Fatmir Terziu: LAZËR STANI, MODELI I PROZËS SË SHKURTËR
- 3 days ago
- 16 min read

Duke vëzhguar krijimtarinë e sotme të prozatorisë shqipe, krahas problemeve të tjera, shikon edhe fjalën si elementin bazë të tregimit, novelës apo edhe romanit. E kur sheh fjalën démodé apo edhe atë me kostum mode të shtrenjtë në emër të modernes, duke e sajuar pa ndonjë lidhje në më të shumtën e rasteve, në një botë internetike të pasur e tepër të begatshme për të abuzuar me të, ndjenja e argumentit shtohet, edhe pse dikush e përkëdhel si një “pasurim të gjuhës shqipe” apo edhe si një “modë” e re në prozë. Këtu nuk është fjala për fjalën që sjell ngjyrimin emocional, poetik, tradicional, modern apo edhe detajues, kur ajo është produkt i vetë krijuesit, por për fjalën që “shkrimtari” gjen të gatshme në larminë e hapësirës së sotme linguistike, që falë hapjes së portave ka harruar edhe portën e saj të hapur. Vetë Stani, në një nga shkrimet e tij analitike, të adresuar në problematikën e të qenit shkrimtar profesional, kur nuk ekziston një shkollë e tillë, e kalon shqetësimin e tij teorik në detaje që lidhen me problemin tonë: “Keqkuptimi i shkrimtarit me vetveten, i krijon atij edhe obligimin profesional: të shkruajë kur nuk i shkruhet, të rendisë fjalë kur nuk ka asgjë për të thënë, të improvizojë ndjenja dhe përfytyrime, kur vërtet e ka shpirtin të rrafshtë, kur inercia i ka shuar çdo reaksion të brendshëm”. Tek ky argument dhe tek problematika e fjalës si detaj lind edhe ajo që lidhet me një hije tejet të padukshme në krijimtari, por që përbën një problem. Këtu është ajo që spaletizon krijuesin dhe, padashje, krijimtarinë e tij, në një ambient të fjalës së shtirur apo fjalës së grabitur. Por më kryesorja, them, është ajo që buron nga argumenti i Stanit: “Keqkuptimi i parë, më i rëndësishmi, më seriozi, është keqkuptimi i shkrimtarit me vetveten”. Në këtë këndvështrim, unë mendoj se nuk është vetëm keqkuptimi me vetveten, por edhe keqkuptimi me botën në të cilën shkrimtari mendon se i përket, apo edhe me një rrethanë në të cilën përditë e më shumë tkurret rëndësia e fjalëve shkrim, shkrimtar dhe krijues.
Si diçka e lehtë, por tepër problematike, është krijuar ky tip spektakli komoditeti, ose ky efektizëm special në prozatorinë shqiptare, duke krijuar, në fakt, edhe një lehtësi për kritikën që të zbulojë origjinalin e krijimtarisë, më saktë fjalën e tij të drejtë, fjalë-pronën krijuese nga ku edhe realizohet vlerësimi. Origjinalja, nëse do të huazojmë këtë term nga kritika britanike, ose në shqipen më të thjeshtë, ajo që krijon autori mbi këtë bazë, jashtë praktikave plastiko-kozmetike, por brenda kuadratit të lejueshëm letraro-figurativ dhe atij figurativo-letrar, i përket penës së Stanit dhe në këtë majë natyrshëm ndihet edhe pasuria letrare në sinkron të plotë, si një shtysë ushqyese për rrëfenjën dhe kallëzuesen e tij të detançuar në tregimin e tij, që veç pasurohet duke ecur. “Dënesje në Dru” është një garanci për këtë.
