top of page

Fatmir Terziu: Ndue Perlala me një vëllim poetik, si rrugëtim drejt një apologjie të hapur të dedikimit

 

 

Ndue Perlala, si shumë autorë të tjerë të pas viteve nëntëdhjetë vjen nga radhët e ushtrisë. Dhe si i tillë me një disiplinë që e karakterizon në vetvete, ai ka prurë dhe disiplinuar mjaft mirë për lexuesin disa libra. Si fillim në vitin 2020-të ai ka botuar një libër me poezi të titulluar „Me syrin tek shtegu“, që natyrshëm nënkupton që në titull vmendjen e një ushtaraku në kushte të tjera „disipline“ dhe „lirie“, të shprehur në vargje dhe natyrshëm me mesazhin e një njeriu që ndjek dhe ndjen të gjithë ndryshimin e kësaj udhe të re. Dhe po në të njëjtin vit akumulimi i dijeve dhe njohurive të tij ka zbritur penën dhe memorjen të shkruaj e botoj „Paralelet e jetës“ një libër ky me tregime, skica e rrëfime. Dy vjete më pas „Bija e largët“ ka pasuar botimin disa skicave dhe tregimeve të tjera. Dhe më pas në vitin 2024 ai ka prurë për dashamirësit dhe lexuesit e tij „Një gotë verë“ një përmbledhje me poezi.

Ndryshe nga të tjerët, nga botimet e mëparshme tek poezitë e „Një gotë verë“ motivet janë më të shumta e më të larmishme. Në vetë sinopsin e këtij libri shkruhet: „Lexuesi gjen në to shpirtin delikat të poetit, forcën e tij shprehëse, nuhatjen e tij për të qëmtuar të bukurën ngado që shkon, por edhe për ta thënë fjalën me forcë kur shikon diçka që nuk shkon. Edhe k y është misioni i poetit. Të jetë jo vetëm gjahtar i motiveve e fjalës së bukur, por edhe luftëtar shoqëror për triumfin e së mirës dhe të bukurës në shoqëri.“ Dhe ashtu sikurse citohet poezitë e këtij vëllimi janë poezi me motive njerëzore.

Së fundi ai ka prurë vëllimin poetik të ri „Dardania ime“ (2025) me redaktor poetin dhe gazetarin, publicistin dhe intelektualin e mirënjohur shqiptar, Ndue Lazri, i cili mbetet një figurë patriotike dhe intelektuale edhe në emigrim, në Itali ku jeton e angazhohet prej vitesh. Fantazinë e kopertinave poeti Perlala ia dedikon djalit të tij të talentuar, Eurialit dhe me ndjesitë letrare në vend të parathënies së artistets së madhe të folklorit tëtrojeve shqiptare, këngëtares, Mrika Trumshi. Në këtë vëllim nuk mungon dhe vlerësimi studimor i studiuesit dhe krijuesit të mirënjohur, Gjon Marku. Ky libër i përkujdesur nga Frano Kulli natyrisht meriton shumë respekt.

Me këtë gëzim të daljes së librit Ndue Perlala, organizoi para pak javësh një prezantim, promovim dhe bashkëbisedim me miq e dashamirës të tij në një mjedis tejet artsjellës. Miqtë dhe të pranishmit vlerësuan librin, krijimtarinë dhe përkushtimin tek „Dardania ime“. Por, jo vetëm me kaq, „Dardania ime“ tashmë është një libër frymëzues. Përmbledhje të tilla poezish u shfaqën tek ky autor në vite, por shumë pak prej tyre mbijetuan me kalimin e kohës, falë angazhimeve të tjera, falë emigrimit, falë shëndetit dhe problemeve të tjera të integrimit dhe tranzicionit. Poezitë e tilla tejet të rëndëishme, dhe jo vetëm që mbijetuan, por edhe përcaktuan horizontet për poezinë e ardhshme të poetit Ndue Perlala, me seriozitetin e vetë poezisë, por edhe me notat tipologjike, me depërtimin e vargut të pakufizuar në natyrë dhe aurën qiellore, me respektin e saj për traditën dhe kundërshtimin e saj, me njohjen e saj të shprehur të vetë jetikes dhe vetë jetës përkushtuese. Këta janë gjithashtu dedikimet në përgjithësi që poeti i dedikon deri në fund. Me librin e tij të parë, Ndue Perlala e shpalli veten si një poet të vërtetë, gjë që mbeti deri në fund.

Pra libri i fundit i Ndue Perlales, „Dardania ime“ u botua si një përmbledhje e tij më gjithëpërfshirëse dhe e menduar me poezi, nga kompozimi deri te secila poezi dhe çdo fjalë. Në të, poeti shprehet plotësisht dhe me gjithë zemër. Në këtë prurje, poeti e paraqet veten si njeriun e thjeshtë, intelektualin e qetë, patriotin e denjë edhe për Dardaninën, ose Dardaninë e tij, sikurse vendos ai që në titull. Ndërsa kërkoja nëpër publikimet e tij online, nuk munda të mos e vëreja praninë e një arkipelagu të tërë strofash, vërejtjesh, shënimesh dhe apostrofash në poezi individuale... [...] Zgjodha më premtueset nga këto skica. Dhe i shtova ato në stilin tim. U përpoqa të mos rivendosja asnjë „autenticitet“ të supozuar të autorit në fjalë, por përkundrazi, të tërhiqja poezitë e tij individuale drejt zërit lirik, shpirtit dhe shkrimit të dorës nga fillimi i viteve të përkushtimit të tij. Këtu ai luan hapur para lexuesit, duke e paraqitur veten si një shtues në skicat e një vëzhguesi social, psikologjik dhe pse jo me detaje filozofike dhe në të njëjtën kohë - si një largim nga dhimbja e  tij.

Poeti vazhdon këtë lojë në një aspektualitet diskursiv, ku supozohet se i karakterizon këto skica. Këtu toposet e peizazhit u sintetizuan në një imazh pothuajse fizikisht të prekshëm, ndjenja e dashurisë nuk u shtyp nga hapësirat boshe të distancës, skicat psikologjike ishin më të qeta sesa abstrakte dhe të mësuara dhe, ajo që është më e çuditshme, në shumicën e këtyre skicave spikat një peizazh paralel, metafizik i vizatimit, që tenton drejt një apologjie të hapur të dedikimit.

 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page