top of page

Fatmir Terziu: Dy thithkat e magjishme

May 13
11 min read

Kur ha qershi me gjithë bërthama


Tregim

 

Kur u kthye në shtëpi atë mbrëmje, Bardhyl Hoxha nuk foli me askënd. E shtyu portën me sup, hyri në oborrin e lagësht nga shiu i pasdites dhe ndjeu menjëherë erën e qershisë së kalbur që vinte nga fundi i kopshtit. Qershia e vjetër, ajo që i ati e kishte mbjellë kur ai kishte lindur, ishte ngarkuar aq shumë atë verë, sa degët qenë përkulur gati në tokë. Disa kokrra qenë çarë nga shiu dhe tani shpërndanin një erë të ëmbël e të athët, si vera e lirë që pinin hamallët e tregut.

Në kuzhinë, gruaja e tij, Elmaja, po qëronte patate. Nuk e luajti kokën kur ai hyri. Vetëm tha:

“Erdhe?”

Bardhyli nuk u përgjigj. Hoqi xhaketën e qullur dhe e hodhi mbi karrige. Pastaj shkoi drejt dritares. Jashtë, në muzgun e vonë, qershia dukej si një grua e thinjur që rrinte përkulur mbi tokë.

“Paskan ardhur prapë nga Bashkia,” tha Elmaja pa e parë në sy. “Lanë një letër.”

Ai ndjeu një therje në bark. Nuk pyeti çfarë shkruhej në letër. E dinte. Prej muajsh vinin letra. Prej muajsh matnin oborrin me metra, vendosnin shenja të kuqe mbi mure, fotografonin çatinë, numëronin dritaret, sikur shtëpia të ishte ndonjë kufomë që duhej identifikuar para se ta varrosnin.

“Do kalojë rruga këtej,” i kishin thënë.

“Rrugë kombëtare,” kishte shtuar një djalosh me kostum gri, që mbante syze pa numër dhe buzëqeshte me mëshirë administrative.

“Për të mirën e të gjithëve.”

Që prej asaj dite, Bardhyli nuk flinte mirë. Çdo natë dëgjonte makina që ende nuk ekzistonin. I dukej sikur nëpër oborr kalonin kamionë me drita të verdha, që i shtypnin qershitë dhe i përzienin me baltën. Ai hapi letrën pa ngut. Fleta dridhej lehtë në dorën e tij. Fjalët qenë të shtypura bukur, me atë gjuhën e ftohtë që përdorin zyrat kur duan të të vrasin pa bërtitur:

“Ju njoftojmë se objekti juaj përfshihet në planin e zhvillimit urban…”

Më poshtë flitej për dëmshpërblime, afate, procedura dhe bashkëpunim qytetar.

“Qytetar…” pëshpëriti ai me vete dhe qeshi me një gaz të thatë.

I ati nuk e kishte quajtur kurrë veten qytetar. “Jam njeri i tokës,” thoshte. “Qytetarët hanë bukë me vulë shteti.”

Në qoshen e kuzhinës, pranë sobës, rrinte ulur e ëma, Zenepeja. Qe plakur shumë vitet e fundit. Fytyra i ishte mbledhur si një mollë dimri dhe duart i dridheshin kur mbante filxhanin.

“Ata nuk e presin qershinë?” pyeti papritur.

Bardhyli picërroi sytë.

“Kush?”

“Ata të Bashkisë.”

“Nuk e di.”

Plaka uli kokën. Dukej sikur po mendonte diçka shumë të largët.

“Mos ua lër,” tha pas pak. “Ajo pemë ka parë më shumë se ne.”

Askush nuk foli më. Vetëm ora e murit trokiste ngadalë, si një çekan që ngul gozhdë në dru të njomë. Natën, Bardhylin nuk e zuri gjumi. Doli në oborr me një cigare të ndezur. Shiu kishte pushuar. Qershia rrinte në errësirë, e rënduar nga frutat. Ai iu afrua trungut dhe vendosi dorën mbi lëvoren e lagësht. I kujtohej mirë dita kur kishte rënë nga ajo pemë. Ishte tetë vjeç dhe kishte hipur deri në majë, sepse donte t’u tregonte djemve të lagjes se nuk kishte frikë. Degët qenë të rrëshqitshme nga vesat e mëngjesit. Njëra u këput. Ra me shpinë mbi tokë dhe për disa çaste nuk mori frymë. I ati e kishte ngritur në krahë dhe, në vend që ta rrihte siç priste ai, e kishte çuar te kroi dhe i kishte larë fytyrën.