Vazhdimësia si postulat rrëfimi në letërsi
Tregimi, novela dhe romani shqiptar, që në origjinën e tyre, kanë afruar shembuj të dëshira-plotësimeve: ata kanë mbyllje të gëzuara në të shumtën e rasteve, ku heronjtë ndjehen të qetë në ëndrrën e dashurisë apo adresimit të saj, apo edhe të problemacionit tjetër që strukturohet në to. Që në aktin e parë e deri në detajin e fundit, “Lulja e Kujtimit” e Foqion Postolit mund të merret si një organikë tipike në këtë kontekst, që të shpie në penëtryezën moderne të tregimtarisë së sotme shqiptare, të cilën e kam shprehur në analizat e mëparshme. E gjitha si në një skript, e gjitha si në një “storyboard”, ku mesazhet dhe teksti paralajmërojnë ardhjen e domethënies, qëllimit dhe realizimin e tij. Në këtë rrugë ka plot situata të këndshme, ku e rëndësishme është të theksohet: figuracioni është ai që bie në sy që në pamjen e parë. E thënë troç, kjo mënyrë komunikimi me lexuesin, ku krehja figurative qartëson boshtin dialektik në gjuhën e analistëve perëndimorë, por edhe herët me analizën e letërsisë ruse, ku spikat vlerësimi për Eseninin, është quajtur dhe quhet një postulat rrëfimi në kritikën analitike. Në këtë rrafsh, ku kritika gjen materialin e saj ushqyes, natyrshëm janë mjaft pena shqiptare, të periudhave të ndryshme krijuese shqiptare, por vazhdimësia është me gishta, ose shumë pak. Arsyet janë të njohura disi nga artikujt analitikë dhe nga kritika, por shumë pak janë argumentuar dhe shumë pak janë dhënë argumente përse ndodh kjo. Po t’i referohemi “tabuve” të Lazër Stanit, një nga arsyet, ose kryesorja sipas tij, është: “kritika është e paaftë të çlirohet nga tabutë, është e paaftë të mendojë pa komplekse, shkencërisht”. Duke përmendur Postolin me “Lulja e Kujtimit”, ndoshta jo në kuptimin e tabuve të Stanit, natyrshëm rruga është e largët për të zënë fillin, por tradita duhet kapur në rrënjë për të analizuar frutin e saj. Ndryshe do të ndodhte që, për t’i rënë shkurt, të kapësh veshin e majtë me dorën e majtë, të përdorësh proverbin e të zënit të të njëjtit vesh me dorën tjetër, që sjell një nënkuptim jo pak problematik, të cilin natyrshëm, në rrethana të ndryshme, e gjejmë në parathënie librash, ku një zanafille i kërkon firmën një shkrimtari që, me ombrellën e tij, të kalojë “dushin e kritikës”, apo edhe “shiun pas diellit të nxehtë” me duartrokitje promovimesh në klube. Në argumentin tonë, prurja e fakteve gjen një vazhdimësi tek e gjetura model në prozë. Në vazhdën e saj është një nga arritjet shqiptare, Lazër Stani, që në mënyrë ultimative eksploton elemente të rëndësishme të fantazisë në prozën e tij. Në tërësinë e së gjithës, proza e Stanit qëndron si një “model Sindorele”, ose një mutacion që shkërmoq përrallën e mençur popullore në detaje të modernes në letërsi. Edhe pse, në fakt, proza e Lazrit, në plan të parë, kur nuk ka angazhuar elemente folklorikë në strukturën e saj, prapëseprapë ajo mbart në heshtje një dimension logjik që të shpie në udhëtimin imagjinar dhe plot fantazi të realizimit të mesazh-komunikimit. Gjithashtu, Stani duket se merr kënaqësi në draftëzimin e romancave moderne, duke pikasur një fjalë domethënëse e tepër argument-prurëse në gjuhën shqipe, fjalën që shpreh shumë me një nënkuptim sa real aq edhe figurativ: dënesje. Ndërsa ajo gjen vend në prozën e tij, po aq gjen edhe shtratin në tregimin dhe fjalinë e tij: “Provoj të mbyll sytë, të harroj të gjitha pamjet e pshtjelluara që më shfaqen, dua të përqendrohem në një tingull magjik, që ta