk ka qenë kurë i ndarë nga Shoqëria, komunitetit dhe respekti për të. Prandaj dhe pyetja më e thjeshtë mund t'u japë një përgjigje gjykimeve tona. Nëse një person jeton vetëm, a do të jetë e nevojshme të konkurrojë me dikë? A do ta dinte ai se po vepron drejtësisht, apo padrejtësisht? Apo, pyetja e saktë është, a do të dinte ai diçka fare? Si nëse nuk ka asnjë mënyrë për ta njohur dhe për ta fituar atë? Në shoqëri, jeton ndryshimi, dhe është pikërisht kjo që krijon drejtësi dhe padrejtësi. Janë pikërisht veprimet njerëzore që formojnë shfaqjen e kategorive. Përmes tyre, ne kërkojmë një vlerësim nga shoqëria, dhe kur bëjmë një krahasim me tjetrin, kuptojmë se kemi vepruar në një mënyrë jashtëzakonisht të mirë ose jashtëzakonisht të keqe.

A do të konsultohej një person se si të veprojë nëse do të jetonte vetëm? Kur jetojmë vetëm, jetojmë në injorancë, pasi është shoqëria që na mëson kategoritë morale. Njerëzit janë të ndryshëm, dhe kjo është arsyeja pse ekziston drejtësia. Nëse të gjithë në këtë botë do të ishin njësoj si të gjithë të tjerët dhe do të jetonin si të gjithë të tjerët, a do të kishim kategori morale?

Sigurisht që jo. Ne do të donim, do të urrenim, do të arsyetonim, do të mendonim në të njëjtën mënyrë. A do të kishim nevojë për drejtësi?

Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve, shfaqet reflektimi i drejtësisë, super-egoja e saj, që kundërshton thelbin e saj, domethënë padrejtësinë. Ne e konsiderojmë një person të drejtë kur është në gjendje të heqë qafe ndjenjat e tij, paragjykimet e tij, kur vepron sikur bota ekziston pa të. Dhe janë pikërisht paragjykimet dhe ndjenjat ndaj të tjerëve që janë baza për krahasim me të cilën ne përcaktojmë se një veprim është i drejtë apo jo. Ashtu si në fizikë ligji thotë se çdo veprim ka një reagim të barabartë dhe të kundërt, kështu përmes drejtësisë të gjithë marrin atë që meritojnë. Janë pasojat që vuajmë pas secilës prej zgjedhjeve tona. Është ajo forcë e padukshme që arrin të ndërtojë ekuilibër në natyrë. Por si do të arrihej ekuilibri, nga do të vinte kundërveprimi i nevojshëm, nëse nuk do të kishte shoqëri, nëse nuk do të kishte askush për të kryer veprimin që kundërshton tonin? Drejtësia nuk mund të arrihet vetë dhe drejtpërdrejt, shoqëria është e nevojshme për të. Të supozojmë se shoqëria mund të ekzistojë pa drejtësi, dhe anasjelltas, është një mashtrim i dhimbshëm që na dënon me vetëshkatërrim, sepse drejtësia është rrezja e dritës që shpon thelbin e errët të shoqërisë primitive. Por si mund ta shihnim dritën nëse nuk do të kishte errësirë, si mund ta pranonim drejtësinë nëse nuk do të kishte shoqëri?

Me një intelektual të tillë, me një njeri që përkuhstoi vite të tëra në Drejtësi, të jetosh do të thotë të kapërcesh vetminë. Kur ecën nëpër rrugë, të pëlqen të dëgjosh zhurmë dhe të dish se ka dikë përreth teje. Është e pamundur të ekzistosh, duke ndërtuar një botë që të përket vetëm ty. Pastaj vetmia do të të gëlltisë dhe do të të bëjë të biesh në një gropë, të fundosesh, të humbasësh. Është kjo tradhti e "vetmisë" që do të të heqë gjënë më të rëndësishme - lirinë. Në një botë kaq të madhe, do të jesh vetëm, dhe në të njëjtën kohë kaq i kufizuar dhe i mbyllur.

Drejtësia është një fjalë, përkufizimi përfundimtar i së cilës është i pamundur. Por një gjë është e sigurt - është e rëndësishme për të gjithë njerëzimin. Është ajo që dëshiron që ne të mos e përdorim verbalisht, por thjesht ta ndiejmë, ta përthithim dhe ta ruajmë. Është e aftë për çdo gjë. Është artisti që pikturon marrëdhëniet tona dhe krijon ngjyrat më të bukura. Shumë shpesh, drejtësia për disa sjell padrejtësi për të tjerët. Këto dy cilësi kryqëzohen pafundësisht dhe shkojnë krah për krah. Kjo ndodh sepse ky këndvështrim është shumë subjektiv, është e pamundur të vendosësh kufij. Duke u përpjekur për drejtësi, ne mendojmë për lumturinë tonë dhe nuk ndiejmë se po lëndojmë ndjenjat e dikujt tjetër.

Duke jetuar vetëm, një person nuk mund të njihet me këto dy cilësi. Ato lindin vetëm në shoqëri. Ato nuk sjellin gjithmonë lumturi, por gjëja e rëndësishme është që ne të nxjerrim mësime të vlefshme prej tyre. Çdo e keqe dhe e mirë në to është e dobishme për ne, na ndihmon të ngjitemi dhe të njohim botë të reja. Prandaj, le t'i lejojmë ato të vijnë më afër nesh dhe të mësojmë t'i njohim ato, sepse ato do të na tregojnë shtigjet e duhura.

Kjo bisedë ndryshe nuk është thjesht një portret, por një mesazh më se i denjë për kohën, Njeriun, vlerat dhe realitetin që po jetojmë. Njazi Ramazan Seferi e tregon dhe e pasqyron qartë dhe saktë.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page