“Qershitë hahen me gjithë bërthama,” i pati thënë atëherë. “Kush ka frikë nga bërthama, mos hajë qershi fare.”

Për vite me radhë Bardhyli nuk e pati kuptuar atë fjali. Ia kujtonte shpesh i ati, sidomos kur në shtëpi mungonin paratë, kur nëna sëmurej, kur vinin dimra të ashpër dhe ujqit zbrisnin afër fshatit.

“Të jetosh do të thotë të hash qershi me gjithë bërthama.”

Tani i ati kishte shtatë vjet në varreza dhe fjalia po i kthehej si një kollë e vjetër në mushkëri. Nga larg dëgjoi një motor. Një makinë ndaloi para portës. Dy burra zbritën. Njëri mbante një elektrik dore.

“Zoti Bardhyl?” thirri.

Ai nuk lëvizi.

“Jemi nga firma e matjeve. Nesër në mëngjes fillojmë punën.”

Elektriku ndriçoi trungun e qershisë. Burri fishkëlleu lehtë.

“Ç’pemë e bukur,” tha. “Gjynah.”

Pastaj qeshi me atë të qeshurën e njerëzve që nuk ndjejnë asgjë. Bardhyli ndjeu një shije të hidhur në gojë. Pa e kuptuar, zgjati dorën dhe këputi një qershi. E futi në gojë me vrull. Ishte tepër e pjekur. Lëngu i kuq i rrëshqiti nëpër mjekër. E përtypi me gjithë bërthamë. Burri me elektrik e pa i habitur.

“Do të të bëjë keq,” tha.

Bardhyli i drejtoi sytë nga ai. Për herë të parë atë ditë buzëqeshi vërtet.

“Asgjë nuk të bën më keq se frika,” tha ngadalë. “Të tjerat treten.”

Pastaj mori edhe një qershi tjetër. Edhe atë e hëngri me gjithë bërthamë. Në katin e sipërm u hap dritarja. E ëma po e shikonte nga lart, e mbështjellë me shallin e zi. Dukej si një hije e vjetër e dalë nga fotografia.

“Mos ua lër qershinë,” tha ajo me zë të mekur.

Ndërsa nata zbriste mbi oborr, Bardhyli vazhdoi të hante qershi në errësirë, njëra pas tjetrës, me gjithë bërthama, sikur po përpinte dalëngadalë gjithë jetën e tij, hidhërimin, turpin, frikën dhe tokën që po ia merrnin nën këmbë. Mëngjesi erdhi i turbullt, me një mjegull të hollë që zbriste nga kodrat dhe mbështillej pas gardheve të lagjes si lesh i lagur. Bardhyli kishte fjetur fare pak. Në të gdhirë e zuri gjumi në kolltukun e sallonit, me këmishën ende veshur dhe me duart që kundërmonin erë qershie të shtypur. E zgjoi zëri i Elmës.

“Kanë ardhur.”

Ai hapi sytë me mundim. Në oborr dëgjoheshin hapa burrash dhe përplasja metalike e një metri matës. Dikush kollitej rëndë. Dikush tjetër qeshte me zë të lartë. Bardhyli doli jashtë pa larë fytyrën. Dy burra po matnin largësinë nga porta deri te muri anësor. Njëri mbante një bllok në dorë, tjetri kishte ngulur një kunj të kuq pranë qershisë.

“Mos ma prekni pemën,” tha Bardhyli.

Burri me bllok ngulfiti.

“Nuk kemi ardhur për pemën.”

“Po për çfarë?”

“Për rrugën.”

Ai deshi të thoshte se rrugët gjithmonë hanë pemë, oborre dhe njerëz bashkë, po heshti. Ndjeu se po të fliste do t’i dilte gjithë mllefi përmes gojës si gjak. Në atë çast porta kërciti lehtë. Një grua hyri në oborr me një shportë të vogël në dorë. Bardhyli e njohu menjëherë, megjithëse kishin kaluar më shumë se njëzet vjet. Mirinka. Ishte holluar. Flokët e zinj tani i kishte lidhur pas koke dhe te cepat e syve i qenë mbledhur ca rrudha të holla si fije bari të tharë. Po ecja e saj ishte po ajo, e kujdesshme dhe e heshtur, sikur çdo hap e mendonte dy herë para se ta hidhte.