mbush shpirtin me nostalgji dhe harrim, por pikërisht atëherë kur jam larguar shumë nëpër atë udhëtim të heshtur e të paformë, dëgjoj dënesjen që të këput shpirtin”. Në fjali të tilla, një fjalë e tillë që duket se përmbyll mendimin qetësisht, të bën të krijosh një ndërhyrje të lehtë në insinuatën lidhëse dhe përdoruese të fjalës. Natyrshëm të krijohet më pas një parantezë, ku vërtitet e gjithë kërkesa e parabërë në shërbim të mesazhit. “Shenjat e natës” kanë një prioritet të mbeten kërshërima të Lulusë, e asaj Luluje që sjell bota e stisur e autorit nën një organikë letrare të fiksuar e të zhdërvjellët, derisa na shfaqet si në një ekran imazhi i saj. Një Lulu, jo si shumë “Lulu” të tilla që të mbijnë në bahçet e dëshirave kundërshtare e krijojnë mundësinë e një komunikimi letraktiv në të gjitha situatat dhe shprehje ndjenjash në të gjitha kohët. Pra, rasat e emrit, apo thjesht emri i lakuar dhe i palakuar i Lulusë, i gërshetuar me foljen që pushtetëron fuqinë e veprimit të stisur nga produkti mendje-autor, ngjan në një sinkronizim real e tepër të ndjeshëm. E ngrohta përvëluese që prodhon një lidhje si te tyren, pra të emrit dhe foljes në kontekstin filozofik dhe sintaksor, katapulton romancën ekzistuese dhe sjell tension në mes dy “palëve”, autor-tekst, në marrëveshjen figurë-tekst. Në këtë kontekst, ashtu siç ndodh me tensionet e krijuara nga njeriu në mesazhet fjalëpërcjellëse, ose thashethemnaja, tensionohet edhe figurativja që prodhohet nga argumenti tepër i arritur, ku mobiljet luajnë rolin e personifikimit letrar. Mobiljet janë një gjë, një gjë shabllone, e ftohtë, e heshtur, e pazëshme, por e mençur e autorit që pasaportizohet pa licencë në mendjen e kundërshtarit për të sjellë një argument kaq tërheqës e tepër kuriozitar deri në zgjidhje. Mobiljet janë parandjerë të kenë mish të ftohtë, si statuja që gëlltisin vetëm pluhurin e shterpësisë, postulat në mendje që vetëm një penë e tillë i ndriçon qartë. Dhe kur argumenti çimentohet në një mendje të ngurtë e kërshëri kundërshtie, të bindur në ftohtësinë e heshtur të sindikatës referuese “mobilje” në shumës, një pasazh i tillë gati gëlltitet me ëndje, dhe jo vetëm se përcjell diçka që lidhet me sensin njerëzor: “E shtrëngova në gjoks kokën e Lulusë, e përqafova dhe e putha fort, duke e shuar gjithë zjarrin e një dashurie të ëndërruar në buzët e saj, paksa të ftohta dhe si të mpira. Provuam të bëjmë prapë dashuri, po Luluja i mbante sytë të hapur, këqyrte e trembur anash, mendjen e kishte të humbur kushedi se ku. Kjo më trishtoi, u shkëputa prej saj, i ktheva kurrizin dhe e ngjesha kryet fort pas jastëkut të akullt që ende mbante erën e detergjentit të ri që Luluja e kishte zgjedhur nëpërmjet reklamave televizive si markën më të mirë”.
E veçanta, fantastikja dhe eksperimentalja
Këtu argumenti analitik sjell në skenë Anton Nikë Berishën: “Me tregimet e mëparshme të Lazër Stanit, si dhe me këto të përfshira në këtë vëllim, që përligjin një botë poetike sa të veçantë aq edhe të pasur, proza jonë tregimtare (bashkë me tregimet e Koliqit, Kutelit, Pashkut, Y. Shkrelit etj.) bëhet prozë, letërsi e madhe. Letërsitë e mëdha i bëjnë vlerat, jo numri i atyre që i flasin gjuhët me të cilat ato përftohen. Mbetet detyrë e jonë e rëndësishme që këto vlera të dimë t’i bëjmë pjesë të jetës sonë shpirtërore dhe të dimë t’ua paraqesim edhe të tjerëve, që t’i njohin edhe ata. Nëpërmjet tyre ata do ta njohin botën dhe shpirtin tonë në mënyrë më të plotë se nëpërmjet çdo forme tjetër”.
