Fatmir Terziu: La për ne vetëm përkushtimet e tij atdhetare
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 51 minutes ago
- 4 min read

Gjezair Miftar Terziu la për ne vetëm përkushtimet e tij atdhetare
Nga Fatmir Terziu
Duke shtruar arsyetimin
Historia e Gjezair Miftar Terziut, nis tetëdhjetë kilometra larg në Trebisht Bala të Gollobordës dhe shuhet në Lagjen e Re në Elbasan. Ajo është sikurse fati i familjeve të mëdha, që vjen një ditë të shuhen, të shuajnë rrënjët. Kjo për arsye të ndryshme, por dhe me shumë gjasa nga fatet e vetë rrjedhave të jetës. Familja ku lindi dhe u rrit Gjezair Miftar Terziu, është risi jetike si e familjeve të mëdha të zanatit, që shpesh ndërthuret edhe me fatin e jetës dhe vendit. Ndër këto familje, ajo e terzinjve ka lënë gjurmë të thella në jetën shoqërore e historike të krahinës së Trebisht të Gollobordës dhe më gjerë. Nga kjo familje ishte pra edhe Gjezair Miftar Terziu, një figurë që mishëroi sakrificën, qëndresën, punën e ndershme dhe krenarinë e një brezi që u rrit mes luftërave, ndërsa i dha Shqipërisë jo vetëm rininë, energjitë, përkushtimin por dhe gjithçka tjetër pati që nga dita kur Zoti e solli në jetë.
Rrënjët familjare dhe dhimbja e hershme
Terzinjtë ishin ndër familjet më të njohura të zanatit në Trebisht-Bala, me traditë në ustallëk, ndërtimtari, gdhendje guri, tregti, qilimabërës, rrobaqëndisës dhe thurrës të kostumeve kombëtare tradicionale dhe punë të ndershme. Familja përbëhej nga tre vëllezër: Miftari, Maksuti dhe Arifi, si edhe katër motrat e tyre, secila me familje të krijuar.
Por mbi këtë trung u ul tri herë hije e rëndë: shtëpitë dhe dyqani iu dogjën radhazi nga serbët, nga italianët dhe sërish nga pushtuesit serbë, duke shndërruar djersën e shumë viteve në hi. Tragjedia më e madhe familjare ndodhi me vrasjen e Arif Gjezair Terziut, xhaxhait të Gjezair Miftar Terziut, i cili në moshën vetëm tetëmbëdhjetë vjeçare u vra dhe u masakrua nga forcat serbe, të cilët i grabitën mallrat dhe i nxorën sytë. Ky akt barbarie u shndërrua në plagë kolektive dhe në simbol të mizorisë së kohës.
Në këtë kohë dhimbjeje, lindi fëmija i parë i Miftarit: Gjezair Miftar Terziu. Që në çastin e lindjes, ai u pa si vazhduesi shpirtëror i Arifit, si djali që duhej të ringjallte shpresën dhe të vazhdonte emrin e familjes në ndihmë të tregëtisë, pra të mallrave që duheshin për të furnizuar dyqanin e terzinjve në atë kohë.
Fëmijëria mes pushtimeve dhe sakrificave
Fëmijëria e Gjezairit nuk u zhvillua në kohë paqeje. Pushtimi italian la gjurmë të forta në Trebisht. Kazermat italiane u vendosën në Gorna Urvishta, pranë shtëpisë së terzinjve, duke i detyruar banorët e zonës të furnizonin ushtrinë me ushqime e sidomos me byrekë, një kërkesë e përditshme dhe e lodhshme. Në këtë periudhë tensioni, popullsisë së zonës i erdhi në ndihmë çeta e Haxhi Lleshit, e cila solli lehtësim, organizim dhe një frymë të re rezistence ndaj pushtimit. Në atë kohë u rrëzua dhe një avion në Shabanaren dhe frika ishte akoma më e madhe në zonë.
Hyrja në rrugën e luftës: një adoleshent në armë
Në moshën vetëm katërmbëdhjetë vjeçare, Gjezair Miftar Terziu mori vendimin të bashkohej me çetën e Haxhi Lleshit. Ky hap, i ndërmarrë nga një fëmijë i rritur para kohe, tregoi formimin e hershëm të karakterit të tij, të ndërtuar mbi drejtësi, përgjegjësi dhe besnikëri familjare e kombëtare.
Më vonë, ai u rreshtua në Brigadën e I-rë Sulmuese, një ndër formacionet më të njohura të Luftës Nacionalçlirimtare. Si pjesëmarrës në luftimet për çlirimin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë nga pushtuesit fashistë e nazistë, Gjezairi përjetoi nga afër brutalitetin e luftës, por edhe madhështinë e bashkimit kombëtar.
Gjatë një prej betejave u plagos rëndë në kokë, një plagë që do ta shoqëronte gjatë gjithë jetës, duke e kthyer atë në invalid lufte, por pa ia zbehur kurrë vullnetin dhe përkushtimin ndaj punës dhe shoqërisë.
Jeta pas luftës: punë, ngritje dhe nder
Në përfundim të Luftës, Gjezairi u vendos në Elbasan, qytet i cili u bë vendbanimi i tij përfundimtar. Aty familja ndërtuese ngriti fillimisht shtëpinë e parë dhe më pas bleu tokë për të ngritur edhe dy banesa të tjera. Njëra prej tyre, ajo në Lagjen e Re, u ndërtua posaçërisht për Gjezairin, i cili kishte krijuar familjen me Razie Ballën.
Edhe pse me probleme të vazhdueshme shëndetësore si pasojë e plagës së luftës, ai punoi me përkushtim në ndërmarrje të ndryshme të Elbasanit, duke u shquar për ndershmëri, qetësi dhe karakter të fortë. Titulli i invalidit të luftës nuk u bë kurrë pretekst për të kërkuar lehtësime; përkundrazi, ai mbeti shembull i njerëzve që, edhe të dëmtuar, nuk reshtin së punuari e së kontribuuari.
Trashëgimia e një emri
Gjezair Miftar Terziu ndërroi jetë pa lënë trashëgimtarë biologjikë, por la pas një trashëgimi shumë më të madhe — atë të karakterit, sakrificës dhe kujtimit të mirë. Emri i tij përmendet me respekt në rrethin familjar dhe në zonat ku ai jetoi e kontribuoi. Kujtimet e tij, shpesh të rrëfyera me qetësi dhe sinqeritet, ishin më shumë se histori personale; ishin leksione për jetën, për sakrificën dhe për vlerat që formojnë një njeri. Ai mbahet mend si njeri i thjeshtë, i dashur dhe i drejtë, që fliste pak por me peshë, dhe që e kishte të rrënjosur thellë ndjenjën e detyrës ndaj vendit dhe familjes. Në historinë e trebishtarëve dhe në kujtesën e atyre që e njohën, ai mbetet figurë e pastër e një brezi që i dha Shqipërisë gjithçka që kishte.
Duke konkluduar
Historia e Gjezair Miftar Terziut është historia e një djaloshi që u rrit mes flakëve të luftës, e një burri të ndershëm në rrjedhat e vështira të ndërtimit dhe që jetën e vet ua kushtoi vlerave dhe punës, nderit dhe vendit. Edhe pse nuk la bij e bija, ai la një emër që do të kujtohet gjatë, si simbol i qëndresës dhe i dinjitetit njerëzor. Është një rrëfim që meriton të mbetet i shkruar, sepse brenda tij përmbledhen rrënjët, dhimbjet dhe krenaritë që kanë formuar një pjesë të mirë të historisë sonë kombëtare.