“Për ngushëllim,” tha ajo duke ngritur shportën.

Ai mbeti i hutuar.

“Kush ka vdekur?”

Mirinka i zgurdulloi sytë.

“Më thanë se po ju prishin shtëpinë. Në fshat këto i quajnë njësoj.” Dy matësit qeshën nën hundë. Bardhyli nuk ua vuri veshin. Po shikonte vetëm Mirinkën. Njëherë, shumë kohë më parë, kishte dashur të martohej me të. Atë verë ajo vinte çdo pasdite te kroi poshtë qershisë. Mbante gjithmonë një shami të bardhë mbi flokë dhe një fustan të kaltër me pika të vogla. Ai rrinte mbi degë dhe e sodiste fshehurazi, pa guxuar t’i fliste. Vetëm njëherë i pati hedhur një qershi nga lart. Kokrrën ajo e kishte kapur në ajër dhe, pa e parë fare, kishte thënë:

“Kur të piqen tamam, hajde të m’i japësh me dorë.”

Atë natë Bardhyli nuk kishte fjetur nga gëzimi. Po pastaj erdhën vitet e këqija. I ati i Mirinkës hyri në borxhe, familja u shpërngul në qytet dhe ajo u martua me një shofer kamioni nga Durrësi. Bardhyli e pa vetëm edhe njëherë, vite më vonë, në një stacion autobusi. Kishte në krah një vajzë të vogël dhe sy të lodhur. Tani rrinte përsëri nën qershi.

“Na sill pak ujë, Elma,” tha Zenepeja nga dritarja, sikur ta kishte pritur prej kohësh ardhjen e saj. Elmaja doli me tabaka në dorë. Sytë iu ngulën mbi Mirinkën vetëm një çast, po mjaftoi ai çast që Bardhyli të ndjente një pickim turpi në bark. Gratë u përshëndetën ftohtë.

“Kam sjellë pak reçel,” tha Mirinka. “Nga qershitë.”

Elmaja mori shportën.

“Faleminderit.”

Në ajër mbeti pezull një heshtje e rëndë, si ato retë që nuk dinë nëse do të lëshojnë shi apo breshër. Mirinka u afrua pak te qershia dhe preku trungun me majat e gishtërinjve.

“Akoma jeton,” tha me zë të ulët.

“Për pak,” ia ktheu Bardhyli.

Ajo e drejtoi kokën drejt degëve të mbushura plot.

“Të kujtohet kur rashë nga kjo pemë?”

Ai u habit.

“Ti s’ke rënë kurrë.”

“Kam rënë,” tha ajo dhe buzëqeshi lehtë. “Po ti nuk e more vesh. Rashë atë ditë kur nuk erdhe te kroi.”

Bardhyli ndjeu se toka nën këmbë iu bë e butë si baltë. Donte të thoshte diçka, po fjalët i mbetën në fyt. Nga ana tjetër e oborrit njëri prej matësve bërtiti:

“Duhet prerë edhe kjo degë këtej. Pengon vijën.”

Miranda u kthye menjëherë.

“Mos e prekni!” tha me një ashpërsi që i habiti të gjithë.

Burri i ngriti supet.

“Ne zbatojmë projektin.”

“Edhe kasapët zbatojnë urdhra,” tha ajo.

Për herë të parë, Bardhyli e pa sërish vajzën e dikurshme te kroi, atë që fliste pak, po kur zemërohej, i dridhej buza e sipërme. Ajo këputi një qershi, e fshiu lehtë me pëllëmbë dhe ia zgjati Bardhylit.

“Merri,” tha. “Para se t’ua marrin edhe shijen.”

Ai e mori kokrrën nga dora e saj. Gishtat iu prekën të dyve vetëm për një grimë sekonde, po Bardhylit iu duk sikur po i zgjohej një jetë tjetër brenda kraharorit, një jetë që e kishte lënë të vdiste pa e kuptuar. E futi qershinë në gojë.

“Këtë herë pa bërthamë,” tha Mirinka dhe buzëqeshi me trishtim. Po Bardhyli e përtypi ngadalë, me gjithë bërthamë.