Në fakt, duke argumentuar me Anton Nikë Berishën nga Universiteti i Kalabrisë, Itali, në shkrimin e tij kritik “Rrëfimi si dramatikë jetësore dhe si dramatikë shpirtërore”, ajo që në fakt, përkitazi, duhet kundërshtuar është se Stani ka një mjet komunikimi tejet të mprehtë me lexuesin, deri në marrëdhënie të tilla që afrojnë prozë-sinqeritetin njerëzor të krijuesit, gjë që natyrshëm e klasifikon tregimin e tij ndryshe nga ajo që Berisha parathekson. Tregimi i Lazër Stanit është plot fantazi dhe, si i tillë, ai natyrshëm kundërshton argumentin “tregimet e Stanit nuk janë fantastike” (Berisha, 2005). Le të sjellim faktin pse tregimet e Stanit kanë fantazinë si ushqim, pasi vetë Berisha në kritikën e tij e thekson se ato “ushqehen nga ëndrra”, gjë që në teorinë e Frojdit sjell “fantazinë” si fakt në tryezën e analizës. Por, duke shkuar më tutje, ky mjedis fantastik që shtrydhet në këtë kritikë natyrshëm kompeton arritjen dhe të qenit i klasifikuar si tregim fantastik. E gjitha, nën pushtetin e fantazisë, gjen një mori shpjegimesh të tjera, por vetë fjala, të cilën ne e argumentuam që në fillim, duke dalë nga një fabrikë fantastike, gatuan edhe një tregim fantastik, pra të arritur e me nivel.
Por, ndërsa Anton Nikë Berisha mendon të shpërthejë tek e veçanta e Stanit, logjika e tregimit të tij në vetën e parë vetëngulmon të shpallë edhe një tjetër kundërshti, pasi tregimi i Stanit nuk është eksperimental dhe, si i tillë, ai s’ka si të shkëputet e të jetojë në orbitë. Tregimi i Stanit ka një rrugë të frymëzuar dhe një ecje të sigurt, mbijetese të gjatë. Kjo është kryesorja dhe mendoj se është domethënësja. Të cilësosh se ti je i veçantë, apo tregimi yt është krejt ndryshe nga bashkëkrijuesit, do të thotë të pranosh një dështim në mos-eksperimentimin tënd, pra në atë që ti kurrë s’e ke menduar të tillë dhe kur nuk e ke krijuar fjalën “eksperiment” si një veçori krijuese.
Duke parë edhe rrethanat në të cilat ndonjëherë kritika kryhet, padashje edhe krijuesi bie në një domosdoshmëri-kritikë, dhe vetëm kaq. Kur analiza thellohet, dukuria mbetet një debat. Atëherë, përse duhet parë kritika si një domosdoshmëri kritike, kur ajo në fakt fsheh ose nuk paranjeh thelbësoren? E veçanta në letërsi, art, krijimtari është e njohur në kohën moderne nga mbarë lëvruesit e saj si një rrugë eksperimentale. Si e tillë, ajo kërkon sakrificë. Dhe sakrifica duhet përligjur, se shumë herë eksperimentet janë vetëm eksperimente dhe të tilla s’kanë as edhe frute në art, madje aspak në krijimtari.
