Fatmir Terziu: Narrativ i bukur..., “Shtjellë Fatesh”
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 13 hours ago
- 8 min read
Updated: 20 minutes ago

NARRATIV I BUKUR, KU JETA, HISTORIA DHE TRASHËGIMIA JANË TË PANDASHME.
- Shënime leximi nga romani “Shtjellë Fatesh” i autorit Llesh Ndoj -
Romani “Shtjellë Fatesh” i Llesh Ndojit, i redaktuar nga Prof. Dr. Anton N. Berisha me recensë të Vlash Prendit, është një rrëfim i autorit që, siç e shënon edhe vetë ai si nëntitull të tij, mund të lexohet si roman, por që shkon përtej thjesht një tregimi, dhe sjell për lexuesin një strukturë të hollësishme simbolike dhe historike. Ai i ndërthurë kujtimet e individëve – personazhe të librit, me trashëgiminë kolektive të vendlindjes, duke i bërë historinë personale të tyre, si ato të Tefës, Hanës, Diellores, Merit etj, të pasqyrojnë vuajtjet, mundin, vështirësitë dhe krenarinë e një populli. Çdo episod i librit, nga fëmijëria e Diellores te përballja e Tefës me humbjen dhe përgjegjësinë, është pjesë e një rrjedhe të pandërprerë ku historia personale përzihet me historinë kolektive.
Në fillim, autori e sjell lexuesin në botën e Diellores së vogël, e cila luan e shkujdesur në lëndinën e Munellës, mes kedhave që kullosin, blegërimave të tyre dhe dallëndyshes që i tërheq vëmendjen e të cilën tenton ta ndjek. Hapja e romanit, ku Diellorja luan në lëndinën e Munellës, është një hyrje simbolike në universin e veprës. Flutura, kedhat dhe dallëndyshja përfaqësojnë lirinë, pafajësinë dhe energjinë jetësore, ndërsa pengesat (velloja, jeleku, shamia) tregojnë pengesat e jetës dhe të fëmijërisë së kufizuar, sa nga nga humbja e prindërve po aq edhe nga uria. Kujtimet e saj për babanë dhe Daken shpalosin thellësinë e traumës dhe nevojën për t’u lidhur me historinë familjare, që është parakusht për ndërgjegjen historike. Ky episod vjen gjithashtu si një simbol i trashëgimisë kulturore dhe morale, ku çdo element i natyrës dhe çdo kujtim lidhet me rrënjët dhe identitetin, duke krijuar bazën për refleksionet e mëvonshme të autorit mbi punën, vuajtjet dhe pasurinë kombëtare. Kjo skenë e parë, siç e theksuam edhe më lart, nuk është thjesht një përshkrim idilik i fëmijërisë, por një simbol i pafajësisë, lirisë dhe energjisë së jetës, ndërsa pengesat që i imponojnë velloja, jeleku dhe shamia tregojnë se madje edhe në fëmijëri, individi përballet me kufizime dhe sfida që e formësojnë. Ato nuk janë thjesht Diellorja, por përfaqësojnë jetën dhe jetesën e shumë fëmijëve të asaj zone. Kujtimet për nënën, Daken dhe të atit të humbur përbëjnë thelbin e traumës që Diellorja bart brenda vetes, duke e lidhur kujtesën personale me një histori të gjerë të humbjes dhe sakrificës, që është themeli i identitetit të saj, por jo vetëm. Diellorja vjen në libër si përfaqësuese e brezit të saj, vuan, sakrifikon por mbijeton e lulëzon, gjë që e bën atë personazh të kandshëm jo vetëm për autorin.
Natyra, apo mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e romanit, janë të pandara prej personazheve të tij. Munella, mali krenar që rri në qendër të zhvillimeve, vjen jo thjesht si diçka „e vdekur“, por diça e gjallë që frymon bashkë me personazhet e librit, edhe ajo e përfshirë në shtjellën e fateve të tyre. Ky dimension simbolik vazhdon me episodin e furrave të gëlqeres dhe minierave. Autori e zgjeron këtë mjedis bukur nga toka në nëntokë, në furrat e gëlqeres, minierat e shumta rreth saj, si Spaçi dhe minierat e tjera, por edhe tek „lufta me kulshedrat“ për ujin, përshkrime që nuk janë thjesht reminishencë e fëmijërisë, por një reflektim mbi punën e mundimshme, sakrificat dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore. Pse jo, edhe për të ardhmen e tyre. Përmes kujtimeve të Leksit, lexuesi sheh një cikël historik ku vuajtja e detyruar, shfrytëzimi i pasurive dhe sakrificat e brezave përsëriten, duke e lidhur individin me vendin dhe historinë e tij. Ato skena tregojnë gjithashtu dëshirën për mbijetesë dhe për të lënë gjurmë, duke e bërë trashëgiminë një element qendror të rrëfimit.