Fatmir Terziu: Dy thithkat e magjishme

 

Ishte një tabelë e ndryshkur, e mbërthyer në trungun e një mani të vjetër, atje ku rruga e fshatit merrte tatëpjetën drejt mullirit të braktisur. Shkrimi mbi të nuk dukej ditën. Dukej vetëm natën, kur ndonjë grua që ushqente foshnjën kalonte andej dhe një pikë qumështi gjiri binte mbi dërrasën e zezë. Atëherë fjalët ndiznin si krimbat e dritës:

“Kush i thith këto dy thithka, rinohet dhjetë vjet.”

Njerëzit e fshatit betoheshin se tabela kishte qenë aty qysh para luftës. Disa thoshin se e kishte sjellë një murg i marrë nga Mali i Shenjtë. Të tjerë thoshin se ishte shkruar nga një mjek turk, që kishte humbur mendjen pasi ishte dashuruar me një grua që nuk plakej kurrë. Po askush nuk e dinte të vërtetën. Në fshat, të vërtetat plakeshin më shpejt se njerëzit. Unë atë verë u ktheva pas njëzet e shtatë vjetësh. Mamaja më kishte marrë në telefon tri netë rresht. Nuk fliste gjatë. Merrte frymë rëndë, kollitej dhe pastaj pyeste: “Kur do vish?”

Asnjëherë nuk më pyeste si isha. As unë nuk e pyesja si ishte ajo. Midis nesh kishte mbetur vetëm frymëmarrja, si një urë e vjetër druri mbi një lumë që thahej çdo vit. Kur mbërrita në fshat, më dukej sikur dikush kishte zbritur qiellin më afër tokës. Shtëpitë qenë tkurrur. Rrugët më dukeshin më të ngushta. Vetëm varrezat ishin zgjeruar. Mamaja më priti te porta. Ishte bërë aq e vogël, sa m’u duk sikur dikush ia kishte mbledhur trupin me duar. Më përqafoi pa fjalë. Duart i dridheshin mbi shpinën time.

“Më në fund erdhe,” tha.

Në mbrëmje, ndërsa pinim çaj në kuzhinë, ajo ma përmendi për herë të parë tabelën.

“E kanë parë prapë.”

“Kush?”

“Gratë.”

Mamaja gjithmonë ua besonte grave gjërat e mistershme. Burrat në fshatin tonë pinin raki dhe vdisnin. Gratë shikonin ëndrra dhe i mbanin gjallë shtëpitë.

“Cila tabelë?” pyeta unë, edhe pse e dija.

“Ajo e mullirit.”

Pastaj heshti. Jashtë lehën qentë. Diku larg kaloi një makinë. Dritaret u drodhën lehtë.

“Thonë se është kthyer ajo gruaja.”

“Cila grua?”

Mamaja më pa drejt në sy. Në atë çast mu duk më e vjetër se gjithë fshati bashkë.

“Gruaja e thithkave.”

Qesha pa zë. Mamaja nuk qeshi.

“Nuk tallet njeri me atë punë.”

Dhe nisi të më tregonte. Kur ajo kishte qenë vajzë, në fshat jetonte një grua që quhej Mara. Burri i kishte vdekur i ri. Nuk pati fëmijë. Nuk pati motra. Nuk pati askënd. Po burrat çmendeshin pas saj. Edhe kur ajo i kaloi të pesëdhjetat, dukej si tridhjetë. Gratë e urrenin. Burrat i rrinin pas si qen të uritur.

“Nuk plakej,” tha mamaja. “Ishte bela e Zotit.”

Një natë, bariu i fshatit e kishte parë te mulliri i vjetër. Ishte lakuriq deri në brez. Dy djem të rinj rrinin të gjunjëzuar para saj, si në kishë. Njëri qante. Tjetri qeshte me sy të mbyllur. Dhe Mara ua mbante kokat në gji. Të nesërmen, të dy djemtë qenë zgjuar pa asnjë thinjë në kokë.

“Njerëzit filluan të shkonin natën te mulliri,” tha mamaja. “Po ajo nuk iu shfaqej të gjithëve.”

“Përralla,” i thashë.

Mamaja tundi kokën.

“Edhe vdekja përrallë duket kur je i ri.”