E errta, morali dhe stili model i të treguarit
“Gruaja me të zeza” e Lazër Stanit flet që në titull. E zeza, pikërisht ajo e zezë që paralajmëron autori, nuk është e strukur. Ajo shfaqet në tërë kuptimin e saj, në tërë domethënien e saj, komunikimin tregues, edhe pse në fakt, në pamje të parë, është e zeza e veshjes pas vdekjes së njeriut. Por në thelb është e zeza që gatuan fabulën në tregimin e Stanit: “Nuk e duroja Dilanën edhe pse ishte e pastër e vishej mirë, krihej e çkrihej e mbërthehej me kopsa se fliste shumë fjalë të pista që bënin të më skuqeshin veshët, kurse gjyshi, edhe pse nuk përdorte kurrë fjalë të tilla, argëtohej me fjalët e saj, shkrihej së qeshuri, i shkëlqenin ata sytë e mëdhenj e të zinj, kurse në buzë i varej një tallje e lehtë, e patëkeqe, që unë nuk e kuptoja se me kë e kishte: me Dilanën që llapaçiste mbarë e prapë apo me mua, që skuqesha e turpërohesha prej marrëzive të saj që nuk kishin të sosur. Më dukej se te kjo krijesë e vjetruar qenë mbledhur gjithë të zezat. Fjalët e ndyra, ëndrrat e këqija, historitë e shumta dhe të pakuptimta që të linin në kllapi, sidomos kur zbulonin të fshehtat e grave.”
Një grua në kulmin e huqit të saj. Një gjysh që shfaqet në kraterin, strofkën dhe karakterin e tij. Një djalosh që prodhon vetën e parë dhe dikton moralin e tij, moralin e ambientit që e rrethon dhe lidhjeve njeri në seksin e kundërt, duke u shfaqur nën nerv e mentalitet të ndjeshëm deri në turp. Një paralelizëm figurativ që vjen i hapur deri në grimën e fundit dhe komunikon lirshëm në hapësirë, kohë dhe vend.
Tregimi vjen i gjallë. Ngjarja duket dhe besohet si e përjetuar. Karakteret qartësohen. Motivi godet në primaren dhe e ngjit atë në piedestalin ku tregimi duhet të jetë sot. Kështu, përhumbja vjen e qëllimshme, se fjala shton kureshtjen. Dhe kureshtja depërton si një tufë rrezesh e prodhon interesin e njeriut për fatin dhe faktin e të përfshirës. Fjalët e çiltra dhe sinqeriteti e vendosin edhe të fshehtën në hapësirën publike, madje edhe më personalja del sheshit, rrëfehet dhe bëhet e prekshme nga shqisat e lexuesit. Këtu sensibiliteti seks-kundërshti ngjall ambulanten e interesit. Ndërsa karakteri “Imgjysh” është një shtesë retorike e moralit, aty në fakt produkti i historisë që mbështjell fatalitetin që argumenton të zezën është një shtysë që inkuadrohet për të njohur e rinjohur atë plotësisht. Dilana, nga ana tjetër, edhe pse është një kundrinë plotësuese e çdo detaji, në thelb ajo është edhe mbartëse e lidhjes që autori e bën simptomë kohe dhe argumenti.
Ngjarja vendoset në një hapësirë kohore të papërcaktuar, por të ekuilibruar në rrjedhën e karakterit djalosh që kryen shëmbëlltyrën e vetës së parë, për të bërë pikëlidhjen. Ai është një djalosh që bie pre e duarve të gjata të Dilanës, po aq edhe të fjalës së saj që godet trurin e tij në aspekte psikologjike e tunduese. Përskuqja e tij është një antitezë e ngjyrës së rrobës së saj, por edhe një truk autorial që lëmon në sipërfaqen e brishtë për të prodhuar abrivitetin e kuadraturës sfiduese. Ky abrivitet vjen nga fjalë që në moshën e tij ndikojnë shumë dhe ngacmojnë së tepërmi. Ngacmimi nga elementë gjuhësorë që lidhen me femëroren, si aspekt biologjik në tregim, por edhe si një aspekt sensual, duket arritje dhe këtu tregimi fiton më shumë frymëmarrje, edhe pse “Dilanës i shfaqet marrja e frymës në brendësi të shtëpisë”, të cilën autori e shpjegon me fjalën e saj: “Para se gjyshi të thoshte një fjalë, ajo shtoi se i pëlqente të rrinim këtu jashtë se brenda i zihej fryma. Ajo tha se kjo verë e zgjatur deri në tetor, nuk po ia bënte qejfin se kushedi pastaj se çfarë rrebeshesh do të vinin nga Podgorica, se kur po vinte te ne, kishte vërejtur qiellin dhe i qe dukur i shpëlarë e disi i çartur, jo si dikur.”