Episodet e Tefës që pasqyrohen në roman, shtojnë edhe një dimension tjetër të rrëfimit të autorit, disi më të afërt me jetën e përditshme, ku historia përjetohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kur Tefa përballet me derën e kullës së Kolpepajve, e cila duket e pamundur për t’u hapur, ajo nuk është vetëm pengesë fizike, por simbol i trashëgimisë dhe barrës së jetës, që kërkon përpjekje dhe durim për t’u kuptuar dhe përballuar. Kujtimi i Meres, gruas së tij të parë që humbi tragjikisht, shërben si simbol i humbjes dhe sakrificës, duke lidhur të kaluarën me të tashmen dhe duke i dhënë kuptim përkushtimit të tij ndaj fëmijëve dhe vazhdimësisë së jetës. Në këtë mënyrë, përvoja individuale e Tefës përshkon një rrjedhë të pandërprerë mes dhimbjes personale dhe përgjegjësisë kolektive, duke treguar se historia personale dhe ajo e komunitetit janë të pandashme.
Munella dhe punët e pranverës shfaqen si tregues të ritmeve të natyrës dhe të lidhjes së individit me kohën, ku aktivitetet e përditshme, bagëtitë dhe zjarri në oxhak janë pjesë e një ekosistemi simbolik, që bashkon trashëgiminë materiale me atë shpirtërore. Për Tefën, fëmijët Noani dhe Hana përfaqësojnë shpresën dhe vazhdimësinë, duke i lidhur përjetësisht jetën e tij me të ardhmen dhe duke e bërë trashëgiminë një detyrë të gjallë dhe aktive. Familja, sipas përshkrimit të autorit, funksionon si një tërësi e bukur, ku të gjithë mbajnë të njejtën përgjegjësi, ndonëse jo të njejtën peshë. Ritmi i jetës, matja e kohës me diellin, hijet dhe traditat mirditore, lidhet me episodet e Leksit në muze, ku Kanuni dhe kujtimet e vjetër krijojnë një dialog midis së shkuarës dhe së tashmes. Historia nuk është lineare; ajo rrjedh, përsëritet dhe reflektohet përmes përvojave individuale, ku çdo episod, qoftë fëmijëria, puna, humbja apo gëzimi, është pjesë e një rrjedhe të pandërprerë historike dhe morale.
Në këtë mënyrë, Llesh Ndoj ndërton një rrëfim që nuk është një roman familjar apo një përshkrim vetëm i vendlindjes, por një strukturë komplekse simbolike dhe historike, ku çdo episod ka kuptim moral, kulturor dhe historik. Fëmijëria e Diellores, furrat e gëlqeres, minierat, dera e kullës, Munella dhe punët e Tefës lidhen natyrshëm në një rrjedhë të pandërprerë që tregon marrëdhënien e individit me historinë, natyrën, traditën dhe komunitetin. Ky rrëfim është një pasqyrë e gjallë e jetës së përditshme, e historisë së vendit dhe e trashëgimisë shpirtërore, ku përvoja personale dhe kolektive bashkohen për të krijuar kuptim dhe për të përcjellë mesazhin se jeta dhe historia janë të pandashme, dhe çdo gjeneratë ka detyrën të ruajë, të përkujdesë dhe të vazhdojë atë që ka trashëguar.

Pra, romani “Shtjellë Fatesh” i Llesh Ndojit është një ndërthurje e rrëfimit intim me historinë kolektive, ku kujtimet personale të Leksit dhe Tefës lidhen ngushtë me trashëgiminë shpirtërore dhe materiale të vendlindjes, dhe ku dimensioni kohorë nuk njeh kufi. Çdo episod është një pasqyrë simbolike e historisë, një reflektim mbi vuajtjet dhe sakrificat e brezave, por edhe mbi forcën e trashëgimisë, natyrës dhe identitetit, por edhe me një shikim nga e ardhmja. Fëmijëria e Diellores, e shkujdesur dhe e gëzuar, që luan në lëndinën e Munellës mes kedhave dhe dallëndyshes, është më shumë se një përshkrim idilik; ajo shfaq lirinë dhe pafajësinë e fëmijërisë, ndërkohë që pengesat e vellojes, jelekut dhe shamias simbolizojnë kufizimet që çdo njeri bart, qoftë për shkak të humbjeve familjare, varfërisë apo rrethanave të vështira. Kujtimet për nënën, Daken dhe të atit të humbur nuk janë thjesht reminishencë; ato janë themeli i traumës personale, që ndërthuret me historinë kolektive, duke krijuar një rrjet ku fati individual është i lidhur me fatin e komunitetit. Vetë pyetja e Diellores “Po e nesërmja ime si do të jetë?” reflekton shqetësimin universal për të ardhmen, por gjithashtu shërben si tregues i ndikimit të historisë dhe traditës në formësimin e jetës së individit. Ky dimension simbolik zgjerohet përmes episodit të furrave të gëlqeres dhe minierave. Leksi, duke kujtuar Spaçin dhe minierat e tjera, përjeton një histori të përhershme të sakrificës dhe punës së mundimshme. Furrat e gëlqeres nuk janë vetëm objekte fizike, por simbole të përpjekjes kolektive dhe të këmbënguljes njerëzore, ndërsa minierat përfaqësojnë sakrificat e detyrueshme dhe pasurinë e shfrytëzuar të vendit, ku secili individ bëhet dëshmitar i një historie që përsëritet në cikle. Përmes kujtimeve të Leksit, lexuesi ndien lidhjen e brendshme mes individit dhe vendit, mes punës dhe identitetit, mes së kaluarës dhe të ardhmes. Ai i shikon këto vende si të mbushura me gjurmët e të parëve, me pyje të shkatërruara dhe fabrikat që lëshojnë llumë, duke reflektuar mbi mënyrën se si pasuritë dhe trashëgimia kombëtare shpesh përfundojnë të dëmtuara nga faktorë të jashtëm dhe nga indiferenca e njerëzve. Ndërsa Leksi mendon për floririn dhe uzinën e vjetër të bakrit, lexuesi kupton se për Ndojin çdo vend ka histori të thellë, ku çdo objekt dhe vendbanim është mbartës i kujtimeve, sakrificave dhe identitetit historik. Parë në këtë plan, rrëfimi i Ndojit e tejkalon atë të të qënit thjesht lokal, apo zonal. Ngjarjet e personazhet lokale, zgjerohen e reflektojnë bukur edhe përmasën kombëtare.
