top of page

Fatmir Terziu: Ndalesa ime për Shkrimtarin, Fabulistin, Poetin dhe Edukatorin Iljaz Bobaj 

ree

Ndalesa ime për Shkrimtarin, Fabulistin, Poetin dhe Edukatorin Iljaz Bobaj

 

Nga Fatmir Terziu


Takimi im me shkrimtarin dhe fabulistin e njohur, poetin dhe edukatorin e palodhur të gjuhës shqipe në Greqi, z. Iljaz Bobaj, që ishte para disa vitesh në një aktivitet të shoqatës “Ardhmëria” në Londër, më la një mbresë të veçantë. Para se ta takoja, kisha lexuar fabulat e tij dhe kisha shkruar për to; pas takimit, kuptova se pas atyre faqeve të mbushura me mençuri, humor të hollë dhe satirë të zgjuar, fshihej një personalitet i rrallë, një njeri i përkushtuar ndaj misionit të tij kulturor e kombëtar.

Krijimtaria e gjerë e Iljaz Bobajt – poezi, prozë, reportazhe, përkthime, fabula – përbën një mozaik të plotë të një krijuesi që ka ditur të ndërtojë një profil të thellë e të shumëdimensionuar. Estetika e shkrimit të tij është e këndshme, e qartë dhe e ndërtuar mbi një qasje të edukuar letrarisht, që meriton vëmendjen e studimeve të mirëfillta kritike. Kohët e fundit, ai është shfaqur me vepra me peshë të rëndësishme, si “Antologji e tregimit satirik botëror”, përkthimi mjeshtëror “Nuk rroj dot pa grindje”, fabulat e veprës “Shkolla e Diplomacisë”, si dhe “Antologji: Kavafis, Seferis, Elitis, Ricos”. Këto botime jo vetëm e pasurojnë profilin e tij si shkrimtar e përkthyes, por e ngrejnë këtë profil në një dimension të ri, duke krijuar nevojën që kritika jonë letrare të vendosë në fokus kontributin e tij të pazëvendësueshëm.

 

Rrënjët dhe formimi i një intelektuali

 

I lindur në vitin 1952 në fshatin Lazarat, në një familje me tradita atdhetare dhe kulturore, Iljaz Bobaj u rrit në Delvinë, ku u formësua si nxënës me rezultate të larta. Studimet e larta në matematikë dhe fizikë në Institutet Pedagogjike të Shkodrës dhe Gjirokastrës i dhanë disiplinën dhe logjikën që më vonë do të bëheshin pjesë e stilit të tij të pastër dhe të strukturuar në shkrim.

Jeta e tij profesionale si mësues, drejtues shkolle, udhëheqës i Shtëpisë së Pionierit dhe Sekretar i Këshillit të Rrethit Delvinë, përbëjnë një periudhë të pasur shërbimi ndaj arsimit dhe komunitetit. Pikërisht këto rrënjë edukatore do të shndërroheshin më pas në bazën e punës së tij në emigracion.

 

Emigracioni në Greqi – ku fjala shqipe u bë mision

 

Në vitin 1997, së bashku me familjen, Bobaj u vendos në Patras. Megjithatë, emigrimi nuk e largoi atë nga letërsia; përkundrazi, e çeli një kapitull të ri. Ai u bë një ambasador i vërtetë i fjalës shqipe jashtë atdheut. Me 33 libra autorialë dhe 29 përkthime deri më sot, Bobaj ka krijuar një urë të qëndrueshme kulturore midis Shqipërisë dhe Greqisë.

Pena e tij lëviz me lehtësi nga fabula tek epigrami, nga tregimi tek reportazhi, nga poezia tek përkthimi. Ai ka përkthyer vepra të autorëve të mëdhenj botërorë – nga Azis Nesin te Mark Twain, nga Çehovi te Kafka, nga Neruda te Breht-i. Njëkohësisht, ka përkthyer në greqisht poetët më të rëndësishëm shqiptarë, duke u bërë një zë i fortë për përhapjen e letërsisë sonë në Greqi.

Krijimtaria e tij tashmë është botuar në shumë vende të botës dhe ka marrë çmime të shumta letrare, ndërsa disa vepra të tij janë përfshirë në programet universitare brenda dhe jashtë vendit.

 

Intelektual i komunitetit dhe udhëheqës i gjuhës shqipe në diasporë

 

Roli i Iljaz Bobajt në komunitetin shqiptar të Greqisë shkon shumë përtej letërsisë. Ai është një zë i fuqishëm dhe i respektuar, gjithmonë në mbështetje të emigrantëve dhe problemeve të tyre. Kontributi i tij në ruajtjen e gjuhës shqipe është i jashtëzakonshëm. Si themelues dhe drejtues i Shkollës Shqipe “Naim Frashëri” në Patras – një ndër më të rëndësishmet jashtë kufijve – ai ka ndikuar në formimin e brezave të tërinjve shqiptarë, duke i mësuar atyre jo vetëm gjuhën, por edhe identitetin.

Angazhimet e tij të shumta në akademi, shoqata letrare, institucione studimore dhe organizata kulturore në Shqipëri, Greqi dhe më gjerë, tregojnë për dimensionin e një intelektuali të vërtetë universal, që punon me përkushtim të rrallë.

 

Vlerësime dhe çmime – dëshmi e një krijuesi të kompletuar

 

Titujt dhe çmimet me të cilat është vlerësuar – nga “Naim Frashëri i Artë” deri te çmimet ndërkombëtare në Itali, Greqi, Belgjikë, Kosovë dhe Shqipëri – e kornizojnë figurën e një shkrimtari që ka sjellë dinjitet, lartësi dhe dashuri për gjuhën shqipe. Ai është nderuar si “Ambasador i Kombit”, “Princ i artit dhe kulturës shqiptare”, “Ambasador i Paqes”, “Qytetar Nderi”, përkthyes i vitit dhe me dhjetëra çmime letrare prestigjioze.

 

Përmbyllje: Portreti i një përfaqësuesi të denjë të kulturës shqiptare

 

Iljaz Bobaj është një figurë që nuk mund të përmblidhet vetëm me një titull: ai është shkrimtar, fabulist, poet, përkthyes, mësues, drejtues, aktivist, por mbi të gjitha, është një bir i përkushtuar i gjuhës dhe kulturës shqiptare. Takimi me të në Londër më dha mundësinë të kuptoj se pas veprave të tij qëndron një njeri me shpirt të madh, me ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj fjalës dhe kombit.

Krijimtaria dhe veprimtaria e Iljaz Bobajt përbëjnë një pasuri të vërtetë kombëtare. Ai është një ndër ata njerëz të rrallë që e mbajnë gjuhën gjallë edhe jashtë kufijve, që kujdesen që fjala shqipe të mos humbasë, por të lulëzojë në çdo vend ku ka shqiptarë.

Ky portret i tij mbetet një ftesë për studiuesit, lexuesit dhe institucionet që t’i kushtojnë vëmendjen e duhur veprës së një njeriu që i ka dhënë shumë letërsisë, arsimit dhe kulturës shqiptare.

1 Comment


Natasha Lako
2 hours ago

Publikisht me jepet rasti,qe ne nje feste si kjo e sotmja e dites se falenderimit,qe eshte edhe e shqiptaro- amerikaneve, eshte bukur qe te dergoj neper mjet kesaj faqeje edhe falenderimet e mija nga Tirana,per autorin kaq te talentiuar Iljaz Bobajt,si pjese e gezimeve te festes sone te 28 Nentorit.Gezuar 'Fjales se lire'!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page