Hyrja e rrezeve të diellit të pasdites dhe ulja e tij mbi kodër, duke rrëshqitur pjerrtas nëpërmjet gjetheve të drurëve të mëdhenj që rrethonin shtëpinë e vendndodhisë, është një paralajmërim konfigurativ, por edhe një filiz i përzgjedhur nga figuracioni tipik i prozës më të përparuar, me qëllim të prodhojë e paralajmërojë sfumimin e një shoqërie që gërryhet “te porta e madhe e oborrit”, aty ku pikërisht ngjizet pamorja reale me Dilanën dhe arsyet e një tregimi të tillë potencial. Mënyra për të treguar qiellin ka kuptimin e vet. Qielli shikohet në mënyrën që njeriu përzgjedh, por edhe në mënyrën se si tregimi e përcakton atë. “Qielli nuk është më si tridhjetë vjet më parë, Koko”, tha Dilana, më mori mua mes krahëve dhe më përqafoi, më puthi fort në faqe, duke m’i ngjitur buzët pas lëkurës e që mua më shkaktuan një ndjesi jo si herët e tjera: mu dukën më të ngrohta dhe më të lagështa. Me gishtërinjtë e dorës së djathtë kërkoi të më prekte seksin e strukur nën pantallona, po unë ia shtyva dorën me forcë, pothuajse i trembur nga ky zakon i saj i keq.
“I doli lezeti dreqit”, tha. “U rrit.”
Këtu fillon e zbulohet lidhja e fshehtë intime që e bën Dilanën të rikujtojë qiellin e viteve më parë, ndoshta të atyre viteve kur ajo kishte forcuar marrëdhëniet me gjyshin. Nga ana tjetër, rrëfimi i saj deri në detaj i historisë së burrit të saj nuk është thjesht një hakmarrje, që mund të kuptohet në veprimet, sjelljen apo etjen e saj, por si një sublimitet për të ndriçuar karakterin e saj. Këtu shumë gjëra vijnë në mendje:
“…kur papritmas ia këputi:
‘Më ka tradhtuar burri!’
Imgjysh qeshi me zë të lartë, siç nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë. Qeshi shumë, e pastaj e zuri një kollë e zgjatur, po prapë, kur iu qetësua kolla, vazhdoi me të qeshurën e tij tashmë të shtruar dhe të ëmbël, e cila të mbetej në vesh për një kohë të gjatë. Unë pashë se edhe Dilana po qeshte, madje mu duk se ndjehej e lumtur nga kjo tradhti. Nuk po kuptoja se çfarë po ndodhte midis atyre të dyve, pse po qeshnin aq shumë kur të paktën Dilana duhej t’ia plaste të qarit. Më erdhi keq për fqinjin tonë, Lucën, edhe pse nuk e doja se më ndiqte me një zdap kur ngjitesha në kumbullat e tij që ishin më të mirat në fshat, më kërcënonte se do të më lëshonte qenin e zi veshcuran, që do të më shqyente katërqind copash. Imgjysh me Dilanën mu duk se po e tallnin, kurse unë e dija, nuk e kishte zemrën e keqe.
‘Hë o Kokë, ç’i thonë kësaj të tradhtojë burri pas katërdhjetë vjetësh martesë? Kësaj ç’i thonë?’, vazhdonte me të sajat Dilana. Sytë i shkëlqenin fort, kurse gjyshi, kur u qetësua, i tha se po dërdëlliste kot, se nuk i besonte, se Luca tërë jetën e tij më shumë ka shikuar lopët sesa gratë.