Atë natë nuk fjeta. Dëgjoja orën në mur. Çdo tik-tak më dukej si një hap që largohej prej meje. U çova nga shtrati dhe shkova te pasqyra e korridorit. Drita e hënës më ra në fytyrë. Pashë rrudhat poshtë syve, thinjat në tëmtha, qafën që më ishte varur lehtë. M’u kujtua Elena. Pesë vjet kishin kaluar nga divorci ynë, po unë ende zgjohesha ndonjëherë me përshtypjen se ajo fle në anën tjetër të krevatit. Kishte ikur pa britma. Gratë që ikin qetë të shkatërrojnë më shumë se ato që përplasin dyert.

“Ti je lodhur nga vetja,” më pati thënë natën e fundit.

Atëherë nuk e kuptova. Tani po. Nga dritarja pashë rrugën që zbriste drejt mullirit. Hëna e kishte zbardhur si kockë. U vesha dhe dola. Fshati flinte. Vetëm lumi dëgjohej poshtë, si një kafshë që merr frymë në errësirë. Kur mbërrita te mani i vjetër, e pashë tabelën. Ishte aty. E zezë. E kalbur. U afrova. Nuk shkruante gjë. Zgjata dorën dhe preka dërrasën. Ishte e lagësht.

“Atë e lexojnë vetëm të penduarit.”

Zëri erdhi pas meje. U ktheva vrik. Një grua rrinte në hije. Flokët i kishte të gjata, të shpërndara mbi supe. Nuk dukej plakë. Nuk dukej as e re. Ishte nga ato fytyra që të kujtojnë dikë, po nuk e kupton kë.

“Mara?” pyeta pa e kuptuar pse.

Ajo buzëqeshi lehtë.

“Njerëzit kanë nevojë t’i vënë emër frikës.”

M’u afrua ngadalë. Mbante erë qumësht dhe duhan.

“Ke ardhur të rinohesh?”

Nuk iu përgjigja. Ajo më pa gjatë. Pastaj më preku faqen me gisht.

“Ti nuk je lodhur nga mosha,” tha. “Je lodhur nga kujtimet.”

Era fryu nga lumi. Dëgjova ujin të godiste gurët.

“Po funksionon?” pyeta më në fund.

Ajo qeshi me një të qeshur të trishtuar.

“Asgjë nuk funksionon siç duan njerëzit.”

Pastaj, pa asnjë turp, zbërtheu ngadalë bluzën. Gjoksi iu shfaq në dritën e hënës. Ishte i bardhë. I plotë. I qetë si diçka që nuk i përket më trupit, po kohës.

“Eja,” tha.

Nuk lëviza. M’u kujtua babai im në arkivol. M’u kujtua Elena duke mbledhur rrobat. M’u kujtua mamaja që kollitej në kuzhinë. M’u kujtua fytyra ime në pasqyrë. Gruaja më priste. Papritur ndjeva tmerr. Jo nga ajo. Nga mundësia që gjithçka të ishte e vërtetë. Sepse nëse rinia mund të kthehej, atëherë gjithë jeta ime kishte qenë një keqkuptim. U tërhoqa pas. Gruaja uli sytë dhe e mbuloi gjoksin.

“Edhe ti si gjithë të tjerët,” tha me zë të ulët.

“Çfarë do të thotë?”

“Burrat nuk duan të rinohen. Duan vetëm të mos vdesin.”

Pastaj u kthye dhe nisi të largohej drejt mullirit. Ecja e saj nuk bënte zhurmë mbi bar.

“Prit!” thirra.

Ajo ndaloi pa u kthyer.

“A është e vërtetë?”

Gruaja heshti gjatë. Pastaj tha: “Kush pi nga trupi i një gruaje, nuk rinohet në fytyrë. Rinohet te dhimbja.” Dhe humbi në errësirë.

Qëndrova gjatë te mani i vjetër. Kur preka prapë tabelën, ndjeva diçka të lagësht në gishta. E afrova pranë dritës së hënës. Qumësht. Ngadalë, mbi dërrasën e zezë filluan të dalin shkronjat.

“Kush i thith këto dy thithka, kujton jetën që ka harruar.”

U ktheva në shtëpi para agimit. Mamaja flinte në kolltuk, me televizorin ndezur pa zë. Mbi gjoks i kishte rënë fotografia e babait. E mbulova me batanije. Pastaj shkova te pasqyra e korridorit. Rrudhat ishin aty. Thinjat po ashtu. Po sytë më dukeshin disi më të rinj.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page