Episodi i Tefës dhe dera e kullës së Kolpepajve, përshkruar nga autori bukur e që lexuesit i duket se po i shikon vetë ato skena, sjell një tjetër dimension të romanit, ku materialiteti dhe simbolika bashkëveprojnë. Dera, e ndërtuar me mjeshtëri shekullore, përfaqëson qëndrueshmërinë e trashëgimisë dhe të traditës, ndërsa përpjekja e Tefës për ta hapur përbën metaforë të përballjes me sfidat, humbjet dhe përgjegjësitë e jetës. Kujtimi i Meres, gruas së parë që humbi tragjikisht, është një reflektim mbi dhimbjen, sakrificën dhe detyrën morale për të vazhduar jetën, duke u kujdesur për fëmijët dhe duke ruajtur lidhjen me të kaluarën. Në këtë mënyrë, përvoja e Tefës bëhet një urë që lidh të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, duke krijuar një rrjedhë të pandërprerë të historisë personale dhe kolektive.
Munella, kodrat e zbardhura nga dielli i pranverës dhe pyjet e rikthyera, përfaqësojnë natyrën si matës të kohës dhe burim shprese, ku aktivitetet e përditshme, plugimi, bagëtitë, zjarri i oxhakut, lidhen ngushtë me ritmet e jetës dhe me trashëgiminë e përhershme. Për Tefën, fëmijët Noani dhe Hana nuk janë thjesht pjesë e familjes, por simbol i vazhdimësisë dhe i shpëtimit të identitetit shpirtëror. Ata bartin në vetvete shpresën, që bashkë me kujtimet e Merës dhe me përkujdesjen e Rozës, formësojnë një kuptim të ri të komunitetit dhe të jetës. Në këtë rrjedhë, muzeu dhe stendat me Kanunin, me historinë e Mirditës dhe të fiseve të saj, integron trashëgiminë materiale dhe shpirtërore me kujtesën historike. Leksi përjeton një dialog të brendshëm midis së kaluarës dhe së tashmes, ku çdo objekt, çdo libër dhe çdo fotografi shërben si dëshmi e vazhdimësisë, por edhe si thirrje për përgjegjësi ndaj historisë. Kanuni nuk është thjesht ligj, por një simbol i lidhjes mes brezave, i vetëdijes historike dhe i përgjegjësisë morale që secili individ ka ndaj vendit dhe komunitetit.
Në të gjithë romanin, koha perceptohet jo si lineare, por si rrjedhje, përsëritje dhe reflektim mbi përvojat e jetës. Episodet e Leksit, Diellores dhe Tefës ndërthuren në një strukturë simbolike ku historia personale përshkon historinë kolektive, ku natyra, puna, humbjet dhe shpresat janë të lidhura ngushtë me trashëgiminë dhe identitetin. Secili detaj – Munella, dera e kullës, minierat, pyjet, muzeu – ka një funksion jo vetëm narrativ, por dhe kritik, duke e kthyer rrëfimin në një ese mbi qëndrueshmërinë, identitetin dhe moralin historik të individit dhe komunitetit.
Lexuar kështu, “Shtjellë Fatesh” nuk është thjesht një roman mbi fëmijërinë dhe kujtimet personale e familjare të autorit; është një pasqyrë e thelluar e jetës së përditshme, e historisë së vendit dhe e trashëgimisë shpirtërore, ku individi dhe komuniteti ndërthuren në një rrjedhë të pandërprerë, dhe çdo episod është pjesë e një strukture më të madhe simbolike, morale dhe historike. Llesh Ndoj e ndërton me kujdes këtë univers, duke treguar se jeta, historia dhe trashëgimia janë të pandashme, dhe se çdo gjeneratë ka detyrën të ruajë, të përkujdeset dhe të zhvillojë më tej atë që ka trashëguar.









Comments