E mora inat tim gjysh dhe u bëra gati të shkoja në dhomën time e të merresha me mësimet. Po Dilana më tha të lija çantën aty e t’i sillja një gotë ujë të ftohtë se po i thahej fyti. ‘Dhe i thuaj nënës të na bëjë dy kafe’, tha gjyshi që e thërriste time më njësoj si unë ‘Nënë’.
Kur u ktheva me gotën e ujit, Dilana po tregonte historinë e të shoqit. Ajo po thoshte se ia tregoi vetë, sapo hyri në shtëpi. ‘Ishte bërë si gjynah, qyqari’, vazhdonte Dilana gjithë afsh. Piu deri në gjysmë gotën e ujit që i solla unë, vendosi gotën me kujdes në tryezën e vjetër, duke u kujdesur që të mos i rrëzohej në plasat e zgjeruara të dërrasave, dhe tregoi historinë, pa i shtuar e pa i hequr asgjë, ashtu siç i ishte rrëfyer asaj nga i shoqi.
Imgjysh e dëgjonte moskokëçarës, duke thithur llullën e tij, ndërsa mua çdo fjalë e saj më ngulitej në tru, aq e jashtëzakonshme dhe tërheqëse më dukej e gjithë historia. E ndjeva se isha skuqur. Zemra më rrihte fort, trupi më dridhej si i pushtuar nga ethet.
Ky Luca na paskësh shkuar atë paradite në shtëpinë e Dragës se i pihej një kafe, po burrat e shtëpisë nuk na qenkan gjendur aty. Ata na paskëshin pasë shkuar të thurnin një megjë në anën tjetër të lumit, ndërsa Draga na e paskësh pritur me gjithë të mirat, me kafe e me pije e madje na i paskësh afruar edhe një tryezë të vogël përpara ku kishin lënë gotat e pijeve dhe kafet. Dhe i qe ulur ngjitur në minder dhe po pinin kafe si njerëz, kur ajo na paskësh hapur këmbët dhe e kishte tërhequr Lucën mbi vete.
‘As brekë nuk kishte veshur, kuçka’, i kishte treguar më vonë së shoqes Luca.
‘Zoti më mori mendjen dhe u ndyva’, i kishte thënë ai së shoqes dhe një kokërr loti i kishte zbritur faqeve, aq shumë ishte penduar.”
Mosha e fiksuar e karakterit “Gjysh”, që kishte kaluar të gjashtëdhjetat, flokët e tij të thinjura dhe balli i tij i lartë e tërheqës, flasin dhe paraqesin më shumë se një detaj që në këtë rast nuk tretet vetëm tek morali, nevoja biologjike e sekseve të kundërta, argumenti njerëzor e ligjësitë e tij, por diçka më e madhe se kaq, që lidhet me një simbiozë të rrethuar nga “kështjella” paranojake deri në aspekte të shthurura patriarkale. Lidhja e natyrshme me të qenit lexues vjen në një moment tipik, ku gazetat dhe librat në tryezë janë një arsye më shumë në këtë vorbull enigmatike që autori e mban të strukur deri në kulmin e nevojshëm.
Lazri, me intuitën dhe logjikën e tij, di mjaft bukur të analizojë fjalëshumtën me një racionim fjalësh dhe me një fjali paksa të stërzgjatur, por të domosdoshme. Edhe pse fjalia e Lazrit jo pak herë është e zgjatur, madje me shumë kallëzues, ajo duket gjithmonë edhe më e rëndësishme në tregim, në mënyrën e tij tipike të të treguarit rrjedhshëm e me një lidhje logjike. Në këtë mënyrë argumenti i Stanit në tregim vjen si një lidhje me logjikën e analistes së mirënjohur britanike Catherine Tate, që sheh fjalinë si një pikë jo shumë të rëndësishme në të shkruarën në prozë. Tate, duke debatuar me flamurtarët e një fjalie të strukur nën ombrellën e së shkurtrës, shprehet se e shkruara e tillë “gjithmonë nënkupton të pashkruarën”, sepse në leximin tim më krijon lodhje dhe unë duhet të bëj çdo gjë që të nxjerr atë, pra kuptimin e tregimit në vendin e duhur. Vëmendja e Tates në tregimin e Stanit lexohet sidomos në këtë paragraf:
“Ajo shfaqej te porta e madhe, atëherë kur nuk e prisje, ndalej një çast te pragu, shkundej e ngrinte kryet lart, sikur gëlltiste diçka që mbllaçiste në gojë dhe këpuste ndonjë fjalë që mua më linte pa mend e më frikësonte, më bënte të mbyllesha në vete. Tjetërkujt në katund nuk ia shkelte derën. Gjithmonë thoshte: ‘Çfarë burrash janë këta, i lag shiu kot!’ Qëkur dy djemtë e saj gjetën punë në qytet dhe ajo mbeti vetëm me të shoqin në fshat, hynte e dilte nga tre-katër herë në ditë në shtëpinë tonë, gjithnjë i thoshte nënës që të mos pështjellohej e të merrej me punët dhe shtrohej në bisedë me gjyshin, sikur të mos ishin parë prej kushedi sa vitesh. Fliste shumë e papushim, gjithmonë sillte një lajm të ri, të mirë a të keq, tregonte ndonjë ngjarje të sapondodhur dhe e peshonte me gjyshin, sikur ata dy të vendosnin për secilën ngjarje fundin e përcaktuar. Dilana merrte e jepte me duar, zgjaste kokën përpara e mprehte sytë shkëndijues, i thoshte gjyshit se Marlekët na qenkan një racë robi e mbaruar, se edhe me ndrikullat e veta na paskëshin pasur punë. Ose ndodhte që i lëshonte krahët poshtë, ngrinte sytë lart, lëshonte një psherëtimë të thellë, aq sa më dukej se i këputej fryma, shqiptonte diçka të turbullt për të ritë e saj dhe fliste si me vete: ‘Kush i lakmon kësaj jete është shtazë’.”
Në vazhdimin e tregimit deri në pikën e fundit, kur autori thyen normën lineare, ndeshja me fundin që lidhet me vdekjen e protagonistit pushton një interes tjetër, atë që tregimi e lë për ta përballur në vetvete. Këtu ndjehet stili që të bën të ndjekësh këtë autor:
“Edhe sot e kësaj dite, sa herë shkoj në qytetin e vogël ku banojnë prindërit e mi, tashmë të lodhur e të drobitur nga pleqëria, i pyes edhe për Dilanën, në rron a s’rron më dhe a mbahet. Dhe gjithmonë, im atë ma pret me inat: ‘Ende nuk e ka marrë dreqi hisen e vet. Karafilja nuk i hoqi kurrë rrobat e zisë qyshkur vdiq ai, gjyshi yt i bukur’. Dhe flet me urrejtje, sikur imgjysh të mos ishte babai i tij.”
Në përmbyllje, proza e Lazër Stanit del si një model i veçantë i rrëfimit të shkurtër në letërsinë shqipe, ku fjala nuk është thjesht mjet komunikimi, por strukturë mendimi, ndjeshmërie dhe bote të brendshme. Përmes një gjuhe të ngjeshur, figuracioni të natyrshëm dhe një raporti të tensionuar mes reales dhe imagjinares, ai arrin të ndërtojë një univers ku personazhet, situatat dhe morali nuk mbeten të jashtme, por bëhen pjesë e një përjetimi të thellë estetik. Në këtë kuptim, Stani nuk shfaqet vetëm si tregimtar i veçantë, por si një zë që e ripërkufizon prozën e shkurtër bashkëkohore shqiptare, duke i dhënë asaj densitet, reflektim dhe një tingëllim të qëndrueshëm në kohë.








Comments